Ekskluzive, dokumenti Top
Secret: Në Jon 160mln ton naftë

Ekskluzive, dokumenti Top <br />Secret: Në Jon 160mln ton naftë
TIRANE- Qeveria ‘Berisha’ ka qenë në dijeni të pranisë së një sasie shumë të madhe hidrokarburesh në veri të detit Jon, në momentin kur ka pranuar të nënshkruajë me Greqinë marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar, që e "pasuronte" Greqinë me më se 300 km katrorë.

Kjo pohohet nga ing. Maksim Shulit, ass. prof i shkencave gjeologjike, sipas të cilit, që në vitin 1988 qeveria e asaj kohe ka nisur kërkimet në det dhe rezultatet e këtyre kërkimeve i kanë në kasafortë të gjitha qeveritë pasardhëse. Sipas tij, bëhet fjalë për një rezervë gjigande nafte e gazi natyror, që shtrihet në rajonin, ku Greqia duke filluar nga dita e diel, ka nisur kërkimet sizmike.

E ndërkaq, për herë të parë, Shqiptarja.com publikon dokumentin "Top Secret" që i është dhënë ish-kryeministrit Fatos Nano e ish-ministrit Ylli Bufi për sasinë e 160 milionë tonëve naftë nën ujërat e detit Jon. Të cilat nuk mund të jenë ekskluzivitet vetëm i Shqipërisë, por që duhet të ketë një marrëveshje për ndarjen e ujrave mes Italisë, Greqisë e Shqipërisë.
top sekret e re
(FOTO: Faksimile e dokumentit për rezultatet e eksplorimit në fushën e naftës dhe të gazit nga kompanitë e huaja në Shqipëri, ku tregohen rezervat e nxjerrshme të hidrokarbureve në zonën Joni-5, në veri të detit Jon)





Ndërkaq, Maksim Shuli në një intervistë për Shqiptarja.com tregon se çfarë fshihet pas këtyre negociatave të fshehta.
maksim shuliIng. Shuli, deri tani publiku shqiptar nuk ka qenë në dijeni të faktit që janë bërë, para viteve 90', kërkime në det. Ju, si e dini një gjë të tillë?

Unë kam punuar prej kohësh në sektorin e naftës, ndërkohë që në vitet 1998-1999 kam qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Naftës dhe varesha direkt nga kryetari i Këshillit të Ministrave. Kryeministrat Majko dhe Meta i kam vënë në dijeni për dokumentat sekrete lidhur me rezervat e zbuluara në det. Disa prej tyre nuk mund të publikohen, ndërkohë që disa janë të përshtatshme për publikim, aq më tepër kur opinioni publik kërkon të dijë të gjitha pasojat e marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë.

(foto: Maksim Shuli)

Pra, ju jeni në dijeni të faktit që janë zbuluar naftë e gaz në veri të detit Jon?
Pikërisht. Ajo që quhet zona Joni-5, është një sipërfaqe e madhe detare, ku qeveria në kohën e Ramiz Alisë pajtoi një kompani amerikane të kërkimeve detare, "Hamilton", e cila kreu punime me vlerë totale 85 milionë dollarë, duke filluar nga viti 1988.

Pse nuk është mësuar më parë një fakt i tillë?
Prania e një firme amerikane për zbulim hidrokarburesh do të dëmtonte rëndë imazhin e presidentit Alia dhe kryeministrit Çarçani, se gjëra të tilla ndaloheshin me Kushtetutën e asaj kohe, por vendi donte të dilte nga një krizë që po e bllokonte avash-avash dhe amerikanët ishin më të specializuarit në atë kohë për kërkime në det. Në rajonet detare, prania e të huajve nuk binte në sy, ndryshe nga sa do të ndodhte po të punonin në puse nafte në tokë, kështu që pakkush e mori vesh.

Cili ishte rezultati i këtyre kërkimeve në det nga amerikanët?
Shpimi i vetëm që u bë nuk nxorri naftë, por ishte i mjaftueshëm për të bërë një hartë shumë të hollësishme të fund-detit në zonën në fjalë. Për ta bërë më të kuptueshme për ata që nuk janë specialistë të gjeologjisë, u zbuluan tetë shtresa nën fundin e detit, ku kishte hidrokarbure dhe vetëm njera prej tyre përmbante gjysmën e sasisë. Kjo shtrihet nën juridiksionin gjeografik të tre shteteve: Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë.

A janë vlerësuar ndonjëherë rezervat dhe vlera e tyre monetare?
Po, është një dokument i tillë vlerësues, i hartuar pas kërkimeve të të huajve në det në zonën e Jonit të veriut. Atë e kanë patur në dispozicion dhe e kanë akoma të gjithë kryeministrat shqiptarë, duke përfshirë Berishën. Po citoj: "Nga komplaksi i punimeve të kryera në det arrihet në përfundimin se rezervat e nxjerrshme të gazit e të naftës nga prospektet e sipërpërmendura priten afërsisht 500 X 109 m3 gaz dhe 160 X 106 ton naftë". Thënë më thjeshtë, ajo naftë dhe ai gaz që mund të nxirret e mund të shftytëzohet - pasi jo i gjithi del 100%, një pjesë nuk e nxjerr dot me metodat aktuale, por mund të nxirret në të ardhmen - përbëjnë një sasi prej 500 miliardë metrash kub gaz natyror dhe 160 milionë ton naftë.

Çfarë vlere financiare ka një sasi e tillë hidrokarburesh në ditët tona?
Për këtë, duhet të bëjmë një seri llogaritjesh, gjithnjë të përafërta. 160 milionë ton naftë bruto do të duhet të shumëzohen me 6.5 fuçi për një ton dhe shifra është 1 miliard fuçi, që shiten aktualisht me 100 miliardë USD, me çmimin e bursës 100 dollarë/fuçia mesatarisht.
Ndërkohë, 1.100 metra kub gaz natyror janë ekuvalenti i një toni naftë, kështu që 500 miliardë metra kub gaz mund të sjellin një shifër prej rreth 295 miliardë dollarësh. Të gjitha bashkë këto pasuri themi se vlejnë rreth 400 miliardë dollarë. Natyrisht, nuk janë të gjitha të Shqipërisë, por vendi ynë i ka zbuluar këto rezerva që në vitin 1988 dhe mund t'i kishte shfrytëzuar në vite, gjë që nuk e kanë bërë qeveritë e ndryshme.

Joni-5, a është fjala për zonën ku shteti helen ka kërkuar një ndryshim të kufirit, që e "pasuron" atë me 300 kilometra të tjera katrore?
E pasuron shumë më tepër se aq. Nuk është fjala këtu për disa kilometra det të hapët, as thjesht për ndonjë ngushticë ku kalon trafiku ndërkombëtar, as për sasi peshku që mund të shfrytëzohen: pasuritë e nëndetit në hidrokarbure në këtë zonë janë jashtëzakonisht të larta. Qeveria shqiptare nuk duhej ta kishte lëshuar kaq lehtësisht firmën e saj mbi dokumentin e hartuar në Athinë për ndryshimin e kufirit sipas variantit grek, pa marrë mendimin edhe të atyre që ishin në dijeni se çfarë fshihej në këtë rajon. Fjala është për një pasuri natyrore që vlen 400 herë më shumë se sa shifra me të cilën po shitet aktualisht Albpetroli, 1.1 miliardë dollarë amerikanë, që është cilësuar madhe privatizimi me vlerë më të lartë i realizuar ndonjë herë në vitet e demokracisë. Në një pikë të vetme, po të nxirret që tani, do të dilnin për shfrytëzim 40 milionë tonë naftë, që mund të shitej me vlerë nga 12 miliardë deri në 20 miliardë dollarë, sipas tregut.

Pse nuk është insistuar nga të huajt që të vinin më parë e të shfrytëzonin këtë rezervëv nën det, por gjithë kjo pasuri gjigande del në pah pikërisht tani?
Këtu ndërthuren shumë faktorë. Në kohën kur punuan të huajt në det, në Institutin e Naftës nuk u ushtrua ndonjë kontroll serioz, pasi gradualisht ai u kthye në një institucion inekzistent. Kompanitë e huaja duhej të bënin punimet, por rezultatet do të përpiloheshin nga ky institut. Rezultati ishte që në periudhën pas tranzicionit kompanitë u lanë të lira të bënin ç'të donin, ato u larguan pasi një fuçi nafte arriti në një çmim qesharak, deri në 12 dollarë dhe leverdi nuk kishte për të vijuar me shfrytëzimin. Por, përpunimin e të dhënave duhej ta kishin bërë shqiptarët pasi kjo është një pasuri kombëtare për ta. Në fakt, kjo është bërë nga persona të veçantë, por edhe në këtë rast, konkluzionet e tyre janë lënë në harresë.

Faqja e parë e numrit të sotëm të gazetës Shqiptarja.com (Print)
  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Beleri kandidat për eurodeputet i Mitsotakis, ironia e Brahos: Do ta nderojë Greqinë! Një hajdut e vrasës që zgjidhet në PE

Beleri kandidat për eurodeputet i Mitsotakis, ironia e Brahos: Do ta nderojë Greqinë! Një hajdut e vrasës që zgjidhet në PE