Rama letër të pestë Bashës: Meqë keni protestë më 31 Maj, e shtyjmë mitingun e fushatës më 1 Qershor!

E ka nisur me një vlerësim për protestën e mbrëmshme të opozitës joparlamentare kundër tij, letrën e pestë publike me thirrje për dialog ndaj Lulzim Bashës, kryetarit të Partisë Demokratike. Kryeministri Edi Rama vlerëson faktin që protesta u mbajt paqësisht, dhe e sheh këtë si një hap domethënës pas.

Teksa pas tubimit, lideri demokrat shpalli 31 majin ditën e protestës së radhës, në të njëjtën ditë me çeljen zyrtarisht të fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama, thotë se shtabi elektoral i partisë Socialiste ka vendosur të shtyjë më 1 qershor mitingun e çeljes së fushatës. "Kollaj, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë", shkruan Rama.

Kreu i qeverisë, në letrën e pestë publike ndaj Bashës, thotë se njëjtë siç po pakësohen ndjekësit e protestave të opozitës, njëjtë po "firojnë edhe shanset për dialog mes tij dhe liderit demokrat".

"Mos gënjeni veten më tutje i dashur Lulzim, koha po mbaron dhe mbytja e anijes Suaj sapo ka filluar. Ka ende një mundësi të vogël për Dialog përpara se sa vetë ndjekësit Tuaj, t’Ju flakin të parin në ujrat thithës ku e keni futur qorrazi atë anije", - shkruan Rama.

Kryeministri thotë se opozita nuk ka arritur asgjëkundi me vendimet e saj të fundit, pasi jeta parlamentare po vijon edhe me djegin e mandateve dhe qëveria po njësoj po punon.

Kreu i qeverisë shkruan se kanë mbetur edhe pak ditë deri nga nisja e fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, dhe teksa opozita - siç ai shprehet - kërkon që "qielli ta përpijë përmes balonave që merrnin me vete në qiell parrullën e lodhur “Rama ik", mazhoranca do të nisë fushatën.

Shefi i mazhorancës thekson edhe një herë se data e 30 qershorit "sepse Kushtetuta e Republikës sonë nuk lejon askënd t’i shtyjë, kurse ligji dënon rëndë këdo që prek qoftë edhe një kuti votimi". Ishte presidenti Meta shprehu gatishmërinë për të shtyrë datën e zgjedhjeve nëse ka vullnet politik duke dorëzuar edhe mandatin e tij për zgjidhjen e krizës.

Letra e pare per Bashen

Letra e dyte e kryeministrit

Letra e trete publike per Bashen

Letra e katert publike

Letra e peste publike per Lulzim Bashen

Zoti Kryetar,

në radhë të parë sinqerisht përgëzime për mbrëmë, sepse pavarësisht bojëhedhjes mbi mure që e keni cen fiziologjik si parti, kalimi nga kapsollat e molotovët, tek balonat dhe dritat e celularëve ishte një hap domethënës mbrapa!

Por siç edhe me siguri e vutë re vetë, karvani i fitores Suaj imagjinare po firon pak e nga pak, çdo herë që sos në Tiranë dhe siç e kuptoni, njëkohësisht po firojnë edhe shanset e Dialogut mes nesh. Koha e mbetur drejt ditënisjes zyrtare të fushatës së 30 qershorit po tretet me shpejtësi, e bashkë me të po jep shpirt të them të drejtën edhe shpresa ime e vobektë, se në dyllin e veshëve Tuaj mund të hapet një vrimë.

Sidoqoftë shpresa vdes e fundit dhe ja ku jam, unë përsëri, në kërkim të Dialogut me Ju për të bërë timen deri në fund kundër kësaj historie të pakuptimtë, të shëmtuar e dëmtore për vendin tonë të përbashkët. U bënë muaj që vini vërdallë, bashkë me punonjësit e bashkive blu e me ca katranë me bojë, duke goditur Shqipërinë ndërkombëtarisht dhe ngritur pikëpyetje të madhe tek miqtë europianë, lidhur me çeljen e negociatave me Bashkimin Europian; duke cënuar veprimtarinë ekonomike të vendit dhe turizmin në veçanti; duke trazuar një popull të tërë me hallin absurd se çfarë do të ndodhë e çfarë do të digjet kur të sosni në Tiranë herën tjetër...

Përveç këtyre sukseseve, që mund t’i thelloni më tutje nëse e vijoni këtë avaz dhe rënies së mëtejshme të mbështetjes së grupimit Tuaj politik, çfarë keni arritur ose mund të arrini tjetër apo le të dalë ku të dalë?

Parlamentin e keni ndaluar dot të funksionojë normalisht? 
Jo, madje në seancat e të enjtes ka më shumë prezencë në anën e djathtë të sallës, se sa ç’kishte deri kur Ju e braktisët.

Qeverinë e keni ndaluar dot të vazhdojë punën normalisht? 
Jo, madje e vërteta është se edhe të enjten, që na e kishit imponuar si ditë për lojë luftash, kur duhet të merreshim me baltën, çizmet, bojën, glasat e vezët Tuaja në Kuvend, e kemi ditë kuvendore normale.

A mos vallë më keni larguar mua dot? 
Po, kjo po, më keni larguar mbrëmë me balonat që merrnin me vete në qiell parrullën e lodhur “Rama ik”, nën tingujt ëngjëllorë të vuvuzelëve të paqes, teksa pllaka e gramafonit Tuaj rilajmëronte fundin e afërt të tiranisë me përkrahjen mbarëbotërore për largimin tim drejt qiellit, kurse fallxhorja Juaj i rrëfente popullit se në një filxhan amerikan ishte iluminuar mbi dhunën, që Zoti e dënon si shembëlltyrë të Djallit!

Gjithësesi, pa u zgjatur me çka Ju kam stërshpjeguar nga ana ime në katër letrat e mëparshme, shoh të udhës të nënvizoj si vijon:

E para, nëse nuk ulemi në Tryezën e Dialogut edhe këto pak ditë që kanë mbetur, Ju mund të vazhdoni të lëshoni balona e të ndizni dritat e celularëve të shpresës se qielli do më përpijë mua, njësoj balonat dhe nga qielli bum, do bjerë dhuratë për Ju fitorja që me votë meazallah se e arrini dot. Vazhdoni po deshët deri në qershor 2021, me këtë ritual grotesk të fushatë - protestave seriale kundër zgjedhjeve, me frikën nga drejtësia si karikues për bateritë tuaja. Ndërsa ne, thjesht do të nisim e do të zhvillojmë fushatën e zgjedhjeve vendore, do t’i marrim bashkitë e braktisura prej jush se meqë i latë ju, s’mund t’i lemë edhe ne rrugëve dhe do të vazhdojmë të qeverisim, me të gjitha bateritë e karikuara për katër vjet, deri në qershorin 2021.

E dyta, zgjedhjet e 30 qershorit nuk i shtyn dot askush ndër ne dhe as i pengon dot askush mbi këtë dhe! Sepse Kushtetuta e Republikës sonë nuk lejon askënd t’i shtyjë, kurse ligji dënon rëndë këdo që prek qoftë edhe një kuti votimi. E meqë ra fjala, ata miqtë gjermanë të Shqipërisë në partinë Tuaj simotër, bëni mirë t’i dëgjoni kur Ju sugjerojnë dialog pa kushte, e jo të abuzoni publikisht për të çoroditur dynjanë, duke spekulluar me opinionet e tyre krejt miqësore! Se jo për gjë po ja, erdhi dita kur 61 kandidatët e mijëra këshilltarët e Partisë Socialiste do të jenë në Tiranë, për t’i rënë gongut të vrapimit drejt 30 qershorit dhe pastaj s’mbetet asnjë mik në botë, që të harxhojë më kohë as për opinione miqësore.

E treta dhe e fundit, mos mendoni Ju lutem për asnjë moment se 30 qershori nuk do të vijë apo do të kalojë pa zgjedhje. Një dritëshkurtësi e tillë mund t’i lejohet udhëheqësit Tuaj të currufjasur, i cili zhubravitet papushim nga mllefi i patretshëm qysh prej ikjes nga pushteti me 1 milionë shpulla dhe cfilitet përditë, nga tmerri i pangushëllueshëm i trokitjes së drejtësisë në derë. Po kjo s’ka si t’Ju falet Juve që të nesërmen e 30 qershorit, do të gjykoheni nga ndjekësit Tuaj për se si ka mundësi, që i dorëzuat pa betejë elektorale tërë bashkitë e Shqipërisë! E aty pastaj kam frikë se edhe tërë pasojat e xhindosjes së atij marroqit dixhital ndaj meje e Partisë Socialiste, do t’i hani Ju si fajtori i madh i një disfate katastrofike.

Mos gënjeni veten më tutje i dashur Lulzim, koha po mbaron dhe mbytja e anijes Suaj sapo ka filluar. Ka ende një mundësi të vogël për Dialog përpara se sa vetë ndjekësit Tuaj, t’Ju flakin të parin në ujrat thithës ku e keni futur qorrazi atë anije.

Edi Rama

Post Scriptum: Meqë lajmëruat grumbullimin e radhës në 31 maj, shtabi ynë elektoral vendosi ta spostojë në 1 qershor mitingun e çeljes zyrtare të fushatës - kollaj, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë:-)

26 maj, 2019

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Donela: 27/05/2019 14:52

    Le ta degjoje pak Europa Lul Kengetarin ne Himnin Kombetar,le ta degjoje idiotin qe don te behet kengetar me zor,le t'ja degjoje zerin e bilbilit

    Përgjigju
  • Berti: 26/05/2019 22:12

    Boll me letra dhe leshime Lul Kryemadhit dhe Sali Metes. Po tallesh me ata qe te votuan se pazaret i beni te mbyllura jo te hapura.

    Përgjigju
  • Labi: 26/05/2019 15:30

    Zoti kryeminister și e ke filluar ți Me letra m duket se do ngelesh pa fletore e stilolapes hahahahahah.po ca meresh Me luli cerrin e sălaș

    Përgjigju
  • Naimi: 26/05/2019 13:48

    Lulaqi i shkrete ka rene jo midis dy por me shume zjarresh hallin me te madh e ka me Karpushinin qe mesa duket edhe ky po e le ne mes kater rrugeve.

    Përgjigju
  • Korrigjuesi: 26/05/2019 13:18

    Edhe pse letra ka vlerën e saj të padiskutueshme, mirë është që të korrigjohet përpara se të dalë për shtyp për të evituar një sërë gabimesh drejtshkrimore, si më poshtë vijon: Nuk ka fjalë dëmtore, por mund të thuhej “të shëmtuar dhe të dëmshme…” cënuar shkruhet pa ë- cenuar/ parrullën shkruhet me një r -parullën/ ëngjëllorë shkruhet me e- engjëllorë/ shembëlltyrë shkruhet me ë- shëmbëlltyrë gjithësesi shkruhet pa e- gjithsesi spekulluar shkruhet me një l- spekuluar cfilitet shkruhet me s- sfilitet ujrat shkruhet me ë-ujërat themi ditë kuvendare dhe jo kuvendore KUVENDAR m. Ai që merr pjesë në një kuvend; anëtar i kuvendit të burrave. U mblodhën kuvendarët. KUVENDAR mb. 1. Që është i gojës, që di ta mbajë bisedën të gjallë, bisedar; që di të kuvendojë. Burrë (plak, djalë) kuvendar. 2. Përd. em. sipas kuptimit të mbiemrit. Kuvendar i madh. europian shkruhet evropian/ ditënisjes shkruhet me vizë ndarëse në mes ditë-nisje Dhe në hyrje të letrës, kur i drejtohemi personit pas presjes fjalia fillon me të madhe. Burimi ku të vërtetoni këtë e keni tek : "Akademia e Shkencave të Shqipërisë-Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë", 1980. Përdorimi i presjes në fjali, paragrafi 58: “Po kështu do të vihet presje pas fjalëve që shënojnë personin të cilit i drejtohemi (formulat e mirësjelljes), në letra etj. Të dashur miq, Po marr penën t'ju shkruaj... "

    Përgjigju
  • Free: 26/05/2019 12:00

    Edi Rama ese ka shokun dhe fati madh per ne qe ekziston Lul Basha qe kta te dy tna pijne gjakun. Ky akoma se kupton qe cfardo menxyre te jete opozita ajo eshte hallka qe mban sistemin demokratik ne funksion. Te dy kto parti jane nen funksion te vetes dhe oligarkeve dhe populli do bej si do bej dhe do zhduket ne emigrim. Vetem nje abstenim masiv ne votim do u jepte nje mesim te mire.

    Përgjigju
  • LORA: 26/05/2019 11:27

    Perfekte ne permbajtje argumentuese dhe me humor te shkelqyer.

    Përgjigju
  • VANGJUSHI PETROS E I XHINËS: 26/05/2019 11:25

    Bravo Edi Rama po tall allatet me lylin që është i tëri debil. Po helbete lyli pa shkoll pa dipllom 7×7=42. Mos ja vini re kaq di e kaq bën. Po ka dhe hallin e Reçit lyli ska qef me nejt në Reç lyli përç.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Kam lindur në Athinë, por jam patriot i atdheut tim': Mario Mitaj: Populli rus i thjeshtë dhe miqësor

'Kam lindur në Athinë, por jam patriot i atdheut tim': Mario Mitaj: Populli rus i thjeshtë dhe miqësor