Diskutim me nxënësit në Elbasan, Rama: Në fillim të vitit nis investimi për laboratorët! Një përgjigjje për gjithë ju që doni të ikni nga Shqipëria

ELBASAN- Fillimi i vitit do të sjellë investime në laboratorët e shkollave. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama gjatë një diskutimi me maturantët e gjimnazeve të Elbasanit. Sipas Ramës, investimi në laboratorë është shumë i rëndësishëm, pasi në shumicën e rasteve laboratorët nuk përdoren për shkak të mungesës së pajisjeve. Ai theksoi edhe një herë që është miratuar një fond i veçantë në projekt buxhetin e vitit 2022 për këtë investim.

"Dua t'iu them që gjithë ky proces që është ndërmarrë nga ministrja për Rininë dhe Fëmijët është një proces që mund të duket nga larg si një rutinë takimesh, por në fakt është një proces shumë ndihmues për ne sepse ka gjëra të cilat janë shumë të prekshme dhe janë vështirësive e jetës së përditshme të një komuniteti të caktuar dhe iu shpëtojnë syrit të atyre që përgatisin vendimmarrjet. Ballafaqimi i drejtpërdrejtë me subjektet ndihmon për tu fokusuar në gjëra që mund të shpëtojnë nga vendimmarrësit.

Pa asnjë lidhje me njëri tjetrin, nga Shkodra këtu, ju thoni disa gjëra që janë të njëjta. Këtu u përmend këshillimi i karrierës si një kërkesë që vjen nga fakti që mesa duket këshillimi i karrierës është i dobët si shërbim. Këtu u përmend vlerësimi i nxënësve , jo vetëm për çfarë thonë apo shkruajë, por edhe për vullnetarizmin, në çdo takim e kam dëgjuar. U përmend çështja e laboratorëve, më vjen mirë t'iu them që e kemi adresuar që tani me buxhetin e vitit 2022 këtë problem. Është e vërtetë që laboratorët ekzistojnë vetëm në letër e shkollë, por në shumë raste janë të pajisur në mënyrë shumë modeste dhe natyrisht kur janë të pajisur keq edhe mësimi në laborator nuk e ka atë interes që mund të kishte. Në fillim të viti nisim një investim masiv për laboratorët, por ndërkohë ministrja kanë filluar punën për përmbajtjen dhe mësimin e laboratorëve. Jo vetëm që t'i pajisim, por këto pajisje të jenë pjesë në mësimin në laboratorë, jo të rrinë si stoli edhe të mos përdoren me dobinë maksimumin për ju", u shpreh Rama.

Në takimin mbi 60 minuta me maturantët, shqetësimi më i madh që u vu re ishte dilema nëse duhet ta vazhdojnë universitetin këtu apo ta ndjekin atë jashtë vendit. Madje ata i kërkuan kryeministrin që t'iu parashtrojë arsyet pse duhet të qëndrojnë në Shqipëri. Sipas Ramës, kush guxon dhe ka vullnet ia del gjithmonë, pavarësisht vështirësive, duke sjell kështu në vëmendje historinë e tre vajzave ekselente në mësime, por që ia dilnin të studionin edhe në çadër me vendosmërinë se dija do t'i nxirrte nga gropa e varfërisë.

"Kërkuan t'iu themi pse të rrinë këtu. Unë pavarësisht pozicionit nga ku flas, nuk kam ndryshuar mendimin dhe nuk ndryshoj. Çdokush është i lirë dhe në të drejtën e vet të marrë vendimin për veten e vet se çfarë do të bëjë. Për fat të mirë nuk jetojmë para 30 vitesh, sepse nuk ia bënim dot vetës këtë pyetje sepse nuk dilte dot askush jashtë shtetit as për punë as për shkollë. E kishim mendjen e fjetur, kjo është rruga s'ka rrugë tjetër. Liria i ka dilemat e mëdha. Njeriu kur është para dilemave duhet të bëjë zgjedhjet e veta. Unë nuk do them arsyet pse duhet të ikni por pse nuk duhet të iki. Cilat janë arsyet pse nuk duhet të iki? Një gjë është e sigurt që në të gjitha rastet në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë kjo botë është e atyre që guxojnë dhe janë të vendosur.

Unë kam pasur për shkak të detyrës mundësinë në më shumë se një rast të vizitoj familje shumë të varfra, jo si ata që ankohen me Iphone që s’kemi bukë, por të varfër, të varfër. Aty kam parë fëmijë me të gjitha 10. Nuk e harroj kurrë një familje në një zonë rurale të Shkodrës tre vajza mësonin në çadër, ishin me të gjitha 10 dhe flisnin anglisht. Vinin nga një familje që jetonin nga familja e babait që punonte me një karrocë. Babai nuk kishte asnjë shans që të influenconte notat e vajzave të veta. Ato i kishin të gjitha mundësitë dhe të mund të justifikoheshin nuk kemi kushte për të mësuar. Ato nuk i kishin kushtet për të mësuar. Mirëpo, duke mësuar ato po rrisnin krahët për të fluturuar nga ajo gropë varfërie dhe për ta pasur ndryshe jetën e tyre. Dija të bën që të ecësh përpara kur ke vendosur të ecësh në mënyrë të drejtë.  Përgjigja është brenda secilit çfarëdo që mund të dëgjosh është vetëm një nga argumentet. Kush ka ambicie, kush ka guxim dhe vendosmëri e arrin atë që do", vijoi Rama.

Ndryshe nga të rinjtë të cilët kërkonin që dega e mësuesisë të vlerësohet, Rama tha se mësuesit përzgjidhen sipas meritave dhe kandidojnë nëpërmjet portalit 'Mësues për Shqipërinë'. Rama vendosi edhe njëherë në vëmendje se paga e mësuesve vitin e ardhshëm do të rriten me 6%, me synimin që brenda mandatit të tretë paga e mësuesve të ketë pësuar një rritje prej 40%.

"Për mësuesinë kemi rritur nivelin e kërkesës për nxënësit që duan të futen në të. Më parë më të dobëtit kishin mundësinë për t’u bërë mësues e për të mësuar të tjerët, por sot nuk është kështu. Roli i mësuesit bëhet i rëndësishëm. Nuk është më mësuesi një top futbolli që gjuhet sipas politikës, mësuesit janë më të respektuar dhe stabilizuar në punën e tyre. Nuk ka më ndërhyrje me mik apo me lekë, sepse kemi portalin mësues për Shqipërinë, ku nuk ka krahasim me atë më të parën. Kemi futur në buxhet që mësuesve t’i rritet paga sepse janë shumë të rëndësishëm", tha kryeministri.

Ndërkohë, nga problematikat e ngritura nga të rinjtë u konstatua se mungojnë këshillues për karrierën e aktivitete sportive, gjë që u pranua edhe nga kryeministri. Rama tha se synohet zhvillimi i tyre përmes dy programeve të për artin, zejet dhe sportin. Ai shtoi se tashmë do të ketë një fond të veçantë për informatikën, ndërsa do t'i jepet fund rasteve që mësuesit do të japin lëndë mësimore në të cilat nuk janë të profilizuar.

"Tjetër gjë është problemi i rasteve të mësuesve që japin lëndë teknike të rëndësishme, por që nuk janë të profilizuar në atë fushë por janë mësues matematike ose mësues të lëndëve tjera të shkencave ekzakte. Kjo duhet adresuar me urgjencë siç kemi vendosur një fond të veçantë për të ndryshuar komplet sistemin e dhënies së informatikës. Klasë informatike në letër dhe shkolla ka pothuajse kudo, por situata është e njëjta, kompjuter nuk punojnë, një pjesë janë të lodhur, ndërkohë që vetë mësimi është shumë herë më mbrapa sesa ambicia e atyre nxënësve që duan t ecin para me informatikën.

Çështja e arteve, sporteve. E kemi vendosur si objektiv në këtë mandat që të kemi dy programe kombëtare të reja për artet dhe zejet dhe një për sportet. Do fillojmë hap pas hapi organizimin e sistemit në mënyrë që shkollat të kenë kapacitet për t'iu përgjigjur kërkesave të nxënësve që duan të zhvillojnë talentin e tyre. Por edhe për t'iu dhënë mundësinë të rrisin dijet në fushën e zejeve", u shpreh Rama.

Ky ishte takimi i 11-të që zhvillohet me nxënës nga qytete të ndryshme të vendit për strategjinë Kombëtare të Rinisë. E pranishme në takim ishte edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, si dhe ministrja për Rininë dhe fëmijët, Bora Muzhaqi.

 

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Populli: 27/10/2021 09:45

    Pergjigjen ta jep populli zoti kryeminister. Krimi po godet ne cdo ore ne cdo minute Kriminele vrases me pagese perspektive e zymte per te siguruar pune Pse me keto do ta mbash popullin? Me call centera fasoneri kamariere banakiere i ke siguruar pune qe per nje page qe nuk siguron as minimumin jetik apo me drogen dhe prostitucionin qe po lulezon sheshit do ti japesh pergjigje atyre qe largohen nga Shqiperia zoti kryeminister.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Sufllaqe nga qielli nuk bien më', Meta: PL do të rrëzojë Rilindjen, iku koha kur opozita drejtohej nga lulushët!

'Sufllaqe nga qielli nuk bien më', Meta: PL do të rrëzojë Rilindjen, iku koha kur opozita drejtohej nga lulushët!