DRAFTI/ Amnisti fiskale e penale për pasurinë e emigrantëve, rezidentëve, bizneseve e shtetasve të huaj që janë tatimpagues në Shqipëri

66 % e shqiptarëve të pyetur nga Këshillimi Kombëtar ishin pro amnistisë së kursimeve të emigrantëve. Pas rreth 2 muajsh nga dalja e këtij rezultati, qeveria rikthen në konsultim projektligjin e bllokuar prej dy vitesh për legalizimin e parave të padeklaruara jo vetëm të emigrantëve, por edhe të qytetarëve shqiptar që janë rezidentë këtu, legalizohen të ardhurat e padeklaruara të bizneseve dhe paratë e padeklaruara të shtetasve të huaj që janë tatimpagues në Shqipëri. Nëpërmjet kësaj nisme qeveria bën të mundur reduktimin e cash në ekonomi, formalizon ekonominë pasi paratë do të deklarohen dhe nga ana tjetër siguron të ardhura për shkak të tatimit që do të mblidhet.

Në nenin 9 të projektligjit që nis me deklarimin dhe pasurive dhe pasqyrave financiare që targeton bizneset thuhet se atyre do ju jepet mundësia që të “deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elemente të pasqyrave financiare që nuk i kanë deklaruar më parë apo i kanë deklaruar në një vlerë më të vogël se ajo çfarë duhet të deklaronin pavarësisht nëse pasuritë, në tërësinë e tyre, janë të paregjistruara në autoritetet kompetente, apo ndodhen ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Deklarimi i bizneseve për kapitale apo pasqyrat financiare do të bëhet sipas përcaktimeve të Ministrisë së Financave. Audituesit që kanë kryer kontrollet e bilanceve të këtyre subjekteve që kanë nën deklaruar fitimet do të jenë të përjashtuar nga përgjegjësia lidhur me këto diferenca.

Nëpërmjet amnistisë bizneseve ju jepet mundësia të formalizohen, duke legalizuar bilancet e tyre, pasi fenomeni i të punuarit me bilance të dyfishta është prezent në Shqipëri ku shumë subjekte kanë kryer evazion fiskal përmjet fshehjes së të ardhurave. Pavarësisht se informaliteti nuk matet, vlerësime të tërthorta të bëra nga institucionet e huaja flasin për një nivel prej afro 30-40% në Shqipëri.

Falje fiskale e penale për mos deklarim pasurie!

Nisma e qeverisë parashikon një amnisti të plotë fiskale (duke ju falur detyrimet e papaguara nga mos deklarimi i të ardhurave) por dhe penale (duke i përjashtuar nga hetimi tatimor dhe procedimi penal për fshehje pasurie).

Në projektligjin e rishikuar ndryshe nga drafti i parë është vendosur kufizimi që pasuria luajtshme dhe e paluajtshme që lejohet të deklarohet vullnetarisht nuk duhet të kalojë vlerën maksimale 2 milionë euro. Nuk do të mund të deklarojnë pasuritë e fshehura të gjithë subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të ligjit, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si dhe personat në përbërje të certifikatës familjare të tyre (politikanë, ministra, deputetë, president, gjyqtar, prokuror etj).

Përjashtohen nga përfitimi i amnistisë të gjitha subjektet e ligjit për parandalimin e krimit të organizuar dhe trafikimit, individët që janë shpallur ose që janë në proces shpallje për financim terrorizmi. Nuk përfitojnë ata subjekte për të cilët ka nisur procedura penale për evazion tatimor dhe doganor.

Njësi Speciale për deklarimin vullnetar të pasurisë!

Për të realizuar deklarimin e pasurisë do të ngrihet Njësia për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive që është në varësi të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Kjo njësi që do organizohet dhe do funksionojë me urdhër të Ministrisë së Financave do të duhet që të sigurojë ruajtjen e kofidencialitetit të informacionit që disponon nga deklaruesit vullnetar, dhe në të njëjtën kohë duhet të marrë informacion nga shumë institucione të përfshira në procesin e deklarimit vullnetar. Të gjithë subjektet përfituese do ta bëjnë deklarimin vullnetar nëpërmjet një formulari vetë-deklarimi pranë njësisë së ngritur, dhe në nenin 9 pika 4 specifikohet se “në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si indice apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të subjekteve përfituese”.

Pasi do të marrin formularin nga njësia, subjektet do të paraqiten në bankë duke dorëzuar një kopje të formularit për depozitimin e parave, më pas bankat pas verifikimit të vërtetimit pajis subjektin me vërtetim depozitimi dhe mbajtjen e tatimit, dhe menjëherë bankat apo institucionet e tjera financiare njoftojnë menjëherë Njësinë mbi depozitimin e shumës në të holla dhe përputhshmërinë e kësaj shume me vlerën e deklaruar në formular. Edhe për pasuritë e tjera të padeklaruara të paluajtshme, deklarimi do të bëhet pranë Njësisë.

Tatim me dy fasha për deklarimin e pasurive!

Subjektet përfituese të këtij ligji ndryshe nga drafti i parë do të kenë 9 muaj për të deklaruar dhe jo 1 vit. Si për paratë ashtu edhe për pasuritë e paluajtshme do të ketë dy fasha tatimore. 7% tatim për ata që bëjnë deklarimin për 4 muajit e parë dhe 10% tatim për ata që bëjnë deklarim 4 muajit e dytë. Të njëjtat fasha tatimi do të aplikohen edhe për bizneset. Ndërsa aktualisht tatimi është 15% për deklarimin e pasurisë. Ndërsa ata subjekte që kanë bërë deklarimin e parave në llogari dhe vendosin të investojnë në tituj shtetëror, bono thesari dhe obligacione jo më të vogla se 2 vite do ketë tatim më të ulët. 5% tatim për investimin e bërë në 4 muajit e parë dhe 7% tatim për 4 muajit e dytë.

Ndërsa në draftin e parë ishte parashikuar që deklarimi do të bëhej me 3 fasha. Ata që deklarohen në 4 muajit e parë do të paguajnë tatim 5%, të dytët 7% dhe të fundit që deklarojnë pasurinë paguajnë 10%.Aktualisht kush deklaron pasurinë paguan 15% tatim mbi vlerën.

Paratë do mbyllen në banka!

Paratë e deklaruara në kuadër të këtij ligji nuk mund të transferohen jashtë shtetit për një periudhë të paktën 5 vjeçare nga momenti i depozitimit, pasi nëse deklaruesi bën kërkesë për ti transferuar do ti mbahet si penalitet 30% të shumës së transferuar. Vlera e penalitetit kalon menjëherë nga bankat në thesarin e shtetit. Madje në pikën 3 të nenit 11 thuhet se subjekti deklarues nuk mund ti tërheqë shuma në të holla të depozituara deri në përfundim të afatit të zbatim të këtij ligji.

Deklaruesit vullnetar të pasurive, të mbrojtur me ligj!

Të gjitha subjektet që do të deklarojnë pasuritë e tyre përjashtohen nga detyrimi i dhënies së informacionit pranë institucioneve përkatëse administrative në lidhje me kohën, mënyrën e krijimit, mbajtjen apo posedimin e pasurive të deklaruara.Nëpërmjet ligjit ju jepet garanci për mos-diskriminimin në të ardhmen, në procedurat e përllogaritjes së detyrimeve tatimore, ruhet konfidencialiteti, përjashtohen nga hetimi tatimor për evazion dhe ndjekjet penale si dhe nuk do të vendoset masë sekuestro apo konfiskim ndaj pasurive të deklaruara vullnetarisht.

Kritikat për amnistinë fiskale e penale!

Jo vetëm ekspertët vendas por edhe institucionet ndërkombëtare e kanë parë me skepticizëm realizimin e amnistisë fiskale e penale në Shqipëri, për shkak se paraqet rrezik serioz për pastrimin e parave.

“Ne ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në përmbushjen tatimore, si dhe rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe administrimin tatimor”, tha Fondi Monetar Ndërkombëtar në vizitën përmbyllëse të Ekipit të FMN-së në Shqipëri më 19 maj.

Për shkak të kritikave dhe skepticizmit të ekspertëve dhe institucioneve të huaja, qeveria vendosi të tërhiqte draftin e parë për ta rishikuar atë.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:26
Projektligji per 'Amnistinë Fiskale', reagon Ivi Kaso: Operacion kriminal pastrimi parash të pista! Kjo mazhorancë s’la hall tjetër pa ju lëshuar në shpinë shqiptarëve

Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Ivi Kaso ka reaguar për projektligjin për “Amnistinë Fiskale” duke thënë se është operacion kriminal pastrimi parash të pista.

Sipas tij, projektligji nuk përfshin emigrantët që dërgonin 30 mijë paund në Shqipëri, por ata që janë pasuruar përmes krimit e korrupsionit dhe nuk dinë si të legalizojnë nga 2 milionë euro pa provuar burimin e të ardhurave.

“Ja pra që nuk e paska patur për emigrantët që donin të dërgonin 30 000 £ në Shqipëri e gjoja s'mund ta bënin lehtësisht, por e paska patur për ata "hallexhinjtë" e tjerë... vëllain, motrën, shokun, mikun, shoferin, dashnoren e kujtdo që është pasuruar nëpërmjet krimit e korrupsionit e paskan hallin e madh se si do legalizojnë nga 2 mln € pasuri për kokë.

Hall i madh  s'ke ç'thua por veç për këto lloj hallesh mendon kjo maxhorancë mbasi s'la hall tjetër pa ju lëshuar në shpinë shqiptarëve! Operacion më kriminal pastrimi parash të pista nuk besoj se mund të ketë, në projektim e zbatim, as në ndonjë vend të botës së tretë e jo më në një vend që aspiron të hapë negociatat për anëtarësim. Shuplakë fytyrës MONEYVAL-it që na ka shpallur tashmë "delja e zezë" e Evropës dhe çdo naivi që ka ndonjë iluzion mbi drejtimin që ka marrë ky vend”, shkruan Kaso.

Të gjitha pasuritë e padeklaruara para apo pasuri të paluajtshme do të mund të deklarohen, pas hyrjes në fuqi të amnistisë fiskale. Drafti i ri për amnistinë fiskale dhe penale për deklarimin vullnetar të pasurisë është hedhur për konsultim, dhe nga i cili do të përfitojnë emigrantët, rezidentët, bizneset dhe shtetasit e huaj që janë tatimpagues në Shqipëri. Nuk do të përfitojnë zyrtarët, politikanët, personat me precedentë penale, të dënuarit etj.

Në projektligjin e rishikuar ndryshe nga drafti i parë është vendosur kufizimi që pasuria luajtshme dhe e paluajtshme që lejohet të deklarohet vullnetarisht nuk duhet të kalojë vlerën maksimale 2 milionë euro. Nuk do të mund të deklarojnë pasuritë e fshehura të gjithë subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të ligjit, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si dhe personat në përbërje të certifikatës familjare të tyre (politikanë, ministra, deputetë, president, gjyqtar, prokuror etj).

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Niku: 24/06/2022 16:08

    Legalizimi per hajdutet,per kriminelat per politikanet, gjyqetaret, doktorrat,per grabitesit e pronave, kush eshte ai qe mundet te kete 2milon euro evazion fiskal..? Asnjeri.. jane vetem ata qe kane grabitur..prandaj dhe opozita nuk reagon sepse i behet ndere,, na mbushni dhe mendjen gjoja do kete nje grup special per verifikim, qe eshte e pa mundur gjurmimi dhe po keta do korruptohen e sigurt.

    Përgjigju
  • Kush: 24/06/2022 15:32

    Kjo eshte vetem per te pastruar parate e vjedhura nga pushtetaret qe ja kaloj e parate pale e te treta dhe krimineleve qe kane mbushur shqiperine dhe boten me krim droge etj. Kushdo qe mendon se emigrantet kane grumbulluar 2 mln euro dhe do vijne ti deklarijne dhe ndoshta me pas ti investojne ketu eshte aq naiv sikur te besoje se moshyrja ne evrope eshte per faj te evropes dhe jo te qeverise sone te inkriminuar. Mjafon te reflektoni se sa polic e drejtora apo deputete kane dale te inkriminuar per te matur standardin e albanisa. Si motra e dumanit qe na ishte me certifikate sigurie te NATOs, nderkohe shqiptareve per nje vend pune ordiner i kerkohet deshmi penaliteti dhe certifikate familjare.

    Përgjigju
    • 5% tatim hajdutit, 23% atij qe fiton me djersen e ballit: 24/06/2022 16:05

      5% tatim hajdutit, 23% atij qe fiton me djersen e ballit

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Dy humbjet në miqësore, Kombëtarja humbet pozicione në FIFA! Rivalët e Euro 2024 në 'top 10'

Dy humbjet në miqësore, Kombëtarja humbet pozicione në FIFA! Rivalët e Euro 2024 në 'top 10'