Ekskluzive/ Kreu i opozitës në Maqedoninë e Veriut: 'Open Balkan' s’e njoh mirë, por Kurti ka bërë me të mirën për qytetarët e tij! Rama të mos ndërhyjë në punët tona të brendshme

MAQEDONI E VERIUT- Pas intervistës me zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi, Report Tv ka intervistuar edhe kryetarin e opozitës në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski i cili ka folur për një sërë çështjes, duke u ndalur që te 'Open Balkan', por edhe deklaratën e Ramës se  kur ia atribuon zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve punës së tij.

Ndryshe nga zv. Kryeministri Artan Grubi që e quajti koalicionin me partitë shqiptare të panatyrshëm dhe “sindromë Stokholmi”, Mickoski thotë se ky koalicion do të sjellë ndryshimin dhe është i duhur për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Kreu i VMRO-DPMNE-së komenton edhe mbledhjet e përbashkëta të qeverisë së vendit të tij me Shqipërinë dhe Kosovën, duke thënë se kjo nuk është ide e re dhe se pret që mos të jetë vetëm një show mes kryeministrash.

Sa i përket tragjedisë së Tetovës, ku si pasojë e zjarrit në një spital COVID humbën jetën 14 pacientë, ai shprehet i shokuar e i turpëruar, ndërsa kërkon që autoritetet shëndetësore të japin menjëherë dorëheqjen, sepse siç thotë ai në këto kushte nuk mund të ketë një hetim të pavarur. Ndërkohë, çështjen e regjistrimit të popullsisë e sheh të rëndësishme dhe shpreson që të mos shërbejë për ndasi mes etnive të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Z. Mickoski, do të doja ta nisnim pikë së pari nga zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut. Në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor, ju për herë të parë bashkëpunoni me opoziten shqiptare, Aleancën e Zijadin Selës dhe Alternativën e Afrim Gashit. Çfarë alternative u ofroni qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe si janë pritshmëritë tuaja në këto zgjedhje?
-Së pari, faleminderit për mundësinë për të folur me ju, dhe për t’i përcuar mesazhet e mia shikuesve tuaj! Po, keni plotësisht të drejtë, është hera e parë që ne në VMRO-DPMNE kemi krijuar një koalicion suporti, një koalicion shqiptar në Maqedoni. Dhe mendoj se ky hap është i madh për ne dhe gjithashtu për ata, sepse në këtë mënyrë po krijojmë një përceptim që ne jemi më shumë të bashkuar dhe jo të ndarë. Kështuqë, qëllimi im kur nisëm negociatat me z. Sela dhe z. Gashi ishte që të përçonim mesazhin e një shteti, i cili do të jetë e ardhmja për të gjithë njerëzit, si përsa i përket etnisë, po ashtu edhe bindjeve politike. Për ne ky ishte qëllimi kur nisëm negociatat me ta, dhe mendoj se ia kemi arritur qëllimit, dhe mendoj se qytetarët në Maqedoni do të jenë shumë më të kënaqur me atë çfarë ne do t’u ofrojmë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale. Dhe unë besoj shumë që kandidatët tanë dhe kandidatët e koalicionit të Aleancës Shqiptare do të fitojmë dhe në këtë mënyrë, do të krijojmë një përceptim të ri për fituesit në zgjedhjet lokale. Dhe pas kësaj do të krijojmë mazhorancën e re parlamentare që do të formojë qeverinë e re. Megjithatë, jam optimist dhe për t’i rënë shkurt, ju më pyetët se cfarë do të ofrojmë ne për qytetarët dhe vendin, përgjigja ime do të jetë thjesht të ardhmen, shpresë dhe përfaqësim, gjë e cila është komplet e kundërta e realitetit që është prezent në vend, krejt e kundërta e asaj që koalicioni në qeveri është duke ofruar për momentin dhe kur flas për koalicionin e kam fjalën për social-demokratët dhe Dui.

Një ngërç i madh i krijuar me Bullgarinë, duket se po mban peng anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Në programin tuaj, ku dalloni nga Qeveria. Cili është këndvështrimi juaj për zgjidhjen e këtij ngërçi?
-Për të qenë i qartë, nuk pres që zyrtarët në Bruksel të mos e mbajnë fjalën për atë që kanë premtuar në të kaluarën sepse duke pasur parasysh Europën e bashkuar, pa ballkanin është e pamundur sepse pa Maqedoninë dhe vendet e Ballkanit në Bashkimin Europian ai do të ishte i pakompletuar në të ardhmen. Unë mendoj se zyrtarët dhe diplomacia ne Bruksel duhet t’i japin ndihmë shtesë vendeve fqinje duke i bërë presion dhe duke mos i pranuar kërkesat e tyre përsa i përket problemeve me kombësitë dhe këtu po flas për qëllimin e Bullgarisë për të nënvlerësuar të drejtën tonë për të vendosur vetë si maqedonas, të drejtën tonë për të pasur gjuhën tonë maqedonase, trashëgiminë tonë, diferencat tona kulturore. Kështuqë, unë mendoj se këtu duhet të na ndihmojnë zyrtarët në Bruksel dhe diplomacia e tyre. Mendoj se sa më shpejt diplomacia europiane t’i bëjë presion palës bullgare, aq më shpejt ballkani do të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Në fund, siç thashë në fillim Bashkimi Europian nuk do të jetë i plotë pa integrimin e Ballkanit. Dhe kur flas për Ballkanin, e kam fjalën për Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë, dhe Bosnjë e Hercegovinën sigurisht, sepse të tjerët janë pjesë e Bashkimit Europian. Kështuqë, ato pretendime artificiale nuk duhet të bëhen pengesë për integrimin tonë në Bashkimin Europian por krejt e kundërta, ne duhet të na hapen negociatat dhe të fillojmë t’u gjejmë zgjidhje atyre problemeve që hasim me fqinjët tanë lindorë. Nëse më pyet se cili ishte opinioni im i 3 viteve më përpara do të të thoja po sigurisht. Për të mos u treguar modest por për të qënë realist, mendoj se në atë kohë ne kemi qenë në një fazë më të avancuar se Shqipëria, dhe akoma ndaj të njëjtin opinion, duke konsideruar reformat dhe implementimin e këtyre reformave Maqedonia është në një fazë më të avancuar krahasuar me Shqipërinë. Por për fat të keq, ngërçi artificial me fqinjin tonë lindor është ajo që na kufizon dhe gjithashtu mendoj se ky kufizim është i lidhur artificialisht edhe me hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Shqipërinë. Kështuqë, mendoj se Bashkimi Europian duhet detyrimisht të hapë negociatat si për Shqipërinë edhe për Maqedoninë sa më shpejt të jetë e mundur. Hapja e negociatave do të rezultonte me plotësimin e premtimit që ata na kanë bërë vite më parë. Kështuqë, gjetja e justifikimeve për moshapjen e negociatave do të zhgënjente qytetarët e të dy vendeve tona dhe do të rriste emigrimin e popullsisë dhe shumë shpejt do të ngelen trojet bosh, gjë e cila nuk është vlerë europiane. Kështuqë, mesazhi im është që ndarja ose bashkimi nuk janë fjalë të përshtatshme, veprimi i menjëhershëm është fjala e duhur, dua të them hapjen e negociatave për vendet tona sa më shpejt të jetë e mundur. Të jem realist dua të them në fund të këtij viti, në samitin e dhjetorit të Bashkimit Europian, apeli im për ta është që të na japin dritën jeshile për hapjen e negociatave dhe ne do t’u tregojmë atyre që e meritojmë të ulemi përkrah tyre në të njëjtën tavolinë të Bashkimit Europian.

Do të doja të ndalesha edhe në projektin “Open Balkan”. Flitet shumë dhe është mbrojtur si nga kryeministri Zoran Zaev, ashtu edhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama, por asnjëri prej tyre nuk e përmend korridorin e tetë…
-Të jem i sinqertë, ne nuk kemi informacione se cili është thelbi ose ideja e Ballkanit të hapur prandaj nuk mund të komentoj për këtë sepse nuk kam informacione të mjaftueshme. Informacioni i vetëm që kam marrë është nga media. Jam një person serioz dhe nuk mund të them dicka që lidhet me atë ide dhe që e vlerësoj nga kjo gjë sepse nuk e kam të qartë thelbin e gjithë kësaj. Mbase shumë shpejt do kem informacione shtesë dhe pastaj do jem optimist ose pesimist në lidhje me këtë. Por tani e kam të pamundur të komentoj për këtë gjë. Ndërsa përsa i përket korridorit të 8-të, e mbështes si ide sepse lidh dy dete dhe ky korridor kalon përmes Maqedonisë dhe çfarëdo që mund t’u duhet, ne si parti politike dhe unë si lider i kësaj partie do të jemi në dispozicion dhe do e mbështesim atë ide, ndërtimin e infrastrukturës, ndërtimin e koridorit të tetë, lidhja e Detit të Zi me detin Jon dhe Adriatik është gjithashtu prioritet për ne.

Megjithatë më lejoni t’ju pyes parimisht, a mendoni se ka të drejtë Albin Kurti kur thotë se nuk bëhet pjesë e një projekti, ku pjesëmarrës është një shtet që as që e njeh Kosovën?
-Nuk dua të ndërhyj në situatat e brendshme të fqinjve tanë, dhe gjithashtu nuk dua që fqinjët tanë të ndërhyjnë në punët tona të brendshme. Nëse ka të drejtë apo jo është detyra e tij të vendosë sepse tani është kryeministër dhe nuk është më në opozitë dhe ka disa detyrime kundrejt qytetarëve të tij dhe i takon atij të vendosë se cilin drejtim do të marrë për zhvillimin e të ardhmes së Kosovës. Kështuqë, ai me shumë gjasa ka më shumë informacione në dispozicion nga sa mund të kem unë në këtë moment dhe e di më mirë se cila është më e mira për qytetarët e Kosovës. Por mesazhi im është se asnje ide rajonale nuk mund të zëvëndësojë të ardhmen e Ballkanit në Bashkimin Europian.

Z. Mickoski, një koment do të doja edhe për mbledhjet e përbashkëta të qeverisë së Maqedonisë së Veriut me Kosovën dhe Shqipërinë. A janë efikase apo thjesht shoë kryeministrash?
-Mendoj se ideja nuk është diçka e re sepse ka qenë një praktikë e tillë edhe në të shkuarën gjithashtu. Dhe, gjithashtu është një praktikë që zhvillohet mes vendeve të Bashkimit Europian, mes vendeve fqinje. Mendoj se meqë këto lloj takimesh vazhdojnë të zhvillohen, duhet të kenë në qendër të vëmendjes disa gjëra esenciale, përndryshe nuk e kuptoj thelbin e këtyre takimeve. Dhe mendoj se në këto takime flitet për gjëra të rëndësishme dhe të pranishmit në tavolinë janë të gatshëm të gjejnë zgjidhje të përshtatshme, disa përmirësime të këtyre marrëveshjeve. Mendoj se pjesëmarrësit në këto takime janë seriozë dhe flasin për të ardhmen e vendeve të tyre dhe Ballkanit në përgjithësi. Nëse këto nuk janë pjesë e këtyre tavolinave atëherë është ashtu siç thoni ju, një shoë, gjë që nuk e pres nga këta politikanë sepse janë ministra, kryeministra, deputetë, njerëz të cilët janë përgjegjës për të ardhmen e vendeve të tyre dhe të qytetarëve të tyre.

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se është pikërisht merita e tij që të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë më të prekshme, sidomos për përdorimin e gjuhës. Si e komentoni?
-Supozoj që kjo është pjesë e folklorit në skenën e brëndshme politike. Do kthehem pas 10 - 15 minuta më përpara kur thashë që nuk dua të ndërhyj në problemet e brendshme të vendeve tona fqinje. Gjithashtu pres që liderët, politikanët e vendeve fqinje të mos ndërhyjnë në punët tona të brendshme sepse ne jemi të aftë vetë të gjejmë një marrëveshje se si duhet të jetë e ardhmja jonë. Dhe këshilla që unë i jap zotit Rama me përulësi është që t’i kushtojë vëmendje problemeve të brendshme të vëndit të tij dhe të shmangë komentet mbi problemet e brendshme të vëndeve fqinje. Do ta vlerësoja shumë nëse do e merrte në konsideratë këshillën time.

A do ta njihni rezultatin e Censusit, edhe nëse numri i shqiptarëve dhe pakicave në Maqedoni, do të dalë ndjeshëm më i lartë se në censusin e fundit?
-Cencusi është çështje statistikore dhe jo politikë. Është shumë e rëndësishme, nëse ne e konsiderojmë censusin si një punë statistike atëherë ne jemi të rritur dhe jemi shëruar nga sëmundja jonë prej fëmije. Nëse vazhdojmë ta përdorim censusin si një mjet për të ndarë në maqedonas, shqiptarë, turq, serb, muslimanë, të krishterë, ortodoks, katolikë, këtë atë atëherë kemi problem. Mënyra se si e shikoj unë personalisht është që duhet të shohim të ardhmen dhe nuk duhet t’i parashikojmë rezultatet e censusit, nuk duhet të parashikojmë përqindjet e rezultateve, nuk duhet të parashikojmë numrin e këtij etniteti atij etniteti sepse njerëzit janë të lodhur nga kjo ndarje. Njerëzit duan nga ne politikanët që të bëjmë unifikimin, që të propozojmë receta që bashkojne njerëzit dhe jo t’i ndajnë ata. Siç thashë, njerëzit presin shpresë dhe zhvillim dhe jo të kthehen pas në kohë. Të shmangin së foluri për çështje etnike, çështje feje, sepse ne jetojmë ne Europë dhe duhet të jemi shembull i promovimit të vlerave europiane. Nëse kthehemi pas 2 - 3 shekuj më parë atëherë, mendoj se duhet ta lëmë politikën dhe të merremi me diçka tjetër.

Por a po ecën në rregull ky proces sepse ka pasur ndërprerje të herëpashershme. A është transparent?
-Shumë probleme ka si proces, edhe tani ndërsa ne po flasim sistemet kanë dështuar, me shumë mundësi do të ringrihen deri në fund të ditës dhe do të vazhdohet kështu, sepse nuk është rezultat i etniteteve te ndyshme, ose feve të ndryshme por vjen si shkak i paaftësisë së personave përgjegjës që punojnë në këto institucione përkatëse. Nëse kemi një kryeministër të paaftë, i cili është përfshirë rëndshëm në aktivitete kriminale, nëse kemi deputetë të paaftë, drejtues të paaftë, atëherë rezultati është i dukshëm. Mbase rezultati do të jetë në atë mënyrë thjesht sepse ka shumë probleme të përditshme. Por sërish, nuk do të lejoj dhe nuk do të jem pjesë e skenarit që ndan njerëzit, përkundrazi dua të jem ai i cili gjen zgjidhjen se si t’i bashkojmë njerëzit. Sepse maqedonasit po largohen nga vendi, po emigrojnë, shqiptarët po largohen nga vendi, fertiliteti kohët e fundit është i ulët. Maqedonia është vendi më i korruptuar në Europë, me një edukim skandaloz, situata sociale është gjithashtu skandaloze, situata ekonomike është skandaloze, ne jemi të parët kur vjen puna tek vdekjet nga Covid dhe mund të them shumë probleme të tjera të cilat janë më të rëndësishme për vendin dhe sërish do të përsërisja përkatësitë etnike dhe politike. Të gjitha këto elemente negative janë shumë të rëndësishme për të gjithë popullin në vend. Dhe këto duhet të jenë fokusi ynë kryesor si politikanë. Duket si një statistikë, dhe kjo statistikë duhet të na japë një përgjigje se si do të zhvillohet ky vend në të ardhmen. Nëse i përdorim këto statistika për politikë, atëherë jemi të papjekur dhe do t’i ndajmë njerëzit dhe jo t’i bashkojmë ata. Nëse ka politikanë që duan t’i ndajnë njerëzit, atëherë ata duhet të dënohen dhe të lënë politikën.

Një ngjarje mjaft e rëndë në Tetove ishte djegia e spitalit modular. A ka përgjegjës dhe cilët janë ata?
-Nuk kam çfarë të shtoj më shumë nga ajo çfarë kam thënë ditët e kaluara, jam i shokuar dhe i turpëruar që kjo ka ndodhur dhe 14 njerëz u dogjën të gjallë, sepse literalisht janë djegur të gjallë, kishte shume ulëritje, nuk dua as ta kujtoj dhe të kthehem pas tek ajo çfarë ka ndodhur atë ditë. Ajo që më mërzit me shumë është mungesa e përgjegjësisë, mungesa e vetëbesimit dhe mungesa e besimit ndërmjet politikanëve kryesorë në qeveri sepse ngjarjet e fundit që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin po lëkundin besimin nga njëri institucion tek tjetri. Komuna e Tetovës i delegon përgjegjësitë tek ministria, Ministria i delegon sërish tek komuna dhe situata është e qartë, kemi një kryeministër dhe një ministër të cilët janë përgjegjësit kryesorë, të cilët duhet të japin dorëheqjen sa më shpejt që të jetë e mundur. Së pari, kemi nevojë për një hetim të qartë dhe të pavarur, dhe me ta në qeveri ky lloj hetimi është i pamundur dhe asnjë nuk do të besojë në atë lloj hetimi prandaj, të paktën ministri i shëndetësisë dhe zëvëndësi i tij duhet të japin dorëheqjen dhe duhet të largohen nga institucioni sepse ata janë përgjegjësit kryesorë. Dhe ajo çfarë kemi parë deri tani janë justifikime, justifikime asnjë përgjegjësi. Kjo sjellje na jep neve një përgjigje se me çfarë njerëzish kemi të bëjmë këtu në këtë vend, çfarë lloj politikanësh, me çfarë lloj karakteresh kemi të bëjmë. Ky nuk është problem vetëm i këtij vendi, së shpejti ky mund të jetë një problem rajonal dhe mund të përhapet edhe përtej kufijve të rajonit. Megjithatë përgjigja e këtyre problemeve do të jetë në zgjedhjet lokale të radhës me 17 tetor, 18 është dita tjetër. Kështuqë unë nuk di çfarë të shtoj tjetër sepse jam i shokuar që kam të bëj me këta lloj njerëzish, sigurisht në role të ndryshme pasi unë jam opozita dhe ato janë qeveria, por mungesa e përgjegjësisë dhe mungesa e vetëgjykimit në këtë situate, është dicka që është jashtë perspektivës time të çdo lloj bisede…

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me rekomandimin e Komitetit të Imunizimit për dozë të tretë vaksine për mbi 60 vjeçarët?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Akreditohet ISUV në Shqipëri, 96 analiza të reja për më shumë siguri ushqimore