Dorëzohet kallëzim penal ndaj Bozhidar Deliç për krime lufte në Kosovë

Dorëzohet kallëzim penal ndaj Bozhidar Deliç për krime lufte në Kosovë

Shoqata “Krimet e Luftës në Gjakovë” dorëzoi të martën kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme në Prishtinë ndaj nënkryetarit të parlamentit të Serbisë, Bozhidar Deliç, ish komandant i Brigadës 549 të ushtrisë serbe.

Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë kohës së luftës në Kosovë në vitin 1999, në territorin e përgjegjësisë së kësaj brigade, ku përfshihen komuna e Gjakovës, Suharekës por edhe komuna të tjera në Kosovë, janë vrarë rreth dy mijë civilë shqiptarë.

Gjokë Sokoli, familjar i viktimave të luftës, tha se dokumentet e dorëzuara sot në Prokurori janë dëshmi e krimeve të kryera nga bridaga e komanduar nga Bozhidar Deliç në Kosovë.

“Kemi dëshmi sepse njerëzit e kanë njohur këtë person edhe kur i ka ndarë njerëzit nga kolona, edhe kur ka marrë pjesë në masakrën e Mejës dhe Korenicës në qytetin e Gjakovës. Pra kemi të dhëna të mjaftueshme për këtë kriminel lufte dhe i kemi sjellur të gjitha këtu në Prokurori. Me qindra janë dëshmitë, unë kam besim se ky person do të bjerë në dorë të Hagës”, tha zoti Sokoli.

Ai tha se vendosja e Bozhidar Deliçit në postin e nënkryetarit të parlamentit serb, është barazim i viktimës me agresorin.

“Është turpi i botës kjo, të zgjidhet krimineli nënkryetar i parlamentit të Serbisë. Këtu duhet jo vetëm ne banorët e njerëzit që kemi viktima të luftës, por duhet edhe ministria e Drejtësisë të bëjë thirrje në mbarë botën, Evropë e Amerikë, që kryetari i Serbisë e ka marrë atë afër, kjo tregon që ai edhe vet i ka duart me gjak. Po barazohemi ne me atë që na i ka vra 15 mijë njerëz”, tha ai.

Në vitin 2008 Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, kishte bërë një kallëzim penal ndaj tij dhe dhjetë pjesëtarëve të tjerë të kësaj brigade. Shumë vite më vonë Prokuroria kishte ngritur aktakuzë vetëm ndaj dy pjesëtarëve të kësaj brigade. Prej tyre njëri është dënuar por nuk e ka vuajtur ndonjëherë dënimin, ndërsa tjetri është shpallur i pafajshëm.

Udhëheqësja e shoqatës “Krimet e Luftës në Gjakovë”, Shkëndije Hoda, tha se në mesin e dokumenteve të dorëzuara sot është edhe një ditar i ish ushtarëve të kësaj brigade.

“Ky material që është shkruar nga vet oficerët e kësaj brigade tregon më shumë, Prokuroria ka punë tash sepse janë diku mbi 200 faqe në shkronja të alfabetit cirilik. Janë të gjithë emrat e tyre sepse në në fund të raportit ditor ata kanë shkruar emrat e tyre dhe gradat që i kanë pasur”, tha zonja Hoda.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 620 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve janë të përkatësisë kombëtare shqiptare./VOA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Autoriteti i Konkurrencës mbyll monitorimin e tregut të autoshkollave, nuk ka rritje të bashkërenduar çmimesh

Autoriteti i Konkurrencës mbyll monitorimin e tregut të autoshkollave, nuk ka rritje të bashkërenduar çmimesh