Në sondazhin tim të fundit, 1475 banorë të rritur të vendit e plotësuan pyetësorin e shpërndarë përmes një linku me SMS krejt të rastësishme në të gjithë Shqipërinë. Kampioni u kolaudua statistikisht, që t’i përfaqësonte sa më afërsisht 1.9 milionë banorët e rritur të vendit gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht (me marzh gabimi statistikor +/-2.5%).

Nga përgjigjet e të anketuarve, mund të ekstrapolohet me përafërsi se sa dhe si do të votonin në Shqipëri, nëse do të ishin zhvilluar zgjedhje parlamentare të dielën (meqë kampioni përfaqëson statitistikisht popullsinë e rritur të vendit).

Kështu, nga rreth 1.465 milionë banorë të rritur që votuan vjet më 11 maj, rreth 700 mijë do të votonin për PS-në, kurse rreth 335 mijë do të votonin për PD-ASHM. Ndërkohë, për partitë e tjera të vogla do të votonin rreth 25 mijë.

Vjet më 11 maj, votuan për PS-në rreth 765 mijë banorë të rritur të vendit (disave u shkoi vota dëm, sepse u ngatërruan në plotësimin e fletvotimit si fletë gazete). Për PD-ASHM votuan rreth 500 mijë dhe për partitë e tjera të vogla rreth 200 mijë. Sondazhi i sipërpërmendur na tregon përafësisht se PD-ASHM ka një firo prej rreth 165 mijë votuesish (pra, rreth 1/3 e votuesve të vjetshëm të saj janë të zhgënjyer me të) dhe PS ka ka një firo prej rreth 65 mijë votuesish (pra, rreth 1/13 e votuesve të vjetshëm të saj janë të zhgënjyer me të). Kurse partië e vogla pothuaj janë tretur fare…

Sidoqoftë, kjo foto elektorale ka ndryshuar vazhdimisht deri më sot qysh nga shtatori, kur fillova të kryej sondazhe javore për ‘Zërin e Shqiptarëve’ (shihini grafikun e mëposhtëm).

Kështu, PS-ja e pati kuotën më të ulët në dhjetor, kur vetëm 642 mijë banorë të rritur të vendit ishin gati të votonin për të, ndërsa kuotën më të lartë e pati në shtator, kur pothuaj 750 mijë do të votonin për të. Nga ana tjetër, PD-ASHM e pati kuotën më të ulët më 11 maj, kur vetëm 290 mijë banorë të rritur të vendit ishin gati të votonin për të, ndërsa kuotën më të lartë e pati në shtator, kur rreth 390 mijë do të votonin për të.