Dora D'Istria dhe De Rada, letrat që
dëshmojnë miqësinë deri në vdekje

Dora D'Istria dhe De Rada, letrat që<br />dëshmojnë miqësinë deri në vdekje
Në fondin e Jeronim De Radës në AQSH, ruhen edhe një grup letrash të princeshës me origjinë shqiptare Elena Gjika njohur ndryshe si Dora D’Istria. Të gjithë letrat i janë adresuar poetit De Rada.  Afro dhjet vjet më parë këto letra u publikuan në gjuhën frënge dhe italiane nga studiuesja Merita Sauku-Bruci, e cila ka mbrojtur me këtë temë doktoraturën për studime krahasimtare në vitet 1999-2004 në Fakultetin Letërsi-Filozofi, në Universitetin Studimeve “L’Orientale” në Napoli. Titulli në origjinal është “Elena Ghika (Dora D’Istria) a Girolamo De Rada. Ricostruzione della questione culturale albanese attraverso la loro corrispondenza inedita”.
 
Nga kjo pasuri arkivore, janë 109 letra  dërguar De Radës, shkruar  në një hark kohor prej afro 30 vjetësh. E para letër e D’Istrias është e vitit 1859, dhe deri tani njihen vetëm letrat që ajo i ka dërguar de Radës, por jo ato që poeti i ka dërguar asaj. Ndërsa letra që mendohet të jetë e fundit mban datën 11 prill 1887 dhe është e dërguar nga Firence.
Letrat dëshmojnë se Dora d’Istria ishte e lidhur shpirtërisht me çështjen shqiptare. Me poetin arbëresh Jeronim De Rada do të shkëmbente jo thjesht njoftime. Letrat e saj përmbajnë një angazhim dhe shqetësim për shqiptarët.
 
Dora ishte tridhjetëvjeçare kur filloi letërkëmbimin me De Radën 45-vjeçar. Ky komunikim do të vazhdonte për 30 vite me radhë, ku ajo nuk i kursen këshillat, mendimet dhe përpjekjet për të siguruar mbështetje shqiptare jashtë kufijve. Nër copëzat e komunimimit të tyre mund të zbulojmë një miqësi që zgjati deri në vdekje.
Më 21 mars 1865, nga Villa Kaprili të Ardencës së Livornos, ajo i dërgoi një letër De Radës, në të cilën i thoshte këto:
 
“Due të mendoj se ju do të gjeni prova të reja në historinë e princëve Gjika për të cilët duhet të ju ketë ramë në dorë materiali që ju dërgova dje me postë. Asht për t’u shenue në të vërtetë se midis popullsivet të dobësueme të Italisë lindore-mund t’i jepet mirëfilli ky emën Rumanisë-sovranët e racës sonë, që nga Vasil Shqiptari deri tek Grigori III Gjika i Moldavisë dhe Grigori IV Gjika i Vllahisë, kanë çfaqë gjithë energjinë e të parëve tanë. M’banë tjetër, në Stamboll, sikurse në brigjet e Nilit, vezirët e mëdhenj shqiptarë dhe familja e Mehmet-Aliut tregonin se veprimi idhnak i Islamit nuk kishte vend për t#u derdhë mbi njerëzit tanë. Këto fakte shkëndëritëse duhet të na mbushin me shpresë për të ardhmen e Shqipnisë. Që nga fillimi i shekullit, toka amëtare e Skanderbegut ka nxjerrë një legjion trimash dhe kreshnikësh: Xhavellët, Grivasët, Boçarët, Moskot, Dhespot. Kam rigjetë në udhëtimin tim të fundit në Lindje(Ballkan, V.B) njanën nga bijat e kreshnikut Marko, dhe kam vizitue në Specja shtëpinë e familjes së Bubulinës. Tue vu lule në mesolongji, mbi varrin e Boçarit, iu luta Qiellit që të shoh një ditë mbi varrin e të madhit Kastriot tue valëvit flamurin, që ai ka mprojtë plot zulmë në njëqind luftime. U përmbushtë kjo dëshirë!”  

Më 15 maj 1866, në të përkohshmen “Revue des deux mondes” Dora D’Istria boti artikullin e famshëm “La nationalite albanaiese d’apres les chants populaires-les albanais des deux cotes de l’Adriatique (“Kombësia shqiptaresipas kangëvet popullore-Shqiptarët e të dyja anëvet të Adriatikut”). Këtë e botoi, pra, pasi kishte nisë letërkëmbimin me De Radën(1859). Ajo kishte për qëllim të argumentonte në këtë artikull qenien e kombësisë sonë, lashtësinë e popullit shqiptar, trashëgimet e tij kulturore-artistike, të çmonte gjuhën e lashtë e të bukur shqipe, letërsinë tonë të pasur gojore.
“Dashunia për atdhe ka qenë gjithmonë veçoria ma kryesore e shqiptarit. Shqipnia ndër të gjitha kohët ka qenë vendi i herojve. Kombi shqiptar asht një popull i fortë, i fuëishëm porsi shkambijtë ku jeton. Shqiptarët janë të gjallë, të gëzueshëm, punëtorë dhe zemërbardhë. Kur asht puan për t’i dalë zot atdheut të vet ase për të mprojtë fëmijtë e vet, ai asht hero në kuptimin e ngushtë të fjalës. Populli shqiptarë ka qitë ushtarë e luftëtarë, që kanë mrekullue botën me trimnitë e tyne, si Pirrua, Aleksandri i Madh, Diokleciani, Skanderbeu, etj. Me plotë të drejtë Bajronipat shkrue mbi heroizmin e tyne. Vetëmohimi dhe flija e tyne qenë ndihma ma e madhe në kryengritjen greke për çlirim. Mbi shkambijtë e Sulit dhe mbi zallin e Pargës gjinden ende tepricat e një populli, që dha jetën e vet për pavarësinë greke. Atje ndodhen dhe gjurmët e gjakut të martirëve shqiptarë. Në një gjendje të tillë, a asht e mundun me besue se shqiptarët do të mbeten edhe për një kohë të gjatë nën thundrën e sundimit të huej?...Ata, që e besojnë këtë gja, harrojnë se kombi shqiptar asht një komb herojsh, ashtu siç e përshkruejnë njëzani ata që e kanë studiue me kujdes, anglezë, frengë, udhëtarë a histori-shkrues, Gëllet, Douglasët, Lamartinët”.
 
Dora d’Istria mendonte se ishte koha ma e përshtashme për kryengritjen e kombësive  në Evropën jugëlondore. Në letrën e 15 tetorit 1866, ajo i shkruan De Radës për shumë detyra, që dilnin në lidhje me çështjen shqiptare. Ajo e këshillon De Radën që ta nxjerrë fletoren, për të cilën poeti i Makjit i kishte dërgue planin dhe programin. Ajo i propozon që këtë fletore poeti ta botojë afër gegnisë, p.sh. në Kotorr, në mënyrë që të përdoret si mjet lidhjeje misdis lëvizjes atdhetare shqiptare të vendit dhe asaj jashtë vendit.
“Se cili duhet të jetë vendi i botimit nuk asht e vetmja çështje që duhet rregullue. Do të duhej, gjithashtu, më duket, me u marrë vesh për gjuhën dhe për karakteret e shkronjavet. Ska shkue shumë kohë kur ndër Skllavët e Jugut mbretënonte një pështjellim i madh, qoftë për gjuhën, qoftë për shkrimin. Ndryshimi i dialekteve shqiptare asht mjaft larg për të na dhanë idenë e anarkisë së atij pështjellimi. Pështjellimi në fjalë nuk reshti, veçse kur shumë dijetarë atdhetarë u morën vesh për të vendosë një farë uniteti që u lejoi atyre popujve me kuptue njani tjetrin dhe me ndihmue shoku shokun kundër vërshimit të gjermanizmavet. Në Rumani, një revolucion i ngjashëm asht përmbushë në kohën tonë, nëpërmjet mënjanimit të fjalëve turke dhe sllave të gjuhës kombëtare dhe nëpërmjet zavendësimit të shkronjave cirilike të sllavëve me shkronja latine. Se ç’duhet të bajnë shqiptarët do të dukej fare e pamundun, po të mos dinim që diçka e tillë asht krye nga sllavët e jugut dhe nga rumunët-pamvarësisht prej pengesave politike, për të cilat do të shtyheshim gjatë me dhanë një ide. Përfytyroni, për të mos zanë me gojë veçse një fakt, po qe se Rusia do ta kish pamë me kënaqësi vendosjen e latinizmit që kryhet në kufijtë e saja nga Eliade(Rëdulesku) dhe bashkëpunëtorët e këtij. Përkundrazi Turqia e plogësht, e paaftë me kuptue randësinë e çështjeve të tilla, nuk ka me pasë asnjë kujdes ndaj përpjekjeve që kanë me bamë shqiptarët për të sajue unitetin e tyne intelektual, shkencor dhe moral, bazë e unitetit politik. Por ata që do ta kryejnë këtë vepër do të të kenë hjedhë themelt e pashkatërrueshme të Shqipënisë së ardhme”
 
Në qerthullin e çështjeve të ndryshme, ajo prek këtu edhe atë të botimit të një fjalori shqip ma të plotë se deri atëher, në mënyrë që t’u vinte në ndihmë albanologëvet dhe vet shqiptarëvet, nevojat intelektuale të të cilëvet po shtoheshin nga ditë e ma shumë:
“Nga një koinçidencë e rasës, unë po kryeja kërkime rreth fjalorëve shqiptarë gjatë kohës që ju po mirreshit me të drejtë me detyrën për të punue mbi një leksik shqip. Kërkimet e mia, bamë njëkohësisht në Paris dhe në Vjenë, më kanë bindë për nevojën e një botimi që të jetë ma i mirë se fjalori i Propagandës(Fjalori latinisht-shqip i Frang Bardhit, V.B) dhe katalogët e fjalëve të mbledhuna nga Ksilanderi, Liku, Pukëvili, etj. Që të jetë në gjendje me lehtësue kërkimet e albanologëvet dhe me u shërbye nevojavet intelektuale-çdo ditë ma të madhe –të shqiptarëvet”. 
 
Më 9 dhjetor 1866, kur dora D’Istria ishte vendosur në palaco faskolo i shkruan sërish De Radës:
“Po ju shkruej nga Venetia, ku kam qëllim me kalue dimnin. Meqënëse e përnderuemja Republikë ka pasë marrëdhanie të gjata dhe intime me Shqipninë, unë kam ndër mend me bamë kërkime në arkivat veneciane. Veç kësaj, këtu Shqipnia duket gjithëkah, nëpër përmendoret, nëpër kujtimet, nëpër institucionet; gjindet, bile edhe një Bashkëvëllazni Shqiptare.
Fletoret merren shumë me atdheun e etënve tanë, ku, thoshte dje Tempo, zien e vëlon diçka nga e cila gja turqtë kanë frikë se mund të përftohet një kryengritje e përgjithëshme”.
 
Prap nga Venecia, më 29 dhjetor 1866, ajo i shkruan:
“Gjeneral Garibaldi asht shpejtue të më shkruejë e të më thotë se e pëlqen plotësisht projektin e Akademisë Shqiptare. Unë mendoj se ai do të më flasë ma gjatë rreth këtij subjekti. Në qoftë se kryengritja e përgjithëshme, që Gazeta e Augsburgut lajmëron për muejin e marsit, shpërthen në Shqipni, kam mjaft arësye të mendoj se ai nuk do ta linte pa e përkrahë me njerëz dhe inkurajime. I thoni Zotni Dorsës se na kemi 15 deri më 20.000 pushkë 15 frangëshe me cilësi të shkëlqyeshme dhe që unë mund të disponoj po sa që të bahem me dijtë”.
 
Vite më vonë, ndërsa letërkëmbimi i tyre vijon me të njëjtin ritëm, mes princeshës dhe poetit, gëlonin të njëjtat shqetësime. Në vitin 1871 kur ishte rikthyer sërish në Venecia, pas disa shpërnguljesh si në Gjenovë apo Torino, Dora i shkruan De Radës:
“Shqiptarët kanë bamë, në mënyrë të dukëshme, një gabim të madh- i shkruen De Rdës më 18 gusht nga Pelji- që nuk kanë përfitue, siç kanë përfitue serbët dhe rumunët, nga lufta ndaj kretasve dhe orvatjet e pamatuna të Sulltanit për të shti në dorë konçesione të mëdha. Porta (Porta e Lartë, V.B) copëton tashti shpatën, që i ka shërbye kundër Kretës. Sistemi qendrëzues, kaq i volitshëm për despotizmin, sistem me të cilin ajo asht mveshë, nuk lejon me respektue autonomitë lokale. Mbetet për të pamë, Zotni, se qysh shqiptarët do të durojnë mosmirënjohjen e turqvet. Ka mundësi që, po sa të paraqitet një rasë, ata do t’i bajnë me e pague shumë shtrenjtë!
Në përgjithësi, të rejat nga Lindja (Ballkani, V.B.) nuk paraqesin ndonjë gja krejt të kënaqëshme. Pansllavizmi, prirjet e të cilit i treguen tash vonë ngjarjet e Shebenikut, po e mbush Lindjen (Ballkanin, V.B.) me intrigat e veta. Ai pak paqëtim, që mbretnon midis kombevet pellasgjike, nuk u lejon fare atyne me i bamë ballë kësaj propagande vepruese”.
Pas dy muajsh, ajo i sjell dy shenime De Radës. Në letrën e dërgur nga Torino, Piaca delo Statuto, më 21 tetor, lexojmë:
“Asht për të ardhë keq që autori i Albania-s (Pietro Chiara, V.B) s’ka folë për Shqiptarët e Rumanisë- Vasil Shqiptarin, Dukajt dhe mbi të gjithë Gjikajt.
Dhe pak më tej flet për një humbje të madhe për kulturën shqipatare: “Kam për të ju bamë të ditun një lajm të hidhun: Dr Hahn ka vdekë. Asht një humbje e pandreqëshme për letërsinë shqipe”.
 
Elena Gjika, një personalitet me përmasa europiane, me një dëshirë të madhe për të njohur në thellësi problemet, shfrytëzoi maksimalisht kushtet e saj të mira financiare për të udhëtuar, për të studjuar dokumente arkivore për të botuar artikuj, ese, duke analizuar me një vështrim krahasues, historinë, etnografinë, zakonet, foklorin, këngët popullore, legjendat e popujve të ndryshëm. Një rol të rëndësishëm Dora d’Istria pati edhe në njohjen e veprës së De Radës në rrethet letrare e politike europiane të kohës.
 
Fondi arkivor i De Radës në AQSH, ëhstë shumë voluminoz dhe përmbledh letërkëmbime me rreth 400 personalitete shqiptare dhe europiane. Një pjes ëe madhe e këtij letërkëmbimi ëhstë ende I pabotuar dhe i panjohur për publikun e gjerë.

dossier
  Dora D’Istria

dossier
Jeronim De Rada

dossier

 Dora D’Istria


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Shkodër, IKMT aksionin për shembjen e 11 beach bareve gjatë bregdetit në Velipojë

Shkodër, IKMT aksionin për shembjen e 11 beach bareve gjatë bregdetit në Velipojë