E rëndë në Fushë-Kosovë, motra dyshohet se mbyti motrën me jastëk

Foto ilustruese

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kosovë. Një 33-vjeçare nga fshati Vragoli i Fushë-Kosovës, dyshohet se është mbytur me jastëk nga motra e saj. Mediet kosovare raportojnë se ajo është mbytur me jastëk nga motra e saj rreth tri vite më e vogël.

Të njëjtat burime theksuan se dy motrat dhe anëtarët e tjerë të kësaj familjeje dyshohet se kanë probleme mendore. Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës, e sipas informacioneve të para bëhet fjalë për vdekje të dhunshme.

“Rreth orës 12:00, kemi marrë informacionin për një rast vdekje e dyshimtë, në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjentë, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës femër 33 vjeçe. Mbështetur në të dhënat fillestare të këqyrjes së vendit të ngjarjes përkundër që ka elemente që sugjerojnë për një vdekje të dhunshme, policia me kujdes të shtuar po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka njoftuar policia.

Edhe prokuroria ka reaguar lidhur me ngjarjen ku  në njoftim thuhet se e dyshuara që vrau motrën e saj, është arrestuar nga policia. 

"Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ju njofton se pas pranimit të informatës nga policia për raportimin e një vdekjeje të dyshimtë në fshatin Vragoli-Fushë Kosovë, prokurorja kujdestare e Departamentit të Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë tjera relevante, ku aty është konstatuar një person (i gjinisë femërore) pa shenja jete.

Sipas dyshimeve fillestare nga kjo ngjarje dyshohet se viktima është privuar nga jeta nga motra e saj, e cila me urdhër të prokurores kujdestare është dërguar në mbajtje dhe ndaj të njëjtës do të ndërmerren masat e nevojshme brenda afateve ligjore. Ndërsa, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Prokurori i Shtetit, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës", thotë prokuroria.

Be.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A bënë zgjedhjen e duhur demokratët duke konfirmuar Lulzim Bashën në krye të PD-së?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Logjika e Bashës në 2019 e bën humbës në zgjedhjet brenda PD-së, shumica ka qene kundër tij