DËMET - SHIFRAT/ Në Durrës inspektohen 6298 objekte, 46 të tjera shemben! Në Shijak raporti përfundimtar jepet të premten

DËMET - SHIFRAT/ Në Durrës inspektohen 6298 objekte, 46 të tjera shemben! Në Shijak raporti përfundimtar jepet të premten

Kur kanë kaluar dy javë nga tërmeti që tronditi Shqipërinë, në terren vijojnë inspektimet nga inxhinierë dhe ekspertë vendas e të huaj, për të evidentuar dëmet në godina. Ekipet e ekspertëve vlerësojnë nëse godinat kanë dëme të riparueshme apo nëse duhen shembur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:53
Banorët e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës nesër të paraqiten për të marrë qiranë (VIDEO)

Përfaqësuesi i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile, për Qarkun Lezhë Etjen Xhafaj deklaroi se edhe ditën e sotme ka vijuar shpërndarja  e pakove me ushqime dhe ndihma për 225 çadra, të cilat janë të vendosur aktualisht në territor. "Ndërkohë që flasim janë ende duke u zëvendësuar dhe vendosur çadrat e reja dimërore, duke zëvendësuar ato që ishin çadra verore, për të pasur mundësi që t’u mundësojmë edhe më shumë kushte qytetarëve.  Në mbledhjen e Shtabit kemi diskutuar për vendimet e këshillave bashkiake, të cilat kanë kaluar në të trija bashkitë, pra, në Mirditë, Lezhë dhe në Kurbin, përsa i përket regjimit të qirave.  Prandaj nga nesër dua t’i ftojmë të gjithë qytetarët, të paraqiten pranë sporteleve të bashkive për të tërhequr dhe plotësuar formularët, që të mund të tërheqin pagesat e qirave.

Gjithashtu nga ora 11 e tutje, këtë shërbim do ta ofrojmë edhe pranë tre hoteleve në Shëngjin, ku janë të vendosur deri tani një numër i madh i të evakuarve brenda qarkut. Fokusi vazhdon të mbetet vlerësimi në terren dhe deri tani nga të gjithë grupet, të cilët janë aktivë në të gjithë qarkun, nga Mirdita, në Kurbin dhe në Lezhë janë bërë deri tani 2280 verifikime të objekteve dhe një numër i madh aktesh konstatimi. Në vijim do të kalojmë edhe vendimmarrjen për të filluar për të marrë hapat e parë në terren, për të filluar me shembjen e godinave dhe pastaj për të rifilluar me procesin e rindërtimit.

Qendra Operacionale e Emergjencës Civile mbetet e hapur dhe e gatshme t’u shërbejë të gjithë qytetarëve.  Do të vazhdojmë sërish nesër me shpërndarjen e çadrave dimërore dhe gjithashtu me përgjigjen për t’iu gjendur pranë të gjithë qytetarëve. Gjithashtu nga nesër do të ketë edhe grupe verifikimi, të cilët do të mbulojnë fshatra të ndryshëm dhe zonat rurale për të filluar dhe vlerësimin e dëmeve aty në banesa dhe në dëme materiale të tjera që mund të kenë pasur banorët" tha ai.

Ora 16:10
Mbyllet 9-vjeçarja në Darzezë të Fierit, fëmijët do transferohen në një tjetër shkollë (VIDEO)

Mbyllet shkolla 9-vjeçare në Darëzezë të Fierit. Shkollës i është vënë shiriti me qëllim ndalimin e mësimit në këtë shkollë. Këshilli bashkiak i i Fierit ka zhvilluar një mbledhje për miratimin e procedurës së shembjes së shkollës 9-vjeçare. Vendimi për shembjen e shkollës është marrë nga Komisioni i Emergjencave Civile pas vlerësimit të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në këto kushte rreth 92 nxënës mes tyre 32 fëmijë të arsimit parashkollor u caktuan të dërgoheshin në një shkollë në fshatin Povelc, por kjo ka hasur në kundërshtimin e prindërve të fëmijëve. Ata thonë se shkolla nuk ka probleme, por vetëm disa plasaritje të shkaktuara ndër vite dhe jo si pasojë e tërmetit. Godina e shkollës 9-vjeçare ka qenë edhe e amortizuar prej vitesh.

Ora 15:18
Lezhë, godina dëmtohet nga tërmeti, gjyqtarët në prokurori për masa sigurimi

Tërmeti i 26 nëntorit 2019, ka sjellë dëme të konsiderueshme në qarkun e Lezhës, ku një ndër godinat që ka pasur dëmtime serioze është dhe gjykata e këtij rrethi. Kjo gjykatë është inspektuar javën e kaluar nga inxhinierët e Institutit të Ndërtimit në Tiranë, të cilët kanë konstatuar se godina e gjykatës së Lezhës, është e pabanueshme dhe nuk ka garanci për të vijuar punën e përditshme në këtë objekt. Nisur nga kjo situatë, është marrë vendimi që kjo gjykatë të transferohet në ambientet e prokurorisë së Lezhës.

“Shqiptarja.com” mëson se salla e mbledhjeve të prokurorisë së Lezhës, është kthyer në sallë gjyqesh, ku prej disa ditësh po zhvillohen seancat për caktimin e masës së sigurisë ndaj personave që arrestohet nga policia e këtij qyteti. Deri në këto momente në ambientet e prokurorisë po zhvillohen vetëm këto gjyqe, ndërsa për sa i përket gjyqeve të themelit penal dhe civil, ato vijojnë të jenë të pezulluara. Veç sallës së mbledhjeve, prokuroria ka liruar dhe katër zyra ku po ushtrojnë detyrën e tyre gjyqtarët e gjykatës së Lezhës.

Ora 14:37
Laç, pallati 5 katësh i braktisur nga banorët ende pa asnjë verifikim

Kanë kaluar 2 javë nga tërmeti 6.4 ballë ndërkohë asnjë grup ekspertësh nuk kanë shkuar për verifikim në pallatin 5-katësh në lagjen nr 2 në qytetin e Laçit. Banorët e këtij pallati i kanë braktisur banesat e tyre. Tërmeti i 26 nëntorit ka sjellë dëmtime të shumta në këtë godinë.

Banorët thonë se kanë bërë kërkesë në bashkinë e Kurbinit për një grup inxhinierësh që të verifikojnë palltin nëse është i banueshëm apo jo. Por edhe pas kërkesës ende asnjë inxhinier nuk ka ardhur për vlersimin e dëmeve. Banorët shprehen se kanë frikë të qëndrojnë në apartamentet e tyre.

“Asnjë njeri kompetent s’ka ardhur. Komplet pjesa  e murit me gjithë kolona janë çarë. Në katër pjesë pllakat e dyshemesë. Qëndrojmë jashtë, tek njerëzit tonë. Kemi nejt edhe në makina. Duam siguri. Jemi me strese. Shkojmë tek njerëzit e afërt dhe vijmë e shikojmë sepse i kemi bërë me shumë sakrifica . Vijmë i presim si një nuse dhe ikin. Vetëm na thonë lësho një firmë”, - thanë banorët e pallatit.

Në këtë situatë janë shumë banorë të Laçit prej dy javësh ata detyrohen të flenë në makina apo të strehohen tek të afërmit pasi askush nuk i jep një vendim zyrtar për dëmet e shkaktuara nga tërmeti në banesat e tyre.

Ora 14:17
Fier, mbyllet shkolla pas dëmeve nga tërmeti! Banorët kundër: Plasaritjet janë shkaktuar ndër vite

Një shkolle e arsimit 9-vjeçar në Darëzezë i është vënë shiriti me qëllim ndalimin e mësimit në ambientet e saj. Vendimi është marrë nga Komisioni i Emergjencave Kombëtare pas vlerësimit nga ekspertët të dëmeve të tërmetit të 26 Nëntorit. Në këto kushte rreth 92 nxënës mes tyre 32 fëmijë të arsimit parashkollor u caktuan të dërgoheshin në një shkollë në fshatin Povelc, por kjo ka hasur në kundërshtimin e prindërve të fëmijëve. Ata thonë se shkolla nuk ka probleme, por vetëm disa plasaritje të shkaktuara ndër vite dhe jo si pasojë e tërmetit.

Ora 13:52
Bilanci i përditësuar/ Në Durrës inspektohen 6298 objekte, 46 të tjera shemben

Zyra për menaxhimin e fatkeqësive natyrore ka bërë të ditur shifrat e përditësuar për sa u përket dëmeve që la pas tërmeti i 26- nëntorit. Deri në orën 12:00 të ditës së sotme, 6298 objekte të inspektuara gjithsej në Qarkun Durrës. për sa u përket objekteve të shembura deri më tani numri janë prishur 46 godina vetëm në qarkun e Durrësit.

Ndërkohë numri total i të akomoduarve në struktura hoteliere në Qarkun e Lezhës dhe Qarkun Durrës është 4181 persona. Sërish, sikurse edhe gjatë dy ditëve të fundit, shumica dërrmuese prej 564 thirrjesh ka qenë për verifikim dëmesh në banesë.

Manzë

 Përsa i takon situatës në Manzë, prej ditës së djeshme, kampi ku qëndronin familje të prekura është liruar plotësisht dhe nuk ekziston më si strukturë shërbimi dhe strehimi.

103 banorët që jetonin në të, tashmë janë akomoduar në njësitë lëvizëse të banimit, ndërsa një pjesë e tyre shprehën vullnetin për të qëndruar në çadra pranë shtëpive të tyre përkatëse. Në këtë rast, për këta banorë, është garantuar nga strukturat shtetërore pajisja më çadra, shtretër portativë, paketa ushqimore dhe veshje.

Puna në terren:

6298 objekte të inspektuara gjithsej deri tani në Qarkun Durrës.

Bashkia Durrës –2129 Objekte të inspektuara, 651 të pabanueshme, 93 për t’u prishur;

Bashkia Shijak – 1670 Objekte të inspektuara, 424 të pabanueshme, 900 për t’u prishur;

Bashkia Krujë – 2499 Objekte të inspektuara, 921 të pabanueshme, 45 për tu prishur.

Objekte të shembura:

46 objekte të shembura gjithsej deri tani në Qarkun Durrës

Bashkia Durrës:  34 objekte (specifikisht  9 objekte  2 -katësh; 10 objekte 3-katësh, 7 objekte 4-katësh, 5 objekte 5 –katësh, 2 objekte 6-katësh dhe 1 objekt ) në Bashkinë Durrës;  Ndërsa në Spitallë po vazhdon procesi i prishjes së një objekti 4-katësh, që është Shkolla 9-vjeçare “Neim Babameto”.

Bashkia Krujë: 10 objekte (specifikisht 3 pallate 2-katëshe dhe 7 pallate 5-katëshe) janë prishur në Thumanë, dhe 2 objekte (specifikisht 1 objekt 2-katësh, shkolla 9-vjecare dhe 1 pallat 3-katësh) në fshatin Bubq.

Në të gjitha objektet e shembura do të vijohet me procesin e pastrimit të inerteve.

Akomodimi:

Numri total i të akomoduarve në struktura hoteliere në Qarkun e Lezhës dhe Qarkun Durrës është 4181 persona.

Shëndetësia:

5,408 vizita të kryera në njësitë akomoduese.

1,471 qytetarë të vaksinuar me vaksinën antigrip në Durrës, Krujë, Lezhë dhe Vorë)

Ora 13:23
Shijak/ Rama me banorët e prekur nga tërmeti, inxhinieri: Raportin final për objektet e dëmtuara e japim të premten

Kryeministri Rama ditën e sotme ka qenë i pranishëm në qytetin e Shijakut ku ka takuar nga afër banorët e prekur nga tërmeti i 26-nëntorit.

Duke folur me inxhinierët që janë në terren për të inspektuar të gjitha banesat e dëmtuara, Rama ka bërë me dije se të premten të gjitha grupet e punës në Shijak do të dalin me një bilanc përfundimtarë për dëmet.

Rama: Kur e japim raportin?

Inxhinieri: Raporti final e japim të premten. Kemi shumë njerëz në terren.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Nedim Bajrami objektivi i klubit surprizë të Serie A, drejtori e ndjek në stadium

Nedim Bajrami objektivi i klubit surprizë të Serie A, drejtori e ndjek në stadium