Dita Botërore e Diabetit, historia e
Anës: S'dua të më shohin ndryshe

Dita Botërore e Diabetit, historia e<br />Anës: S'dua të më shohin ndryshe<br>
Rrethi blu simbolizon jetën dhe shëndetin. Në mënyrë më të konsiderueshme, simbolizon bashkimin. Bashkimi i forcave të pacientëve që jetojnë me diabetin e kthejnë fushatën e nëntorit në një zë të lartë e të fortë sensibilizues.

Duhet të futesh në lëkurën e njerëzve që vuajnë nga diabeti për të kuptuar sesi ata perceptojnë botën, çfarë nevojash e kërkesash kanë... Sot do të flasim për Anën, 22 vjeçare që do na tregojë historinë e jetës së saj.

Vendosëm ta quajmë Ana, edhe pse nuk është emri i saj i vërtetë. Vendosëm ta quajmë me një emër të çfarëdoshëm, sepse rëndësi ka historia e saj, e ngjashme me qindra të rinj që jetojnë me diabetin.”, thotë gazetarja Rashela Shehu.

Po Ana jonë ka një qëllim përse kërkon të identifikohet vetëm përmes kaçurrelave dhe syve që i shkëlqejnë.

Kur të dal në rrugë nuk dua të më shohin ndryshe sepse realisht shikohesh ndryshe. Bëjnë veprime, thonë fjalë që të vrasin”, thotë Ana.

Në çantën e Anës mund të mungojë gjithçka tjetër veç insulinës. Prej 11 vitesh ajo është bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë së saj.

Ishte fillimisht e lehtë sepse kujdeseshin prindërit për mua. Kur nisa të kuptoja më shumë për veten, që shkoja në shkollë, dhe moshatarët e mi konsumonin ushqime apo ëmbëlsira të cilat mua më privoheshin në atë kohë, ndjehesha keq.”, tregon Ana.

Teksa rritej, Anës i është dashur ta prezantojë insulinën para moshatarëve si një stilolaps rezervë apo të fshihet diku për ta injektuar.

Mënyra sesi ata shprehen më bëjnë të ndjehem keq. Mund të thonë “është ngjitës?” apo “ti je gjithë kjo vajzë, e dobët, si ka mundësi që ke diabet?” sepse mendojnë se diabetin mund ta ketë vetëm një person që është i shëndoshë. Por diabeti nuk pyet vajzë apo djalë, i bukur apo i shëmtuar, të zë dhe asgjë tjetër.”, thekson Ana.

Bashkëjetesa me diabetin vështirësohet edhe më shumë nga përkrahja e munguar e shtetit në rimbursimin e fishave.

Duke qenë se në familjen time ka dhe anëtarë të tjerë me diabet, unë detyrohem që të mos e mas gliceminën katër herë minimalja në ditë, për faktin se duhet ta masin edhe ata. Detyrohem ta mas vetëm kur nuk ndjehem mirë që të shoh se çfarë kam dhe se çfarë të bëj më pas”, shprehet Ana.

Mes qindra ëndrrash Anën e ndjekin edhe pasiguri. E frika e Anës është njëherësh dëshira më e madhe që ka në jetë.

Dëshira ime më e madhe është që të bëhem nënë. Këtë pjesë e kam me shumë merak dhe kam frikë se si do të më shkojnë gjërat. Duhet nisur që nga momenti që na duhet të gjejmë një partner. Ndoshta ata mund të na pranojnë siç jemi, por është familja e tyre që nuk na pranojnë sepse mendojnë që: fëmija im është në rregull, përse duhet të marri një person që është i sëmurë?

Na identifikojnë si të sëmurë. Në Shqipëri është e vështirë të lindësh fëmijë. Kostot janë shumë të mëdha. Duke qenë se ne kemi një kosto të madhe tani që kemi përgjegjësi vetëm për veten, imagjino në momentin që do të ngelesh shtatzënë dhe më pas do të kesh edhe fëmijë
”, shprehet Ana.

Çfarë do t’ju thoshe te gjithë atyre që nuk dinë shumë rreth diabetit dhe ndoshta ju paragjykojnë?

 “Personave që nuk dinë rreth diabetit dhe bëhen paragjykues do tu thosha që fillimisht të informohen sepse të kesh diabet nuk je ndryshe. Ne që jemi me diabet jemi si të gjithë të tjerët që janë pa diabet”, thotë Ana

Por Ana ka edhe një mesazh për njerëzit që i duhet të bashkëjetojnë me diabetin.

 “Mos të tremben dhe të ngrenë zërin, mos të fshihen ashtu si unë”, ka bërë thirrje Ana.

Në Shqipëri sëmundja e diabetit po përhapet me ritme të shpejta, kryesisht tek moshat e reja. Mjekët lajmërojnë se rreth 80 mijë diabetik kurohen në të gjithë vendin, po janë edhe një numër tjetër po kaq, ende të zbuluar.

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sulmoi Iranin, mediat amerikane: Izraeli e paralajmëroi Uashingtonin

Sulmoi Iranin, mediat amerikane: Izraeli e paralajmëroi Uashingtonin