Dilema rreth një projektligji për KLD

Dilema rreth një projektligji për KLD
Që Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të vazhdonte në mënyrë pothuajse unanime të mbështeste figurën e kompromentuar të anëtarit të këtij Këshilli, Gjin Gjoni dhe, gjithashtu, në kundërshtim të propozimeve të Ministrit të Drejtësisë për shkarkim edhe të disa gjyqtarëve të tjerë të dyshuar për korrupsion dhe dhënie vendimesh të padrejta, kjo sidoqoftë nuk përbën ndonjë çudi të papandehur, aq sa të shkaktonte publikisht një valë të re akuzash, kundërakuzash, vërejtjesh dhe opinionesh rreth mënyrës së funksionimit të këtij organi të vetqeversijes së gjyqësorit shqiptar.

Nuk përbën ndonjë hata të madhe edhe në situatat specifike ku është përfshirë vendi, si: akordimi Shqipërisë i statusit zyrtar të Shtetit Kandidat për në BE, përcaktimi nga Brukseli i reformës në këtë sektor me vlerën e prioritetit kyç në përmbushjen e pesë kritereve të domosdoshme për çeljen e bisedimeve drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane dhe nënvizimi që u bëhet pavarësisë, paanshmërisë, transparencës, efiçencës dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit si elemente qendrore në vlerësimin e kriterit politik për këtë anëtarësim.

Vendimet e quajtura nga shumëkush si ‘skandaloze’ të marra në Këshillin e Lartë të Drejtësisë kreut të kësaj jave, nuk përbëjnë ndonjë konstatim të njëhershëm mbi qëndrimet e KLD, nëpërmjet të cilave ky organ është bërë deri tani praktikisht pjesë parësore e një sistemi të dëmshëm korporativ të gjyqësorit shqiptar, profil ky i gdhendur mbi një platformë regresiste të qeverisjes tashmë të përmbysur me votën masive popullore. Mbi një platformë, që prej vitesh është bërë dhe shfaqur haptazi si strehë për të korruptuarit dhe të paaftët.

Megjithatë, mbledhja e fundit e KLD në këto ditë të nxehta klimaterike dhe politike, si një pikë vlimi brenda hullive të indinjatës së opinionit publik shkaktoi edhe një korrent freskie për mendjet e shumicës së deputetëve, të cilët u kujtuan që tre prej anëtarëve të këtij institucioni kushtetues janë të zgjedhur, sipas nenit 147/1 të Kushtetutës, nga Kuvendi i Shqipërisë. Kështu, përderisa edhe këta tre anëtarë ndërmarrin akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë figurën e tyre, nuk ka pse Parlamenti të bëjë sehir derisa atyre t’u përfundojë mandati 5 vjeçar për të qendruar në detyrë. Domethënë, t’i shkarkojnë ata me votat e domosdoshme që mazhoranca i posedon edhe e vetme, për t’i zëvendësuar me figura serioze, të cilat mund të ndikojnë për vendosjen e një raporti paksa më balancues, drejt konsolidimit të shtetit të së drejtës edhe në këtë drejtim të veprimtarisë së institucioneve shqiptare.

Por, edhe kjo nuk duket të jetë një zgjidhje plotësisht e efektshme dhe e qendrueshme për sot dhe për mot. Ndoshta një lloj zgjidhjeje e tillë e ka shtyrë një grup deputetësh, që nga padurimi apo revoltimi ndaj gjendjes së mjeruar të sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, të nxisin iniciimin e fillimit të reformës në këtë fushë, nëpërmjet propozimit prej tyre të një projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë’ i ndryshuar”.

Nga një vështrim i hedhur te projektligji i mësipërm, teksti i të cilit përbëhet gjithsej nga 10 nene, bëhet e qartë që ndryshimet dhe shtesat përkatëse kanë të bëjnë me frenimin e problematikave që kanë shoqëruar veprimtarinë e KLD gjatë viteve të fundit, si edhe me nevojën për reformimin e legjislacionit që normon organizimin dhe funksionimin e këtij organi kushtetues. Një nevojë e tillë është bërë prezente edhe në Kuvendin e Shqipërisë, kryesisht në Komisionin e Ligjeve, sidomos gjatë dy muajve të fundit, kur është theksuar veçanërisht situata e papranueshme në emërimin e kryetarëve të gjykatave, komandimi i tyre me afate të tejzgjatura, për të mos lejuar në të ardhmen situata të shkeljes flagrante të ligjit, vetpromovimi i anëtarëve të KLD gjatë ushtrimit të mandatit dhe të tjerë elemente kryesorë që duan rregullim të mëtejshëm dhe rigoroz.

Pa u zgjatur me shpjegime nen për nen të projektligjit, mbase duhet theksuar këtu që amendimet nuk duket të bien ndesh me Kushtetutën, siç deklaroi para pak ditësh deputeti demokrat, Eduard Halimi. Ndërkohë që, pa folur për mangësi të teknikës legjislative të përdorur për hartimin e tekstit të këtij akti, e nevojshme është të theksohet në këto rradhë, se ndryshimet dhe shtesat e propozuara nëpërmjet projektligjit të depozituar në Kuvend më 30 qershorin e kaluar nuk ezaurojnë plotësisht përmirësimin e gamës së problematikave shqetësuese të veprimtarisë së KLD, madje as të funksioneve thelbësore që duhet të ushtrojë ky organ. Sigurisht, pa u cenuar pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe, në këtë kuadër, roli i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

     Nejse, projektligji i fundit nuk mund të shtrohet për shqyrtim apo diskutim dhe aq më pak për miratim brenda këtij sesioni parlamentar, sepse të mos harrojmë që në këtë sesion, pra deri në fund të këtij muaji, në shqyrtim janë të tjera akte dhe për miratim është veçanërisht ligji për përcaktimin e hartës së re administrative – territoriale, si pjesë e një prej reformave të rëndësishme të premtuara nga qeverisja aktuale dhe të kërkuara apo rekomanduara nga aleatët ndërkombëtarë. Kështu që mund të ketë paksa kohë për t’iu bërë aktit të ri përmirësimet e domosdoshme.

Megjithatë, një dilemë e natyrshme rreth tij mund t’i shpjerë në stepje qarqe të caktuara të politikës dhe jurisprudencës, duke u shtruar pyetjet, sipas së cilave, përse Qeveria që e ka deklaruar si prioritet mbi prioritetet e Programit të saj reformën në sistemin e Drejtësisë, nuk merr iniciativën për hartimin dhe paraqitjen në Kuvend të një projektligji të plotë për veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë? Mos vallë i duhet të presë ndryshimet në skenën parlamentare të raportit mazhorancë – opozitë, në favor të rritjes së mëtejshme të numrit të votave të së parës, për të paraqitur amendimet kushtetuese, setit të të cilave mund t’i përkasin edhe ato për Këshillin e Lartë të Drejtësisë?

Dhe, kjo dilemë është e shpjegueshme po të mbahen parasysh diskutimet e dokohëshme mbi rolin e KLD si institucion i pavarur, por jo i parashikuar nga Kushtetuta; që në përbërje dhe në kryesim të tij të jetë apo jo Presidenti i Republikës; që transferimi i gjyqtarit si masë disiplinore të bëhet edhe pa pëlqimin e tyre, përkundër asaj çka parashikon aktualisht neni 147/5 i Kushtetutës etj.

Sidoqoftë, edhe pa ndërhyrje në Ligjin Themelor të shtetit, mund të hartohet një ligj tjetër organik i këtij institucioni, më i studiuar dhe më i plotë, shoqëruar edhe me ndryshime në ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor, që reflekton në veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke u saktësuar masat disiplinore ndaj gjyqtarëve, të cilët duhet t’i mbajnë ato sipas procedurave përkatëse; duke gjetur shprehje mundësia e rishpërndarjes territoriale të gjykatave, sipas përcaktimeve të pritshme nga ligji për ndarjen e re administrative – territoriale në Republikën e Shqipërisë; duke sanksionuar rreptësisht se kur gjyqtarët nuk mund të shmangen nga përgjegjësia penale, duke u ballafaquar me figurën e veprës së “Shpërdorimit të detyrës”, të “Korrupsionit” (parashikuar nga Kodi Penal); si edhe çështje të tjera të diskutueshme.

Gjithashtu, amendime në plotësim të tematikës mund të shoqërohen edhe me ndryshime përkatëse në ligjin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, nga e cila sipas parashikimeve të përmbajtjes aktuale të Kushtetutës zgjidhen për anëtarë të KLD 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve. Por, për zgjedhjen e tyre është e domosdoshme të përcaktohen ligjërisht dhe të respektohen praktikisht disa kritere, jo më të ndodhë si shpesh herë deri tani, që ka nga Konferenca Gjyqësore zgjidhen anëtarë të KLD qoftë edhe me numër qesharak votash.

Pas asaj që u mësua se kishte ndodhur në krye të kësaj jave gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, edhe Ministri i Shtetit në rolin e Koordinatorit të Përgjithshëm të Luftës kundër Korrupsionit e mbështeti menjëherë në emër të Qeverisë thirrjen e kolegit të tij të Drejtësisë për shkarkimin e 3 anëtarëve të KLD, që zgjidhen nga Kuvendi. Ndërsa, ditën e djeshme u shpreh madje edhe për hartimin e një ligji me ndihmën e ekspertëve të Programit të Bashkimit Evropian - EURALIUS në këtë fushë.

Në referim të kësaj deklarate, dilema rreth projektligjit të iniciuar nga një grup deputetësh shtohet edhe më shumë, pa injoruar thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me ritme të shpejta edhe pa iu adresuar amendimeve kushtetuese. Sidoqoftë, dilemat prandaj thirren me këtë fjalë, për të sinonimizuar ndonjëherë fjalën ‘stepje’, me të cilën nuk nënkuptohet mbyllja një herë e mirë e të gjitha rrugëve të mundshme dhe alternative, për nevoja të shpejta, duke mos injoruar dhe lënë në harresë ato të perspektivës. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Klodjan Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën', Haklaj: SPAK do t'i shkojë deri në fund

'Klodjan Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën', Haklaj: SPAK do t'i shkojë deri në fund