Luigi Soreca: Dita e Evropës 2021, koha për të parë përpara

Luigi Soreca: Dita e Evropës 2021, koha për të parë përpara

Foto ilustruese

Në Ditën e Evropës ne festojmë paqen, bashkimin dhe solidaritetin. Është një çast për të reflektuar mbi vitin e vështirë që lamë pas. Kjo ishte një periudhë si asnjë tjetër, kur pandemia preku çdo aspekt të jetës sonë. Shumë kanë kaluar përvoja të vështira personale, vështirësi ekonomike dhe humbjen e njerëzve të dashur.

Por ne kemi qenë gjithashtu dëshmitarë të shembujve të jashtëzakonshëm të dhembshurisë dhe mbështetjes. Këto vështirësi na vunë në provë në shumë mënyra, vetëm për të kuptuar se jemi më të fortë së bashku. Gjithmonë në situatat më të vështira kuptojmë se te kush mund të mbështetemi.

Përmes këtij guximi dhe solidariteti, tani ne duhet të shohim përpara, duke huazuar nga simbolika dhe kuptimi i thellë i kësaj dite. Evropa është një histori e fillimeve të reja. Dhe kjo është ajo që i duhet Evropës dhe Shqipërisë tani - të farkëtojnë një bashkëpunim edhe më të fortë për të kapërcyer krizën pandemike dhe për të shpalosur një fillim të ri për të ardhmen e gjithë qytetarëve evropianë.

Që në çastet e para të pandemisë, BE-ja ka qenë krah për krah Shqipërisë për të përballuar krizën shëndetësore dhe ekonomike. "Askush nuk është i sigurt pa qenë të gjithë të sigurt", është thirrja jonë e përbashkët për veprim. Besnike ndaj këtij parimi, BE-ja i ka dhuruar Shqipërisë më shumë se 4 milionë euro pajisje të reja mjekësore në një vit. Falë Bashkimit Evropian, spitalet shqiptare tani janë të pajisura më mirë se sa ishin një vit më parë. Kjo është një shprehje e mirëfilltë e vlerësimit evropian për përpjekjet mbresëlënëse të bëra nga stafi mjekësor dhe ndihmësmjekësor shqiptar.

BE-ja ka dhuruar gjithashtu më shumë se 50 milionë euro për të ndihmuar bizneset e vogla dhe bashkitë, si dhe për të mbështetur arsimin dhe trajnimin në mënyrë që të rinjtë shqiptarë të gjejnë punë në vendin e tyre. Dhe pastaj, një muaj më parë, ne gjithashtu disbursuam 90 milionët e parë të ndihmës sonë makro-financiare.

Të jemi pranë gjithë shqiptarëve dhe t'i ndihmojmë ata me çdo mënyrë të mundshme është diçka pas së cilës jemi shumë të pasionuar. Në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, ne kemi punuar pa u lodhur për të bërë të mundur një dhurim të përgjithshëm prej më shumë se 230 milionë eurosh për ta ndihmuar Shqipërinë të trajtojë pandeminë.

E gjithë kjo ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme solidariteti nga BE-ja dhe gjithë Shtetet tona Anëtare. Si Ekipi Evropa, ne qëndruam përkrah Shqipërisë dhe pjesës tjetër të botës edhe në lidhje me vaksinat.

Ndërsa të tjerët, ende sot, e mbajnë prodhimin e vaksinave për vete, Ekipi Evropa u bë eksportuesi kryesor i vaksinave në mbarë botën dhe një nga kontribuesit më të mëdhenj të COVAX-it. Deri tani, më shumë se 200 milionë doza vaksinash të prodhuara në Evropë janë transportuar në pjesën tjetër të botës. Ndërsa këtë javë, sasia e parë prej 145,000 vaksinash Pfizer, të paguara nga BE-ja, kanë mbërritur në Tiranë me vizitën e Komisionerit të BE-së Olivér Várhelyi.

Kjo është një tjetër dëshmi se Evropa është këtu. Si donatori më i madh në vend, qëllimi ynë është të përmirësojmë jetën e përditshme të shqiptarëve, shumë më parë se Shqipëria të anëtarësohet në BE. Kjo është e ardhmja që aspirojmë për Shqipërinë.

Por Dita e sotme e Evropës ka edhe një rëndësi tjetër, pasi shënon fillimin e Konferencës për të Ardhmen e Evropës - një udhëtim plot sfida për të rikrijuar më të mirën tonë. Ne po vendosim për më shumë investime, rritje të zhvillimit, digjitalizim të përparuar, një Evropë më të fortë në botë. Në këto kohë të vështira, në vend që të ngremë gardhe, ne po hapemi drejt së ardhmes. Në një ushtrim unik demokratik mbarë-evropian, ne kemi zgjedhur ta arrijmë këtë duke i dëgjuar me të vërtetë evropianët. Ne gjithashtu do të dëgjojmë njerëzit në Shqipëri, aty ku ata jetojnë. Sepse nuk mund të mendohet për të ardhmen e Evropës pa dëgjuar Shtetet e saj të ardhshme Anëtare në Ballkan.

Ne i japim formë këtij premtimi përmes mbështetjes dhe investimit tonë në shumë fusha në Shqipëri. Ne investojmë në arsim dhe kulturë, sepse besojmë se e ardhmja e Shqipërisë dhe e ardhmja e Evropës do të mbështeten mbi njohuritë dhe ndricimin e mendjes. Ne investojmë në rrugë për t'ju lidhur më mirë me njëri-tjetrin. Ne investojmë në bujqësi dhe mjedis për të përmirësuar cilësinë e jetës suaj.

Ne gjithashtu qëndruam pranë popullit shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit dramatik të nëntorit 2019. Ne kemi dhuruar 115 milionë euro për 63 shkolla të reja, nga të cilat do të përfitojnë 20.000 fëmijë, si dhe për rehabilitimin e 40 siteve të trashëgimisë kulturore - një pasuri e jashtëzakonshme për turizmin dhe rritjen e qëndrueshme të vendit.

Sot, ndërsa pandemia po bie në Shqipëri dhe vaksinat po bëhen më të disponueshme, ne duam të shohim përpara me shpresë dhe optimizëm. Të shohim përpara do të thotë që duam të shohim sa më shpejt të jetë e mundur fillimin e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar, Shtetet Anëtare vendosën të nisin negociatat dhe së shpejti ato do të vendosin për fillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Muajt e fundit kanë treguar përparim të vërtetë në shumë fronte. Ne jemi të bindur se tani është koha për ta bërë këtë hap të rëndësishëm.

Viti i vështirë që lamë pas vendosi gjithashtu kufij midis njerëzve, midis miqve, njerëzve të dashur dhe komuniteteve. Kontakti njerëzor është diçka humbjen e të cilit e kemi ndier thellë. Na ka munguar takimi personalisht me njëri-tjetrin. Gjatë këtyre muajve shumë të gjatë, mua personalisht më kanë munguar takimet me shumë prej miqve të mi shqiptarë dhe vizitat në Shqipëri.

Është kjo dëshirë për t'u takuar dhe shkëmbyer me ju që na nisi në udhëtimin e Javëve të Evropës të këtij viti. Kjo është po ashtu arsyeja kryesore pse kemi kërkuar që të kemi jo vetëm një ditë, jo një javë, por tri, për të vizituar bukuritë e këtij vendi dhe për të bashkëvepruar në mënyrë domethënëse me njerëzit.

Ne duam të arrijmë te shqiptarët atje ku janë. Në qytetet, në qytezat e fshatrat tuaja, në lugina e në male. Ne do të udhëtojmë për tri javë, duke u ndaluar çdo ditë në një bashki të ndryshme, shumica prej tyre bashki ku nuk kemi qenë më parë, për t'u takuar dhe për të qenë vërtet me njerëzit, si dhe për t'u thënë atyre që Evropa është këtu - për të mbështetur, për të mbrojtur, për të investuar dhe, sot, për të festuar.

Le të dalim së bashku nga kriza, duke dëgjuar njëri-tjetrin, duke u kujdesur për njëri-tjetrin.

*Autori është ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

'Dhimbje koke' për trajnerët, UEFA gati t'i vijë në ndihmë Sylvinhos për Europianin 2024

'Dhimbje koke' për trajnerët, UEFA gati t'i vijë në ndihmë Sylvinhos për Europianin 2024