Dëshmia e rrallë e ish-gardianit: Halim Xhelo më tha; kjo që bëhet në Shqipëri, ndodh vetëm me zezakët në SHBA-ës! Më vrisni siç keni varur të tjerët

Dëshmia e rrallë e ish-gardianit: Halim Xhelo më tha; kjo që bëhet në Shqipëri, ndodh vetëm me zezakët në SHBA-ës! Më vrisni siç keni varur të tjerët

Ka qenë paraditja e datës 24 maj të vitit 1975, kur rojet e brendshme të burgut të Burrelit, pas kontrollit rutinë të dhomave, njoftuan eprorët e tyre dhe komandën e atij reparti, se; i dënuari Halim Xhelo, ishte pa shenja jete, pasi kishte varur veten, te hekurat e frëngjisë në qelinë e tij. Ish-gjenerali i Ministrisë së Punëve të Brendshme, me origjinë nga fshati Dukat i Vlorës, i cili vuante dënimin si u burgosur politik, që nga viti 1966, kur mbante postin e zv/ministrit të Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht edhe të Zv/ Drejtorit të Sigurimit të Shtetit dhe kryetarit të Degës së Sektorit të Sigurimit në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, pas një letre anonime, që ai i kishte bërë Enver Hoxhës, ku ai, pasi ngrinte problemin e heqjes së gradave në Ushtri dhe Ministrinë e Brendshme, denonconte vijën e gabuar politike që po ndiqte udhëheqja e lartë e PPSh-së dhe personalisht sekretari i parë i Komitetit Qendror (Enver Hoxha), duke kopjuar modelin kinez, ku si rezultat, fshatarësia kooperativiste në veçanti, por edhe i gjithë populli shqiptar, ishin zhytur dhe jetonin në një mjerim të thellë.

Edhe pse në vitet që pasuan, madje deri në fundin e viteve ’80-të, në burgun e Burrelit, ndërruan jetë edhe disa ish-gjeneralë të tjerë që vuanin dënimin aty, emra të njohur, (figura kryesore të Luftës Antifashiste që mbanin titujt “Heronj të Popullit”), si: Gjin Marka Toma, Vaskë Gjino, Vehbi Hoxha etj.,vdekja e gjeneralit rebel, Halim Xhelo, për të cilin u tha se kreu vetëvrasje, (variant zyrtar), që nga ajo kohë dhe më pas, është folur gjatë, me hipoteza të ndryshme. Një pjesë bashkëvuajtëse të tij në atë burg, por edhe të tjerë jashtë burgut, e besonin vërtetë se ai kishte varur veten, kurse të tjerë, e kundërshtonin atë , si e pamundur për t’u kryer, në kushtet ku ndodhej ai.

Por, më shumë se për misterin e rrethanave të vdekjes së tij në burgun e Burrelit dhe eliminimit të tij fizik, gjeneral Halim Xhelo, është përfolur edhe për arsyet që e detyruan Enver Hoxhën, ta mbante atë në ato poste dhe funksione të larta në krye të Sigurimit të Shtetit, madje me gradën e lartë të gjeneralit, në një kohë, që babai i tij, Xhelo Koçiu, ish-eksponent i lartë i organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”. Gjatë periudhës së Luftës, në vitin 1949, ai u arratis nga Shqipëria e ndodhej në SHBA-ës, si azilant politik. Gjë e cila, ishte një nga rastet e vetme, jo vetëm në Shqipërinë e Enver Hoxhës, por edhe në të gjithë Lindjen Komuniste!

Nisur sa më sipër, ata që besonin vërtet versionin zyrtar të vetëvrasjes së Halim Xhelos, e lidhin atë, me periudhën në të cilën ndodhi, (24 maj 1975), kohë në të cilën u arrestua dhe ish-ministri i Mbrojtjes Popullore, gjeneral-lejtnant, Beqir Balluku, që ndodhej i internuar në Roskovec të Fierit, pasi ishte akuzuar dhe goditur nga Enver Hoxha, si: “kryetar i grupit puçist në Ushtri dhe armik i popullit”!. Vetëvrasja e Halim Xhelos, pikërisht në këtë periudhë kohe, lidhej me faktin se ai, (Halimi), e kishte kryer atë akt, pasi mësoi arrestimin e Ballukut, nga i cili shpresonte se do ndërhynte e ta lironte nga burgu!

Thuhej se; Beqir Balluku, kishte qenë njeriu që e kishte nxitur Halim Xhelon, ta shkruante atë letër anonime, në adresë të Enver Hoxhës, gjë për të cilën pati dyshime, sepse ata të dy kishin shumë miqësi me njëri tjetrin. Dyshimet e Sigurimit të Shtetit se; Balluku mund ta kishte nxitur Halim Xhelon për letrën anonime, bëhen të ditura, pasi në atë kohë, sapo Balluku përfundoi në qelitë e hetuesisë në ‘Burgun 313’ të Tiranës, zv/ministri i Brendshëm, Feçor Shehu, i dërgoi një letër hetuesve të tij (Nevzat Haznedarit dhe Kristofor Martiro), ku i kërkonte që: “Armiku i popullit, Beqir Balluku të pyetet edhe për letrën që Halim Xhelo, i ka dërguar udhëheqësit kryesorë të Partisë në vitin 1966”.

Por ky version, pra i arsyes së vërtetë të vdekjes së Halim Xhelos në burgun e Burrelit, do të ndryshonte në vitin 1982, (pas arrestimit të zv/ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu dhe ish-eprorit të tij, Kadri Hazbiu), nga vetëvrasje, do klasifikohej si vrasje. Duke bërë si autor të saj, Hazbiun dhe Feçor Shehun! Edhe kjo, është vërtetuar nga dokumentet arkivore, pasi menjëherë pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe ish-vartësit të tij, Feçor Shehu në vitin 1982, zv/ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi,, në analizat e tyre, u bënin me dije grupit të hetuesve, se; Halim Xhelon, e kishin helmuar Kadri Hazbiu me Feçor Shehun, nga frika se ai (Halimi), do të depononte për Beqir Ballukun, (duke treguar se ai e kishte nxitur për letrën anonime), me të cilin Hazbiu dhe Feçor Shehu, ishin në një grup armiqësor, të kryesuar nga poli agjenti, Mehmet Shehu!

LETRA E DREJTORIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT DHE ZV / MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, ZYLYFTAR RAMIZI, DREJTUAR MINISTRIT HEKURAN ISAI, PËR TË RIHAPUR DOSJEN E VDEKJES SË ISH-GJENERALIT HALIM XHELO, NE BURGUN E BURRELIT

Shoku Ministër

Kam mendimin të verifikojmë çështjen e Halim Xhelos, për vetëvrasjen e tij, është kështu, apo e përgatitur?

1.XII.1982                                                                 Zylyftari

DOKUMENTI SEKRET I HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV YLLI BIRÇE, LIDHUR ME STUDIMIN E DOSJES KU JANË PËRSHKRUAR RRETHANAT E VDEKJES SË ISH- GJENERAL HALIM XHELO, NË BURGUN E BURRELIT

 Tiranë, më 27.11.1982                                                                 S E K R E T

  Ekzemplar i vetëm

                                                    I N F O R M A C I O N

Nga studimi që i bëra dosjes hetimore në ngarkim të armikut Halim Xhelo, rezulton:

Halim Xhelo është ri arrestuar më datën 30.5.1975, për arsye se ka refuzuar, që të nxirrte jashtë teshat dhe në prezencë të dëshmitarëve; Hajredin Kodheli, Bajram Beshiri, Sadik Behta, Isuf Kuka, Osman Deda, Rrahman Sula dhe Zyber Beshiri, është shprehur:

“Kjo që bëhet në Shqipëri, bëhet vetëm me zezakët në SHBA-ës. Më mirë të jesh zezak. Më vrisni, varmëni, ashtu siç keni varur edhe të tjerë, dhe thoni u var vetë. Kështu thoni edhe për mua, më çoni te Qershia, për të cilën flet një roman, prandaj, më mirë të jem edhe unë në Amerikë”. Mbi këtë bazë, në ngarkim të tij, filloi çështja penale në gjendje arresti dhe përfundon në datën 5.6.1975. Pa shkuar dosja hetimore në Prokurori, më datën 24.6.1975, gjendet në dhomën e izolimit, i vetëvarur.

Në proces-verbalin e pyetjes së Tahir Hysës, lidhur me rrethanat e vetëvarjes së Halim Xhelos, më tërheqin vëmendjen këtë momente kryesore:

Atë ditë, Halim Xhelo, nuk ka pranuar të dalë në ajrosje, me pretekstin: “nuk kishte fuqi, i merreshin mënd e rrëzohej”.

Tahir Hoxha, (përgjegjës i dhomave të izolimit), ka porositur policin e shërbimit, Tahir Hoxha, që; “Halimin ta kishte kujdes, se mos bënte ndonjë lëvizje” dhe në rast se konstatonte ndonjë gjë të tillë, ta njoftonte menjëherë. Ma tërheq vëmendjen, ky shqetësim i Tahir Hysës, për Halim Xhelon, pikërisht atë ditë. Për çfarë “lëvizje” e ka pasur fjalën Tahiri, kur personeli i shërbimit të dhomave të izolimit, duhet ta marrë dhe ta dozojë shërbimin, në konfirmimet me rregulloren?!

Më poshtë, Tahir Hysa, vazhdon: “…shtoj gjithashtu, se rrjeta e telit, në dritaren e ndriçimit të dhomës së izolimit, ka qenë e çarë, para se të vinte Halim Xhelo. Se kush e ka bërë, unë nuk e di. Këtë e kam konstatuar, para se të vinte Halim Xhelo…”!

Pse ky qëndrim i shkujdesur i Tahir Hysës dhe i dhomave të shërbimit, të cilët, ndonëse e kishin konstatuar çarjen e rrjetës së telit, nuk morën asnjë masë për riparimin e saj, çka i dha mundësi armikut Halim Xhelo, ose dikujt tjetër, për të realizuar këtë akt.

N/Oficeri, Gani Punavija, ndër të tjera thotë: “…kur e mora shërbimin, çdo gjë ishte në rregull. Mbasi dola unë, hyri përgjegjësi i dhomave të izolimit, Tahir Hysa. Unë më vonë nuk hyra. Operativi, nuk më kujtohet se kur ka hyrë (ka qenë Dhori Zarka).

Në ora 10.00, Tahir Hoxha, më tha se; Halimit i ka rënë të fikët dhe ka ngelur rrëzë murit, në këmbë. Në këtë kohë, hapëm derën dhe hyri Operativi Dhori Zarka. Pas disa minutash, doli dhe në këtë kohë, erdhi përgjegjësi i dhomave të izolimit, Tahir Hysa dhe përsëri Operativi, hyri me të. Kur dolën, thanë se, Halimin e kishin gjetur të varur…”!

N/Oficer, Tahir Hoxha, ndër të tjera thotë: “…dhomat e izolimit, i kam kontrolluar çdo 10 minuta. Kur pashë dhomën ku ishte Halimi, konstatova se ky, ishte shtrirë dhe nuk i fola që të çohej, pasi e dija se më parë kishte qenë sëmurë dhe më parë i kishte rënë dhe të fikët, për 3–4 minuta…!

Kur kontrollova herën e fundit, pashë se Halimi, nuk ishte më i shtrirë, por në qoshen e krahut të majtë, të dhomës së izolimit dhe mezi dukej. I fola disa here, por nuk m’u përgjigj dhe menjëherë njoftova Operativin, i cili erdhi dhe e pa nga dritarja e derës. I thashë ta hapnim derën, por ai më tha se; “nuk është nevoja, se s’kam se çfarë të shikoj unë”!

Oficer Dhori Zarka, ndër të tjera, thotë: “Pasi më njoftoi nënoficer Tahir Hoxha, kam vajtur në dhomat e izolimit, së bashku me Tahir Hysën, e mandej njoftuam titullarin e Prokurorin. Në orën 06.00 të mëngjesit, kam futur në dhomat e izolimit, nënoficer Gani Punavijën, për të dorëzuar shërbimin e për të marrë në dorëzim shërbimin e rojet. Gjithashtu po në ora 6.00 të mëngjesit, është futur edhe Tahir Hysa, i cili ka kryer veprimet, me të paraburgosurit”.

Lidhur me sa më sipër, kam mendimin se; duhen sqaruar plotësisht, rrethanat e vetëvrasjes së armikut Halim Xhelo, pasi mund të jemi para ndonjë veprimi nga ana e armiqve Kadri Habziu e Feçor Shehu, të cilët pasi janë njohur më parë me deponimet e para të Halim Xhelos, i cili filloj të hidhte dritë me veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut, ka pasur shqetësime se, mos ky, (Halimi), depononte edhe për armiqtë, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu dhe Mihallaq Ziçishti.

Bashkëngjitur me këtë informacion, është dhe informacioni i Flamur Sinoimerit, lidhur me deponimet e Halim Xhelos, në hetuesi.

                                    Punëtori Operativ

                                          Ylli Birçe

SHËNIMI ME SHKRIM DORE I ENVER ZENELIT (SHEFI I GRUPIT OPERATIV, PËR ZBARDHJEN E VEPRIMTARISË ARMIQËSORE TË KADRI HAZBIUT), NË FUND TË DOKUMENTIT, ME POROSITË DHE UDHËZIMET PËR ZBARDHJEN E VDEKJES SË ISH- GJENERALIT HALIM XHELO

                                 Sh. Ylli

Verifiko urgjent se ku ndodhet Tahir Hysa, të nxjerrim të gjitha materialet që disponohen për të.

Procesi i marrjes së pandehur dhe deponimet e bëra nga ai.

Kush e ka filluar procesin hetimor, kur është gjendur i varur, mendimi i ekspertëve, pyetjet e dëshmitarëve, etj.

Të gjitha këto të futen në një fashikull dhe të bëjmë një plan konkret, për të zbuluar arsyet e vërteta të vdekjes së tij.

Duhen parë momentet që kanë bërë të burgosurit në kohë për të, mund të gjejmë ndonjë gjë që na hap rrugë për sqarimin e këtij problemi.

                      2.10.1982                               Enver Zeneli

DOKUMENTI ME LETRËN E FEÇOR SHEHUT, DREJTUAR LIRIM PËLLUMBIT PAS VDEKJES SË HALIM XHELOS NË VITIN 1975, ME UDHËZIMET PËR DY HETUESIT, NEVZAT HAZNEDARI DHE KRISTOFOR MARTIRO, QË TË PYETET NË HETUESI BEQIR BALLUKU, PASI HALIMI KA QENË BASHKËPUNËTOR I NGUSHTË I TIJ

Shoku Lirim

Halim Xhelo, ka qenë në grupin e Beqir Ballukut, jo tani, por edhe kur ishte shefi Sigurimit të Ushtrisë, pra është punë thellësisht armiqësore e tërë jetës, ai vrau veten, për t’i shpëtuar deponimeve.

Deponimet e tij, t’ja kalojmë shokut Nevzat dhe Kritofor, (ose ai vetë), ata të pyesin Beqirin etj. E çdo dalë më thoni.

Te ju ndiqni dhe verifikoni:

a) Problemin e Halim Ramohitos, e të Veli Frashërit, e Dilaver Radëshit, në përpunim dhe pyetje të ndalet….ta izolojmë Velinë dhe Dilaverin.

b) Të intensifikojmë përpunimin e Elami Hados, të shohim se çdo dalë, më thoni.

c) Nga elementët armiq, ç’del në Burrel? Të bëjmë një informacion për shokët.

d) Pandeli Varezi, ku është, çka dhënë në hetuesi? Të pyetet më shumë se, ç’del në drejtim të tij. Ky të izolohet dhe të ri pyetet.

 28.6.197                                                           Më thoni’ Feçor

DOKUMENTI I HARTUAR NGA OFICERI I ARKIVIT TE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, DREJTUAR EPRORËVE TË TIJ, MBI STUDIMIN E DOSJES SË ISH-GJENERALIT HALIM XHELO, QË ËSHTË MARRË NË MBROJTJE NGA KADRI HAZBIU

SHËNIM

Nga studimi që iu bëra dosjes së Halim Xhelos, ish-gjeneral, zv/drejtor i Sigurimit të Shtetit, dhe kryetar i Degës së Sigurimit të Ushtrisë, i cili në vitin 1966, u arrestua për agjitacion e propagandë, del figura dhe karakteri i vërtetë i këtij “gjenerali”, të cilin Kadri Hazbiu e ka përkrahur, deri sa i ka dhënë poste shumë të rëndësishme, në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Gjithashtu, nëpërmjet letrave të Axhem Xhelilajt dhe Sali Petroshatit, si dhe relacionin që kemi riprodhuar, duke edhe shqetësimi i tyre, për të vënë në dijeni mbi qëndrimet dhe veprimet armiqësore të Halim Xhelos, të cilët, me preokupim për të ruajtur vijën e Partisë, i shkruajnë Kadri Hazbiut dhe kërkojnë që të merren masa ndaj tij.

Por, në vend që të merreshin masa e të çmobilizohet (minimumi), i biri i të arratisurit, me një rreth familjar, miqësor e shoqëror armiqësor, gradohet gjeneral-major. Për çudi, në karakteristikat e Halim Xhelos, të përpiluara nga Kadri Hazbiu e ndonjë tjetër, këto probleme që ngrihen për të, reduktohen në raste të qëndrimit “të butë, në luftën kundër armikut”, në “qëndrime oportuniste dhe kryenaltësi”, dhe jo me emrin e tyre të vërtetë.

Gjithashtu, gënjehet kur thuhet se me familjen i ka prerë të gjitha marrëdhëniet. Në dosjen e tij, ndodhet edhe letra kur Halim Xhelua, jep aprovimin e tij, për martesën e motrës me djalin e “armikut numër një të Partisë dhe të Pushtetit”, siç shkruajnë bashkëfshatarët e tij, që e njohin dhëmbë e dhëmballë.

Kam mendimin se, midis provave të shumta, edhe këto letra dhe relacione, janë një provë tjetër, që tregojnë se si, Kadri Hazbiu, i ka marrë në mbrojtje elementët e deklasuar, duke i ngritur në përgjegjësi të lartë, ashtu siç ka marrë në mbrojtje dhe Feçor Shehun me shokë./Memorie.al

 Tiranë, më 30.11.1982

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Donald Trump në gjyqin e parë penal ndaj një ish Presidenti

Donald Trump në gjyqin e parë penal ndaj një ish Presidenti