I njëjti skenar pas 22 viteve/ Lulzim Basha kopjon protestat e Berishës 3 muaj pas zgjedhjeve të 1997

Kryetari aktual i PD-së Lulzim Basha përsërit të njëjtin skenar me protestat si Sali Berisha 22 vite më parë në 1997. Tre muaj pasi doli në opozitë, përmes zgjedhjeve të parakohshme të 29 qershorit 1997, Partia Demokratike me krye Sali Berishën organizoi një valë protestash, me qëllim rrëzimin e qeverisë së Fator Nanos, e cila sapo ishte konstituuar. Vala e parë e protestave startoi në 24 shtator të vitit 1997, ndërsa përfundoi në 2 nëntor të po atij viti. Po të çfarë natyre ishin protestat e organizuara nga Partia Demokratike, sa ishte pjesëmarrja, kush ishin protagonistët, si orientohej turma, cilët përfaqësonin linjën radikale dhe cili ishte roli i policisë?

Shqiptarja.com publikon për herë të parë dosjen e Ministrisë së Brendshme mbi “zhvillimin e tubimeve të paligjshme nga Partia Demokratike’ në vjeshtën e vitit 1997. Tubimet gati të përditshme udhëhiqeshin nga Sali Berisha, Azem Hajdari, Pjetër Arbnori, Blerim Çela, Shaban Memia, Leonard Demi, Ylli Vejsiu, Tritan Shehu, Genc Pollo, Leonard Demi, Jemin Gjana, Gëzim Kalaja etj. Sipas dokumenteve në dosjen e Ministrisë së Brendshme, pjesëmarrja në protesta ishte nga 100 deri në 1 mijë veta. Protestat nisnin pasdite me 100-150 simpatizantë para selisë së Partisë Demokratike. Militantët merrnin banderolat, flamujt dhe parullat në selinë e PD dhe niseshin drejt Sheshit Skënderbej. Kohëzgjatja e protestave ishte rreth një orë. Të gjitha tubimet janë zhvilluar pa lejen e Policisë së Shtetit, ndaj pas çdo tubimi policia ka shoqëruar grupe protestuesish për pjesëmarrje në tubim të paligjshëm, duke i lënë gjithnjë të lirë pas 12 orësh.

Incidenti me Berishën
Protestat e organizuara nga Partia Demokratike në vjeshtën e vitit 1997 ishin përgjithësisht paqësore, por nuk kanë munguar incidentet, ku protagonistë kanë qenë krerët e kësaj partie. Pas protestës së 23 tetorit 1997, deputetët Azem Hajdari, Ylli Vejsiu, Shaban Memia dhe Vili Minarolli futen në grevë urie, duke u ulur në trotuar përpara godinës së Radiotelevizionit. Rreth orës 24 të asaj dite, para postblokut policor mes Kryeministrisë dhe Hotel Rognerit, shfaqet Sali Berisha në automjetin tip ‘Benz’. Makina me kryetarin e opozitës nuk i bindet urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por futet dhe parkohet para godinës së Radios, ku ishin ngujuar në grevë katër deputetë e PD. Sipas raportimit të policisë, pas parkimit, makinës i janë ndërruar targat, ku i kanë vendosur targa private TR 81 31 B. Nga verifikimet që ka bërë policia, makina me të cilën udhëtonte Berisha i përkiste shtetasit Paulin Dushku, mjet i cili ishte marrë me qera nga ky i fundit në një firmë arabe.

Incidenti me Genc Pollon
Në 26 tetor të vitit 1997, Partia Demokratike organizon një tjetër protestë në Sheshit Skënderbej, me 400-500 veta, ndërsa katër deputet të saj vijonin grevën e urisë para TVSH. Para se të niste protesta, në orën 16:25, pranë godinës së Radiotelevizionit është futur forcërisht me shpejtësi Genc Pollo, me një makinë benz, duke goditur tabelat e ndalim-qarkullimit, të vendosura në semaforin para godinës së radios si dhe duke mos respektuar shenjën e dhënë e kundërshtuar punonjësit e policisë, duke shkuar tek grevistët. Më pas, Pollo ka zëvendësuar mjetin e tij me mjetin që përdorej nga grevistët.

Kronologjia e protestave të PD në vjeshtën e vitit 1997

Protesta e datës 24.09.1997

Protesta nisi para selisë së PD, në orën 18:15, me 100-150 simpatizantë. Udhëhiqej nga Sali Berisha (kryetar i PD) dhe figura të tjera të kësaj partia si: Pjetër Arbnori, Blerim Çela, Shaban Memia, Leonard Demi, të cilët shoqëroheshin nga Izet Haxhia, Sali Lusha dhe Hysni Kule. Protestuesit marshuan drejt Sheshit Skënderbej, ku turma u shtua në 300-400 veta, e cila hidhte parulla kundër qeverisë së Fatos Nanos dhe komunizmit. Protesta u shpërnda pas një ore. Nuk pati incidente, por Policia e konsideroi të paligjshëm këtë tubim dhe shoqëroi 12 persona. Mes të shoqëruarve ishte edhe Shkëlzen Shabani, banues në Tropojë, i cili mbante një thikë, e cila plotësonte kushtet e armës së ftohtë. Personat e tjerë u lanë të lirë pas 12 orësh.

Protesta e datës 25.09.1997
Në orën 18:30, rreth 100-150 simpatizantë të PD u mblodhën para selisë së kësaj partie, ndërsa marshuan drejt Sheshit Skënderbej me banderola, flamuj dhe parulla. Para tumës folën Ylli Vejsiu, Shaban Memia dhe Blerim Çela etj. Turma u shpërnda në orën 19:35. Nuk pati incidente dhe konfrontime me policinë. Janë shoqëruar në polici 11 protestues për tubim të paligjshëm. Njërit nga të shoqëruarit, Sami Dunisha, iu gjet një dokument si punonjës i Gardës. Ndërsa gjatë kontrolleve, Ervin Borova, mbante një pistoletë T.T pa leje. Ai ka mbushur pistoletën dhe është larguar me vrap, por policia e kapi pas dy kilometrash.

Protesta e datës 27.09.1997
E njëjta strategji. 100-150 simpatizantë nisen nga oborri i PD drejt Sheshit Skënderbej. Truma erdhi duke u shtuar rreth 400-500 vetë. Gjatë tubimit folën Sali Berisha, Tritan Shehu, Shaban Memia, Alush Hime, Gëzim Kalaja etj., të cilët hodhën parulla “parlamenti i kallashnikovëve”, ‘parlamenti i kriminelëve’, ‘poshtë qeveria’ etj. Nuk pati konfrontime me policinë. Protesta nisi në orën 18:45 dhe përfundoi në orën 19:40.

Protesta e datës 28.09.1997
Rreth orës 18:15, 100-150 militantë grumbullohen para selisë së PD, të cilët ndjekin të njëjtin itinerar drejt Sheshit ‘Skënderbej’. Në krye të turmës qëndrojnë Shaban Memia, Ylli Vejsiu, Jemin Gjana, Leonard Demi e Gëzim Kalaja. U hodhën të njëjtat parulla kundër qeverisë dhe nuk pati konfrontime.

Protesta e datës 29.09.1997
Në orën 18:15 para selisë së Partisë Demokratike grumbullohen rreth 250-300 simpatizantë të PD. Gjatë mbërritjes në Sheshin Skënderbej turma u shtua në rreth 1 mijë veta. Në tubim morën pjesë dhe folën Azem Hajdari, Sali Berisha, Vili Minarolli dhe Ylli Vejsiu. Hapjen e tubimit e bëri Ferdinat Xhaferri. Gjatë tubimit u hodhën të njëjtat parulla. Në orën 19:40, pas thirrjes së krerëve të PD, turma filloi të lëvizë përgjatë Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, në Sheshin Nënë Tereza. Tubimi u shpërnda në orën 20:40. Nuk pati incidente.

Protesta e datës 03.10.1997
Skenari nuk ndryshon. Rreth 100 militantë shfaqen në orën 18:45 para selisë së PD, ku marrin flamuj, parulla dhe banderola në seli, ndërsa nisen drejt Sheshit Skënderbej. Në krye të turmës qëndrojnë Ylli Vejsiu, Sali Kelmendi dhe Vili Minarolli. Pjesëmarrësit u përshëndetën nga Sali Berisha. Në tubim ishin rreth 200 veta. Protesta përfundoi në orën 19:20 dhe nuk pati incidente.

Protesta e datës 06.10.1997
Tre ditë më vonë përsëritet e njëjta lëvizje. Rreth 100 simpatizantë të PD shfaqen para selisë, teksa marrin banderolat dhe parulla, ndërsa nisen drejt Sheshit Skënderbej. Në shesh turma shtohet rreth në rreth 250 veta. Në shkallët e Pallatit të Kulturës përshëndetën protestuesit Sali Berisha, Azem Hajdari, Ulli Vejsiu, Hysni Kuke dhe Guri Durollari. Rreth orës 20:00 pjesëmarrësit filluan të shpërndaheshin. Për pjesëmarrje në tubim të paligjshëm u shoqëruan 26 persona.

Protesta e datës 07.10.1997
Sërish rreth 200 simpatizantë të PD shfaqen para selisë për të marrë banderolat dhe parulla, ndërsa nisen drejt Sheshit Skënderbej. Në krye të turmës janë Sali Berisha, Azem Hajdari, Zef Bushati, Ali Kazazi dhe Rexhep Karapici. Në shesh turma shtohet me 250-300 vetë. Protesta u shpërnda në orën 19:45, ndërsa incidente. U shoqëruan 10 persona.

Protesta e datës 23.10.1997
Rreth orës 18:15, 70 simpatizantë të PD grumbullohen para selisë, ndërsa marrin famujt, parullat dhe banderolat. Në Sheshin Skënderbej, turma përshëndetet nga Azem Hajdari, Ferdinat Xhaferi dhe Shaban Memia. Pas thirrjes së krerëve të PD, turma lëviz përgjatë bulevardit dhe qëndron para Kryeministrisë. Më pas turma u zhvendos përpara godinës së Radiotelevizionit, për të protestuar se pse TVSH nuk transmetonte fragmente nga protestat e PD në Sheshin Skënderbej. Për këtë qëllim, katër deputetë të PD, Azem Hajdari, Ylli Vejsiu, Shaban Memia dhe Vili Minarolli futen në grevë urie, duke u ulur në trotuar përpara godinës së Radiotelevizionit. Pjesëmarrësit u shpërndanë rreth orës 22:00, por 4 deputetët u mbështetën nga një grup i vogël militantësh, të cilët rreth orës 02:00 shoqërohen në Komisariatin nr. 2, për pjesëmarrje në tubim të paligjshëm. Gjatë lëvizjes drejt RTSH, protestuesi Bajram Hajdari ka goditur për shkak të detyrës kryetarin e degës së objekteve, Besnik Musajn. Pas incidentit, Hajdari është arrestuar. Me situatën e krijuar para Radiotelevizionit, Drejtoria e Policisë Tiranë mori masa të menjëhershme si për sigurimin e godinës së Radiotelevizionit dhe të objekteve të tjera të rëndësisë së veçantë. Policia ka lejuar deputetë të forcave të ndryshme politike për t’u takuar me 4 deputetë grevistë si dhe futjen e ilaçeve dhe rrobave. Deputeti grevist Azem Hajdari përdori fjalë fyese e ofenduese ndaj shefit të Policisë së Rendit, Ilia Nasi. Ndërkaq, në postbllokun e vendosur mes Kryeministrisë dhe Hotel Rognerit, rreth orës 12:00, kalon me automjetin tip ‘Benz’ Sali Berisha, pa iu bindur punonjësve të policisë të postbllokut, futet dhe parkohet para godinës së Radios, ku ishin ngujuar në grevë katër deputetë e PD. Sipas raportimit të policisë, pas parkimit, makinës i janë ndërruar targat, ku i kanë vendosur targa private TR 81 31 B. Mjeti i përkiste shtetasit Paulin Dushku, mjet i cili ishte marrë me qera nga ky i fundit në një firmë arabe.

Protesta e datës 26.10.1997
Rreth orës 18:00 para selisë së PD grumbullohen 250-300 militantë dhe pasi marrin flamujt dhe banderolat nisen drejt Sheshit Skënderbej. Pjesëmarrësit u përshëndetën nga Genc Pollo, Leonard Demi, Blerim Çela dhe Jemin Gjana. Në përfundim të tubimit, krerët e PD u bënë thirrje protestuesve që të marshojnë drejt godinës së Radiotelevizionit, ku ishin ngujuar në grevë urie katër deputetët. Tubimi përfundoi në orën 19:45 me pjesëmarrjen e 400-500 veta. U shoqëruan në polici 9 persona për pjesëmarrje në tubim të paligjshëm. Ndërkaq, para protestës është shënuar një incident. Rreth orës 16:25, pranë godinës së Radiotelevizionit, Gent Pollo, me një makinë benz, është futur forcërisht me shpejtësi duke goditur tabelat e ndalim-qarkullimit, të vendosura në semaforin para godinës së radios si dhe duke mos respektuar shenjën e dhënë e kundërshtuar punonjësit e policisë, duke shkuar tek grevistët. Pollo ka zëvendësuar mjetin e tij me mjetin që përdorej nga grevistët.

Protesta e datës 02.11.1997
Në orën 17:30, në Sheshin Skënderbej, grumbullohen rreth 300 simpatizantë të Partisë Demokratike. Në protestë folën Shaban Memia, Villi Minarolli, Ulli Vejsiu dhe Azem Hajdari. Në orën 18:30 tubuesit u shpërndanë qetësisht. Policia shoqëroi 48 protestues për pjesëmarrje në tubim të paligjshëm. Në këtë protestë policia ka konstatuar se kanë marrë pjesë edhe disa ushtarakë. Ata janë shoqëruar në polici dhe janë njoftuar komandat përkatëse.


 

Basha kopjon protestat e Berishës pas zgjedhjeve të ’97
Pavarësisht piramidave me ‘bekimin’ e qeverisë së tij, hapjes së depove dhe destabilizimit të vendit, Sali Berisha, tre muaj pasi rrëzua nga pushteti me votë, nisi një valë protestash në shtator të vitit 1997. I izoluar ndërkombëtarisht, i braktisur nga bashkëpunëtorët, mbështetësit dhe i sapo dërmuar në zgjedhjet e parakohshme, Berisha organizonte disa herë në javë 100-150 militantë para selisë së PD, për të protestuar në Sheshin Skënderbej kundër qeverisë së Fatos Nanos.

Sipas raporteve të policisë, kumi i pjesëmarrjes në protesta ishte 1 mijë veta. Po cila ishte kauza e protestave të Partisë Demokratike? Është e njëjta kauzë e ricikluar për 22 vite me radhë. Pas humbjes së zgjedhjeve të parakohshme të 29 qershorit 1997, Sali Berisha hidhte parulla në protesta, “parlamenti i kallashnikovëve”, ‘parlamenti i kriminelëve’, ‘poshtë qeveria’ etj. 22 dy vite më pas, pasardhësi politik i Sali Berishës në krye të PD, Lulzim Basha, përsërit të njëjtat akuza kundër parlamentit dhe qeverisë. Pas humbjes së zgjedhjeve në ‘97, Berisha nuk i njeh zgjedhjet si dhe i konsideron si të mbajtura nën terror, ndërsa bojkoton Kuvendin.

E njëjta strategji ndiqet nga Partia Demokratike 22 vite më pas, duke i konsideruar zgjedhjet parlamentare të 2017 të blera nga qeveria në bashkëpunim me krimin, ndërsa është dorëhequr nga Parlamenti, duke e konsideruar ilegjitim. I njëjti raport edhe më ndërkombëtar. Berisha u izolua si kurrë më parë nga faktori ndërkombëtar, për disa vite me radhë. 22 vite më pas, Lulzim Basha, ka hyrë në një kurs përplasjesh të forta me SHBA-BE për shkak të vendimeve të dënuara nga ndërkombëtarët, për dorëheqjen nga Parlamenti, protestat e dhunshme dhe për bojkotimin e zgjedhjeve lokale. Kjo strategji i kushtoi Sali Berishës edhe 8 vite qëndrim në opozitë, duke provokuar fundin politik të PD.

Dinamika e protestave identikeve
Dinamika e protestave të organizuara nga PD-LSI për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës është pothuajse identike me protestat e organizuara 22 vite më parë nga Partia Demokratike për rrëzimin e qeverisë së Fatos Nanos. Në vjeshtën e vitit 1997, Partia Demokratike i zhvillonte protestat në darkë. Në të njëjtin orar Partia Demokratike po zhvillon protestat javët e fundit. Gjithashtu, në ’97 protestuesit e PD marshonin nga Sheshi Skënderbej drejt Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, duke u ndaluar para Kryeministrisë. Të njëjtin itinerar ndjek edhe Lulzim Basha me protestat e javëve të fundit.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bruno: 20/06/2019 19:11

    Ajo vale protestash mbaroi me vdekjen e Hajdarit, zoti na rujte mos te na vdesi Berisha ose Luli.

    Përgjigju
  • Kometa 001: 20/06/2019 08:59

    Tashme loja eshte bere e hapur, s'ka te panjohura e te gjithe aktoret jane ne arene lakuriq. Edhe skenaristet/regjizoret, gjithashtu. Dhe kush do fitoj dihet, ata qe kane fituar per 30-vjet. Populli e Shqiperia po humbasin e do te humbasin. Per fatin tone shume te keq.

    Përgjigju
    • Mire: 20/06/2019 10:45

      Mos u trembeni per tradhetaret se nuk ka oer te ardhur kuuure 97mos shohin endra me sy hapur sidomos plaku sal qeni

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

I dënuar me 12 vjet burg për prodhim dhe shitje droge, arrestohet 40-vjeçari në Durrës

I dënuar me 12 vjet burg për prodhim dhe shitje droge, arrestohet 40-vjeçari në Durrës