Edhe gaforret edhe zogjtë vriten për territor

Edhe gaforret edhe zogjtë vriten për territor

Pamje nga vendi ku ndodhi masakra në Velipojë

Krimet dhe vrasjet nuk janë vetëm punë shqiptarësh. Përpara se të ndodhnin dy tragjeditë, ajo e vrasjs së një familjeje të tërë në autostradën Levan- Vlorë dhe kjo e përplasjeve me armë mes dy familjesh në Velipojë, ne të gjithë ngryseshim e gdhiheshim me telenovelën tragjike të vrasjes makabre që një pilot grek i bëri bashkëshortes së tij angleze duke e mbytyr me jastëk në gjumë.

Vrasja dhe krimi nuk kanë as kombësi, as etni, as ngjyrë dhe as seks. Ato janë krime që i bëjnë njerëzit kundër njerëzve. Për fat të keq, historia  njerëzore, është e shenjuar më shumë nga luftërat sesa nga paqja. “Of the past 3,400 years, humans have been entirely at peace for 268 of them, or just 8 percent of recorded history – në 3400 vitet e fundit, njerëzit kanë jetuar tërësisht në paqe vetëm 268 prej tyre”. -thotë Chris Edges në një artikull në New York Times në vitin e largët 2006 në kapitullin e parë të librit  '”What Every Person Should Know About War”. Periudha e fundit, pra, nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e këtej, megjithë konfliktet dhe luftërat lokale apo rajonale çmohet si më paqësorja. Megjithatë njeriu bëhet vrasës për njeriun dhe ai vijon të jetë armiku kryesor i tjetrit dhe i natyrës.

Mirëpo nëse sheh natyrën e krimeve në Shqipëri dhe sidomos nëse vështron vdekjet e fundit në aksidente dhe ato që kryhen për motive të dobëta, siç thuhet, vëren se të gjitha lidhen me territorin. Ne shqiptarët ende nuk e kemi mësuar se vendi ku jetojmë është dënimi që kemi marrë qysh se lindëm këtu që ta ndajmë atë me njëri-tjetrin në paqe, se në vetëdijen tonë duhet të ngulitet thellë ideja që në këtë territor nuk jemi vetëm ne, por jemi të gjithë bashkë dhe atë duhet ta ndajmë me paqe dhe jo me luftë.

Në librin e tij “12 Rregullat për jetën” Xhordan Peterson në kapitullin e parë bën një vëzhgim interesant dhe vëren se lufta për territorin nuk është vetëm një çështje e njerëzve. Ajo përbën një konflikt të vazhdueshëm edhe te kafshët. Gaforret që jetojnë në tabanin e oqeanëve kanë miliona vjet që jetojnë me këtë konflikt dhe e kanë zgjidhur atë. Në pranverë, ndërsa ne të gjithë mrekullohemi me këngën e zogjve që kthehen, në fakt, ne harrojmë se kënga e tyre apo këngët e tyre janë klithma ndeshjesh dhe grindjesh për territor, pra ata po stabilizojnë hapësirën mes tyre. E kafshët e kanë zgjidhur këtë konflikt. Ato e dinë se janë të dënuara ta ndajnë territorrin dhe të jetojnë së bashku. Kështu vëren në kapitullin e parë të librit Peterson.

Po te ne çfarë po ndodh ? Nga pikëpamja antropologjike po rishfaqet në mënyrë kriminale një nga dobësitë më të mëdha të shqiptarëve që është kryelartësia, mburrja dhe guximi apo trimëria individuale për ta sfiduar tjetrin jo me urtësi por me dhunë.  Ai djali 22 vjeçar që drejtonte Audin Q8 me 1500 kuaj fuqi është simboli i kotësisë shqiptare dhe i vanitozit kriminal. Ai është modeli që kemi ndërtuar këto vite përmes narrativave konsumiste dhe arrogante që i shfaqim në televizione e në rrjetet sociale. Pak kohë me parë, kur u shfaqën videot e kryegjyqtares së Elbasanit që performonte në zyrat e Gjykatës, pati edhe nga ata opinionistë që nuk i dhanë rëndësi muzikës që ajo dëgjonte dhe shkeljes së etikës, por thanë që duhet parë si e ka realizuar detyrën. Pikërisht ky mentalitet ushqen modelin arrogancës dhe të krimit që të vret me anë të dhunimit të shfaqjes. Gjyqtarja që dëgjonte këngën “Mafia mafia” apo “kallash kallash”, ky djali që i turret autostradës me 150 km në orë dhe merr përpara një familje të tërë nuk e kanë vetëdijen se territori ku ata jetojnë nuk është vetëm i tyri, por ai duhet ndarë edhe me të tjerë. Mentaliteti i këtij modeli është sfida dhe mendjemadhësia, ideja kriminale për të rënë në sy dhe për t’iu imponuar tjetrit me forcën që ka luksi i parasë. Në atë territor ku ai jeton dhe në atë rrugë ku ai shkel asgjë tjetër nuk duhet të ekzistojë ose edhe nëse ndodhet aty ai do ta shkelë dhe pastaj nëse do të duhet të japë llogari në gjykatë, atje do të gjejë modelin e vet, do të gjejë gjyqtaren që bën paradë mode me këngën « Mafia mafia » e cil këngë nuk është çudi të ketë qenë në bokset e audit që mund ta ketë çuar në ekstazë atë ditë kur ecte si i çmendur dhe vrau një familje të tërë.

Kur mendon se Shkodra ka pasur që në shekullin e XIV dy Statute një i Drishtit dhe një i Shkodrës, që rregullonin jetën politike fetare ekonomike e sociale me kode të përcaktuara qartë, që nuk i kishin as shumë qytete-shtete në Europë, të vjen keq kur sheh se si është katandisur sot ai qytet. Krimi dhe vrasja për një fjalë goje, heqja dorë nga institucioni i fjalës dhe dialogut dhe zgjidhja e çdo mosmarëveshjeje me plumb e me vdekje, e ka bërë këtë qytet një fantazmë dhe një hije të asaj Shkodre që njohim nga historia.

Krimi dhe vrasja për territor nuk është vetëm problem i Shkodrës. Ai këtu shpërtheu në mënyrën më të vrazhdë dhe shenjoi një viktimë të pafajshme. Një djalë vetëm 20 vjeç vdiq nga kjo barbari dhe në xhep kishte vetem 30 lekë.

Fenomene të tilla të rënda dhe rritja e kriminalitetit në mënyrë tragjike siç po ndodh te ne me vdekjet në rrugë dhe me vrasjet për territor, kanë nxjerrë vërtet në pah defekte të rënda të shfytyrimit tonë moral, por shoqëritë e shëndosha reagojnë dhe gjejnë zgjidhje. Për fat të keq ne kemi një klimë politike të tensionuar. Të mos harrojmë se vetëm para dy muajsh në mes të Elbasanit një komando politike e PD-së vrau qytetarin Pjerin Xhuvani dhe asnjë prej drejtueve të lartë të PD-së nuk u distancua nga ky krim. Gjuha e dhunës dhe nxitja e luftës ka qenë konstantja e retorikës së opozitës te ne. Në anë tjetër, edhe qeveria nuk ka mundur të ndërtojë një klimë më të mirë dhe të vendosë rregull në territor. Në disa raste modelet e mburravecëve, paaftësia dhe korrupsioni dhe lufta selektive për të vënë rregull ka krijuar një acarim të ndjeshëm te një masë e madhe e publikut. Qeveria nuk duhet ta lërë territorin si mall pa zot dhe ta bëjë atë gjah për më të fortët. Edhe në ato bashki ku ajo nuk ka kontroll, ajo ka mekanizma të tjera që të vendosë rregull. Është e paimagjinueshme se si mund të vriten dy familje për të rrëmbyer një pronë që na përket të gjithëve. Si ka mundësi që ato dy familje në Shkodër nuk e dinë që ai territor, ajo rërë, ai plazh dhe ai det janë tonat dhe nuk mund të vriten ata që t’ia rrëmbëjnë njërit-tjetrit. Mirëpo ai plazh në Pulaj është simboli i gjithë territorit shqiptar në bregdet që është zaptuar dhe zaptohet nga të fortët dhe banditët tash 30 vjet. Deri tani shteti nuk ia ka dalë që të bëhet zot i ambienteve publike dhe të na tregojë të gjithëve se në qoftë se ne nuk dimë ta ndajmë hapërsirën publike në paqe dhe në harmoni, atëhere ai të na tregojë forcën. Mirëpo forcën e tregon një shtet që na përfaqëson të gjithëve jo një shtet që përfaqëson frikën nga të fortët dhe nga të korruptuarit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë