Dy shtetet e Aleks Nikës, një e vrau, një e qau!

Dy shtetet e Aleks Nikës, një e vrau, një e qau!

Aleks Nika dhe vendimi i Strasburgut

Ditën që u publikua vendimi i Gjykatës së Strasburgut, Mark Nika thotë: “Pa Strasburgun, çështja e nipit tim do të ishte varrosur”.

Marku është xhaxhai i Aleks Nikës, lezhjanit të vrarë në protestën e famshme të 21 Janarit 2011. Që ditën kur mori lajmin e kobshëm për nipin, nuk ka reshtur të kërkojë drejtësi. Formimi i tij juridik e ndihmon më shume se njerëzit e zakonshëm për të trajtuar termat e drejtësisë. -Hetimi është art, thotë ai.

Konkluzionet e tij arrijnë në përfundime që i tejkalon interesat personale e familjare. Hetimi nuk ka qenë i plotë. As i lirë. Po ti referohemi deklaratave politike lidhur me çështjen, që nga ish-kryeministri i kohës apo dhe drejtues të Gardës së Republikës, është e qartë se shteti, i zënë ngushtë, i zënë në faj, i zënë në krim, është munduar të shfajësohet. Duke gënjyer (vranë njëri-tjetrin me çadra pistoletë)! Duke prishur prova (fshirja e serverave)! Duke penguar drejtësinë (pengimi i zinxhirit të gardës të dëshmojë).

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut e ka lehtësuar sadopak Mark Nikën. Por entuziazmi i tij fillon e venitet sapo fjala kalon tek drejtësia shqiptare. Ka parë kalvarin e përgjatë 13 vjetëve ku nuk u bë drejtësi për nipin e vet dhe këtë herë edhe pse beson pak, ka një shpresë. Tek SPAK. -Nëse çështja do të hetohet e plotë, thotë ai, do të dalë edhe motivi i vërtetë i vrasjeve. Për të mbajtur pushtetin me çdo kusht e çmim. Vrasjet e 21 Janarit një fije e hollë i ndan nga krimet kundër njerëzimit. Të shtënat drejt turmave të pafajshme dhe vrasjet për arsye politike janë krim kundër njerëzimit.

Tek ai nuk ka doza hakmarrjeje. Por nuk harron të thotë se sa e rëndë është për familjen e tij kur sheh që i bëjnë moral prej 13 vjetësh në parlament njerëz të implikuar në vrasje.

Xhaxhai i Aleks Nikës ka dy shtete. Një shtet të Sali Berishës dhe një shtet të Edi Ramës.

Shteti i parë i vrau nipin. Dhe jo vetëm e vrau, po u mundua me çdo kusht e mjet ta fshihte si vrasje ordinere dhe pa autor.

Shteti i dytë e qau. Vetëm e qau. As Aleksit, as tre dëshmorëve të tjerë nuk mjafton tu bësh ritualin e luleve cdo vit aty ku derdhën gjakun e ranë. Shpagimi bëhet vetëm me drejtësi. Kur drejtësia është e padrejtë, ky term nuk mund të ekzistojë.

Strasburgu, edhe pse ne i dinim, na ka bërë me dije se si kryeministri i kohës sulmoi prokurorinë dhe nuk zbatoi urdhërat e prokurorisë. Kaq mjafton, pa dashur të futemi ne terma juridikë, që çështja të rihetohet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Që shteti, çdo shtet, të zërë mend e të mos përsërisë kriminalitet të tillë. Që për arsye politike si kjo dhe më tej, asnjë prind të mos mbetet pa fëmijë, asnjë fëmijë të mos mbetet pa baba, asnjë grua të mos mbetet pa bashkëshort, asnjë xhaxha të mos mbetet pa nip. Këtë kërkon dhe Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Namdi: 20/11/2023 10:46

    Sigurisht qe po te hetohet do dale e verteta. E vertete qe con ne burg Berishen si pergjegjes per nxitje te vrasjeve, dhe Ramen si organizator kryesor qe permes dhunes dhe vrasjeve ngriti dhe abuzon me pushtetin e tij korruptiv edhe sot.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    7 Dhjetor, 15:58

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?



×

Lajmi i fundit

Nga shëndeti i zemrës te humbja e peshës si ndikon ecja në shëndetin tuaj

Nga shëndeti i zemrës te humbja e peshës si ndikon ecja në shëndetin tuaj