Edi Rama, kryeministri shqiptar që dashuron Italinë falë basketbollit

Edi Rama, kryeministri shqiptar që dashuron Italinë falë basketbollit

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ka marrë vëmendje të madhe ditët e fundit në Itali, pas vendimit për të dërguar në zonën më të nxehtë të vendit fqinj 30 mjekë dhe infermierë. Një vendim i përshëndetur nga gjithë italianët, të prekur nga ky gjesti, ku Rama mes më tjerash ka theksuar: “Italia është shtëpia jonë. Shqipëria nuk e ka memorien e shkurtër”. Një fjali që në Itali ka bërë bujë dhe shtypi i ka kushtuar vëmendje maksimale.

Gazetari Lorenzo Rigamonti i “Eurosport” ka sjellë një profil ndryshe të kryeministrit Edi Rama, si ai është dashuruar me Italinë falë basketbollit, sportit që ka ushtruar në rininë e tij. Ja dhe artikulli i plotë:

Është data 29 mars, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dërguar një skuadër prej 30 mjekësh në mbështetje të sistemit sanitar italian që po lufton kundër Koronavirusit. Një gjest i admirueshëm solidariteti që ka pushtuar të gjitha faqet e para të shtypit, por pak e dinë se dashuria e kryeministrit shqiptar për Italinë nis që kur ekipi i basketbollit, Skavolini Pezaro, vizitonte Partizanin në Kupën e Kampionëve.

Ishte 3 nëntor 1988, kur hije gjigante qëndronin pas portave të Shqipërisë. Ishin rreth 15 lojtarë, me në krye trajnerin Valerio Biankini. Skavolini Basket ulej në aeroportin e Tiranës për të luajtur ndeshjen e parë të Kupës së Kampionëve të historisë së vet kundër Partizanit.

Ekipi italian kalonte Adriatikun dhe shihte përreth një botë të panjohur. Duhej pak mprehtësi për t’u përgjigjur me diplomaci disa çështjeve që i ndanin nga tapeti i basketbollit. Mes atyre fytyrave të ashpra të një Shqipërie komuniste, binte në sy një djalosh i ri, i gjatë dhe i sjellshëm. Quhej Edi Rama dhe ishte përkthyesi i skuadrës. Fliste një italishte të rrjedhshme, që ishte refleksi minimal për pasionin e tij të spikatur për kulturën.

Biankini e kujton kështu: “U surprizova jo pak në Tiranë, sepse zakonisht shoqëruesit tanë në vendet lindore ishin agjentë të sigurimeve sekrete, pak a shumë si personazhe filmash. Djaloshi, përveçse i pasionuar pas basketbollit dhe që dinte gjithçka për kampionatin italian, ishte brilant në bashkëbisedim. Kaloi shumë orë me mua dhe u bëmë miq menjëherë”.

Ndeshja në shtëpinë e komunizmit

Ishin vitet e arta të Skavolinit, e udhëhequr nga dyshja amerikane Daye-Cook. Por ata djem amerikanë as që e kishin idenë se çfarë ishte komunizmi para se të kalonin Adriatikun. Mjaftoi një shëtitje në Tiranë për të kuptuar se sa një ideologji politike mund të ndikojë në një vend. Bashkimi Sovjetik i Gorbaçovit kishte ndikimin e vet, dyert ishin të mbyllura dhe ende u thureshin lavde Leninit dhe Stalinit. Luçiano Murxhia i kujton kështu ato momente. “Ishte një territor i mbushur me bunkerë lufte prej çimentoje. Shqipëria komuniste dukej sikur ishte gati për të luftuar pushtimin e armikut”.

Një panoramë gri, mjegull dhe pluhur. Në mes Edi Rama, i cili ishte e kundërta e atij konteksti. Vetëm se nuk mund ta thoshte, akoma jo. Dashuria e tij për Italinë fillon pikërisht ato vite. Shumë e shpjegojnë si një tërheqje ndaj trashëgimisë artistike të vendit tonë, por ne na pëlqen të mendojmë se afeksioni i tij nis pikërisht atë ditë, në dyert e Tiranës, falë basketbollit. Ishte një Skavolini super, që e mundi Partizanin 84-72, ndërsa pas ndeshjes u dhuroi vendësve këpucë dhe fanella.

Diçka që shqiptarët nuk e kishin parë më parë. Ndryshe nga ajo që ishin mësuar dhe që kishte një domethënie tjetër. I bënte të ndërronin. Shqipëria e asaj kohe ishte e mbushur me djem të rinj si Edi, që ëndërronin Italinë në heshtje, pa ua thënë më të vjetërve.

Pak vjet pas ndeshjes me Skavolinin, në 1991-shin, një eksod i dimensioneve të papara më parë drejt brigjeve italiane të Adriatikut. Shqiptarët vinin në grupe pa pushim dhe qytete si Brindizi dhe Bari i pritën me krahë hapur. Ndoshta edhe Biankini do të kishte dashur të priste në shtëpinë e tij përkthyesin, me të cilin u bë mik në Tiranë. Ai kujton mirë momentet e takimit të ndarjes në aeroport: “Më dhuroi një portret të një fëmije të pikturuar prej tij, me veshjet e folklorit shqiptar. Në sy kishte një trishtim të madh, një dëshirë të madhe për të ardhur me ne.”

Ajo në fakt nuk ishte një lamtumirë, por një mirupafshim. Sepse 20 vite më pas Edi Rama do ta priste trajnerin e Pezaros në Tiranë, në zyrën e tij si kryebashkiak. Aty muret ishin pikturuar me ngjyra të ndezura, ndërsa në hyrje, eh aty ishte një kosh basketbolli. Tirana e sotme duket sikur ka lindur nga ajo zyrë. Shumë ndërtesa të kohës së komunizmit janë lyer me ngjyra brilante.

Një qytet i pastruar nga abuzimet, nga droga dhe rrënojat e regjimit. Na pëlqen ta përmbledhim aksionin politik të Ramës me një fjalë të vetme: ngjyra. Ngjyra në rrugë, parqe dhe pallate. Janë hequr ndërtimet abuzive që mbulonin lumin dhe janë zëvendësuar me pemë. Kjo është një pjesë e trashëgimisë së Edi Ramës, që në jetë ka qenë pak nga të gjitha: basketbollist, piktor, politikan.

I rritur nga një baba skulptor dhe nga një nënë e diplomuar në mjekësi, në kohën e adoleshencës u lidh pas topit të basketbollit. Në Shqipëri e kujtojnë si një lojtar të talentuar të Dinamos. Pas takimit me Skavolinin, ai shkoi në Francë, ku themeloi një lëvizje kundër regjimit. Në atë kohë studionte për art dhe veprat e tij dalloheshin për përdorimin e lirë të ngjyrave, të denja për në muzetë francezë e deri te Bienalia e Venecias.

Ato tablo të ngjyrosura dhe të varura në mure dukej sikur përmbanin pak nga shpirti i të rinjve shqiptarë si ai, të cilët në ato vite po mësonin të mos kishin frikë të ndërronin për atë që ishte jashtë skemave të ideologjisë dhe jashtë kufijve të vendit të tyre. Janë dizenjo të mbushura me ngjyra ato të Ramës, që duket sikur të ngrenë kokën dhe të bëjnë të fantazosh. Ndoshta tabloja që shtyu Edi Ramën të ëndërronte për herë të parë ishte ajo që u materializua në parketin e Tiranës, ajo me kanatieret e kuqe të Skavolinit.

Shqipëria nuk e harron Italinë

Tani hijet gjigante janë në dyert e Italisë. Nuk janë 15 si lojtarët e Biankinit: Edi Rama, si kryeministër i Shqipërisë, ka dërguar dyfishin. E di që Italia është treguar e mirë me të dhe bashkëkombësit e tij, kujton gjithashtu edhe ëndrrën e tij të parë që ndryshoi botën e tij.

Por sot, Italia që Edi Rama sheh është ajo me rrugët bosh dhe shtëpitë e mbyllura. Vuajtja e një populli nuk mund të ketë ngjyrë. Ngjyrat i sjell Rama, ato që i quan “forcat e bardha” janë 30 mjekë shqiptarë që do të ndihmojnë për të luftuar emergjencën ndaj Koronavirusit. Nga i njëjti aeroport i 32 viteve më parë, Edi Rama i drejtohet Italisë:

“E di që dikujt këtu në Shqipëri do t’i duket e çuditshme që 30 mjekë të armatës sonë të vogël të shëndetësisë do të nisen sot për në vijën e parë të zjarrit në Itali. E di që 30 mjekë dhe infermierë nuk do ta zgjidhin raportin mes forcës vrastare të armikut të padukshëm dhe uniformave të bardha që po e luftojnë në anën tjetër të detit. Por di që atje është shtëpia jonë që kur Italia dhe motrat dhe vëllezërit tanë italianë na kanë shpëtuar, na kanë mirëpritur në shtëpitë e tyre kur Shqipëria përjetoi një dhimbje të fortë.

Po luftojmë të njëjtin armik dhe burimet tona njerëzore dhe logjistike të luftës nuk janë pa limit, por sot nuk mund t’i mbajmë forcat tona në pritje, ndërkohë që në Itali, ku po kurohen në spitale edhe shqiptarët e prekur nga virusi, kanë nevojë të madhe për ndihmë. Është e vërtetë që të gjithë janë mbyllur brenda kufijve të tyre, edhe vende të pasur u kanë kthyer shpinën të tjerëve, por ndoshta ngaqë nuk jemi të pasur dhe me memorie të shkurtër, nuk mund t’ia lejojmë vetes që të mos i tregojmë Italisë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi.

Askush nuk mund të fitojë i vetëm. Dhe ju pjesëtarë kurajozë të këtij misioni për jetën po niseni për një luftë që është edhe e jona. Sot jemi të gjithë italianë. Italia duhet ta fitojë këtë luftë edhe për ne, për Europën dhe botën mbarë. Zoti i bekoftë të gjithë!”

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben Tironci: 01/04/2020 16:29

    Lorenzo Edi dimbolizon te rene te ardhmen qytetarine vizionin nelufte te vazhdueshme me shpellsret e Berishes e minjte e gjitizeve te Lanes si per ironi keto gjitize kane mavri Petrit Vasilin menaxher

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë