Dita e Mjedisit/ Rama sjell shembullin e transformimit të Sharrës, Meta: Të mos lejojmë që betoni të zhdukë kurorat e gjelbërta

Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta kanë dhënë mesazhe që lidhen me ndotjen e mjedisit. Kreu i qeverisë sjell shembullin e Sharrës, që sipas tij i dhanë fund zonës kanceroze të kryeqytetit.

Rama thotë se projekti i Sharrës ende nuk ka përfunduar, por që parasheh transformimin e plehrave në energji elektrike dhe transformimin e asaj plage të tmerrshme mjedisore, në një prej parqeve më të bukur të vendit për familjet e për fëmijët.

"A ju kujtohet Sharra famëkeqe e deri pak vitesh? Sharra e plehrave që ngrinte çdo muzg renë e tymit mbytës mbi zonën e Kombinatit; Sharra e romëve, gra, pleq, fëmijë, që si në filmat bardhezi nga Afrika e dikurshme gërmonin me duar nëpër plehra dhe ku helmet gërmonin mushkëritë e punëtorëve të pastrimit e të banorëve të zonës; Sharra e ujrave ku plehrat merrnin lundrimin për në det, duke helmuar ujin e tokën ku ngeleshin e kalbeshin... Sharra pra Sharra, ajo e akuzave monstruoze për koncesionin e dhënë nga "qeveria e krimit që", medemek, "paguante miliona të cilat shkonin në xhepat e oligarkëve" a ju kujtohet?Kur erdhëm në qeveri vendosëm t'i japim fund asaj zone kanceroze në mes të kryeqytetit, që ishte një nga turpet më të mëdha të keqqeverisjes çerekshekullore! Sapo fituam mbrapsht edhe Bashkinë e grabitur të Tiranës, nisëm punën për të shpëtuar Tiranën nga Sharra dhe Sharrën nga ferri i plehrave të kryeqytetit të Shqipërisë...

Ju lutem shikojeni Sharrën sot, ku ende nuk ka përfunduar projekti që parasheh transformimin e plehrave në energji elektrike dhe transformimin e asaj plage të tmerrshme mjedisore, në një prej parqeve më të bukur të vendit për familjet e për fëmijët, të cilët do të mundet jo vetëm të luajnë në atë park, po edhe të shohin shpendë e kafshë paqësore në natyrën e rilindur mbi atë tokë ku mbretëroi prej më shumë se gjysëm shekulli, turpi dhe mallkimi i keqqeverisjes.

Sharra nuk është e vetmja pasqyrë e vizionit dhe ambicies sonë për sistemin e grumbullimit e përpunimit të plehrave në Shqipëri, sepse tanimë jo vetëm Elbasani ka shpëtuar nga i njëjti kancer dhe Fieri po ashtu do të ketë impiantin ultramodern të transformimit të plehrave në energji, mes një parku të ri, por edhe Durrësi do të ketë shumë shpejt në vend të vargmaleve me plehra plot me derra, në Porto Romano, një park të madh urban për të gjitha moshat", shkruan Rama në Facebook.

Ndërsa Presidenti Ilir Meta shprehet se duhet që të mos lejojmë ndotjen e mjedisit, ndërsa shton se kjo gjë bën që të dëmtohen edhe jetët tona. Më tej kreu i shtetit thotë se duhet që të mos lejojmë që shfrytëzimi pa kriter të rrezikojë zhdukjen e Vjosës, Valbonës dhe shumë lumenjve përrallorë që kërcënohen nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i vendimmarrësve.

"Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, apeli im është të zgjohemi për të mos lejuar më që keqmenaxhimi i mbetjeve urbane dhe ndotja e ajrit të dëmtojnë jetët tona, që betoni të zhdukë hapësirat dhe kurorat e gjelbërta të qyteteve, që lejet abuzive dhe papërgjegjshmëria të sharrojnë pyjet e jashtëzakonshme, malet t'i kthejnë në gurore, detin ta ndotin dhe bregdetin ta shkatërrojnë, që HEC-et dhe shfrytëzimi pa kriter të rrezikojë zhdukjen e Vjosës, Valbonës dhe shumë lumenjve përrallorë që kërcënohen nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i vendimmarrësve. Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë "diamanti" i Mesdheut dhe Europës! Por të gjithë bashkë duhet të kontribuojmë për të mbrojtur çdo dhuratë që na ka falur Zoti! Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët! Ta mbajmë të pastër e të gjelbër, dhe një vend të mirë e të shëndetshëm për të jetuar! Do të jem në mbështetje të shoqërisë civile, aktivistëve të ndershëm e patriotë dhe çdo komuniteti që duke mbrojtur mjedisin dhe bukuritë natyrore mbron të ardhmen e begatë të Shqipërisë", shkruan Meta në Facebook.

Report TV prej disa kohësh ka ngritur shqetësimin e ndotjes nëpër lumenj dhe zona të tjera. Pavarësisht se nga ana e autoriteteve kanë nisur ndëshkimet për ata që e ndotin mjedisin, nuk ka ende një përgjigje se kush do ti pastrojë këto mbetje.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • alo alo: 05/06/2020 10:57

    Ilir Meta qe "kafshoi" Malin e Tomorrit, flet per mbrojtjen e mjedisit ?? Hipokrizia ne Shqiperi po arrin ne nivele te dukeshin te pamundura para disa viteve !!! Mbyll guroret e mermerit qe ke ne pronesi z.President !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Policia plan masash kundër kultivimit të kanabisit, kontrolle në gjithë territorin! Nga maji, Guardia di Finanza me monitorim nga ajri

Policia plan masash kundër kultivimit të kanabisit, kontrolle në gjithë territorin! Nga maji, Guardia di Finanza me monitorim nga ajri