Lamtumirë mes lotësh nëntetares Hasanaj! Rama: Familja do e përcillte nuse, sot dëshmore (VIDEO)

Iu dha lamtumira në një ceremoni të veçantë homazhesh në Pallatin e Kongreseve, nëntetares Zarife Hasanaj të rënë në krye të detyrës në Letoni. Të premten, të shpallur ditë zie, Zarife Hasanaj u përcoll për në banesën e fundit, në varrezat e dëshmorëve, ku do të prehet si "Dëshmore e Atdheut". Familajrët e saj dhe krerët më të lartë të shtetit nderuan kujtimin e saj duke ngritur në piedestal vlerat, talentin dhe sakrificën sublike të ushtarakes shqiptare që humbi jetën gjatë misionit të kontigjentit shqiptar në Letoni, pjesë e misionit të NATO.

Në ceremoninë për nderimin e saj kryeministri Edi Rama vlerësoi se lamtumira për Zarifen tregon besnikërinë që ajo i kish dhënë flamurit teksa ishte nën uniformën e forcave të armatosura.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka, karrierën 11-vjeçare të Hasanajt e ka cilësuar si një shembull pozitiv për shumë vajza që duan t'i bashkohen Forcave të Armatosura.

Nëntetare Hasanaj nuk ju përgjigj apelit të fundi, ndërsa zyrtarisht kolegët e saj njoftuan rënien në detyrë.

Trupi i Zarifes u vendos pranë atij të Feti Voglit i cili po ashtu ka dhënë jetën gjatë shërbimeve ushtarake jashtë vendit.

Hasanaj humbi jetën nga shpërthimi i një mine teksa e çmontonte atë, ndërsa dy kolegë të saj mbetën të plagosur. major Klodian Tanushi dhe reshter Julian Kapaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:01
Momenti prekës! Nëntetare Hasanaj...! Ushtarakja shqiptare nuk i përgjigjet apelit (VIDEO)

Moment mjaft prekës ishte kur komandanti i kontigjentit EOD ku nëntetare Zarife Hasanaj ishte pjesë, kreu “apelin e fundit”, ku thirri emrin e saj tre herë rresht, sipas ritualit ushtarak...Por Zafire Hasanaj nuk iu përgjigj apelit të fundit të komandantit të saj, pasi ra në krye të detyrës. Komandati, më pas, i dorëzoi babait të nëntetares së ndjerë Flamurin Kombëtar me të cilin ishte mbuluar arkivoli, teksa u preh tek varrezat e dëshmorëve.

Ora 14:28
FOTO/ Zarife Hasanaj përcillet për në banesën e fundit, babait i dorëzohet flamuri
Ora 14:28
Përcillet në banesën e fundit Dëshmorja Hasanaj/ Çastet prekëse kur i ati merr flamurin me lot në sy

Nëntetarja Zarife Hasanaj, Dëshmore e Atdheut  iu dha lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve. Në ceremoninë e varrimit të Hasanajt u mbajt një mintë heshtje dhe më pas familjarët, të afërmit dhe kolegën i dhanë lamtumirën e fundit.

Momentet më prekëse të kësaj ceremonie ishin çastet kur u palos flamuri më të cilin ishte mbështjellë e ndjera dhe më pas iu dorëzua babait të saj. Ai me lot në sy më pas e mori dhe e puthi me ngashërim.

 

Ora 14:18
Rudina Hajdari dhe vëllai, Kiri, i japin lamtumirën nëntetares Hasanaj (FOTO)

Në ceremoninë e lamtumirës për nëntaren Zarife Hasanaj ishte edhe kryetarja e grupit demokrat, deputetja Rudina Hajdari, dhe vëllai i saj Kiri Hajdari, fëmijët e ish-dhjetoristit të ndjerë Azem Hajdari. Vëlla e motër  i dhanë lamtumirën ushtarakes, teksa u preh në varrezat e Dëshmorëve.

Të dy i kanë shprehur ngushëllime babait të nëntetares së ndjerë dhe familjarëve të saj.

Ora 13:14
Momente prekëse, nxënësit në Kukës mbajnë 1 minutë heshtje për Dëshmoren e Atdheut, Zarife Hasanaj


Përveç bashkive dhe institucioneve të tjera ditën e sotme kanë qënë në ditë zie edhe shkollat në të gjithë Shqipërinë. Disa pamje të siguruara nga Report Tv, nxënësit në një shkollë në Kukës në nisje të mësimit kanë mbajtur një minut heshtje në ndër të ushtarakës së rënë në krye të detyrës, Zarfie Hasanaj.

Ora 13:00
Meta: Përulem përpara dëshmores së atdheut, ushtarakes elitare e trimëreshë

Pranë familjes së Hasanaj në këtë moment të vështirë ishte edhe Presidenti Ilir Meta. Ai ka shprehur ngushëllimet për humbjen e vajzës së tyre, në krye të detyrës.

"Me dhimbje të madhe, nderim e mirënjohje të thellë u përula me respekt para Dëshmores së Atdheut, patriotes shembullore, ushtarakes elitare e trimëreshë, Zarife Hasanaj.

Në këtë ditë të vështirë për familjen Hasanaj, i gjendem pranë nënës Rivë, babait Muharrem, dy motrave e vëllait të Zarifes, duke u shprehur me pikëllim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

Rënia e saj në krye të detyrës, është dëshmi e përkushtimit të Forcave tona të Armatosura dhe të Shqipërisë në çdo angazhim dhe mision të NATO.I paharruar kujtimi i Dëshmores së Atdheut! Lamtumirë në paqen e përjetshme motra jonë Zarife", shkruan Meta.

Ora 12:52
Preket Rama: Në vend që ta shihnim Zarifen me fustan nusërie, po e përcjellim me flamurin kuq e zi (VIDEO)

Kryeministri i vendit, Edi Rama është prekur gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e lamtumirës së ushtarakes Zarife Hasanaj.

Në fjalën e tij, Rama ka thënë se duhet ta çojmë deri në fund amanetin e Forcave të Armatosura që luftojnë çdo ditë për të mbrojtu atdheun.

Fjala e plotë e Ramës:

Vështirë sa s’thuhet të gjenden fjalët e lamtumirës për ushtaraken jetëndërruar, të ndjerën Zarife Hasanaj, këtu, në sytë e prindërve të saj, që në vend se me fustanin e nusërisë në pragun e derës, në krah të dhëndrit, po e përcjellin vajzën e tyre mbështjellë me flamurin kombëtar në krahët e shokëve të saj të Forcës së Armatosur të Republikës së Shqipërisë; në praninë e dy motrave e vëllait të saj, që pranë prindërve e rrethit familjar ndjejnë boshllëkun e pangushëllueshëm të një humbjeje pa kthim mes tyre; në praninë e shokëve e të shoqeve të saj, lidhur në besën e atij flamuri që na jep nderin dhe emrin shqiptar, për të cilin Forca e Armatosur e Republikës është betuar të sakrifikojë edhe jetën në mbrojtje të atdheut e të amanetit që atdheu e ka të shkruar në pëlhurën kuqezi, ku është mbështjellë trupi i Dëshmores më të re të Republikës.​

Megjithatë, detyra e kërkon që, sidoqoftë, fjalët të gjenden dhe të thuhen dhe përulësisht u shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera si Kryeministër i Shqipërisë, si qytetar i kësaj republike dhe si prind e vëlla, prindërve, motrave, vëllait e të gjithë të afërmve të vajzës, e cila tanimë iu përket të gjithë atyre që ikën dhe do të vijnë në këtë botë me gjakun dhe me emrin shqiptar.

Vajza, e mbështjellë me flamurin e atdheut, është sot mishërimi tronditës i së vërtetës së përditshme të besnikërisë ndaj atdheut, të përkushtimit dhe të sakrificës për atdheun, që e kanë krijuar dhe e rikrijojnë përditë në kryerjen e misionit të saj, qenien e patjetërsueshme dhe të pazëvendësueshme të Forcës së Armatosur të Republikës, një bashkësi burrash e grash, vajzash e djemsh që jetojnë çdo ditë, çdo orë të ditës dhe të natës, me misionin që të na mbrojnë të gjithëve ne nga çdo kërcënim i jashtëm dhe të sigurojnë vendin dhe dinjitetin e merituar për Shqipërinë në bashkësinë e madhe të familjes së popujve të rreshtuar në anën e duhur të historisë, krah për krah në çdo sfidë dhe mision të NATO-s.

I shohim pak mes nesh, por edhe familjet e tyre pak i shohin. Dëgjojmë për ta shumë pak në të përditshmen tonë. I admirojmë kur në ditët e vështira shfaqen pranë njerëzve në nevojë për ndihmë dhe luftojnë me tërbimin e motit për të shpëtuar jetë njerëzish në operacione heroike shpëtimi I falënderojmë në ditë të shënuara, kur janë të rreshtuar përballë tribunash ceremoniale, por jo gjithmonë e mendojmë se, teksa e përditshmja jonë vazhdon me punët, hallet, mërzitë dhe gëzimet e veta, ata vazhdojnë larg syve tanë të bëjnë çdo sekondë të njëjtën gjë. Të njëjtën sakrificë, të njëjtën përpjekje të mundimshme, të përditshme, për të na mbrojtur dhe për të siguruar vendin e dinjitetshëm të Shqipërisë në rreshtat e NATO-s.

Janë vajza dhe djem, burra e gra, që sot, në këtë moment të dhimbshëm, ta kujtojnë më shumë se asnjëherë fjalën që thotë se heroi është një njeri i zakonshëm, që ka fuqinë të durojë dhe të këmbëngulë përballë pengesave që të marrin frymën.

Zarife Hasanaj është mobilizuar në forcat e armatosura 11 vjet më parë dhe në 2013-n është titulluar oficer me gradën nëntetar. Me gjithçka dëgjova për të, më bëri përshtypje se kushdo më tregoi, përdori fjalën përpikmëri. Ishte e përpiktë në detyrë, përgjigjej me përpikmëri, vepronte me përpikmëri, kërkonte gjithmonë përpikmërinë.

Sot, flamuri kombëtar rri në gjysmë shtizë për të vajtuar në heshtjen e tij të përjetshme, të parën vajzë në historinë e Forcave tona të Armatosura që ndahet nga jeta për shkak të detyrës dhe nën flamurin kuqezi do ta bëjë rrugëtimin e fundit, për t’u ndalur përjetë në varrezën e Dëshmorëve të Kombit. Mbi kryet e saj, ditë e natë, për të gjitha motet mbi këtë dhe, do të jetë Nëna Shqipëri.

Ndërsa, ne të tjerëve nuk na mbetet asgjë tjetër, veçse t’i japim lamtumirën e ta kujtojmë sa të rrojmë, bashkë me të gjithë ata që u ndanë nga kjo jetë, për t’u kthyer në pjesë e altarit të lartë të atdheut. Ta kujtojmë jo vetëm falë përpikmërisë së datave të shënuara, kushtuar dëshmorëve, por edhe duke u përpjekur çdo ditë që të mos e harrojmë në të përditshmen tonë, përpikmërinë e amanetit të tyre për Shqipërinë dhe për gjeneratat e tjera.

U prehtë në paqe mes më të mirëve të këtij dheu e na ndriçoftë bashkë me ata, më të mirët, në çdo hap të rrugës sonë drejt të nesërmes!   

Ora 12:36
Përlotet ministrja Xhaçka: Zarifja, një nga efektivet më të mira, që vështirë ta zëvendësojmë (VIDEO)

 E përlotur, ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka i ka dhënë lamtumirës nëntetares Zarife Hasanaj, të rënë në krye të detyrës.

Tha se nuk e kishte të lehtë të gjente fjalët për vajzën që askush nuk e kishte menduar se do të shuhej krejt papritur.

"Fjalët tona për ty e dashur Zarife nuk do të arrijnë kurrë të plotësojnë atë boshllëk që le", tha ministrja teksa ju drejtua me fjalë të ndjera prindërve krenarë të ushtarakes, vëllait që ajo kishte pikë të dobët, Adriatiku, motrave, kolegëve e gjithsecilit që e njohu.

E quajti nëntetaren më të zonjë që kishin Forcat e Armatosura.

"Nëntetarja Hasanaj nuk ishte thjesht një efektive e talentuar, ajo ishte një shembull për shumë vajza që duan t'i bashkohen FA. Ishte një nga më të mirat, më të aftat, kjo e bën edhe më të dhimbshme. Humbën një nga më të mirat që kishim edhe do ta kemi shumë të vështirë ta zëvendësojmë. Lutjet tona, solidariteti ynë shkon së pari me familjen e Zarifes. Asnjë veprim nga ana jonë nuk mund tu kthejë vajzën. Por ka forcë për tu ringritur. Unë që e njoh forcën me të cilën po e përballin këtë dhimbje jam i bindur që do mbajnë gjithmonë hapur derën për miqtë dhe koleget e Zarifes. U prehsh në paqe heroina jonë në altarin e dëshmorëve të atdheut nga ky frymëzohemi të mbajmë të shenjtë amanetin e dëshmorëve, Shqipërinë e lirë", tha ministrja e Mbrojtjes.

Fjala e plote e ministres Xhaçka

"Të dashur familjarë miq dhe kolegë të nentetare Zarife Hasanaj, nuk është e lehtë të zgjedhësh sot fjalët e lamtumirës për vajzën dhe motrën tuaj, për kolegen dhe miken tonë të dashur, sepse asnjeri prej nesh, nuk e kishte menduar kurrë një çast si ky, apo një arsye të rëndë si kjo, për t’u mbledhur këtu, në këtë ditë zie kombëtare, sepse asnjeri prej nesh as e kishte çuar ndërmend që, Zarife Hasanaj, me gjallërinë dhe vitalitetin që kishte, me dëshirën dhe dashurinë për jetën që e karakterizonte, do të nisej kaq papritur për t’u ndarë nga gjithë njerëzit, që e donin siç i deshte, që e respektonin siç edhe ajo i respektonte, që u besonte siç edhe ata e besuan në gjirin e familjes së Forcave të Armatosura dhe në një nga detyrat më të vështira dhe sfiduese. 

Prandaj sot, fjalët tona për ty e dashur Zarife, nuk do të arrijnë kurrë të plotësojnë atë boshllëk të madh njerëzor, që na le të gjithëve dhe të na çlirojë nga dhimbja e rëndë që ndjen sot babai yt i mirë, Muharremi, nëna jote e dhimbsur Rivja, vëllai Adriatik, motrat Valbona dhe Eduarta, por edhe miqtë e kolegët e tu, gjithsecili prej nesh që të njohëm

Vetëm pak ditë më parë, kur përkujtuam Ditën e Dëshmorëve vizitova varrezat dhe eca mes varreve të të rënëve. Çdo herë që e vizitoj atë vend e kam të pamundur të mos ndjej trishtim të thellë, kur shoh aq e aq jetë të prera në mes: djem e vajza, burra e gra, ëndrrat, planet, dëshirat e të cilëve u lanë në mes. E kam të pamundur të mos mendoj për familjet, që lanë pas me një barrë dhimbje, që askush, veç tyre, nuk mund ta kuptojë kurrë plotësisht. Por bashkë me trishtimin, ndjej edhe krenari, admirim, dhe respekt, për ata shqiptarë të thjeshtë, që ishin të gatshëm të rrezikonin shumëçka e të sakrifikonin gjithçka në shërbim të atdheut të tyre. 

Zarifja u bashkohet sot atyre dhjetëra-mijëra djemve e vajzave, burrave e grave, që kanë dhënë jetën për atdheun. Dhe besoj se nuk ka mënyrë më të mirë për ta nderuar vajzën tonë, sesa duke kujtuar një të vërtetë të madhe për të gjithë ato djem e vajza, që si Zarifja zgjedhin të shërbejnë në Forcat e Armatosura. Ka një fjalë që thotë se: ata që shërbejnë në FA janë njerëz të thjeshtë, por që i bën të jashtëzakonshëm përkushtimi i tyre ndaj uniformës dhe gatishmëria për të sakrifikuar. Sepse në kohë lufte e në kohë paqeje, të shërbesh do të thotë të pranosh rrezikun dhe sakrificën personale, edhe sakrificën supreme, për të mirën e përgjithshme: që të jetojmë në paqe, që të jetojmë të sigurt, që të meritojmë vendin tonë si aleat në aleancën më të madhe ushtarake të të gjithë kohëve.

Për të shërbyer në FA, sidomos në një kompani si EOD, ku shërbente nëntetarja Hasanaj, ku praktikisht të duhet të përballesh çdo ditë me rrezikun, nevojiten djem e vajza të një prerje të veçantë, speciale. Më të mirët! Djem e vajza që nga momenti që veshin uniformën e dinë, që një ditë mund t’u duhet të rrezikojnë jetën e tyre për atdheun. Prandaj unë dua t’i bëj sot, homazhet e mia kësaj vajze, vërtet të mrekullueshme, që kam pasur rastin ta takoj disa herë. Nëntetarja Hasanaj nuk ishte thjesht një efektive e talentuar, që e mbante uniformën me krenari dhe që i bënte nder uniformës së FA me punën dhe shërbimin e saj. Ajo ishte edhe një shembull për shumë vajza që duan t’i bashkohen FA. Ajo ishte një nga më të mirat. Një nga ushtaraket më të afta dhe që unë besoj që kishte përpara një karrierë të shkëlqyer. Dhe kjo e bën gjithçka akoma më të dhimbshme. Humbëm një nga më të mirat që kishim dhe, që do ta kemi shumë të vështirë ta zëvendësojmë.

Ky është një moment shumë i dhimbshëm për të gjithë ne. Por në këto momente dhimbja jonë, mendimet tona, solidariteti ynë shkon së pari për familjen e Zarifes.

E di që ky është një nga ato raste për të cilat nuk gjen dot kurrë fjalët e duhura. Asnjë fjalë, asnjë veprim nga ana jonë nuk mund t’ju rikthejë ju vajzën që humbët. Por edhe ne dhimbjet më të thella ka gjithmonë një ngushëllim dhe force për t’u ringritur. Unë, qe e njoh dhe e vlerësoj qëndrimin e familjes së Zarifes, forcën me të cilën po përballin këtë dhimbje të jashtëzakonshme, jam e bindur, se ata do ta mbajnë gjithnjë të hapur derën e madhe të familjes Hasanaj. Ata do ta mbajnë të hapur atë derë për shokët, miqtë e kolegët, të cilët bashkë me ta, do ta ruajnë gjithmonë në kujtesë Dëshmoren me të Re të kombit shqiptar, ashtu siç ajo ishte deri në ditën e fundit të jetës së saj, e qeshur, miqësore dhe e përkushtuar. 

U prehsh në paqe motër e dashur!

U prehsh ne paqe heroina jonë, u prehsh në paqe në Altarin e Dëshmorëve të Atdheut, nga ku frymëzohemi të mbajmë të shenjtë amanetin e të rënëve, Shqipërinë e lirë, shtëpinë tonë të përbashkët".

1557483727_xhacka.jpg

Ora 12:26
Përlotet gjeneral Kollçaku, fjalë të ndjera familjarëve për Zarifen: Humbëm një ushtare krenare, bija e Tropojës që do na mungojë të gjithëve (VIDEO)

Në zërin që i dridhej dhe shfaqte emocionet dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta të nëntetares Zarife Hasanaj, gjenerali Bardhyl Kollçaku i dha lamtumirën ushtarakes së rënë në krye të detyrës.

"Zarifja, bija juaj, shoqja jonë, bija e Tropojës, bija e Shqipërisë, heroina e ushtrisë, po shkon në altarin e pavdekësisë, në gjirin e nënës së madhe Shqipëri. Dëshmorët shkojnë në vendin e shenjtë, aty ku prehen të përjetshmit e pavdekshëm", tha Gjenerali.

Fjalë prekëse ishin edhe ato kur ju gjenerali ju drejtua në mënyrë simbolike Zarifes, për të treguar njerëzit e shumtë që ishin sot në ceremoninë e homazheve mbajtur në nder të saj në Pallatin e Brigadave.

"Kanë ardhur për të të përcjellë shokët dhe kolegët e tu. Ata që Ti i doje dhe të donin kaq shumë. Ata që nuk të zëvendësojnë dot; ata që nuk të harrojnë dot! Është me Ty sot gjithë familja e madhe ushtarake e Forcës së Armatosur, që Ti e nderove me jetën tënde. Janë këtu për Ty sot kolegët e Tu të misionit të NATOs, ku Ti me punën, forcën dhe natyrën tënde, u bëre aq e afërt, aq e pandashme. Ata janë këtu, me zemër, shpirt dhe mëndje, përmes kaq shumë ngushëllimeve të ndjera që kanë ardhur dhe vijnë nga gjithë Aleanca", u shpreh ai.

I shprehu mbështetjen që nuk do t'i mungojë kurrë, familjes së Zarifes.

"Të dashur familjarë të Zarifes,

Asnjëherë, për askënd dhe kurdoqoftë, nuk do të jetë e lehtë të përballoj dhimbjen e thellë dhe humbjen e pazëvendësueshme që po le pas ikja e papritur e Xipes tuaj dhe e Zarifes tonë. Por ju nuk jeni dhe nuk do të jeni vetëm. Ju jeni pjesë e familjes së madhe ushtarake. Humbja dhe dhimbja janë të përbashkëta; ato janë tonat. Edhe detyrimet janë të përbashkëta; ato janë edhe tonat. Ne ndjejmë detyrimin të jemi me Ju, të jemi pranë Jushë, të jemi bashkë! Ju keni shprehur ndjenja të mëdha! Ju na keni dhënë forcë! Në emër të Forcave të Armatosura, falenderimin, mirënjohjen dhe respektin më të pakufishëm dhe më të sinqertë për kurajon dhe mbështetjen Tuaj!", tha Kollçaku.

"Ne kemi shumë për të folur, por shumë vështirë për t’i thënë ato që ndjen dhe do të thuash. Humbëm një ushtare krenare, kreshnike, të bukur, fisnike. Zarifja do na mungojë! Por ne, kolegët e saj, vajzat dhe djemtë, burrat dhe gratë e Forcës së Armatosur ndjejmë zërin e saj që na fletë: Zemrat lart! Kokën lart! Për detyrën, për nderin e Shqipërisë, për dinjitetin e kombit, ne kemi bërë betim mbi jetën tonë dhe me jetën tonë. Dhe ne e mbajmë besën. Ne e mbajmë betimin. Ne do ta ndjekim amanetin e Zarifes tonë. Ne do vazhdojmë të jemi në vijën e parë të Aleancës, ku na ka lënë me lavdi dhe krenari, vendin e nderit, Zarifja, ku është nderi i Shqipërisë!Lamtumirë Zarifja jonë, lamtumirë motra jonë, lamtumirë heroina e paharruar e Forcave të Armatosura!", përmbylli shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Ora 11:31
Krerët e shtetit marrin pjesë në homazhet e nëntetares, Zafire Hasanaj (FOTO)

Një numër i madh i Forcave Ushtarake kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e homazheve të nëntetares së rënë në krye të detyrës në Letoni, Zarife Hasanaj.

Përveç familjarëve dhe trupave ushtarake për t'i dhënë lamtumirën e fundit në Pallatin e Kongreseve kanë shkuar edhe figura të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Nga politikanët e pranishëm kanë qenë: Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, lideri demokrat Lulzim Basha, kreu i grupiut të PS-së, Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ka lënë edhe një shënim për të ndjerën dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Basha ishte i shoqëruar me kryetarin e Bashkisë Kamëz Xhelal Mziu.

E veshur me të zeza dhe me një shirit të zi në krahë, ministrja e Mbrojtjes ka lënë një shënim të gjatë në nder të Zarife Hasanajt.

Ora 11:23
E gjithë Shqipëria në zi, flamujt në gjysmështizë (FOTO)

Flamujt e institucioneve të Shqipërisë ditën e sotme janë ulur në gjysmështizë për të nderuar ushtaraken Zarife Hasanajn. Përveç Tiranës, qytet ku është vënë re ulja e flamujve janë qytete si Kruja, Kukësi Vlora etj.

Ora 10:57
Homazhet në nder të nëntetares Zarife Hasanaj (FOTO)
Ora 10:57
Flamuri shqiptarë në selinë e NATO-s ulet në gjysmështizë


Në nder të nëntetares Zafire Hasanaj flamuri i Shqipërisë në selinë e NATO-s është ulur në gjysmështizë. Ndërkohë në pallatin e Kongreseve i është dhënë lamtumira ushtarakes Hasanaj nga familjarët dhe figura të rëndësishme të ushtrisë shqiptare.

Ora 10:21
Basha me 300 studentët europianë 1 minutë heshtje për nëntetaren Zerife Hasanaj


Ditën e sotme kreu i PD, Lulzim Basha është takuar me 300 studentë europianë të EDS. Në nisje të takimit u mbajt një minutë heshtje në nderim të  nëntetares Zerife Hasanaj, Dëshmores së atdheut e cila ra në krye të detyrës në një mision të NATO-s në Letoni. Të gjithë të pranishmit janë ngritur në këmbë duke respektuar kështu simbolikisht ushtaraken Hasanaj. 

Ora 10:13
Familjarët me lot në sy i japin lamtumirën e fundit Zarife Hasanajt

Trupi i nëntetares, Zarife Hasanaj e cila ra Dëshmore gjatë një misioni në Letoni, ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve. Familjarët dhe të afërmit e ushtarakes Hasanaj janë ndarë me lot në sy me të. Në homazhet në nder të Hasanajt janë të pranishëm figura të larta të ushtrisë së Shqipërisë.  

Ora 09:47
Flamujt në Vlorë ulen në gjysmështizë, në zi për nëntetaren Hasanaj


Ditën e sotme për të respektuar 'ditën e zisë' të shpallur në nder të nëntetares Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën gjatë një misioni në Letoni, në qytetin e Vlorës flamujt e institucioneve janë ulur në gjysmështizë.

Bashkia e këtij qyteti ka anuluar çdo aktivitet që ishte parashikuar për hapjen e sezonit turistik. Ndërsa njoftohet se aktivitetet në fjalë do të zhvillohen javën e ardhshme.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • USA: 10/05/2019 15:08

    Ndjese paste po e perdorin si lecke politikanet qe vete jane vrases,kriminele dhe te pafytyre.Te ishte vajza ime do i nxirrja jashte keto politikane ndyresira.

    Përgjigju
  • Ai: 10/05/2019 11:44

    Është çmenduri e gjithë kjo histeri. Të gjithë respektin per të ndjeren, por çdo gjë me cak. Kur shkon ne ushtri, dihet se cila është puna. E ndjera u vra nga një aksident dhe jo në ndonjë beteje. Jo çdokush që vdes në aksident, qofte edhe ne krye të detyres, është deshmor. U be puna e titullit si një vakt dreke.

    Përgjigju
    • Naimi: 10/05/2019 23:21

      Edhe respekt per te ndjeren edhe histeri nuk shkojne te dyja bashke. Zarife Hasanaj eshte deshmore e atdheut. Respekte per te. o7

    • Profesori: 10/05/2019 15:22

      Ra ne kry te detyres, eshte deshmore! Pushofte ne Parajsen e Perjetshme!

    • Fieri: 10/05/2019 15:16

      Ne kete rast ishte beteje me minat ne menyre qe mos te merrnin jeten e ndonje civili.

  • Erik: 10/05/2019 10:51

    Lavdi emrit te saj!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër, sekuestrohen 37 mijë e 336 kubikë me fidanë kanabisi, një në pranga dhe një në kërkim

Shkodër, sekuestrohen 37 mijë e 336 kubikë me fidanë kanabisi, një në pranga dhe një në kërkim