Droga, ja 23 dënimet e
reja sipas sasisë dhe llojit 

Droga, ja 23 dënimet e<br />reja sipas sasisë dhe llojit 
Përshkallëzohet masa e dënimit për veprën penale të prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së narkotikëve sipas sasisë dhe llojit të drogës. Shqiptarja.com zbardh propozimet e Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal, ku riformulohet dhe zgjerohet neni 283 për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve.

Nëse neni 283, 283 /a dhe b i Kodit Penal në fuqi parashikon 7 masa dënimi, ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë parashikojnë 23 masa dënimi për prodhimin, shitjen, mbajtjen narkotikëve, ofrimin për shitje, dhënien ose marrjen në çdo formë, shpërndarjen, tregtimin, transportimin, dërgimin, dorëzimin e substancave narkotike, psikotrope, ose i farërave të bimëve narkotike.

Konkretisht, neni 15 i draftit të Ministrisë së Drejtësisë, që ndryshon nenin 283 të Kodit Penal, parashikon që kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është deri në 100 gram, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Ndërsa Kodi në fuqi, për një vepër të tillë penale, por pa saktësuar sasinë e lëndës narkotike, parashikon një dënim nga pesë deri në dhjetë vjet. Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 10 kg, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Ndërkaq, nuk ka ndryshuar masa për organizimin, drejtimin apo financimin e kësaj veprimtarie, e cila dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Ndërsa organizimi, drejtimi ose financimi i trafikut të drogës dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Sasitë e mëdha
Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë parashikojnë që prodhimi dhe shitja i lëndëve narkotike “cannabis sativa” në sasi të mëdha mbi 50 kg, dënohet me burgim nga pesë deri në dymbëdhjetë vjet. Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë”, dhe sasia është mbi 1 kg, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
 
Masa e dënimit
Përshkallëzohet masa e dënimit për veprën penale të prodhimit, mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike sipas sasisë, llojit të drogës dhe rolit në konsumimin e kësaj vepre penale.
 
Ndryshimi
Nëse Kodi Penal në fuqi parashikon 7 masa dënimi, ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë parashikojnë 23 masa dënimi për prodhimin, shitjen dhe mbajtjen narkotikëve.
 
Propozimet e Ministrisë së Drejtësisë  
 
Neni 15
Neni 283 riformulohet me këtë përmbajtje:
“Neni 283

Prodhimi dhe shitja e narkotikëve
Mbajtja, shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi i substancave narkotike, psikotrope, ose i farërave të bimëve narkotike, si dhe mbajtja në një sasi më të madhe se ajo që me ligj konsiderohet për konsum vetjak, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, në varësi të llojit dhe sasisë së lëndëve narkotike të mësipërme, dënohet si më poshtë:

Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është deri në 100 gram, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” si dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 100 gram deri në 1 kg, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 1 kg deri në 10 kg, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.

Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 10 kg, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Kur vepra e mësipërme kryhet në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

Kur vepra e mësipërme kryhet në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë”, apo çdo lloj lënde narkotike e ndryshme nga “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime, dhe sasia është deri në 1 kg, dënimi me burgim në minimum shtohet me 1 vit dhe në maksimum me 3 vjet.

Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.” 

Neni 16
Pas nenit 283, shtohet neni 283/1, me këtë përmbajtje:
Neni 283/ 1
“Prodhimi, mbajtja dhe shitja e narkotikëve në sasi të mëdha”

Mbajtja, shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi apo dorëzimi i lëndëve narkotike “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, në sasi të mëdha mbi 50 kg, dënohet me burgim nga pesë deri në dymbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë”, apo çdo lloj lëndë narkotike apo psikotrope e ndryshme nga “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime, dhe sasia është mbi 1 kg, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. 
 
Neni 17
Neni 283/a riformulohet me këtë përmbajtje:
“Neni 283/a
Trafikimi i lëndëve narkotike
 
Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi i substancave narkotike ose psikotrope, si dhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, në varësi të llojit dhe sasisë së lëndës narkotike, dënohet si më poshtë:

Kur lënda është e llojit “cannabis sattiva” apo “farëra të kësaj bime” dhe sasia është deri në 10 kg, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
Kur lënda është e llojit “cannabis sattiva” apo “farëra të kësaj bime” dhe sasia është mbi 10 kg deri në 50 kg, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
Kur lënda është e llojit “cannabis sattiva” apo “farëra të kësaj bime” dhe sasia është mbi 50 kg, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë” apo “çdo lloj lënde tjetër psikotrope” dhe sasia është deri në 100 gram, dënimi të jetë nga 3-10 vjet burgim.
Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë” apo “çdo lloj lënde tjetër psikotrope” dhe sasia është mbi 100 gram deri në 1 kg, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë” apo “çdo lloj lënde tjetër psikotrope” dhe sasia është mbi 1 kg, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë deri në njëzet vjet burgim.
Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.”

denimet dokumenti

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

IDM dhe Transparency International, Raport kritik mbi mekanizmat kundër korrupsionit

IDM dhe Transparency International, Raport kritik mbi mekanizmat kundër korrupsionit