Ekskluzive/ Kamioni me 2.5 ton drogë, rrëfimi i biznesmenit në Lushnjë: Më futën në kurth, negociatat që bëra për të dhënë magazinën me qira

Biznesmeni Përparim Shurdhi dhe Arlind Tabaku

TIRANË- Zbardhen dëshmitë e dy personave të arrestuar në Lushnjë, lidhur me sekuestrimin në Malin e Zi, të një kamioni me 2.5 ton drogë. “Shqiptarja.com”, ka mundur të zbulojë rrëfimet e dy personave të arrestuar në Shqipëri, lidhur me skandalin e kalimit tranzit të një kamioni të mbushur me drogë, i cili u kap në qytetin e Tuzit në Malin e Zi.

Biznesmeni Përparim Shurdhi dhe Arlind Tabaku, kanë treguar para policëve negociatat që kanë kryer së bashku për dhënien e magazinën me qira, me një vlerë prej 600 mijë lekë të vjetra tek personi i arrestuar në Malin e Zi, Ervis Çalliku. Këto negociata sipas tyre kanë filluar në 27 tetor 2020, ku janë ulur dhe për kafe të tre së bashku. Sipas Shurdhit, ai është futur në kurth dhe nuk ka asnjë informacion se çfarë futej në magazinë, pasi prej tre ditësh ia kishte lënë me qira, personi që pagoi për qiranë. Por në rrëfimin e tij, Tabaku thotë se ai ka qenë njeriu që e ka telefonuar Shurdhin, duke e pyetur për dhënien me qira të magazinës, por Tabaku shton se nuk ka qenë në asnjë takim mes tre personave të arrestuar momentalisht. Qëllimi i magazinës ka qenë për ta mbushur me fruta dhe perime, por në fakt që ditën e parë, magazine ishte mbushur me drogë dhe më pas sasia narkotike është ngarkuar në kamion, ku dhe u transportuar në drejtim të Malit të Zi. Sasia e drogës besohet se i përket një grupi shumë të fortë në qytetin e Lushnjës.

“Shqiptarja.com”, mëson se kamioni kishte një afat 11 orësh për të qëndruar tranzit në Shqipëri dhe se linja e lëvizjes së tij në Shqipëri ishte me segment direkt Kapshticë-Hani i Hotit në Shkodër. Por nga verifikimet e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se kamioni, është kthyer për disa orë në Lushnjë dhe pikërisht në këtë magazinë, besohet se është ngarkuar me hashash.

Sipas materialit policor në datën 3 nëntor 2020, në orën 02:41 të mesnatës nga pika kufitare e Hanit të Hotit, ka dalë nga Shqipëria një kamion me targa AA137YE, ku drejtues ka qenë shoferi Ervis Çalliku. Ky kamion teksa ka hyrë në Malin e Zi, ka vijuar intenerarin e udhëtimit në këtë territor, por në qytetin e Tuzit, strukturat e antikontrabandës Malazeze, gjatë kontrollit të ushtruar, kanë gjetur një sasi lënde narkotike cannabis stativa me peshë 2.5 tonë. Ky informacion i është transmetuar dhe policisë shqiptare, ku kjo e fundit ka nisur verifikimet në territorin dhe pikat kufitare, për të mësuar se në çfarë rrethana kishte hyrë në Shqipëri ky automjet. Nga verifikimet është konstatuar se Ervis Çalliku, ka hyrë në Shqipëri në datën 2 nëntor 2020 në orën 15:39, pikërisht nga pika kufitare e Kapshticës me kamionin në fjalë. Ai me këtë kamion ka qenë në Greqi, duke deklaruar se automjeti ishte i ngarkuar me mall dhe plumbosur.

Veprimet në sistem i ka kryer punonjësi i policisë Q.H., i cili ka bërë dhe një shënim përkatës si:”…i plumbosur dhe i skanuar në doganën e Kapshticës, por meqënëse udhëton për në brendësi të territorit Shqiptar, iu la detyrë kontrollorve, te vija e dytë, që të kontrollojnë imtësisht plumçat dhe pjesët e tjera të kamionit të pa plumbosura…”. Pasi është kryer kjo procedurë dhe skanimi i mjetit ka dalë i pastër, kamioni është lejuar të vijojë udhëtimin në brendësi të territorit Shqiptar, ku do kalonte tranzit. Afati kohor për të udhëtuar drejt pikës së kufirit Hani i Hotit, ishte 11 orë. Por nga verifikimet e policisë kriminale, e cila ka verifikuar dhjetëra kamera sigurie të bizneseve në rrugët nacionale, ka konstatuar se Kamioni, nuk ka kryer linjë direkte nga pika e Kapshticës në Hanin e Hotit, por është kthyer në qytetin e Lushnjës, ku ka bërë ndalesë. Rezulton se në mbrëmje të datës 2 nëntor 2020, kamioni me drejtues Ervis Çalliku, ka hyrë në një magazinë të ndodhur në lagjen “18 tetori” në Lushnjë, magazinë e cila ndodhet në në aksion rrugor Fier-Tiranë. Pronari i kësaj magazine është personi i arrestuar dhe që ndodhet në burg Përparim Shurdhi, i cili pasi është shoqëruar në polici ka dhënë deklarime. Në dëshminë e tij Shurdhi thotë se në datën 27 tetor, gjashtë ditë para se të mbërrinte kamioni në magazinën e tij, e ka marrë në telefon një person, të cilin nuk e njihte, duke i pohuar se është interesuar për magazinën e tij, me qëllim ta merrte me qira. Shurdhi, ka treguar në polici se me këtë person është takuar në një kafe, tek karburant “Krasniqi”, tek “Rotondoja e Plugut” në Lushnjë. Takimi është kryer mes Shurdhit dhe një personi tjetër që më vonë është identifikuar si Arlind Tabaku dhe një personi të tretë, që quhet Ervis Çalliku. Sipas Shurdhit, Tabaku, i ka treguar në këtë takim se magazinën do e merrte me qira pikërisht personi që kishte përballë, pasi ishte shoku i tij. Shurdhi, më tej thotë se këtë person nuk e njihte, por së bashku kanë rënë dakord për pagesën e qirasë së magazinën prej 600 mijë lek të vjetra në muaj. Ervis Çalliku, ka shfaqur interes dhe i ka pohuar se do e mbante për rreth 1 vit dhe se gjatë muajit nëntor 2020, do e vinte në shfrytëzim për ta provuar magazinën.

Ndërkohë në rrëfimin e tij Shurdhi sqaron se në datën 2 nëntor 2020 nga dreka, ka dalë nga shtëpia dhe ka shkuar në lokali i tij, që ndodhet pranë magazinën për të pirë kafe dhe aty ka parë se ndodhej edhe qiraxhiu, me të cilin sic tregon Shurdhi, janë përshëndetur dhe më pas u ulën ku kanë konsumuar kafe së bashku duke bashkëbiseduar në përgjithësi. Lidhur me këtë çështje është marrë në pyetje dhe Arlind Tabaku, i cili ka treguar se njihet prej një viti me shtetasin Ervis Çalliku, dhe se ky i fundit i ka kërkuar që t'i gjejë një magazinë, për ta marrë me qira me qëllimin e vetëm për grumbullimin e frutave dhe perimeve. Arlind Tabaku, thotë se i ka këshilluar mikut të tij, Çalliku, që t'i marrë magazinën e Përparim Shurdhit. “...Unë e kam marrë në telefon Shurdhin dhe e kam pyetur nëse ishte i interesuar për ta dhënë magazinën me qira dhe ai më është përgjigjur se ishte i interesuar…. Më tej Tabaku, sqaron se Shurdhi dhe Çalliku, mund të jenë takuar bashkë dhe kanë biseduar për çështjen e çmimit dhe kushtet e tjera, por Tabaku shton se në këto takime ai nuk ka qenë prezent.

Të dy personat kanë mohuar në mënyrë kategorike që të kenë lidhje me ngarkesën e drogës, por dëshmitë kontradiktore të tyre kanë sjellë, arrestimin dhe caktimin e masës së arrestit në burg nga gjykata e Shkodrës. Momentalisht hetimet për këtë çështje vijojnë, ku pritet arrestimi dhe i personave të tjerë.

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin për dozë të tretë vaksine për personat mbi 60 vjeç?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

FOTO/ Ivanka Trump me bashkëshortin vizituan këtë verë Shqipërinë, me ta edhe sheiku i PSG