Koronavirusi/ Dita III e shtetrrethimit, bllokohet qarkullimi i makinave në gjithë Shqipërinë, braktiset Liqeni në Tiranë

Koronavirusi/ Dita III e shtetrrethimit, bllokohet qarkullimi i makinave në gjithë Shqipërinë, braktiset Liqeni në Tiranë

TIRANË - Sot, ndalimi i qarkullimit të automjeteve është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, nga mesnata e së dielës, deri në 8 të mëngjesit të së hënës, kush ka lëvizur jashtë qytetit, ka kohë këtë fashë 8 orarëshe për t'u kthyer në vendin ku banon. Nga e hëna e gjithë Shqipëria do të jetë në 'karantinë', në një shtetrrethim me forca policore e të ushtrisë në terren që do të kontrollojnë çdo person që mund të dalë mbi këtë urdhër duke marrë edhe penalizimet përkatëse. Me identifikimin e të prekurve të parë me COVID-19, qeveria shqiptare mori një sërë masash drastike, për ta frenuar në kohë koronavirusin, e për të mos arritur në skenare të frikshme siç edhe vendet me mjekësi ekselente po përballen.

Aktualisht, në të gjithë Shqipërinë janë mbyllur lokalet, restorantet, palestrat, fast food-et, e shumë biznese krejt të panevojshme për qytetarët në këto momente të vështira që po kalon vendi. Të vetmet që qëndrojnë hapur janë supermarketet dhe farmacitë.

Qarkullimi është i ndaluar në qytet dhe në akset kryesore që lidhin vendin. Të gjithë personat që janë në punë në sektorin publik dhe atë privat do të mund të lëvizin vetëm në mëngjes deri në orën 08:00 dhe pasdite në orën 16:00 deri në 17:00 kur mbyllin punën, pra në këto fasha orare. 

“Të gjithë ata që ditën e hënë dhe në vijim do të jenë të angazhuar për punë, në sektorin publik apo privat, do të mund të qarkullojnë me automjete vetëm deri në orën 08.00 të mëngjesit dhe nga ora 16.00 deri në orën 17.00 të pasdites. Qarkullimi i automjeteve që nuk janë pjesë e shërbimeve shtetërore në lëvizje apo shërbimeve private që e kanë të domosdoshme lëvizjen, do të jetë e ndaluar rreptësisht për çdo automjet tjetër jashtë fashave të lejuara për vajtja/ardhje në punë”, tha dje Rama. Kush kapet në shkelje u hiqet patenta për 3 vjet si dhe i sekuestrohet makina.

Aktualisht kufiri është bllokuar me Italinë, si ajror ashtu edhe detar, me Greqinë, Kosovën, Malin e Zi (hapur vetëm Hani i Hotit) dhe Maqedoninë e Veriut (hapur vetëm Qafë-Thana).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:01
Parku i Liqenit Artificial në shtetrrethim! Njerëzit e 'braktisin' si kurrë më parë (VIDEO-FOTO)

Pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për të eliminuar grumbullimet pranë Liqenit Artificial, dhe pas bllokimit të rrugëve që të çojnë drejt tij si një masë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, sot kjo zonë është bosh. Gjatë një vëzhgimi pranë Liqenit dallohen vetëm efektivë të policisë që po bëjnë patrullim përgjatë zonës.

Një pamje e pazakontë për këtë vend që është destinacioni i preferuar i shumë qytetarëve që kërkojnë të kalojnë disa momente qetësie.

Por në këtë situatë të jashtëzakonshme Liqeni Artificial sot është kapluar nga heshtja, ku mungojnë hapat e dhjetëra qytetarëve dhe zhurmat e vrapimit. Grumbullimet pranë liqenit janë ndaluar nga qeveria si një masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

E pavarësisht kësaj situatë nuk mund të themi që qytetarët janë ndërgjegjësuar, pasi forcat e policisë kanë bllokuar të gjitha rrugët që të çojnë drejt liqenit artificial.

E veç kësaj e gjithë zona përreth liqenit vëzhgohet nga policia bashkiake për të shmangur grumbullimet e qytetarëve, të cilët një ditë më parë e shkelën urdhrin e qeverisë dhe shumë persona zgjodhën të kalonin kohën në shoqërinë e njeri-tjetrit pranë liqenit artificial.

Ora 11:34
Shkelën urdhrin, ndëshkohen pronarët e lokaleve në Lezhë! Qytetarët janë ndërgjegjësuar (VIDEO)

Lezha është ndërgjegjësuar.Në rrugë shikohet më pak lëvizje të mjeteve dhe qytetarëve. Nuk ka ndodhur e njëjta gjë edhe me pronarët e lokaleve. Gazetari i Report Tv, Elvis Hila raporton se pas një kontrolli ditën e djeshme ka pasur disa kafene të hapura, duke thyer urdhrin, e për pasojë janë ndaluar.

Qarku i Lezhës është ende i infektuar deri më tani. Mësohet se dy javët e fundit janë rikthyer në Lezhë rreth 450 persona nga zonat e prekura me koronavirus. Ato janë njoftuar nga policia që të vetë-karantinohet me anë të mesazheve në celular, por edhe duke  kontaktuar në celular, në të kundërtën do të ndëshkohen.

Ora 11:23
Aksion në Shkodër përqendrohet në tregje për 'abuzuesit' me çmime! 60 efektivë në terren, postbllok edhe në Shirokë (VIDEO)

16 pika kontrolli me 60 efektivë kanë dalë në terren për të kontrolluar shoferët që nuk respektojnë shtetrrethimin. Deri më tani situata paraqitet e qetë, të vetmet që lëvizin janë biçikletat, karakteristikë e këtij qyteti. Një postbllok është vendosur edhe në Shirokë, e cila ditën e djeshme u "pushtua" nga njerëzit për ditë vere, për të ndalur pikërisht grumbullimin e madh të njerëzve. Ditën e sotme i gjithë aksioni është përqendruar në tregje, për shkak se ka pasur denoncime për rritje çmimesh. Kontrolle ka pasur edhe në lokale, por deri më tani nuk rezulton që të kenë thyer rregullin.

Ora 11:06
'Ne ju shërbejmë të gjithëve, ju qëndroni në shtëpi'! Mesazhet ndërgjegjësuese nga ushtria e policia (FOTO)

"Qëndroni në shtëpi! Ndihmoni djemtë tanë në krye të Detyrës! Frikë jo, kujdes po!", është apeli që bën ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka teksa ka postuar në Facebook foto të trupave ushtarake dhe të policisë që janë në terren për të garantuar respektimin nga qytetarët të masave kufizuese. Efektivët mbajnë në duar letra me mesazhe ndërgjegjësimi.

Ora 10:53
Berati dhe Lezha me rrugë të boshatisura! Në Vlorë ndëshkohen 6 shoferë, thyen shtetrrethimin (VIDEO)

Në ditën e tretë të karantinës, qyteti Beratit dhe Lezhës vijojnë të jenë në qetësi. Rrugët dhe trotuaret janë thuajse të boshatisura, ndërsa situata po mbahet nën monitorim nga policia dhe ushtria të cilët janë vendosur në pikat kryesore të qyteteve. Në Vlorë është paraqitur një panoramë pak më ndryshe, ku ka pasur la shoferë të "pabindur" që kanë thyer urdhrin, e për pasojë janë ndëshkuar.

Ora 09:31
Kukësi, Lushnja dhe Fieri në qetësi totale! (VIDEO)

Rrugët në qytetin e Fierit, Lushnjes dhe Kukësit janë të zbrazëta. Një qetësi absolute dominon kudo në qytet. Në rrugë nuk shihet këmbë njeriu, por ka dhe shumë pak qarkullim edhe të makina.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Klodjan Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën', Haklaj: SPAK do t'i shkojë deri në fund

'Klodjan Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën', Haklaj: SPAK do t'i shkojë deri në fund