Vjosa Osmani u zgjodh presidente, DW: Merr fund drama politike në Kosovë

Vjosa Osmani u zgjodh presidente, DW: Merr fund drama politike në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Pas një drame politike disa ditore, më në fund lëvizja Vetëvendosja në pushtet me ndihmën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, arriti t'i sigurojë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Vjosa Osmanin Presidente të Republikës së Kosovës. Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi për deputete me listën Vetëvendosja, për zgjedhjen e saj Presidente në kuvendin e Kosovës mori 71 vota, nga 82 deputetë sa morën pjesë në votim.

Presidente në raundin e tretë

Për zgjedhjen e presidentes u zhvilluan tri raunde votimi. Në dy raundet e para të votimit zonja Osmani, nuk e mori numrin e mjafueshëm prej 2/3 të votave por, në raundin e tretë në bazë Kushtetutës, nevojiteshin të paktën 61 vota, duke bërë kështu të sigurohej numri i mjaftueshëm i votave për ta bërë Vjosa Osmanin Presidente të Kosovës.

Seanca për zgjedhjen e Presidentit filloi të shtunën vonë për t'u ndërprerë rreth mesnatës për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm që kërkohej prej 2/3 e votave të deputetëve nga 120 sa i ka kuvendi i Kosovës. Seanca vazhdoi një ditë pas, vetëm atëherë pasi Vetëvendosja siguroi numrin e mjaftueshëm të votave për Presidenten. Ishin dy deputetë të pakicave jo serbe, ata që e siguruan kuorumin mbi 80 deputetë në sallë për t'ia mundësuar zonjës Osmani që në raundin e tretë të zgjidhet Presidente e Kosovës.

PDK e AAK me kritika të ashpra

Tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe lista Srpska, nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit. Udhëheqësi i PDK-së, Enver Hoxhaj para se partia e tij ta lëshojë seancën, tha se "kryeministri i Kosovës Albin Kurti po e emëron Vjosa Osmanin në pozitën e Presidentes për të pasur kontroll absolut mbi institucione të rëndësishme” duke shtuar se edhe Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese. "Dje e kishim një dramë, e cila ishte dramë e turpit, ishte kërcënim, shantazh për zgjedhje nëse Kuvendi i Kosovës nuk do ta votonte Presidenten. Ishte përpjekje për ta ngulfatur demokracinë në Kosovë. Sot, këtë seancë edhe pse zgjedhja e Presidentit duhet të ishte ditë feste, është kjo seancë e poshtërimit, sepse Vjosa Osmani nuk po zgjidhet presidente, por z.Kurti po e emëron zonjën Osmani presidente për të pasur një kontroll absolut mbi shërbimet si polici, ushtri atë inteligjent e mbi ambasada”, tha Enver Hoxhaj. Edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se partia e tij është "kundër koncentrimit të pushtetit te një person apo parti politike, sepse kjo i bën dëm demokracisë në dobi të vendosjes së autoritarizmit.

Ashpërsim i situatës për shkak të ligjit zgjedhor

Dy netë më parë qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, tentoi që ta miratojë një ligj për zgjedhjet e përgjithshme, pa konsultim me partitë politike opozitare, por nuk arriti t'i sigurojë votat e mjaftueshme. Partitë opozitare e quajtën "shantazh të Kurtit ndaj opozitës”, përpjekjen për miratim ligji pa konsultim me partitë e tjera. Kjo përpjekje e Kurtit përplasi fort pozitën dhe opozitën duke rrezikuar kështu mos-zgjedhjen e presidentit që do të mund të përfundonte edhe  zgjedhje të reja. Lidhja Demokratike e Kosovës kishte premtuar se do të merr pjesë në zgjedhjen e Presidentes, por, tentimi i Kurtit për ligjin për zgjedhjet, pa njoftim paraprak, bëri që LDK të tërhiqet nga premtimi i saj, duke rrezikuar kuorumin për zonjën Osmani dhe që vendi do të shkonte automatikisht në zgjedhje. Albin Kurti u detyrua që ta tërheqë prapa ligjin për zgjedhjet, në mënyrë që LDK të qëndrojë në seancën për zgjedhjen e Presidentit.

Që prej datës 5 nëntor të vitit të shkuar, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit i cili akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë u mbajtën me 14 shkurt, ndërsa me 22 mars u konstitua Kuvendi dhe në të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin, kryetar i Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë, ndonëse vetë Kurti nuk kishte garuar në zgjedhje sepse kishte probleme me ligjin. Por në listë të Vetëvendosjes ishte Vjosa Osmani, që në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi për deputete, pas ndarjes nga partia e saj Lidhja Demokratike e Kosovës. Edhe gjatë zgjedhjeve, Vjosa Osmani deklaronte se ajo është kandidate për Presidente e Kosovës. Vjosa Osmani, me votat e deputetëve të kuvendit tanimë u zgjodh Presidente e Kosovës me mandat pesë vjecar. Vjosa Osmani, është 39 vjecare nënë e dy fëmijëve. Vjosa Osmani, është presidentja e dytë grua e zgjedhur në Kosovë, pas Atifete Jahjagës./ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Pëllumb Metës, ekspertiza konfirmon: Arma e gjetur në pellgun me ujë u përdor për krimin

Vrasja e Pëllumb Metës, ekspertiza konfirmon: Arma e gjetur në pellgun me ujë u përdor për krimin