Durrës, miku i Agim Pepës u
qëllua në makinë me shot gun

Durrës, miku i Agim Pepës u <br />qëllua në makinë me shot gun
DURRES - Mbi 30 persona ka shkuar numri i të shoqëruarve nga policia e Durrësit që nga e diela në mbrëmje deri dje, në lidhje me ekzekutimin mafioz të Nikolin Prengës, i njohur ndryshe dhe me emrin Nik Ndoi. “Struktura për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Komisariati i Policisë Durrës po bashkërendojnë veprimet hetimore në funksion të identifikimit të autorëve të ngjarjes dhe motiveve të saj.

Janë përcaktuar e po punohet në disa pista për zbardhjen e kësaj ngjarjeje që lidhen me hakmarrjen apo të shkuarën kriminale të viktimës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë në Durrës. Të njëjtat burime kanë pohuar, se viktima është qëlluar brenda makinës së tij, me armë gjahu “shot gun”, gjë që i ka shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme.

Grupi hetimor, i përbërë nga prokurorë dhe oficerë të krimeve të rënda kanë ngritur pistat dhe sipas burimeve konficenciale, hetimet janë shtrirë në dy drejtime: I pari ka të bëjë me vrasjen e dyfishtë në vitin 2003, ku nga një atentat me armë, u qëlluan për vdekje Gani Malushi, shefi i Komisariatit të Krujës, dhe shoferi i tij, Gjovalin Ndreu.

Për këtë ngjarje u akuzua Agim Pepa, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm. Por, si bashkëpunëtor, u akuzua dhe Prenga, i cili pas një viti e gjysëm doli i pafajshëm. Pista e dytë për policinë e Durrësit ka të bëjë me të kaluarën e tij në Itali, ku mendohet se ka pasur problem personale dhe hasmëri, si dhe është përfshirë në trafiqe narkotikësh.

Për të afërmit e Nikolin Prengës, dyshimet e ekzekutimit të tij në lidhje me vrasjen e Malushit e Ndreut, janë vrasje e dyfishtë për të dhe familjen. Në një intervistë për Tv A1 Report dhe Shqiptarja.com, kushëriri i viktimës Pashk Lleshi, thotë se Prenga i kishte mbyllur hesapet me drejtësinë.

Z.Lleshi, si e gjykoni vrasjen e njeriut të tuaj shumë afër shtëpisë?
Ky është një krim i rëndë, një ngjarje e rëndë që na ndodhi ne. Por, mbi të gjitha, është një krim shtetëror, pasi të vijnë e ta vrasin në derën e shtëpisë, në oborrin e vet, nuk është parë.

Eshtë hedhur pista, se vrasja e tij mund të ketë lidhje ose të paktën po hetohet, për ngjarjen e 2003, pra vrasjen e Gani Malushit dhe shoferit të tij. Si mendoni ju?
Djali jonë e ka mbyllur historinë e vrasjes së Gani Malushit, që në kohën kur është dhënë pafajësia nga gjykata. Për këtë çështje nuk duhet të pyetem unë, por institucionet shtetërore, të cilat disponojnë dokumente. Djali jonë u ndalua, u gjykua dhe u shpall i pafajshëm, pra nuk ka lidhje me atë ngjarje të rëndë.

Eshtë pistë e policisë kjo e hetimeve...
Unë e konsideroj këtë, si një vrasje të dytë. Mirë që, supozojmë, krimineli i rrugës e ka vrarë në derë të shtëpisë, por shteti pse e lidh ngjarjen me vrasjen e Gani Malushit? E akuzon prapë, e vrau për së dyti.

PRENGA U SHPALL I PAFAJSHËM


I vrari të djelën në Durrës, nuk ka qenë i panjohur për policinë dhe drejtësinë. 10 vjet më parë, Nikolin Prenga është përballur me drejtësinë, kur ai u akuza për përfshirje në vrasjen e komisarit Gani Malushi. Konkretisht, ai u akuzua se ka ndihmuar të akuzuarint për vrasjen, Agim Pepa, që të largohet nga vendi i ngjarjes, ku mbeti i ekzekutuar dhe shoferi i komisarit, Gjovalin Ndreu.

Pas ndalimit dhe akuzës, ai u mbajt i burgosur për rreth një vit e gjysëm. Nikolin Prenga, pas kësaj, ka bërë ankesë për burgim të padrejtë, pas lirimit të tij nga gjykata e Apelit. Ai u akuzua për “veprimet që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Kështu, më 14 gusht 2003, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të pandehurit Prenga dhe pas një maratone gjyqësore gati 1-vjeçare, me vendimin e saj nr.15, date 25.06.2004, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënon me 2.5 vjet.

Apeli i Krimeve të Rënda, që e dënoi përjetë Pepën, e prishi vendimin ndaj Prengës. Madje, pas kësaj, Prenga kërkoi dëmshpërblim për burgim të padrejtë, të cilin e fitoi në vlerën 1.392.000 lekë për 464 ditë qëndrimi në qeli.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

 Fundjavë me shi e borë, vijon dhe i ftohti! Parashikimi i motit

Fundjavë me shi e borë, vijon dhe i ftohti! Parashikimi i motit