Edi Rama, politikisht korrekt

Edi Rama, politikisht korrekt

Pas njoftimit të zyrës së Prokurorit të Specializuar që gjendet në Hagë se ajo zyrë do të ngrejë akuza të rënda për krime luftë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, kam  dëgjuar me shumë vëmendje e respekt Dr. Rudina Jasinin, eksperte së drejtës penale në Universitetin e Oksfordit në një lidhje të drejtpërdrejtë me Blendi Fevziun në emisionin « Opinion » dhe kam lexuar më pas edhe një shënim të saj me titull « Paradokset e Gjykatës Speciale »

Prej analizës së saj jam kthjelluar mbi gjithçka që ka të bëjë me atë gjykatë, me statusin e saj, me një lloj besimi gati të verbër që kemi ne shqiptarët ndaj atyre që i quajmë partnerë dhe, më në fund, arrita në përfundimin se ky veprim i prokurorit të specializuar është në vazhdën e një lloj politike denigruese që bëhet ndaj nesh, shqiptarëve, prej shekujsh dhe pa dashur të bie në konspiracionizëm, ky veprim të kujton cinizmin dhe ftohtësinë me të cilën në të shkuarën shumë sirtarë diplomatikë europianë kanë nxjerrë kohë pas kohe planet për t’i dëmtuar shqiptarët dhe për të mos i lënë që të ndërtojnë shtetin e tyre. Të tilla raste të bëjnë të kujtosh historinë dhe të sjellësh në vështrim faljen e tokave shqiptare Malit të Zi pas rënies së Perandorisë Osmane apo aneksimin e Kosovës dhe deri edhe masakrat mbi çamët dhe boshatisjen e asaj krahine të populluar me shqiptarë.

Kjo është ana historike e problemit dhe ajo që të tjerët na kanë bërë neve. Mirëpo, jemi në shekullin XXI, kanë rrjedhur shumë ujëra dhe shqiptarët, falë SHBA-ve, kryesisht, dhe BE-së, gjithashtu, arritën që luftën heroike të UÇK-së dhe rezistencën e aksionin politik të nisur me Rugovën e me plot patriotë të tjerë, ta finalizojnë me Pavarësinë e Kosovës. Fitorja e pavarësisë së Kosovës mund të shihet edhe si një kthim në të vërtetën e mohuar dhe si një abrogim i atij qëndrimi jo të drejtë që kishin mbajtur po ato vende europiane që firmosën bombardimin e Beogradit mbi 100 vjet më parë kur kishin nënshkruar aneksimin e Kosovës Serbisë.

Edhe kjo në vija të shkurtra është histori, është ajo që ka ndodhur. Më kujtohet titulli i një libri të Klintonit për ato ngjarje në vitin 2000 në mos gabohem : « Ne luftën, ju paqen».

Pikërisht te sjellja jonë në paqe mund të gjenden edhe ato dobësi të cilat pastaj bëhen lehtësisht të atakueshme nga një pjesë e mirë e politikës europianë që, për njëmijë e një arsye, ka një opinion jo korrekt për shqiptarët në Ballkan dhe në Europë. Të mos harrojmë se retë e vjetra të paragjykimeve etnike, religjioze e kulturore nuk janë shpërndarë ende nga qielli i Europës apo dhe më gjerë. Shihni se çfarë po ndodh sot në botë me lëvizjen antiraciste që shpërtheu në SHBA dhe që u përhap në gjithë globin.

Kjo lëvizje tronditi nga themelet edhe një pjesë të memories historike të Perëndimit duke skualifikuar nga hierarkia e kujtesës simbole të historisë së atyre vendeve. Vala e llahtarshme e shkuljes së monumenteve tregoi edhe njëherë se kujtesa historike nuk është një tekst i shenjtë, por një masë delikate që mund të shformohet sa herë që veprimet e një njeriu të vetëm, të një grupi apo edhe shteti shkelin ato parime që duket se janë të panegociueshme. Nga ana tjetër, kjo lëvizje tregoi se e shkuara ka ende shumë peshë në jetën moderne. Dhe ne, shqiptarët, sidomos, nuk duhet ta harrojmë këtë. Mirëpo, ne jo vetëm që nuk kemi nxjerrë mësime nga e shkuara, por sillemi edhe sot e gjithë ditën si reflekse dhe si njolla të errëta të saj.

Siç e dimë të gjithë, plaga më e madhe e jona ka qenë përçarja dhe dasitë. Komunizmi e çoi në absurd ndarjen klasore brenda kufijve të Shqipërisë dhe për fat të keq, edhe historia e re e Kosovës po dëshmon se edhe në atë vend ndarjet, hasmëritë, përçarjet janë tmerrësisht të thella. Unë vetë e di se sa e vështirë është të ndërtohet mentaliteti i atdheut, bindja se Shqipëria është mbi gjithçka, se vlerat e shqiptarëve dhe të Shqipërisë janë mbi çdo ambicie politike apo mbi çfarëdolloj ambicieje tjetër. Më kujtohet përsëri një rast tjetër që ka të bëjë pikërisht me këtë vetëdije. Miqtë tanë italianë, të cilët me historinë e tyre i kanë mësuar botës si të ushqehen, si të vishen dhe i kanë treguar njerëzimit vlerat më të mëdha në art, vijojnë edhe sot të jenë të paragjykuar, madje shpeshherë edhe jo të bashkuar si një entitet i madh.

Më kujtohet D’Alema në një rast kur ishte kryeministër dhe disa gazetarë në një bisedë i kërkonin se përse Italia nuk merr një peshë më të madhe si autoritet në BE ? Dhe ai u përgjigj pak a shumë kështu : Ne, italianët kemi shumë vlera, por ama nuk kemi arritur të ndërtojmë konstruktin : Italia mendon se… etj, etj. Kur çohet në Këshillin e Europës presidenti francez ai thotë : Franca mendon. Sepse ata e kanë arritur tashmë këtë mentalitet që janë Franca, ne, italianët ndjehemi akoma të ndarë në Jug e Veri, në rajone e komuna. Ne, italianët, jemi të parët që përçmojmë italianët e tjerë.

E ç’mund të thuash për Shqipërinë e Kosovën ? Hpaja dhe njohja jo vetëm që nuk na ka shërbyer që të afrohemi, por na ka bërë më agresivë me njëri-tjetrin. Qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë funksionojnë pa pushim dy kuzhina që prodhojnë helm, vrer e shpifje për Shqipërinë e Kosovën. Askush sa ne shqiptarët nuk ka prodhuar fake nwes e shpifje për qeveritë tona, duke menduar se kështu jemi liberalë, luajalë me Perëndimin dhe interesantë. Më kujtohet se edhe profesor Rexhep Qosja, para disa kohësh e kishte pikasur këtë shqetësim dhe në mos gaboj thoshte se atë që po i bën Shqipërisë media në Kosovë nuk ia bën as Serbia. Pa bërë asnjë verifikim ne kemi përcjellë në Perëndim imazhin se jemi vendi i kanabisit, i mafies, i vrasësve dhe i xhihadistëve.

Pikërisht për të gjitha këto që përmenda, personalisht në gjithë këta vjet e kam mbështetur dhe e mbështes Edi Ramën sepse ai është i vetmi shtetar në këta 30 vjet që bashkë me Rugovën po përpiqen që të mos përçajnë shqiptarët, por t’i afrojnë ata. E kam thënë dhe herë tjetër dhe po e përsërit edhe tani që Edi Rama ka meritën se unifikoi faktorin shqiptar në Maqedoni dhe atje për herë të parë shqiptarët fituan postin e Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë. Falë lojës së zgjuar e dashamirëse të Edi Ramës edhe shqiptarët e Malit të Zi unifikuan qëndrimet e tyre dhe sot kemi një përfaqësim tjetër të shqiptarëve në atë vend. Dhe tani në fund edhe në Luginën e Preshëvës, në rezultatin që po arrijnë banorët e asaj treve, ndikimi pozitiv i politikës së Edi Ramës ishte vendimtar.

Ndërsa turi i tij i fundit në Kosovë, mesazhet që dha në komunikimin me mediat, qëndrimi i prerë dhe i vendosur për të deligjitimuar moralisht sjelljen e prokurorit të posaçëm të Hagës, përunjësia ndaj Haradinajt dhe dëshira për ta takuar atë larg mërive apo sjelljeve të mëparshme, e projektuan edhe njëherë Edi Ramën si një lider që po përpiqet të modelojë kuptimin për atdheun ashtu siç do të donim të gjithë. Pavarësisht se jo të gjithë udhëheqësit e Kosovës janë në një mendje me Ramën, kush më thotë se a ka dëgjuar prej tij fyerje, shpifje dhe ofendime ndaj ndonjë politikani të Kosovës ? Kujtoni se çfarë ka nxjerrë nga goja Berisha kundër Thaçit dhe besoj e kemi të qartë të gjithë se Edi Rama nuk është një engjëll, dhe se edhe unë nuk jam në një mendje me të për shumë e shumë punë të tij që nuk i ka bërë si duhet, por, në këtë rast, pa dashur të bien në patetizëm, po them vetëm kaq : Edi Rama po sillet në hapësirën shqiptare politikisht korrekt.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës