DEMET dhe SHIFRAT/ Shembet godina e parë në Qytet Studenti dhe një tjetër pallat me eksploziv në Shkozet (Momenti i rrëzimit)

Mesditën e sotme ka nisur shembja e godinës së parë në Qytet Studenti që është bërë e pabanueshme si pasojë e lëkundjeve të forta të tërmetit të 26 Nëntorit.

Report Tv sjell pamjet nga godina që po shembet, ndërsa të njëjtin fat do të kenë edhe dy të tjera 18 dhe 19-ta. Shembja po bëhet me fadroma dhe jo me shpërthim të kontrolluar. Edhe në Durrës kanë vijuar shembjet, por me eksploziv, ku është kryer shpërthimi i kontrolluar i një pallati 5-katësh të shkatërruar nga tërmeti në zonën e Shkozetit. 

Në ditët e fundit janë shembur 39 banesa me shpërthim të kontrolluar dhe mjete të rënda ndërsa do të vijojnë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:06
Mbi 130 njësi industriale janë dëmtuar nga goditjet e tërmetit, problematike gjendja me fuqinë punëtore


Mbi 130 njësi industriale janë dëmtuar nga goditjet e tërmetit të 26 nëntorit 2019 kryesisht në Qarkun e Durrësit. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Konfindustria mbështetur në të dhënat e deritanishme.

Ndërkohë në njoftimin e Konfindustrisë thuhet se "është e domosdoshme, që Qeveria, Kuvendi i Shqipërisë, institucionet shtetërore të rindërtimit të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 ti kushtojnë rëndësi aktivizimit të programeve financiare dhe fiskale të ndihmës ndaj bizneseve në përgjithësi dhe industrive në veçanti."

Më tej Konfindustria bën me dije se masa e parë do të ishte raportimi para Kuvendit të Shqipërisë nga ana e AMF/Agjencisë së Mbikqyrjes Financiare për vlerën e plotë të dëmeve dhe grafikun kohor të shlyerjes së pagesave të dëmeve të siguruara nga ana e shoqërive të sigurimit.

"Shumica e industrive të sipërpermendura kanë kryer sigurimin e biznesit të tyre. Shtyrjet në kohë, vonesat e qëllimta dhe shmangia e detyrimit ligjor për të paguar vlerat e plota financiare nga shoqëritë e sigurimeve do të sillnin pasoja të jashtëzakonshme deri në falimentim për bizneset e prekura rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Gjithashtu, është e nevojshme përgatitja e një pakete të plotë ndihme fiskale, financiare për bizneset në zonat e prekura si dhe vlerësimit të mundësive të aktivizimit të programeve të ndihmës nga BE për rastet e fatkeqësive natyrore." thuhet më tej në reagimin e Konfindustrisë.

Shkalla e dëmtimit të industrive në zonat e prekura shtrihet nga shkatërrimi i plotë ose i pjesshëm i konstruksionit të ndërtesave, njësitë teknologjike, makineritë, pajisjet, prodhimi i gatshëm dhe lëndët e para. Sipas Konfindustrisë vlera e plotë e dëmeve të industrive është në plotësim e sipër, por llogaritet në dhjetra milionë euro.

Një pjesë e industrive kanë pezulluar punën dhe e kanë të pamundur rifillimin në një kohë të shpejtë. Problematike paraqitet gjendja edhe me fuqinë punëtore, si pasojë e dëmtimeve të shtëpive të banimit. Lajm i mirë është gjendja relativisht e qëndrueshme e sistemeve të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të bizneseve.

Konfindustria vlerëson, se ndërmjet të tjerave janë dëmtuar rëndë edhe industri të rëndësishme në nivel kombëtar si p.sh në sektorë të mekanikës, aluminit, letrës, plastikës, etj. Kompanitë në fjalë punësojnë me qindra punonjës. Vonesat në rivënien në punë të sipërmarrjeve të mësipërme, rrezikojnë seriozisht mbylljen përfundimtare të tyre dhe lënien pa punë të fuqisë puntore.

Ora 19:44
Lezhë/ Qendra e Emergjencave: Jo të gjithë pallatet e pabanueshëm do të shemben, mundësi për rivlerësim të dytë(VIDEO)

LEZHË -Përfaqësues i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile, për Qarkun Lezhë, Etjen Xhafaj ka bërë me dije bilancin aktual dhe verifikimet e bëra pas dëmtimeve të tërmetit të 26 Nëntorit.

Sipas Xhafajt jo të gjitha pallatet që janë shpallur të pabanueshëm do të shemben, pasi do të ketë një proces të dytë rivlerësimi, gjatë të cilit do të mendohet edhe për ndonjë ndërhyrje të mundshme.

Më pas Xhafaj shpjegon se procesi i verifikimit ka vijuar në terren me 6 grupe nga Kosova. Ndërkohë nesër do të ketë një trajnim dhe një rishpërndarje të re të grupeve të vlerësimit nga të treja bashkitë në territor. Gjithashtu është marrë një vendim i Këshillit Bashkiak Lezhë për të vijuar me bonusin e qirave për qytetarët e Lezhës.

" Jemi këtu sot për të raportuar edhe njëherë ecurinë e ditës nga Qendra Operacionale e Shtabit të Emergjencave Civile në qarkun e Lezhës. Së pari, duam të tërheqim vëmendjen e të gjithë qytetarëve, të cilët janë duke lëvizur të gjithë pajisjet e tyre apo orenditë nga pallatet. Jo të gjithë pallatet të cilët janë përcaktuar si të pabanueshëm, do të shemben.

Pra, do të ketë një proces të dytë rivlerësimi, gjatë të cilit do të vlerësohet edhe ndërhyrja e mundshme. Ka raste ku do të ndërhyhet strukturalisht, për gjithë të tjerat do të ketë një vendim specifik nga këshillat bashkiakë të të tre bashkive për të specifikuar atë që do të ndodhë. Dhe pastaj do të mundësohet edhe afrimi me këto godina i qytetarëve, të shoqëruar nga Policia dhe instancat e tjera ligjore dhe shtetërore për të mundësuar tërheqjen e orendive dhe mjeteve të tyre.

Sot ka vijuar vlerësimi dhe ricertifikimi i sigurisë së godinave masive në terren me 6 grupe nga Kosova. Nesër do të ketë një trajnim dhe një rishpërndarje të re të grupeve të vlerësimit nga të treja bashkitë në territor. Gjithashtu është marrë një vendim i Këshillit Bashkiak Lezhë për të vijuar me bonusin e qerave për qytetarët e Lezhës. Nesër do të ketë mbledhje të Këshillave Bashkiakë, si nga Këshilli Bashkiak i bashkisë Kurbin ashtu dhe nga Këshilli Bashkiak i Mirditës për të marrë vendime në lidhje me këto.

Gjithashtu, Këshilli Bashkiak i bashkisë Kurbin do të shqyrtojë edhe njëherë situatën në lidhje me pallatet e dëmtuara. Sa u përket institucioneve publike dhe shërbimeve, sot është bërë evakuimi i një pjese të spitalit të Laçit, në bashkinë Kurbin, në drejtim të spitalit të Lezhës. Kemi reaguar menjëherë duke shtuar shërbimet ambulatore dhe gjithashtu duke mbajtur të hapur në qytetin e Laçit shërbimet e emergjencës. Është shumë e rëndësishme që të kemi mirëkuptimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin si me grupet e vlerësimit, ashtu edhe me ekipin tjetër të të gjithë ndihmës shtetërore dhe të Shtabit të Emergjencave Civile. Faleminderit!" tha ndër të tjera Etjen Xhafaj.

Ora 16:23
Baba Mondi falenderon izraelitët për inspektimin e Kryegjyshatës pas tërmetit, eksperti: E bëjmë me dashuri se shqiptarët na kanë mbrojtur

Një grup ekspertësh nga Izareli kanë inspektuar Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë. Gjatë ekspertizës grupi izraelit është shoqëruar nga Baba Mondi dhe kanë parë nga afër dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti. Një prej ekspertët foli për mediat ku dha edhe garanci për ndërtesën duke u shprehur se struktura nuk është dëmtuar. Ndërkohë pas inspektimit Baba Mondi i falenderoi grupin e izraelitëve për ndihmën e dhënë gjatë këtyre ditëve të vështira për Shqipërinë.

"Bektashinjte kanë qenë pro mirësisë njerëzore. Mirnjohje për ju, falenderoj edhe qeverinë e Izraelit. Ku në këtë rast po na ndihmon për dëmtimet në shtëpitë, tona. Zoti ju bekoftë për mirësitë që po bëni. " tha Baba Mondi.

"Së pari në vijmë nga Izraelit dhe shkojmë në të gjithë vendet që kanë nevojë. E dyta është se për dashurinw që kemi për popullin shqiptarë, për mbrojtjen që na ka dhënë, nuk do ta harrojmë, gjyshja ime ka qenë e holokaustit, unë jam nipi i saj. Ka shumë si unë që jua kemi borxh jetën, për njerëz si ju që i ka mbrojtur. Meqë na bashkon feja që besojmë në një zot që e do jetën dhe të mirën e të gjithë njerëzimin. " tha njëri nga inspektorët izraelit.

Ekspertët nga Izraeli ndodhen prej disa ditësh në Shqipëri. Ata janë pjesë e grupeve të punës që po bëjnë vlerësimin e godinave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

Ora 14:55
Koloneli izraelit: Mbi 90% e objekteve të dëmtuara nga tërmeti mund të rikonstruktohen


Koloneli Izraelit Golan Vach po drejton grupin e tij të inxhinierëve në zonat e prekura nga tërmeti ku është shpallur gjendja e emergjencës. Grupi i inxhinierëve, urbanistëve dhe arkitekteve nga Izraeli kanë mbi 5 ditë që po punojnë në terren dhe po asistojnë me grupet shqiptare.

Me eksperiencë të gjatë antisizmike, koloneli Golan Vach thotë se mbi 90% e objekteve janë riparueshme dhe se po punohet ngushtësisht me Ministrin Çuçi dhe Zv.Ministrin Shkreli për të zgjidhur sa më shpejt situatën.

“Ne po asistojmë në disa drejtime për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti. Kemi inspektuar qindra objekte dhe vazhdojnë punën tonë në terren me burime njerëzore dhe llogjistike. Deri tani mund të themi se mbi 90% e objekteve mund të riparohen përmes një ndërhyje rrënjësore.

Koloneli Golan Vach shpreh ngushëllimet për humbjet e jetëve dhe në anën tjetër inkurajon ata që kanë mbetur pa shtëpi se po bëhet gjithcka për të rindërtuar në kohë reale shtëpitë e tyre.

“Ne kemi marrëdhënie të veçantë më Shqipërinë. Fatkeqësisht ka humbje jete dhe të tjerë pa shtëpi. Dua t’ju siguroj se jemi këtu për të bërë gjithçka për të ndërtuar objektet e banimit për të gjithë të prekurit”-u shpreh Kolonel Golan Vach ne nje interviste pet ATSH.

Ora 13:44
Durrës, u dëmtua nga tërmeti, shembet me eksploziv pallati 5-katësh në Shkozet (VIDEO)

Një pallat 5-kate në Shkozet të Durrësit është shembur me eksploziv, shpërthim të kontrolluar mesditën e sotme, pasi u shpall i pabanueshëm si pasojë e dëmeve që pësoi nga tërmeti tragjik.

Ora 13:31
Raporti: 39 godina të shembura! Ekspertët ua çojnë banorëve aktet e konstatimeve në hotele (BILANCI I PLOTË)

Zyra e Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore raporton se deri tani janë 39 objekte të shembura në Durrës dhe në Krujë, gjithashtu ka bërë edhe një bilanc të banesave të inspektuara në terren. Sipas Zyrës së Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore janë 4200 banorë që janë të akomoduar në hotele dhe po u dorëzohen nga ekspertët akt-konstatimet e objekteve për shtëpi dhe apartamente të cilat janë të banueshme. "Banorët nuk vijnë në institucione për të mësuar mbi rezultatin e akt-konstatimit, por shkojnë vetë ekspertët në hotelet ku janë akomoduar" thuhet në raport.

Ora 12:58
Laç, 30 banorë ende në çadër: Shteti s'ka ardhur! Famullitari: Kemi frikë ta bëjmë meshën brenda (VIDEO)

Dhjetëra banorë të Laçit të ngelur të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit, vijojnë ta kalojnë natën në një çadër të vendosur pranë ambieteve të kishës katolike nga një grup vullnetarësh. Ata thonë se qëndrimi në çadër është mjaft i vështirë në këto ditë të ftohta, duke shtuar se ndjehen të braktisur nga autoritet shtetërore. 'Jemi të sëmurë, dy prindërit e kalamajve. Në çadër rrimë, nuk kemi ku të rrimë, ndihma nuk kemi marrë, nuk e dimë nga i kanë çuar". "Jemi dy javë jashtë, na ka ndihmuar kisha me rroba dhe të tëra. Për ndihma nuk ka ardhur asnjë të na shohë" thanë ata.

Këta qytetarë ushqehen pranë kishës katolike, ndërsa ju janë siguruar ndihma të vazhdueshme falë sensibilizimit të vullnetarëve që kanë marrë përsipër përkujdesjen ndaj tyre. "Këtu janë 60 persona, 30 banorë flenë këtu, u shërbejmë nga mëngjesi në darkë" tha Elton Laska, vullnetar.

Dëmtime nga tërmeti ka pësuar edhe kisha e "Shën Mhillit" në Laç. Muret kanë pësuar shkarje në disa vende dhe celebrimi ritualeve fetare shihet mjaft i frikshëm. "Shihen edhe dallohen edhe këtu, në fund të kishës, në anën tjetër dhe bazamentin e kishës janë kryesoret. Unë besoj se nuk është vetëm frika ime, por pak e frikshme është me celebruar meshën brenda" tha Ndue Toplana, famullitar i Kishës së "Shën Mhillit". Tërmeti ka lënë pa strehë qindra banor në Bashkinë e Kurbinit, një pjesë e të cilëve flenë në çadra apo dhe makina prej gati 2 javësh.

1575806372_cadra.jpg

Ora 12:16
E dëmtoi tërmeti, shembet godina e parë në Qytet Studenti, familjet kalojnë me qira (VIDEO)

Shembet në Qytet Studenti godina nr. 15 e cila banohej nga familjarë prej shumë vitesh dhe jo studentë, ndërsa tërmeti i 26 Nëntorit e nxori të pabanueshme si pasojë e dëmeve të shumta. Pasi familjarët, 220 persona nxorën të gjitha orenditë jashtë, fadroma nisi shembjen e godinës. Fillimisht u planifikua shembja me eksploziv, por pas një vlerësimi të dytë u ndryshua.

Shembja totale pritet që të zgjasë, pasi po bëhet me mjete të rënda. 220 personat që banonin në këtë godinë kanë përfituar nga bonusi i qirasë duke u zhvendosur në ambiente të tjera. Ndërkohë që në Qytet Studenti do të shemben edhe dy godina të tjera, nr. 18 dhe nr. 19, të cilat kanë pësuar dëmtime në strukturë.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 09/12/2019 03:47

    Ne te gjithe. Shqiperine duhen shembur 3 milion ndertesa e pallate,,,dhe te gjithe ata qe kane mbetur te pastrehe te hyjne ne shtepite dhe pallatet e politikaneve qe kane vjedhur popullin,;psh tek gjiri lalezit.....

    Përgjigju
  • tani: 09/12/2019 01:10

    PRISHINI pallatet MOS u beni badallenj se nje termet I dyte dhe pastaj e dini vete ju,,...

    Përgjigju
  • YYY: 08/12/2019 12:15

    Plazhet jane mbushur me pallate jasht kushteve teknike si vila e kokdhimes ne himare qe u prish

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Turneu i Madridit, Rafael Nadal: S'jam gati, do luaj vetëm për dashurinë e tifozëve

Turneu i Madridit, Rafael Nadal: S'jam gati, do luaj vetëm për dashurinë e tifozëve