Dogana,rregulla të reja për makinat
me targa të huaja në vendin tonë

Dogana,rregulla të reja për makinat<br />me targa të huaja në vendin tonë
TIRANE- Për përdorimin e automjeteve me targa të huaja të importuara në vendin tonë por që janë regjistruar jashtë do të zbatohet një urdhër i ri. Drejtoria e Përgjithshme e doganave ka nxjerrë një udhëzim të ri “Mbi trajtimin e mjeteve të regjistruara jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, që thyejnë regjimin e lejimit të përkohshëm të automjeteve për përdorim provat, dhe rastet e kontrabandës me automjete”.
 
Sipas këtij udhëzimi të ri, i cili pritet të hyjë në fuqi në 1 shtator 2014, automjetet për përdorim privat mund të përfitojnë nga regjimi i lejimit të përkohshëm për një periudhë 6-mujore, brenda një viti, e pas kësaj të dalë jashtë vendit apo të zhdoganohet. Ndërkaq, udhëzimi sqaron edhe procedurat që duhet të ndihen për automjetet e destinuara për përdorim privat që importohen në vendin tonë, nën regjimin e lejimit të përkohshëm.
 
Ndërkaq në udhëzim përcaktohen edhe penalitet që shoqërojnë rastet e moszbatimit të këtij udhëzimi.
 
Duke iu referuar të dhënave për 6 muajt e fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thekson se janë bllokuar rreth 400 automjete që kishin hyrë në vendin tonë nën Regjimin e Përkohshëm të Automjeteve dhe nuk ishin larguar nga Shqipëria.
 
Regjimi i Lejimit të Përkohshëm i automjeteve për përdorim privat
 
Bazuar në dispozitat për Lejimin e Përkohshëm të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 205, datë 13.04.1999 “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor, si dhe të Udhëzimit të Përbashkët të Ministrit të Financave dhe Ministrit të Brendshëm nr. 4, datë 04.02.2010, “Për zbatimin e procedurave të miratimit, mbikëqyrjes dhe përmbylljes së regjimit të lejimit të përkohshëm të automjeteve të huaja për përdorim privat”.
 
Kush përfiton nga Regjimi i Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat?
 
i. Vizitorët jo-rezidentë që vizitojnë Shqipërinë me automjetet e tyre për periudha të shkurtra kohe dhe që dalin përsëri jashtë Shqipërisë me automjetet e tyre;
 
ii. Studentët, mjekët dhe shkencëtarët që vizitojnë apo punojnë në Shqipëri për periudha kohe të caktuara;
 
iii. Individët që janë rezidentë jashtë Shqipërisë dhe që kanë vendin e punës në Republikën e Shqipërisë;
 
Cilat janë kushtet e përgjithshme të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat?
 
i. Automjeti duhet të ketë regjistrim të përhershëm jashtë Shqipërisë;
 
ii. Automjeti mund të përfitojë nga regjimi i lejimit të përkohshëm për një periudhë prej 6 muajsh brenda çdo periudhe prej 12 muajsh;
 
iii. Në përfundim të kësaj periudhe, automjeti duhet të dalë nga vendi ose duhet të deklarohet e të zhdoganohet nga autoritetet doganore. Dalja e përkohshme në vendet fqinjë nuk shërben për të ri-numëruar/ri – filluar periudhën 6-mujore të lejimit;
 
iv. Automjeti nuk mund të përdoret nga asnjë njeri tjetër, përveçse nga anëtarët e familjes. Personi që e ka sjellë automjetin në vend nuk mund të lerë automjetin në Shqipëri në momentin e daljes nga territori i vendit;
 
v. Automjeti nuk mund të shitet, të ndërrojë pronësinë, apo të përdoret për qëllime tregtare;
 
Kur konsiderohet importi i përkohshëm i një automjeti për përdorim privat si rast kontrabande?
 
i. Kur një automjet është i regjistruar përkohësisht jashtë territorit shqiptar dhe në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë NUK deklarohet tek autoritetet doganore shqiptare për të kryer procedurat e tranzitit, ky veprim konsiderohet si “kontrabandë me automjete”;
 
Cilat janë sanksionet që zbatohen në rastin e shkeljes së regjimit të lejimit të përkohshëm?
 
i. Çdo shkelje e kushteve të sipër-përmendura konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas ligjit;
 
ii. Penalitetet llogariten në bazë të shumës së detyrimeve të papaguara dhe periudhës kohore gjatë së cilës kjo shumë nuk është paguar;
 
iii. Të gjitha detyrimet e importit llogariten në bazë të datës së hyrjes së parë në territorin e Shqipërisë;
 
iv. Kur shkelësi paraqitet vetë pranë autoriteteve doganore për t’i dhënë destinacion automjetit, p.sh.: për hedhje për qarkullim të lirë, penalitetet llogariten në shumën e 50% të detyrimeve të papaguara;
 
 v. Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit brenda gjashtë muajsh përtej përfundimit të afatit të lejuar prej gjashtë muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 75% të detyrimeve të papaguara;
 
vi. Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit pas më shumë se gjashtë muajsh përtej afatit të lejuar prej gjashtë muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 100% të detyrimeve të papaguara;
 
vii. Nëse automjeti ka shkelur periudhën gjashtë – mujore të lejimit të përkohshëm si dhe përdoret nga persona të paautorizuar, masa e penalitetit që zbatohet varion nga 50,000 në 200,000 Lek;
 
viii. Nëse një individ ka kryer më shumë se një kundërvajtje administrative, secila shkelje ndëshkohet në veçanti;
 
ix. Për rastet e kontrabandës zbatohen penalitetet sipas përcaktimeve të neneve të Kodit Doganor në lidhje me kontrabandën.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane: Raketat e lëshuara nga Izraeli kundër Iranit kanë teknologji për t'iu shmangur radarëve

Media amerikane: Raketat e lëshuara nga Izraeli kundër Iranit kanë teknologji për t'iu shmangur radarëve