Edhe Luli thoshte ‘kur të vijë Shtatori....’

Edhe Luli thoshte ‘kur të vijë Shtatori....’

Lulzim Basha

Të gjithë po presin me “sytë” nga Shtatori. Presin çfarë do të ndodhë në Shtator, kur opozita e Sali Berishës ka premtuar se “do të rrëzojë Edi Ramën, qeverinë, dhe do të bëjë zgjedhje të reja”. Shqiptarët në 8 vjet, dëgjuan nga Lulzim Basha se “sa të vijë Shtatori, ke për të ikur Edi Rama”. Apo dhe se “Shtatori fundi këtij regjimi”. Shtatorët erdhën, qëndruan dhe ikën, dhe Edi Rama, qeveria dhe Partia Socialiste, as u rrëzuan, as ikën, madje u bënë më të fortë.

Shtatorët dhe “shtatoret” e opozitës, mbeten gallata më e madhe, dhe tallja më e turpshme e opozitës së Bashës dje, dhe ajo e Sali Berishës sot, me demokratët. Edhe Luli, dikur thoshte “sa të vijë vjeshta, sa të shkelë Shtatori, dhe do të shihni kush është opozita”.

Duket se në Partinë Demokratike, Shtatorin, e kanë muajin e tyre. Ndoshta ndodhin gjëra të pabesueshme brenda tyre, por kjo nuk mund të ndodhë edhe me qeverisjen e vendit, apo me kryeministrin e ligjshëm që ka sot vendi. Sali Berisha natyrisht ka bërë “llogari” të tjera, ndryshe nga ajo e Bashës me Shtatorin. Mendon ndoshta të mbledhë të pambledhurit, dhe ti drejtojë si kamikazë drejt Kryeministrisë, duke ndezur flakë bulevardin, për të shpëtuar veten nga ndëshkimi i SPAK.

Ish-lideri historik i asaj partie, kërkon me ngulm pushtetin, madje nuk ndalet të ndërsejë turmat e mbetura drejt institucioneve, pasi shikon “re të zeza” mbi oqean. Partia Demokratike është marrë përfundimisht peng, dhe po trajtohet si një plaçkë e përdorur nga Sali Berisha.

Duke larguar me lezet të rinjtë, ata që mblidhte deri para se të bëhej kryetar, si dhe duke afruar me nxitim “xhaketat e vjetërsuara”, ata që janë “njolla të murrme” për atë forcë politike, ai mendon të përdorë selinë dhe partinë si bunker mbrojtës. Lajmet që vijnë nga selia e asaj partie janë drithëruese. “Nuk preket Berisha, po guxuat do ta ndezim flakë Tiranën”- shprehen pjesa më radikale e asaj partie. Kaq mjafton të thuash se “ajo parti nuk bën as opozitë, dhe nuk përfaqëson asnjë opozitar”.

Kërcënimet me djegie dhe shkatërrime, janë tipare të partive ekstremisht të majta, me liderë komunistë. Por mendoj se, Berisha “do ti thërrasë rradakes”, dhe nuk do të guxojë të nxisë dhunën dhe shkatërrimet në ato që i quan “protesta të fuqishme”. Pushteti merret dhe lihet me votën e lirë në demokraci. Dhuna dhe thirrjet antikushtetuese për të realizuar skenarë destabilizimi, janë objekte hetimi në çdo rast për organet e reja të drejtësisë.

Megjithatë, Shqipëria nuk është më, ajo e 1998, as e 2001, apo dhe 2019, kur opozita destruktive shqyente dyert e kryeministrisë, dhe turmat që drejtoheshin nga ai, që sot kërkon të japë leksione “demokracie”, shkatërronin institucionet.

D.GJ/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet