Dy mite te rreme mbi përçarjen e PD, që duhen shembur për t’i hapur rrugë reformimit

Dy mite te rreme mbi përçarjen e PD, që duhen shembur për t’i hapur rrugë reformimit

Në kënetën ku, prej vitesh, ka rënë PD, aty ku kasta sunduese i ka zënë frymën mbështetësve njësoj siç shkurret i zënë fryemëmarrjen ujit, kanë zënë shtresë edhe disa mite, që, sikundër sedimentet poshtë ushqejnë shkurret sipër, edhe këto mite ushqejnë pushtetin e kastës sunduese.

Miti 1. Dorëheqja e Berishës, Shkatërrimi i PD nga Basha, rikthimi i Berishës si nevojë politike e PD.

Një pjesë e mirë e mbështetësve të djathtë u patën shokuar nga dorëheqja e Berishës si Kryetar i PD, madje disa syresh derdhën edhe lotë në ato kohë. Nuk di sa nga këto lotë njomën mitin që Berisha u tërhoq nga drejtimi i PD, por e sigurtë është që ky mit u ushqye darkave në ekranet e televizioneve nëpër emisionet politike, ndërkohë që në dritë të diellit çdo ditë e më shumë ndjehej dora e fortë e Berishës në sponsorizimin e arbitraritetit të Bashës, marrëdhënies ‘jashtëmartesore’ me LSI, gërryerjes së PD nga ‘parti sigla’ gjasmë aleate, justifikimit deri në absurd të çdo humbjeje të Bashës.

Nuk njoh në historinë e politikës shqiptare një investim më të madh se sa ai i Berishës për Bashën, një mbrojtje më irracionale sesa e tija ndaj çdo kritike mbi sundimin e Bashës dhe kastës drejtuese në PD. Është e freskët për çdo mbështetës të PD, edhe për vetë artikullshkruesin, kërcënimi i tij ndaj kritikuesve të Bashës për ‘mosnjohje të kontributeve në PD në rast të mos futjes në rrjesht pas kryetarit Basha’ edhe pas humbjeve sistematike në disa palë zgjedhje.

Është po kaq cinike dhe fyese për inteligjencën e mbështetësve të PD, linçimi që i bëhet sot ‘bravës’ apo ‘vulës’ nga vetë linçuesit e djeshëm të kritikëve të Bashës duke i sulmuar si ‘opozitës e opozitës’, madje me të njëjtit megafonë të shqyer që deri dje mbronin kryetarin Basha me yzmin e liderit Berisha. Ky linçim nuk është i rastësishëm dhe i paqëllimshëm, por synon të mbaj gjallë narrativën ‘Basha shkatërroi PD, Berisha po e ringjall’. Po, papërgjegjshmëria e Bashës e degradoi PD-në. Por kjo është veç gjysma e së vërtetës dhe ashtu si të gjitha gjysëm të vërtetat, është gënjeshtra më bishtnuese. E vërteta e dhimbshme është që Basha, me sponsorizimin e Berishës dhe mbështetjen e të gjithë kastës drejtuese të PD kanë shkatërruar PD për interesa thellësisht private.

Tashmë është plateale për të gjithë edhe arsyeja e sponsorizimit nga Berisha të një personazhi aq patetik sa Basha. Si një qeraxhi i bindur, veç një personazh si Basha jepte garanci që nuk ‘transferon pronësinë’, dhe si e tillë, do ishte e kollajtë rimarrja e pronës në ditë të vështira.

Miti 2. Foltorja si triumf mbi vulën, apo si konflikt mbi bazë pro-amerikanizmin.

Patjetër që sot ka një neveri për Bashën dhe ndjekësit e tij, për vetë historinë e tij parazitare në krye të PD. Por në mënyrë po kaq simetrike mungon baza morale e sulmeve të sotshme të Berishës. Aq e vërtetë është kjo saqë Berisha nuk mori kurrë përsipër përgjegjësinë dhe madje nuk shpjegoi kurrë mbështetjen që i dha ai veprimeve asgjesuese të Bashës ndaj PD. Në fund të fundit, kjo retorikë kaq e ashpër ndaj ‘vulës’ nuk mbulon dot arsyen e vërtetë të ndarjes midis ‘foltores’ dhe ‘bravës’. Duhet të kujtojmë ndoshta, që krisja ishte shpallja ‘non-grata’ dhe jo ndonjë ndasi tjetër. Madje ende sot palët në publik komunikojnë me një gjuhë në kode mbi të fshehtat që i njohin njëra tjetrës por që duke respektuar ‘omertà’-në (kodin e heshtjes) nuk i nxjerrin në shesh.

Përpjekja e ‘vulës’ për t’u prezantuar si pro-amerikanë është mëshiruese. Basha nuk e fshehu dot kurrë, madje e pohoi vetë, që vendimi ndaj Berishës erdhi si rezultat i presionit të të huajve dhe jo si një vokacion i tij perëndimor.

Nga ana tjetër, Berisha megjithëse në publik premtoi që nuk do e bënte problemin e tij një problem të PD-së, në realitet bëri ekzaktësisht të kundërtën; po e sakrifikon PD-në në konfliktin e tij me ndërkombëtarët. Madje në këtë vijë nuk i kurseu mbështetësve as banalitetin e reduktimit të betejës nga betejë me USA, Soros dhe Blinken, në betejë me Bashën dhe Alibeaj-n.

Në fakt të dy palët janë investuar me një sinkron të frikshëm me njëra-tjetrën për të krijuar një paqartësi mbi të ardhmën e PD. Kjo status-quo ku njëra palë mban letrat e tjetra elektoratin (edhe pse në rudhje gjithmonë e më të madhe), në fakt i shërbën të dyja palëvë si një mesazh ndaj të huajve.

Kjo status-quo i ngjan tamam kënetës që nuk do që të trazohet nga ujrat e rrjedhshëm. Por për ta mbajtur këtë status-quo, palëve u duhet të sponsorizojnë mitin e një ‘konflikti’, përmes një retorike të ashpër. Veç shëmbja e këtyre miteve i hap rrugën llogjikës, arsyes dhe të vërtetës. E vërteta, edhe kjo e dhimbshme, është një; nuk ka dy palë, ato janë një në degradimin e PD dhe në shfrytëzimin e saj për interesa jo-politike. Produkti i tyre është status-quo-ja, këneta, paqartësia për të ardhmen e PD. Vetëm kështu mbajnë vëmendjen e mbështetësve të tulatur të PD dhe distancën me të huajt dhe llogaridhënien, duke siguruar sovranitetin; jo të e vëndit, por sovranitetin e tyre në sundimin e opozitës.

PD është në ditë të këqija, por ditë edhe më të këqija e presin nëse nuk shëmb mitet dhe i hap rrugë të vërtetave që, ashtu si uji i rrjedhshëm, do i japin oksigjenin e duhur për të qenë së paku një opozitë dinjitoze. Mbështetësit e PD do mbesin gjithmonë e më të zhgënjyer në përballjet politike, jo për shkak të përçarjes. PD ka humbur 5 palë zgjedhje duke qenë e pandarë në ‘foltore’ dhe ‘bravë’. Nuk është bashkimi i tyre që do i japë fitoren PD, por reformimi i saj duke larguar barin e keq për të mbjellë farën e duhur. Duhet braktisur kjo kastë sunduese që i ka zënë frymën kësaj partie dhe që, për mbijetesën e vet personale, nuk i hap rrugë zhvillimeve politike kaq të nevojshme jo vetëm për PD-në por për të gjithë vendin.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Ilir Meta kallëzim në Prokurorinë e Tiranës: Persona të paidentifikuar kanë vjedhur hard disc në zyrën e Partisë së Lirisë

Ilir Meta kallëzim në Prokurorinë e Tiranës: Persona të paidentifikuar kanë vjedhur hard disc në zyrën e Partisë së Lirisë