Përfundon takimi i parë Kurti-Vuçiç! Përplasje dhe tensione mes liderëve, Kryeministri i Kosovës: Ja 4 propozimet që bëra! Presidenti serb: Albini më pyeti kur do njohësh Kosovën?

Nuk ka qenë një takim aspak i lehtë mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar kështu i dërguarit i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ai ka deklaruar se procesi i dialogut do të vazhdojë para fundit të korrikut.

 Të dy liderët patën një shkëmbin idesh në lidhje me atë që ata presin nga dialogu. Ajo çfarë ka rëndësi për BE, është e njëjtë si ajo që kanë konfirmuar edhe dy liderët se nuk ka formë tjetër për të ecur përpara përveç normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ata do të punojnë në normalizimin e këtyre marrëdhënieve nëpërmjet dialogut”, deklaroi Lajçak pas takimit.

Sipas Lajçakut, blloku evropian, bashkë me popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë, kanë pritshmëri të larta nga të dy liderët, që të tejkalojnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të ecin përpara me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë drejt të ardhmes evropiane.

Kryeministri i Kosovës, deklaroi se gjatë takimit ka prezantuar ide të reja dhe ka shprehur vullnetin e tij në dialogun konstruktiv.

Kosova dhe Serbia, duhet të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Pas njohjes së ndërsjelle midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë edhe pakicat etnike, “ tha Kurti.

Kurti ka thënë edhe se gjatë takimi ka ngritur edhe çështjen e personave të pagjetur, që sipas tij, është çështje "që nuk pret" dhe ka kërkuar të ndërmerren hetime për krerët e delegacionit serb në Kosovë, gjatë viteve të luftës.

Me tone më të ashpra u shpreh presidenti serbi, i cili deklaroi se palët kishin rënë dakord paraprakisht për pothuajse asgjë.

"Ata erdhën që të merren vesh për asgjë, absolutisht për asgjë . Ai tha: “Kam ardhur të të pyes kur do ta njohësh Kosovën”. Unë i thashë: “Asnjëherë”. Ai shpërtheu”, theksoi Vuçiç.

Sipas tij, pala e Kosovës nuk dëshiron të plotësojë marrëveshjet që kanë nënshkruar.

Gjatë këtij takimi, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka deklaruar se dialogu dhe rezultati që del nga ai është rruga drejt të ardhmes evropiane të të dyja palëve.

 “Unë jam duke pritur një takim të ri të Dialogut të Nivelit të Lartë Beograd Prishtinë sot me Presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti”, ka shkruar Borrell.

“Dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt së ardhmes evropiane të të dy palëve. Ndërkohë, ai solli rezultate të rëndësishme për qytetarët e tyre”, ka theksuar ai.

Përveç Borrellit, takimi i parë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiçit, u ndërmjetësua e edhe nga përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Takimi i radhës mes Vuçiç dhe Kurtit në Bruksel do të mbahet para datës 25 Korrik kanë deklaruar dy liderët, megjithatë nuk është përcaktuar ende një datë specifike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:26
Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë: Kryeministri Kosovës minoi gjithçka në takimin e sotëm

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviç, ishte i pranishëm ditën e sotme në takimin e kryeministrit, Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç. Sipas tij, pala serbe hasi në “murin” e Kosovës dhe se nuk ishte e mundur të bihej dakord për asgjë.

“Unë kujtoj negociatat tetë vjet më parë, kështu që unë mund të konfirmoj atë që tha presidenti, se unë kurrë nuk kam marrë pjesë në një takim si ky, që do të thotë se kemi pasur një mur nga përfaqësuesit e Prishtinës të cilët nuk dëshironin ndonjë marrëveshje”, tha Selakoviç.

Sipas Selankoviç pozicioni i Kurtit ishte të minonte gjithçka, pa llogaritur asgjë që u negociua dhe u ra dakord deri në ardhjen e Albin Kurtit dhe partisë së tij në pushtet. Ai shtoi se Beogradi pranoi gjithçka të propozuar, por Prishtina nuk është e interesuar.

Ora 16:58
Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, reagon Ramush Haradinaj: Dështim i plotë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur dështim të plotë takimin që kryeministri, Albin Kurti ka pasur ditën e sotme me presidentin Aleksandër Vuçiç sot në Bruksel.

Sipas Haradinaj është e habitshme sesi për Kurtin nuk është e rëndësishme njohja e Kosvës, por marrëveshja për paqe dhe çështja e të zhdukurve.

Haradinaj shkruan se njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga ky dialog sepse njohja nënkupton paqen dhe hap rrugë për të zbuluar të zhdukurit.

“Dështim i plotë i Kryeministrit Kurti në procesin e dialogut.  Është e habitshme, pse njohja e Kosovës nuk është prioritet i tij. Prioritet i parë i tij na qenka shndërrimi i CEFTA-s në SEFTA. Qesharake. Ashtu si edhe prioriteti i dytë, marrëveshja për paqe mes dy vendeve, e po ashtu edhe qasja për të pagjeturit.  Njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga ky dialog. Njohja nënkupton edhe paqen, edhe statusin më të avancuar ekonomik, por edhe hap shtigje për zbulimin e të vërtetës për të pagjeturit. Përndryshe, kjo qasje për të biseduar për tema, pa e njohur shtetet njëra tjetrën, siç kishte ndodhur më parë në procesin e dialogut, nuk ka rezultate, e në këtë fazë është edhe e rrezikshme për vendin”, shkruan Haradinaj.

Ora 13:04
Lajçak: Takimi mes Kurtit dhe Vuçiç nuk ishte i lehtë

I dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak deklaroi se takimi mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç nuk ishte i lehtë.

“Ky ishte takimi i parë me Albin Kurtin si kryeministër dhe nuk ishte një takim i lehtë, por është e rëndësishme që ndodhi. Të dy liderët patën një shkëmbin idesh në lidhje me atë që ata presin nga dialogu. Ajo çfarë ka rëndësi për BE, është e njëjtë si ajo që kanë konfirmuar edhe dy liderët se nuk ka formë tjetër për të ecur përpara përveç normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ata do të punojnë në normalizimin e këtyre marrëdhënieve nëpërmjet dialogut,” tha Lajçak.

Diplomati sllovak Serbi tha se BE-ja pret që Kurti dhe Vuçiç të shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt BE-së.

“BE-ja ka pritshmëri të lartë nga dy liderët që të kapërcejnë të kaluarën dhe të shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt të ardhmes evropiane. Popujt në Kosovë dhe Serbi kanë pritshmëri të larta nga liderët e tyre, për hir edhe të integrimit evropian të vendeve, tha Lajçak duke konfirmuar se takimi tjetër do të ndodhë në fund të muajit korrik. 

Ora 12:46
Takimi i dytë Kosovë-Serbi , para 25 Korrikut! Kryeministri Kurti: Ne ishim konstruktivë, pala serbe nuk pranoi kërkesat tona

Kryeministri Albin Kurti me anë të një postimi në Facebook ka theksuar se në takimin e mbajtur sot në Bruksel për dialogun me Serbinë, Kosova ka treguar gatishmërinë sipas tij për dialog konstruktiv për arritjen e njohjes së ndërsjellët.

Ndëtkohë që ka theksuar se takimi I rradhës do të mbahet para datës 25 Korrik, sërish në Bruksel, edhe pse kishte mungesë akordi për axhendën e takimit të ardhshëm.

Kurti njoftoi se ai kishte ngritur katër propozime në këtë takim.

1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje të ngjashme me atë të Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Islandës me BE-në.

2. Kosova dhe Serbia, duhet të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.

3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë edhe pakicat etnike.

4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviç, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviç.

Kurti theksoi se asnjë nga propozimet e tij nuk morën aprovimin e delegacionit serb, tre të fundit u hodhën poshtë dhe e para nuk u komentua. Ndërkohë që ditën e sotme shefi I politikës së jashtme I BE, do të takohet me Presidentin Biden, ku një nga temat e diskutimit do të jetë dialogu Kosovë-Serbi.

Ora 12:44
Përfundon takimi i parë Kurti-Vuçiç! Përplasje dhe tensione mes liderëve, Presidenti serb: Albini më pyeti kur do njohësh Kosovën?

Ka përfunduar në Bruksel takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Një takim që pas deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç duket se është shoqëruar nga tensione të shumta.  Ai deklaroi se kishte folur ashpër me Kurtin.

“Unë u përgjigja ashpër, por nuk e kalova kufirin. Njeriu erdhi që të mos binte dakord për asgjë. Ai tha: “Kam ardhur të të pyes kur do ta njohësh Kosovën”. Unë i thashë: “Asnjëherë”. Ai shpërtheu”, theksoi Vuçiç.

Vuçiç tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se janë dakorduar që dialogu i nivelit të lartë të vazhdojë deri në fund të korrikut. Ai gjithashtu foli edhe për mospajtimet mes tyre.

“U ra dakord për të vazhduar dialogun deri në fund të korrikut”, tha Vuçiç pas takimit.

E megjithatë ka theksuar edhe njëherë vendosmërinë e Kosovës për të mos pranuar asociacionin.

“Delegacioni shqiptar nuk dëshiron ta përmbushë atë që nënshkroi. Ata e quajnë provokim faktin që serbët duan të marrin pjesë në liturgji… Mungesë e plotë e realitetit. “Nuk kam marrë pjesë në asnjë takim tjetër ”, tha Vuçiç para gazetarëve.

Gjatë këtij takimi, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka deklaruar se dialogu dhe rezultati që del nga ai është rruga drejt të ardhmes evropiane të të dyja palëve.

 “Unë jam duke pritur një takim të ri të Dialogut të Nivelit të Lartë Beograd Prishtinë sot me Presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti”, ka shkruar Borrell.

“Dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt së ardhmes evropiane të të dy palëve. Ndërkohë, ai solli rezultate të rëndësishme për qytetarët e tyre”, ka theksuar ai.

Përveç Borrellit, takimi i parë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiçit, u ndërmjetësua e edhe nga përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ora 11:26
Bruksel, fillon takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiç

Me ndërmjetësimin e BE-së, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë filluar takimin e nivelit të lartë në Bruksel.

Komisioni Evropian ka publikuar në  faqen zyrtare disa fotografi para takimit, ku pjesëmarrës janë edhe shefi I politikës së jashtme Josep Borell dhe Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.

Së bashku me Kurtin në takim është i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa  Vuçiç është i shoqëruar nga ministri i jashtëm, Nikola Selakoviç.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka folur në një konferencë për media para takimit që do të mbahet me ndërmjetësimin e BE-së në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Borrell ka deklaruar se në takimin e sotëm i pranishëm do të jetë edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, derisa, takimin Kurti-Vuçiç e ka lidhur edhe me vizitën e presidentit amerikan në Bruksel.

“Sot, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ne do të mbajmë një takim të ri të nivelit të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Mua më vjen mirë që kjo po ndodh në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian do të takohet me presidentin Biden, këtu në Bruksel”, ka deklaruar Borrell.

Ora 11:25
Kurti-Vuçiç në takim, Brnabiç: Presidenti përballë një detyre të pamundur, jam më e shqetësuar se kurrë, Daçiç: Nuk pres asgjë spektakolare

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka uruar presidentit Aleksander Vuçiç për këtë detyrë të vështirë siç e quajti ajo, duke thënë se me zemër është në Bruksel.

Deklaratën e saj Brnabiç e ka dhënë vetëm disa orë pas takimit të shumëpritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç.

Gjatë fjalës së saj për TV Pink, tha se Vuçiç është përballë një detyre të pamundur dhe një përgjegjësie të madhe, duke shtuar se këtë herë është më e shqetësuar se asnjëherë më parë.

“Më vjen keq që nuk jam në Bruksel, por me gjithë zemër jam me presidentin. Ai nuk do e ketë të lehtë, është përballë një detyre të pamundur dhe një përgjegjësie të madhe. Unë kurrë nuk kam qenë kaq e shqetësuar sa këtë herë”, është shprehur Brnabiç.

Kryeministrja serbe, tha se nuk sheh hapësirë për dialog të mëtejshëm.

‘Ne po flasim me njerëz fanatikë, unë nuk shoh hapësirë për dialog të mëtejshëm”, tha ajo.

Lidhur me takimin Kurit-Vuçiç i cili po zhvillohet në këto momente, kryetari i Kuvendit, Ivica Daçiç tha se nuk pret asgjë spektakolare nga dialogu Kosovë-Serbi.

“Nuk pres ndonjë gjë spektakolare, në një kuptim pozitiv. Në një kuptim negativ, gjithçka mund të pritet.”, tha ai.

Ora 09:11
Kurti dhe Vuçiç takohen në Bruksel, Borrell: Dialogu i shërben gjithë rajonit, i lumtur që bëhet kur këtu ështe edhe Biden

1595075474_borrellpersonalstatement.jpg

Teksa pritet që paraditen e sotme për herë të parë të takohen në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç , në BE janë optimistë për pritshmëritë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell në një deklaratë përpara nisjes së takimit është shprehur se dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe i shërben të gjithë rajonit, jo vetëm dy vendeve.

"Inkurajoj palët të vijojnë dialogun pa vonesë dhe të fokusohen në gjetjen e zgjidhjeve pavarësisht vështirësive. Dialogu Kosovë-Serbi është një mundësi që duhet të shfrytëzohet nga i gjithë rajoni, jo vetëm nga dy vendet. Dialogu ka rëndësi për stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.''

Borell ka deklaruar se në takimin e sotëm i pranishëm do të jetë edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, derisa, takimin Kurti-Vuçiç e ka lidhur edhe me vizitën e presidentit amerikan në Bruksel.

 “Sot, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ne do të mbajmë një takim të ri të nivelit të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Mua më vjen mirë që kjo po ndodh në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian do të takohet me presidentin Biden, këtu në Bruksel.

Është kënaqësi të takohemi në Bruksel dhe t’i mirëpresim Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, jo gjatë pas vizitës së tyre dypalëshe në Bruksel në fund të prillit”, ka thënë ai.

 

J.GJ./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • GOLI: 15/06/2021 13:28

    ZGJIDHJA ESHTE...VAJTJA E MEMES SHQIPERI ME USHTRINE TEK MOLLA E KUQE.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Jakin Marena: Heshtja e Kurtit për presionin e Greqisë ndaj Shqipërisë për ‘Belerin’

Jakin Marena: Heshtja e Kurtit për presionin e Greqisë ndaj Shqipërisë për ‘Belerin’