Djemtë durrsakë, banderola me
mesazhe dashurie për vajzat

Djemtë durrsakë, banderola me<br />mesazhe dashurie për vajzat
DURRËS - Urimet publike për ditëlindje janë bërë një gjë e zakonshme në Durrës, duke krijuar një traditë të panjohur më parë. Më të shumtën e rasteve banderolat me gjatësi 7-8 metra dhe të shkruara me tollumbace shumëngjyrëshe vendosen në fillim të bulevardit "Epidamn", aty ku sheshi qendror i qytetit bregdetar mbyllet në anën juglindore të tij dhe ku kalojnë çdo ditë mijëra njerëz.
Urimet me tollumbace dhe me ngjyra krijojnë një ndjesi pozitive-thotë Mira T., mësuese me 24 vjet përvojë në një nga shkollat e mesme të Durrësit. Në vitet 1980, kur ne ishim të rinj, një gjë e tillë nuk imagjinohej, por gjithsesi, mendoj se edhe në rolin e prindit përbën një befasi të këndshme-thotë mësuesja e shkollës së mesme. Edhe nxënësit shprehen optimistë, kur diskutojmë lidhur me përkushtimet që u bëhen shoqeve të tyre në sheshin "Liria - shton Mira.

"Në të vërtetë ne i vendosim aty, pasi në bulevard kalojnë shumica e të rinjve shkollarë", - tha Ilion K., i cili menaxhon së bashku me të vëllain një biznes të vogël për zbukurime.
Urimet publike, kërkohen kryesisht për ditëlindje dhe në shumicën e rasteve i porosisin djemtë e dashuruar të moshave 17-25 vjeç - vijon Ilioni, që shton se kjo është një traditë krejtësisht e re, e panjohur më parë.

"Vajzat, shpesh herë kërkojnë më shumë vemëndje nga të dashurit e tyre, pikërisht përmes të tilla "deklarimeve publike", thekson Ilioni duke shtuar se përveç bulevardit ka patur kërkesa për t'i vendosur edhe në hyrje të shëtitores "Taulantia".
Po çfarë shkruajnë të rinjtë në urimet e tyre publike, që u ngjasojnë reklamave të kompanive të mëdha?
Sipas Albanit, vëllait tjetër administrator, porosia e parë për një urim publik, erdhi nga një i ri me banim në lagjen e re të ish-kënetës. "Ai donte që urimi të vendosej përballë shtëpisë së të dashurës, shumë pranë banesës së tij", kujton Albani kërkesën e parë që ka mbërritur para tre vjetësh. "E këshilluam, që urimi të ishte i shkurtër, domethënës dhe të vendosej në qendër, dhe kështu u bë".

Në banderolën që përgatitet me një mori tollumbacesh me ngjyra, fraza më e shkurtër dhe më e zakontë është "Edhe 100"; shpesh është e pranishme një zemër e kompozuar me ngjyra të ndezura e në fund edhe iniciali i djalit të dashuruar që ka porositur urimin. Ndonjëherë nuk mungon emri i vajzës, (qoftë edhe i shkurtuar), së cilës i kushtohet urimi, por banderola të tilla kushtojnë më shumë-nënvizon Albani.
A ka ndodhur të jenë vajzat porositëse për urime me kushtime publike-pyesim Albanin. Djaloshi, që drejton biznesin thotë se kjo ka ndodhur shumë rrallë.

"Ndërkaq nuk mungojnë urimet që familjarët u bëjnë publikisht fëmijëve të tyre të moshës 14-15- vjeçare. Rreth 30 për qind e kërkesave na vijnë nga prindër, të cilët përveç festës në shtëpi ose në lokal kërkojnë edhe një vëmendje më të madhe përmes urimit me ngjyra në publik. Ata duan t'u bëjnë surprizë fëmijëve, që shkojnë në shkollat pranë qendrës, por ka ndodhur që banderola me tollumbace të kërkohet edhe për një fëmijë 1 apo 2 vjeç, që ende nuk i kupton këto lloj urimesh", thotë Albani.
Sidoqoftë, banderolat me ngjyra, që vendosen herë pas here në qendër të Durrësit sjellin një ndjenjë të këndshme festive dhe kalimtarët u bashkohen urimeve personale të të dashuruarve, ndërsa nuk mungojnë turistët me aparate fotografike që fiksojnë një tjetër element nga tradita e re e qytetit antik.

(atsh/ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët