DOKUMENTI/ Bie pretendimi i opozitës për pronësinë e landfillit të Sharrës, Veliaj: 'S'ka qenë asnjëherë në pronësi të bashkisë, shkresa e 2012 e Jorida Tabakut e vërteton këtë

DOKUMENTI/ Bie pretendimi i opozitës për pronësinë e landfillit të Sharrës, Veliaj: 'S'ka qenë asnjëherë në pronësi të bashkisë, shkresa e 2012 e Jorida Tabakut e vërteton këtë

Erion Veliaj

 Toka e landfillit të Sharrës nuk ka qenë asnjëherë pronë e Bashkisë së Tiranës, por vetëm është administruar prej saj. Në një intervistë për emisionin “Real Story” me Sokol Ballën në ABC, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka sqaruar se kjo pronë ka qenë e Ministrisë e Punëve Publike dhe Transportit dhe kjo e fundit ia ka kaluar për administrim pushtetit vendor, por jo si pronë.

Duke dhënë një shpjegim të saktë kundër akuzave të ngritura nga opozita për këtë çështje, Veliaj tha se ky fakt provohet edhe nga një shkresë që ish-nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës në vitin 2012, sot deputete e PD, Jorida Tabaku, i kërkon një drejtori të përgjithshëm të asaj kohe që të marrë nën administrim këtë pronë, që i përket ministrisë.

“T’ju jap një rast konkret. Znj. Jorida Tabaku në vitin 2012, si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, i thotë z. Shemsi Aga, Drejtorit të Përgjithshëm të Ndërmarrjes Nr. 1 të Qytetit, se: “Në kuadër të përfundimit të punimeve të projektit...”, - që në fakt ka bërë gjënë e duhur se në atë moment emergjence kishin nevojë për pak zgjerim për të kaluar atë ngërç, kur Tirana po bëhej kapicë me plehrat - “…në vijim të kësaj shkrese, si institucion përgjegjës për venddepozitimin e Sharrës, merrni masa për inventarizimin e dokumentacioneve dhe merrni në dorëzim objektin nga ana juaj”. Pra, objekti është landfilli i Sharrës. Nuk ia jep as me Këshill Bashkiak, as me Komitet, as me Komision Drejtues të PD, as me kryesi partie. Sepse në fakt nuk është pronë e bashkisë. Meqenëse, bashkia e ka në administrim me një shkresë, i thotë ndërmarrjes së saj: merre ti në dorëzim. Njësoj me të njëjtën shkresë për një pronë që nuk është e jona në të vërtetë. Pra, ne e kemi pasur në administrim nga Ministria, e cila është pronare e pronës”, deklaroi Veliaj.

 Kreu i Bashkisë së Tiranës nënvizon se të 5-ta bashkitë e Qarkut të Tiranës janë kliente të një kontrate që është bërë nga qeveria.

“Secila paguan pjesën e saj për mbetjet që çon në landfill. Kjo kontratë ka qenë për 30 vite. Në vitin e 5 dhe të 6, duhet të niste ndërtimi i inceneratorit. Sigurisht, ndodhën këto ngjarje dhe puna u ndërpre. Sot ka kaluar në administrim të shtetit. Por, unë besoj se edhe administratori shtetëror duhet të jetë gardian i kontratës, duhet të vazhdojë me ndërtimin e inceneratorit në momentin që sqarohet ky ngërç juridik. Këtu pyetja është: Për faktin se kur dikush bën aksident në rrugë, ne nuk duhet të bëjmë autostradën? Se mënyra më e sigurt që ne mos të kemi asnjë aksident është mos të ketë makina. Nuk është zgjidhje të mos bëjmë asnjë punë, që të mos kemi asnjë problem. Zgjidhja është të vazhdojmë të bëjmë punën, por të kemi sa më pak problematika”, tha Veliaj.

Foto: Dokumenti i firmosur nga Jorida Tabaku

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:38
Veliaj nxjerr blof opozitën: “Nuk jam shprehur në emër të Qarkut, kryebashkiakët e Kavajës dhe Vorës janë përgjigjur vetë; Saliu dhe Iliri kanë halle të mëdha

1701084916_veliajjjj.jpg

 Kryebashkiaku Erion Veliaj ka nxjerr bllof opozitën duke hedhur poshtë me fakte të gjitha akuzat e ngritura prej saj në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Në intervistën në “Real Story” për Sokol Ballën, ai ka shpjeguar se opozita gënjen qëllimisht kur e akuzon se Veliaj ka firmosur në emër të Qarkut të Tiranës për inceneratorin.

Veliaj sqaroi se ai ka firmosur vetëm për Bashkinë e Tiranës, kurse kryebashkiakët e Vorës, Kavajës, Rrogozhinës janë përgjigjur më vete.

“Gënjeshtra konkrete [e opozitës] është se paskam firmosur në emër të Qarkut të Tiranës. Kjo është logoja e Bashkisë së Tiranës, është firmosur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, kurse letra thotë: “…shprehemi parimisht dakord, përsa i përket rolit të kësaj bashkie në studimin e fizibilitetit”. Pra, shprehemi parimisht dakord që t’ju themi sa mbetje prodhon Tirana, kur është sezoni i këtyre mbetjeve, në verë ka më pak mbetje se një pjesë e madhe e qytetarëve janë me pushime. Kontributi ynë në këtë proces ka qenë për të dhënë të gjithë informacionin transparent për sa mbetje prodhohet në Bashkinë e Tiranës. Në këtë sens, e gjithë legjenda urbane që është ndërtuar mbi faktin se jam përgjigjur në emër të gjithë Qarkut, bie poshtë. Është përgjigjur vetë kryetari i bashkisë së Vorës, është përgjigjur vetë kryetari bashkisë së Kavajës”, tha Veliaj. 

 Kreu i Bashkisë u shpreh se ky fakt u provua qartë edhe në komisionin parlamentar hetimor, kur e vërteta doli qartazi.  Ai theksoi se halli personal i Sali Berishës dhe i Ilir Metës nuk janë halli i Tiranës.

“Borderotë mediatike vazhdojnë dhe e përsërisin gënjështrenë, ndërkohë që të zotin e punës s’e ka pyetur deri më sot asnjë njeri. U pyeta në komision, u provua e vërteta. Sa mbaroi komisioni, filloi të rigjenerohej e njëjta gënjeshtër. Kjo është një gënjeshtër! Është e ulët, se unë i kuptoj ç’a hallesh kanë. Hallet që ka familja Berisha e familja Meta mos i pastë njëri në botë. Ua kuptoj ku e kanë e pse kërcen nga belaja gjithë kjo orkestër. Por, ky s’është halli i Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Ora 23:36
Veliaj: Studimi për trajtimin e mbetjeve në kryeqytet u bë nga Basha dhe IFC; Bashkia nuk ka marrë asnjë iniciativë të tillë

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi sot se nisma për landfillin e Sharrës nuk ka qenë iniciativë e Bashkisë së Tiranës e drejtuar prej tij. Duke folur në “Real Story” me Sokol Ballën, ku sqaroi me detaje të gjithë procedurën, Veliaj hodhi poshtë akuzat e opozitës duke theksuar se studimi i IFC është kërkuar nga administrata e Lulzim Bashës në bashki në vitin 2015. 
 
“Me sa kam unë memorie historike dhe dokumentacion në bashki, në viin 2012 z. Olldashi i kërkoi zotit Basha që të bashkëpunojë në lidhje me nevojën për zgjerim dhe nevojën për qeliza të reja tek landfilli i Tiranës. Në atë kohë, sigurisht, çdo kryetar bashkie i përgjigjet pozitivisht qeverisë kur kërkon ta ndihmojë dhe zoti Basha, znj. Tabaku, të gjithë, i janë përgjigjur pozitivisht asaj kërkese. Çështja është se ai investim, që u bë në 2012, nuk mjaftoi. Më pas, ish-kryetari i Bashkisë, z. Basha, me të drejtë, i asistuar nga Banka Botërore, bën një studim me konsulentë të huaj të IFC-së, të cilët shikojnë nevojat për trajtimin e mbetjeve të Tiranës. Tirana atëherë, sigurisht ishte më e vogël - në mos gaboj prodhonte 400-500 ton mbetje në ditë, kurse sot jemi te 700-800 ton/ditë mbetje, kurse për festa kalojmë në 1000 ton/ditë.

Në atë kohë, kolegët e IFC, Bankës Botërore, pasi ndërrohet administrata, vijnë te unë dhe thonë se ka ngelur edhe fundi i konsulencës sepse studimi i fizibilitetit ishte bërë si bashkëfinancim mes Bashkisë së Tiranës dhe Bankës Botërore e IFC-së, dhe e marr të gatshëm raportin. Raporti i bërë nga ajo administratë ka arritur në përfundimin për 37euro/ton. Duke qenë se ishte kryer e gjithë puna para se të vija unë në bashki, i lindi detyrimi kryetarit të bashkisë që t’ia paraqiste qeverisë se çfarë kishte bërë administrata më përpara. Ky është ai raporti i 2015-ës.

Në 2015 qeveria thotë se me çmim 37euro/ton është shumë. Me të drejtë, dhe e refuzon. Pra, Bashkia e Tiranës nuk ka iniciuar kurrë më iniciativa të tilla, pasi mbaroi edhe detyrimet financiare të konsulencës me IFC-në dhe Bankën Botërore”, u shpreh Veliaj.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Elona Gjebrea: Shëndeti riprodhues në Shqipëri, është e nevojshme që të ketë shumë informacion nga vajzat dhe gratë

Elona Gjebrea: Shëndeti riprodhues në Shqipëri, është e nevojshme që të ketë shumë informacion nga vajzat dhe gratë