'Dy gjykatëse në një karrige'! Kuvendi miraton rezolutën për t'i bërë bllok pengesave për krijimin e Kushtetueses

TIRANË - Kuvendi i Shqipërisë votoi me 97 vota pro një rezolutë përmes së cilës argumenton pse presidenti Ilir Meta gaboi me dekretin për Marsida Xhaferllarin si anëtare në Gjykatën Kushtetuese, ndësa meret angazhimi për të zgjidhur ngërçin në këtë institucion, duke rishikuar legjislacionin. Kështu, Kuvendi tenton të pengojë krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit. Përmes rezolutës, Kuvendi e konsideron nul këtë dekret dhe kërkon që ai mos të zbatohet. 

Për të shmangur që këto procese të mbeten peng i presidentit, si krijimi i organit më të lartë ligjor në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tha se duhen marrë masat ligjore dhe kushtetuese nga Kuvendi "për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti brutal të atij që zyrën e presidentit e ka kthyer në zyrë për të shantazhuar parlamentin, ndërkombëtarët, popullin shqiptar".

"Në dritën e kësaj ngjarje të re, gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të riardhur këtu në kuvend dhe për të votuar këtu neutralizimin e akteve të presidentit, e akteve antikushtetuese dhe antiligjore. Nuk kemi ne luftë me Ilir Metën, Ilir Meta ka luftë me botën, me qeverinë, me Shqipërinë, dhe me veten. Ne kemi detyrën të shmangim të gjitha efektet negative që aktet e asaj lufte kanë mbi proceset zgjedhore, të formimit të drejtësisë dhe çdo proces tjetër ku ky njeri ka marrë përsipër të jetë interpretuesi fuqiplotë i Kushtetutës, njësoj si talebanët që e quajnë veten interpretuesit e vetëm të librit të shenjtë", tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se për zgjedhjen në një seancë plenare të dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është "dakordësuar 100% me aleatët strategjikë, dhe jemi konsultuar me ekspertët të EURALIUS dhe OPDAT"

Presidenti lir Meta dekretoi anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari, në të njëjtin pozicion që ishte zënë me parë nga Arta Vorpsi, teksa kësaj të fundit i mbylli derën e presidencës për të bërë betimin, duke e detyruar Vorpsin t'ia nisë me postë deklaratën e betimit të noterizuar, ndërsa Xhaferllarin e priti në ceremoni betimi në Presidencë.

Marsida Xhaferllari u betua në presidencë si anëtare për Gjykatën Kushtetuese së bashku me dy anëtaret e zgjedhura nga Kuvendi. Por sot në Gjykatën Kushteutese kanë shkuar të dyja të zgjedhurat për një vend, Vorpsi dhe Xhaferllari, duke e futur në ngërc ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Rezoluta urdhëron institucionet të mos zbatojnë dekretin e Metës dhe për këtë arsye, Marsida Xhaferllari u betua dje teksa dekreti i saj ende nuk është botuar në Fletoren Zyrtare.

( Kliko këtu ) Rezoluta e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:02
Betimi i Arta Vorpsit, Braçe: Noteria nuk është parukeri, funksionin mbi baza ligjore (VIDEO)

Zv.Kryeministri, Erion Braçe ka komentuar betimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi duke thënë se procesi tek noteria ishte në bazë të ligjit.

Ai ka thënë  se Kryetarja e Dhomës së Noterëve e ka cilësuar procesin ligjor të rregullt dhe kështu duhet t'i referohemi pikërisht Kryetares së Dhomës së Noterëve.

Braçe i është kundërpërgjigjur edhe këshilltarit të Presidentit Meta, Ted Blushi duke thënë se një zyrë Noterie kurrësesi nuk mund të quhet Parukeri.

Ndërkohë Braçe ka deklaruar se sipas Kushtetutës i katërti nuk mund të bëhet dot i dytë, kështu Arta Vorpsi  Vorpsi që në renditjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është vlerësuar si e para me pikë për t’u zgjedhur në Gjykatën Kushtetuese, i takon që të jetë ajo anëtare në vend të Marsida Xhaferllarit, ku kjo e fundit u emërua nga presidenti Meta.

"Keni marrë në intervistë kryetaren e dhomës së notereve. Që ajo tha se si është zhvilluar procedura. Noteria funksionon ne bazë të një ligji. Noteria nuk është në asnjë rast Parukeri. Padyshim që nuk e zëvendëson do kushtetutën. Kushtetuta thotë se i katërti nuk bëhet dot i dytë. Është kat anti kushtetues." ka thënë ndër të tjera Braçe.

Ora 11:40
Miratohet rezoluta për të shmangur krizën në Gjykatën Kushtetuese

1573814723_votimi.jpg

Me 97 vota pro Kuvendi i Shqipërisë miratoi projekt-rezolutën për shmangien e krizës kushtetuese, që erdhi pas dekretit të presidentit Ilir Meta për emërimin e Marsida Xhaferllarit në të njëjtin vend të zënë më parë nga gjykatësja Arta Vorpsi. Kuvendi i Shqipërisë angazhohet kështu "të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit", tha Balla teksa kërkoi mbështetjen e të gjithë deputetëve ndaj kësaj rezolute".

Po sot në këtë seancë u votua zgjatja me tre muaj e afatit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

Ora 11:38
"Luftë që nuk është parë ndonjëherë"! Më 25 nëntor gati platforma kundër KÇK, Rama: Nuk do e gëzojnë pasurinë (VIDEO)

Duke e quajtur një krizë artificiale të Presidentit Ilir Meta për të sulmuar reformën në Drejtësi, kryeministri Edi Rama pjesën më të madhe të fjalës në Kuvend ja kushtoi luftës ndaj krimit të organizuar dhe prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar që ai i quan "banda KCK", Kam çfarë të kapësh". Kreu i qeverisë Rama tha se më 25 nëntor do të prezantojë në publik platformën e luftës kundër krimit dhe këtyre pjesëtarëve të drejtësisë, ligjin special kundër krimit të organizuar dhe gjyqtarëve apo prokurorëve të korruptuar. Lufta do të jetë frontale tha shefi i mazhorancës dhe do të godasë pasurinë e tyre. Kjo platformë do të sillet në Kuvend, dhe aty do të ndahet përmes votës - u shpreh kryeministri - se kush është vërtetë pro kësaj beteje.

"Beteja jonë sot nuk është me Ilir Metën, beteja është më KCK-në. Duhet vepruar një orë e më parë kundër KCK, duke nxjerrë në pah të gjithë përmasën e llumit që është kthyer në një shtupë që e pengon sot më shumë se asnjëherë rrjedhjen e lirë të ujërave drejt sistemit të drejtësisë. Ky është një tjetër motiv për ne, të shpejtojmë dhe përshkallëzimin e luftës ndaj KCK-së mos e lëmë thjesht dhe vetëm në radhën e  pritjes së vettingut por ta nisim dhe ta shoqërojmë njëkohësisht me një përshkallëzim të luftës kundër krimit të organizuar. Ata që kanë marrë dënim për krime të rënda të lidhura me veprimtari kriminale më shumë se sa një vrasje, ata që janë akuzuar për krim të organizuar dhe për krime të rënda të asaj natyre dhe që nuk janë dënuar si rezultat i atyre prokurorëve e gjykatëseve që e kthyen drejtësinë në një pazar, duhet të kthehen një orë e më parë në shënjestrën tonë. Nuk mundet më që ata nga njëra anë, dhe këta të tjerët nga ana tjetër, KCK t'i gëzojnë pasuritë e tyre. Ofensiva ndaj pasurive të tyre do të jetë thelbi i një procesi pa kthim që do duhet dhe do të nisë një orë e më parë.

Kam qenë këtu kur fola për rastin skandaloz të Durrësit dhe u zotova se do t'i sjell kuvendit shumë shpejt një platformë ligjore për tu miratuar dhe për tu kthyer në platformë lufte ndaj krimit dhe KCK-së. më 25 nëntor unë do t'i prezantoj publikut shqiptar këtë platformë. Do të jetë sfida e vërtetë e këtij kuvendi, që do ndajë ata që janë gati për ta shpallur këtë luftë ose jo. Do të jetë një luftë që nuk është parë ndonjëherë në Shqipëri, dhe kemi nevojë për mbështetje të gjithanshme", tha Rama.

Ora 11:35
Rama: Meta ka luftë me botën, interpretuesi fuqiplotë i Kushtetutës, si talebanët të Librit të Shenjtë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama nuk i la pas ironitë për presidentit Ilir Meta.

"Asnjë vendi nuk mund t'i bie taksirati të ketë një president si Ilir Meta, dhe duhen marrë masa ligjore kushtetuese, për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti brutal të atij që zyrën e presidentit e ka kthyer në zyrë për të shantazhuar parlamentin, ndërkombëtarët, popullin shqiptar. Dhe besoj se komisioni i përbashkët i ngritur për shkarkimin e Ilir Metës duhet ta konsiderojë seriozisht. Në dritën e kësaj ngjarje të re, gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të riardhur këtu në kuvend dhe për të votuar këtu neutralizimin e akteve të presidentit, e akteve antikushtetuese dhe antiligjore. Është shumë e thjeshtë. Merreni me mend, kemi bërë një reformë drejtësie për të hequr interesat e politikës dhe pazaret e politikës nga procesi i emërimeve. Kemi ngritur një institucion të posaçëm, të pavarur, KED, i cili është institucioni i vetëm që ka detyrimin. Nuk ka interpretime të mundshme për këtë proces.

Nuk kemi ne luftë me Ilir Metën, Ilir Meta ka luftë me botën, me qeverinë, me Shqipërinë, dhe me veten. Ne kemi detyrën të shmangim të gjitha efektet negative që aktet e asaj lufte kanë mbi proceset zgjedhore, të formimit të drejtësisë dhe çdo proces tjetër ku ky njeri ka marrë përsipër të jetë interpretuesi fuqiplotë i Kushtetutës, njësoj si talebanët që e quajnë veten interpretuesit e vetëm të librit të shenjtë", tha Rama.

Ora 11:16
Rama: Histori e zakonshme me Metën, përplasjen e ka me drejtësinë...I turpshëm sulmi ndaj SHBA dhe BE (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha nga Parlamenti, se është e zakonshme për Ilir Metën të ketë përplasje, jo me mazhorancës, por me drejtësinë. Rama e quajti të turpshme sulmin që Presidenti Meta i bëri ndërkombëtarëve, duke thënë sot në Kuvend, se SHBA dhe BE janë promotorët dhe mbështetësit më të mëdhenj të reformës në drejtësi prej fillimit të procesit. 

"Një histori e zakonshme me Ilir Metën dhe edhë një herë tjetër përplasja është jo mes nesh dhe Ilir Metës, por mes Ilir Metës dhe drejtësisë. Dhe edhe një herë tjetër për këdo që do të kuptojë pa hyrë në të thella jemi përballë si Kuvendi i Shqipërisë me njeriun që e ka humbur busullën dhe e ka kthyer institucionin në një frëngji prej ku sulmon nga të katër anët duke qenë ne këtu 100 % jo 99%, por 100 % në të njëjtën linjë me SHBA dhe BE dhe natyrisht pastaj është e lehtë të kuptohet pse si çdo herë tjetër Ilir Meta nuk kursen as partnerët strategjikë dhe as dy aleatët e mëdhenj të palëkundur të Shqipërisë, SHBA dhe BE duke na vënë të gjithëve në një pozitë jo komode dhe të turpshme, sepse insinuon haptaz se këto përfaqësi të nderuara të shteteve që janë qysh në ditën e parë të procesit të reformës në drejtësi promotore dhe mbështetëse të kësaj reforme, akuzohen si të korruptuara. Nuk ka më turp, dhe pas kësaj besoj se nuk ka as nevojë të zgjatemi e të stërgjatei për të shpjeguar arsyet që na sjellin këtu dhe drejtësinë e vendimmarrjeve tona. Këtë herë nuk do merrem me Ilir Metën, por me drejtësinë", tha Rama. 

Kryeministri Edi Rama tha se për zgjedhjen në një seancë të dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është "dakordësuar 100% me aleatët strategjikë, dhe jemi konsultuar me ekspertët të EURALIUS dhe OPDAT", theksoi ai.

Rama e quajti të gjithën, krizë të sajuar artificialisht nga Ilir Meta.

Ora 10:32
Balla kërkon mbështetjen e deputetëve për rezolutën: Meta shkeli afatin dhe zgjodhi të katërtën në listë! Të reflektojë! (VIDEO)

Presidenti dhe Parlamenti janë të barabartë në afat kohor - tha kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, duke hedhur poshtë qëndrimin e Ilir Metës se Kushtetuta nuk i vë limit 30 ditor për të zgjedhur mes kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese në listën e KED-së, dhe se këtë kufizim e ka vetëm Kuvendi. Vendi ndodhet në një situatë kaotike - tha Balla - për shkak të antikushtetueshmërisë së Metës. "Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është jetim për vendin", u shpreh Balla.

Ai vuri në dukje se Meta ka zgjedhur Marsida Xhaferllarin të renditur të katërtën në listën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke i kujtuar se emërimi duhet të bëhet vetëm mes tre të parëve në listë. Është propozuar në projektrezolutë që "Kuvendi t'i bëjë thirrje Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar legjitimimin që me fillimin e veprimtarisë së saj të re, por të zbatojë renditjen e përcaktuar nga KED që cakton Arta Vorpsin si të emëruar në Gjykatën Kushtetuese", - tha Balla duke cituar pjesë nga rezoluta e Kuvendit.

"Kuvendi duhet t'i kërkojë Presidentit të heqë dorë nga çdo lloj akti që pengon Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi në mënyrë të përsëritur i bën thirrje presidentit të reflektojë duke e rikthyer institucionin e presidentit në kufijtë e njohura nga kushtetuta. Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit", tha Balla teksa kërkoi mbështetjen e të gjithë deputetëve ndaj kësaj rezolute.

Ora 10:21
Gjuzi shkon i papërgatitur në Kuvend: Dua 45 minuta të lexoj rezolutën (VIDEO)

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit nisi me debat, teksa deputeti i opozitës, Kujtim Gjuzi, i kërkoi 45 minuta kohë kryeparlamentarit Ruçi për të lexuar rezolutën. Por, kërkesa e tij nuk është pranuar nga Gramoz Ruçi, i cili tha se projektrezoluta ka qenë e publikuar prej dje në faqen zyrtare të Kuvendit.

Kujtim Gjuzi: Duam 45 minuta që t’i hedhim një sy rezolutës. Kjo rezolutë i bie që të shkarkojë Presidentin, ndaj na duhen këto minuta.

Gramoz Ruci: Projekt rezoluta ka qenë publike në faqen zyrtare të Parlamentit. E shfrytëzonit kohën, kanë kaluar 12 orë. Pra, procesverbali miratohet

G.M./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • A...Zh: 15/11/2019 11:36

    Edi Rama, ti dhe vetem ti duhet te paguash politikisht cmimin per zgjedhjen e IM president. Ty mire ta ben, bile meriton me shume, por cfare faji ka populli i shkrete te vuaj llogarite e pazaret e qelbura ndermjet jush.

    Përgjigju
    • meri: 15/11/2019 13:42

      Neqoftese Ilir Meta nuk do te zgjidhej President do ta kishim per nji kohe te gjate ne politike dhe nuk do ta kishim kuptuar kurr se çfar mafjozi eshte.

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Kemi gjetur Altin Lalën e ri', kush është lojtari që debutoi me Kombëtaren U-21 dhe u vlerësua nga trajneri

'Kemi gjetur Altin Lalën e ri', kush është lojtari që debutoi me Kombëtaren U-21 dhe u vlerësua nga trajneri