Dëshmia e rrallë e të arratisurit në SHBA në ’85-ën: Pas kombinacionit me Sigurimin e Shtetit, njeriu i gjakut tim më vodhi bllokun

Dëshmia e rrallë e të arratisurit në SHBA në ’85-ën: Pas kombinacionit me Sigurimin e Shtetit, njeriu i gjakut tim më vodhi bllokun

Publikohen disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.  E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

Nga Dashnor Kaloçi

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al

(Vijon nga numri i kaluar)

Si e firmosa akt-akuzën, pasi pashë bllokun tim në tavolinën e prokurorit!

– “Je gjallë akoma”? – tha prokurori

– “Jeta tënde është në duart e tua”, – vazhdoi bark-madhi.

– “Firmose këtë cop letre, kij besim te Partia, është Partia me zemër të madhe dhe ka mëshirë për njerëzit që pendohen, duan të ndërrojnë rrugë. Ne e dimë kush të çoi ty në rrugë të keqe” – vazhdoi ky bark-madh të më bindëte me marifetet e tij, se unë kisha kryer krim të rëndë ndaj Partisë! Vura re se mbi tavolinë kishte një bllok shënimesh, që i ngjante aq shumë bllokut tim që më kishte humbur disa muaj më pare!

Më kujtohet fare mirë dita që e humba atë bllok shënimesh. Ishte fundi i marsit 1973. Atë ditë më dërguan me brigadën e ndërtimit të bëja dru në pyll afër Janjarit (Kondat). Hadif Boçia Myrtaj, ishte brigadier, ishim rreth 10 burra, që do bënim dru. Më bëri të dyshoja, se përse po më dërgonin në këtë brigade?! Kushëriri im, djali i tetos Safos, Hakiu, m’u afrua në qëndër të fshatit dhe tepër i gëzuar, më tha: “Mora vesh se do vish me ne të bëjmë dru në Kondat”?

“Po”, – ia ktheva, i doja shumë njerëzit e gjakut tim, ashtu siç ishin. Hakiu ishte njeri i lëkundur, me shumë faqe, për këtë arsye nuk kisha shumë muhabet me këtë dallkauk! Bisedat e tij me mua, që e kujtoja fare mire, ishin provokuese, mundet që ky të ishte i rekrutuar nga organet e Sigurimit?! Jam i bindur se ai jepte informacion për çdo njeri në fshat. Të gjithë ata njerëz që bënin këtë punë të ndyrë, kishin privilegj të madh.

Megjithëse babai i Hakiut, Fuati, ishte si i deklasuar nga regjimi komunist, si i pasur që kishte qenë dikur, babai i tij ishte njeri i pa skrupullt, një çifligar i rëndomtë, i pa shpirt. Në kohën që refugjatët çamër vdisnin për një copë bukë në qëndër të Markatit, ky xhahil, i pa shpirt, gjeti rastin të pasurohet, me fatkeqësinë e çamërve refugjat!

Kështu që, ai më shoqëroi deri tek pylli (Kondatit) dhe unë pasi e kuptova që bisedat e tij ishin gjithë provokime, nuk i’a zgjasja, por ja prisja shkurt, duke i thënë: “Nuk e di, se nuk kam dëgjuar gjë”! Nuk më hiqej nga mendja kur më pyeti se: – “Mos vallë Selfua me Rexhep Hoxhën vijnë si diversant dhe i takojmë”?

– Ia ktheva aty për aty – “Në qoftë se i ke takuar ti, mundet që t’i kem parë edhe unë”! – Ai heshti, nuk bëri më asnjë pyetje deri tek pylli, por kur arritëm atje, ai më pyeti, nëse doja të punoja bashkë me të. – “Jo”, i thashë. Hadifi që ishte aty afër, më pyeti, – “Pse nuk punon me kushëririn tend”?! I’a ktheva me shaka, – “Ai nuk ka nevojë për para, ai ka flori”.

Megjithatë ai zuri një shkozë afër meje. Unë e preva një shkozë të madhe, e rrëzova përdhe dhe nuk pushova as pak, deri sa e coptova. Një çantë që e kisha me vete, (me një copë bukë me një shishe tharrtirë), e hëngra shpejt e shpejt dhe e lashë çantën bashkë me xhaketën pak më tej, nja 10 metra më tutje.

Ndërkohë e shihja Hakiun që vinte vërdallë, e pashë që vinte nga përroi dhe e pyeta, nëse kish ndonjë burim me ujë atje poshtë? – Ai m’u përgjigj – “Po, ka burim me ujë, por merr pak më poshtë”! Mora për poshtë, pasi isha i etur edhe tepër i djersitur, duke kaluar nëpër monopatin që të çonte tek burimi. Isha tepër i lodhur, pasi të bëje dru, është punë e rëndë. U ula pak mbi një gur, pasi kishte mbaruar puna për të mbledhur drutë në metër kub. Norma ishte 3 metër kub dhe m’u desh edhe një orë punë që t’i vija metër kubët. I mata shumë here, por nuk më dilte llogaria!

Duhet të ishin 3.20 gjatë me 1 metër lartësi. Shkova tek xhaketa ku kisha bllokun e shënimeve, të bëja llogarinë, u friksova kur pashë se xhepi i xhaketës ishte i hapur dhe bllokun, dikush e kishte marrë! Xhaketa ime ishte një xhaketë ushtarake, që xhepi i mbërthehej me dy pulla.

Unë isha plotësisht i bindur që bllokun e kisha në xhep kur morra xhaketën, isha plotësisht i bindur, i sigurtë se ishte dorë njeriu që e kishte marrë. Dhe ky njeri që ishte aty afër ishte Haki Fuati, i sigurt 100%, se vetëm ky njeri ishte aty dhe s’kish kush tjetër të merrte bllokun tim të shënimeve nga xhepi.

Ndërkohë që më vinin ndërmën këto, e njoha bllokun tim që rinte mbi tavolinë para Prokurorit Abaz B….! Pas një heshtje, ai më pyeti: – “Ky bllok shënimesh, a është i joti? – Do t’i hedhësh një vështrim”? – Vazhdoi duke hapur faqet e fundit, ku kisha shkruar me gërma kapitale “VITE TE RINJ, DITE TE ZEZA”.

Mbeta i ngrirë, mendja më shkoi te ajo ditë, ku Hakiu ma vodhi nga xhepi atë bllok shënimesh, s’kisha çfar të thoja, të gjitha shpresat m’u prenë. Ata tani kishin material për një akuzë që mund të dënohesha me vdekje.

-“Është blloku tënd”? – bërtiti përsëri prokurori.

-“Po, është blloku tim”! – ja ktheva.

-“Kush ua dha”? – e pyeta unë instiktivisht!

“Partia ka shumë sy, ne dinë edhe sa lugë ke në shtëpi”! – m’a ktheu me inat. “Prandaj tani zbërtheu dhe thuaji hetuesit, se cilët janë bashkëpunëtorët dhe kush të shtiu ty në këtë rrugë armiqësore”?!

Nuk kisha çfar të thosha, mora penën që ishte para meje, firmosa proçes – verbalin e arrestimit tim. Prokurori u dha urdhër policëve të më çonin në qeli. Për çudi ata nuk më lidhën, dhe as më torturuan atë ditë, por kur mbyllën derën e hekurt, ata e lanë dritën ndezur. Një dritë e zbehtë në atë brimë të fshehur pas një rrjete të trashë teli. U ula në qoshe të qelisë, mishrat më ishin nxirrë, plagët që kisha në brinjë më dhimbnin dhe kullonin akoma gjak nga torturat e të rrahurit e natës që kaloi. Pas pak, polici hapi sportelin e derës dhe pashë që mbante në dorë një copë letër.

Ai lexoi! – “I pandehur Kasem Hoxha: – ke të drejtë të dalësh në WC 2 herë, në orën 7 të mëngjesit dhe në orën 7 të mbrëmjes, vetëm 10 minuta, ke të drejtë të dalësh në “Pajtos”, i cili ishte një vend i rrethuar me tela me gjëmba e me mure të lartë, më shumë se 3 metra, jashtë ndërtesës së burgut. Familja tënde mund të të sjell ushqime deri në 5 kg në javë, por ti, nuk do të takohesh. Takimi me pjestarët të familjes do të jetë vetëm pas përfundimit të gjyqit. Nuk lejohet të flasësh me asnjë të burgosur, do të mbajmë në këtë qeli deri sa të marrim urdhër tjetër, kjo është në dorë të prokurorit dhe të hetuesit tënd. – A e ke të qartë rregulloren”? – tha polici.

Nuk thashë asgjë, vetëm i hodha një vështrim që shprehte urrejtje. Ai e mbylli sportelin dhe u largua. Unë u ula përsëri në qoshe të qelisë. Ndërkohë mendja dhe shpirti fluturonin atje larg tek kasollja e varfër. Unë isha atje brenda, i shihja, i dëgjoja vajtimin e nënos, psherëtimat e atyre foshnjave të pa fajshme, kjo ëndërr e vërtetë ma bënte zemrën copë e çikë! Kjo dhembje ishte më e madhe se sa dhembja e plagëve!

Aty për aty më erdhi në mëndje ëndërra e llahtarshme që pashë natën e kaluar. Ishte ëndërr e frikshme, ato pak orë që mbylla sytë ëndërroja: një njeri i veshur me rreckë të bardhë e me kapele të gjatë si të Papës, e qëndisur me flori, m’u faneps për herë të dytë. Ai mbante në dorë një bastun të gdhendur bukur dhe më tha: “Mos u tremb biri im! Je tepër i ri, i pafajshëm, të kam folur edhe një tjetër herë, kur fillove të hapje një gropë në kopështin e shtëpisë tënde. Të thashë ta mbyllje dhe të bëje një kornizë mbi atë varrezë. Ti, nuk më mbajte vesh, për këtë më vjen shumë keq, ti pa dashur u bëre mëkatar, e prishe atë varrezë dhe qetësinë e atyre eshtrave që dergjen aty me mijra vjet…”, m’u faneps sikur më tha fantazma-njeri!

Kur pashë këtë ëndërr, u zgjova i frikësuar. Ishte e vërtetë, se një vit më pare, unë hapa një gropë të madhe për të mbledhur ujin e shiut, pasi Markati është lart në mal i ndërtuar dhe gjatë muajve të verës, ndjehet mungesa e ujit. Kjo më nxiti që të ndërtoja këtë sterrë, ku babai bashkë me nanën, u gëzuan dhe ata më ndihmuan që ta hapja atë grope. Kur arrtëm thellësinë tre metra, hasëm në pllaka guri të mëdha dhe kur i zbuluam, gjetëm skelete njerëzore.

Babai menjëherë u tremb aq shumë, saqë ata më thanë se duhet ta mbushnim atë gropë. “Është gjynah nga zoti të prishim varre”, thanë nëna dhe babai gati me një gojë, pasi ata besonin shumë në perëndi. Unë nuk i dëgjova, por vazhdova të gërmoj edhe një metër më thellë! Kur mbarova së gërmuari, ishte po ky njeri që më doli në ëndërr, me veshje si të priftit, që m’u lut ta mbushja atë gropë dhe të vija një kryq druri mbi këta varre.

Unë nuk e mbajta vesh e dashje padashje u bëra mëkatar, thashë se ishte vetëm një ëndërr, si gjithë ëndërrat që sheh njeriu! Por disa ëndërra, ose më mirë të thuash, të gjithë ëndërrat dalin me të vërtetë. Ky njeri më tha: – “Do vuash biri im për një kohë të gjatë, beso në Zot, ai do të japë forcë shpirtërore ta kalosh këtë vështirësi”! Kjo ëndërr më bëri të futem në mendime. Unë nuk dija që babai im, Çizja, e kishte ndërtuar shtëpinë mbi varrezë! Unë nuk e dija se Markati ishte një fshat shumë i vjetër, e me histori të madhe!

Tani më priste një gjyq. E përqëndrova gjithë qënien time, në ishte e mundur të kujtoja, se çfar kisha shkruar në atë bllok shënimesh. Me siguri të nesërmen, hetuesi, Halit K…, do të vinte të përpilonte aktakuzën. Mendoja se si do më paraqiste gjithë materialin, faktet, dhe më tepër të sajuara, që të merrja dënimin kapital. U gdhi dita, e kuptoja më tepër nga zhurma e qytetit dhe sipas orarit, policët më lanë të shkoja në WC.

Pastaj më dhanë atë copë buk të tharë me ujë të zier, që ato e quanin çaj. E hëngra, megjithëse nuk kisha oreks. Duhet të veja gur në zemër, për të mbajtur shpirtin të gjallë. Aty nga ora 9.00, polici hapi derën e më urdhëroi ta ndiqja. Më çoi tek dhoma e hetuesit, brenda priste Haliti, në tavolinë një grumbull i madh letrash, ndërmjet atyre ishte dhe blloku im i shkrimeve!

Haliti rrinte i ulur rëndë – rëndë në karriken e tij, ai ishte i përqëndruar të makina e shkrimit ku mundohej të shkruante diçka. Por dukej se ky bark madh e kishte tepër të vështirë të gjente gërmat për të shtypur me këtë makinë shkrimi, pasi kuptohej se nuk kishte fare eksperiencë. Ndërsa rrija në këmbë para tavolinës, ai i hoqi gjyslykët dhe më vështroi nga koka te këmbët, duke parë se vetëm në ato tri ditë, isha katandisur skelet.

-“Nuk ha ushqim fare”? – më pyeti.

-“S’kam oreks”! – ja ktheva shkurt.

-“U mendove? Çfar do na thuash? Këto që ke shkruar, në këtë bllok, nuk janë të mëndjes tënde. Kush të futi ty në këtë rreth, në këtë rrugë armiqësore”? – vazhdoi Haliti.

-“Hajde fol”! – tha me inat.

-“Ka tortura edhe më të rrënda”! – vazhdoi.

-“Qemali, kush është? – a e njeh këtë njeri”? – më pyeti

-“Është Dajkua im”! – i’a ktheva aty për aty përgjigjen.

-“Të kujtohet, a të ka folur gjë se është i pa kënaqur nga Partia, e arsye të tjera që të përjashtohet nga organizata”? – vazhdoi Haliti me pyetje.

Nëse unë do të tregoja gjithë bisedat, do bëhesha dëshmitar duke implikuar dajkon tim me veprimtari armiqësore kundër rregjimit. Dajkua tim ishte njeri tepër i respektuar në fshat. Ai arriti të bëhej sekretar i organizatës së partisë në fshat. Unë krenohesha me suksesin e tij dhe doja aq shumë që t’i ngjisja. Por fatkeqësisht, filloi tatpjeta me karrierën e tij, kur kushëriri i tijë i pare, Zeqo Kola, u arratis bashkë me kunatin e tij, Skënder Xhelo Shuaipi dhe Saba Hyso, pas vitit 1963.

Qemal Kola u përjashtua nga partia, ai tani ishte thjeshtë një “kazmaxhi”, si gjithë ne të tjerët. Dajkua tim, kishte 6 fëmijë, të gjithë djem: Bedriu, Saditer, Ahmeti, Bushati, Shena e Tafili. Ata gjithashtu ishin shokë të mi të vegjëlisë, i doja aq shumë, ishin njerëz të gjakut tim. Nuk mund të flas për ndjenjat e tyre, vetëm kuptoja se gjyshja ime e dashur, nanë Shabua, më donte me gjithë zemër. Ne flinim në gjinë e saj të gjithë bashkë, i dëgjonim me endje e me kureshtje të gjitha përrallat e asj.

Historinë e tmershme të gjithë vuajtje si refugjat në Turqi, ku atje lindi dhe nëna time, Honja, dhe tri vajzat e tjera të saj: Sheja, Sofua dhe Fehedoja. Dajua ndikoi aq shumë në formimin e karakterit tim. Unë u rrita me përkëdheljet e ëmbla, puthjet aq të ngrohta të gjyshes time dhe dajkos. Ndërsa tani, këta “zagar” kërkonin ta shkatërronin familjen e tij, kërkonin informata nga mua, për të përpiluar akuzë për veprimtari armiqësore kundër pushtetit të tyre, apo siç e quanin ata, “pushteti popullor”!

Këta “zagar” dhe ai regjim i ndyrë, të arrestonte “në emër të popullit” dhe të dënonte me vdekje, po “në emër të popullit”. Për ta përçarë popullin, ajo klikë banditësh në Tiranë, përdornin forma nga më të ndryshmet, për të mposhtur dhe thyer vullnetin e njerëzve të ndershëm! Ai regjim, e ktheu vëllanë kundër vëllait, duke e frikësuar dhe kërcënuar, duke korruptuar njerëz në çdo familje! Kështu unë nuk e dija se edhe në familjen time, dikush ishte i rekrutuar nga Sigurimi?! Tmerr! Ishte nëna ime, apo gruaja ime Mejdua?! Isha i sigurtë, se dikush tjetër, bashkë me Hakiun, jepnin informacion punonjësve të Sigurimit!

-“Jo! – i’a ktheva Halitit. Kurrën e kurrës ky njeri nuk më foli e të më thoshte se ishte i pa kënaqur nga rregjimi. Ai ishte një komunist i devotshëm! Ai është i pa fajshëm, karrjerën e tij dhe biografinë e tij, e prishi kushëriri i tij i pare, Zeqo Kola i cili është dhe dajkua tim”. – Vazhdova.

-“Mirë! – tha Haliti – ‘Po Selfo Hoxha, është ky kushëriri yt i pare”?

-“Po’ – i’a ktheva pa u ngucur aspak. ‘Selfua u arratis në fund të gushtit 1969, bashkë me Bilal Xhaferrin dhe Bajram Shuaipin. Është e vërtetë se unë isha me Selfon çdo ditë edhe natën e festës së Bogazit që u arratis, deri në momentet e fundit ishim bashkë, kur na tha të gjithëve, familjes së tij dhe të afërmve se pak më tej, afër Kullericës, e priste një makinë”.

Këtu u mendova, që për të ç’fajsuar gjithë njerëzit e mi, të ngarkoja Selfon, Selfon që ishte i vetmi njeri, që më bëri të bëhem armik i regjimit komunist të Enver Hoxhës. Dhe me të vërtetë, Selfua ndikoi aq shumë që unë të krijoja bindjet e mia politike, duke jetuar, parë nga afër realitetin e jetës në fshat, e në të gjithë Shqipërinë, ku çdo qytetar i thjeshtë, çdo fshatar, e ndjente diktaturën e egër të këtij regjimi.

Selfua me gjithë familjen e tij vuajtën në burgje dhe internime. Selfua më tregonte fytyrën e vërtetë të Socializmit të Enver Hoxhës, që burgoste dhe pushkatonte çdo ditë njerëz të pafajshëm, i tillë ishte edhe “grupi i çamëve”, ose më mirë të them “Grupi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit e Taho Sejkos”.

Me dhjetra njerëz të pafajshëm u pushkatuan dhe u dënuan me burgje të rënda në fillimin e viteve ‘60. Këto fakte, më bënë  që të urreja akoma më shumë këta “kasapë të Tiranës”. Fatkeqësisht, nuk e dija pse e kisha shkruar në bllokun tim të shënimeve, duke u thurrur lavdi këtij grupi?!

Nuk e mbaja mend ekzaktësisht, por afërsisht ishte e shkruar kështu: “Lavdi Grupit Heroik të Teme Sejkos dhe Tahir Demit” “Poshtë Partia e Punës, me në krye Enver Hoxhën”. Duke e ditur se Selfua ishte në Amerikë, kisha arsye shumë të mira që gjithë urrejtjen time për regjimin komunist, t’a thosha se ishe Selfua ai që ndikoi tek unë.

-“Po’ – i thashë përsëri, – ‘është kushëriri im i parë, ky më ka folur dhe ka ndikuar aq shumë në jetën time. Ishte njeriu im më i afërt, që nuk e respektoja vetëm si kushëri, por edhe si baba”!

-“Ai të tha të shkruash këto fjalë”! – pyeti Haliti

-“Për cilat fjalë e ka fjalën”? – e pyeta

Ai hapi bllokun, shkoi tek faqja ku kisha shkruar disa vargje, të titulluara “Të urrej”!

-“Jo”, – i’a ktheva

-“Po kushë atëhere”? – bërtiti me inat Halit K…!

-“Nga mendja ime”! – i’a ktheva pa ngurruar.

-“Mos ishte Bilal Xhaferi”? – pyeti Haliti!

-“Jo’, unë e takova atë për herë të parë në një darkë që Selfua shtroi për fejesën e tij, ai ndenjti pak ditë në fshat dhe ai u arratis bashkë me Selfon”, vazhdova!

-“Selfua, diskutoi arratisjen e tij me ju ose ndonjë pjestar tjetër të familjes”? – pyeti përsëri Haliti!

-“Jo, nuk dëgjova kurrë që ai të bënte bisedë për arratisjen”.

Me sa kuptova, Halit K…, kërkonte të më implikonte edhe me një nen tjetër të Kodit Penal dhe Kushtetutës, si biseda përgatitje për arratisje, që dënohej jo më pak se 10 vite burg.

-“Po vëllezërit e tij, I…, S…, D…, çfar mendim kishin për arratisjen e Selfos dhe Bilalit”? – vazhdoi Haliti të pyeste.

Unë kisha kuptuar se vëllezërit e Selfos, I… dhe S… ishin të rekrutuar nga organet e Sigurimit. Ata shkonin gjithnjë në Sarandë, në Degën e Punëve të Brendshme. Ata ishin të friksuar se mos i burgosnin dhe për të shpëtuar lëkurën e tyre, spiunonin në çdo gjë e për çdo gjë. Gjithënjë ankoheshin se Selfua u shkatëroi jetën e familjes së tyre!

-“Nuk më kanë thënë asgjë”! – ja ktheva.

-“Po Mehmet Sulo, kunati i Selfos, a ke dëgjuar ndonjë koment të bëjë për Selfon ose Bilal Xhaferin”?

-“Nuk e kam parë kurrë këtë njeri”! – i’a ktheva aty për aty.

-“Ti ngul këmbë se asnjë nga këta që të përmenda, nuk bideduan me ty, veçse me Selfon, ky njeri është arsyeja që të bëri ty armik dhe kjo është e justifikueshme sepse e dimë, Selfua është armik i betuar i Pushtetit Popullor. Ai është i dënuar në mungesë nga gjyqi popullor me vdekje, por ne duam të dimë se sa armiq të tjerë si Selfua dhe vetë ti, ka atje në Markat”, vazhdoi Haliti./ Memorie.al

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë