Ekskluzive / Kryetari i QKK-së, Eduart Makri: Deri tani janë vlerësuar njerëzit edhe jo projektet, ja ndryshimet që do të bëj

Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Eduart Makri, për herë të parë prezanton vizionin e tij për këtë institucion. Gjatë një interviste për kamerën e “ReportTV” Eduart Makri ndalet tek gjendja aktuale e kinematografisë shqiptare, por edhe tek puna që ka nisur për ndryshimin e situatës.  Teksa na tregon, se nuk ka vendosur rastësisht, që për katër vite të heq dorë nga projektet e tij artistike, si regjisor, shton edhe se është një njohës i mirë i Ligjit të Kinematografisë (1996).

Zoti Makri, si lindi iniciativa juaj për t’u bërë drejtues i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë?

Unë prej një viti kam qenë këtu. Isha duke dhënë mësim në Akademinë “Marubi”, kur konkursi u hap për këtë pozicion për publikun. Pashë prurjet dhe duke krahasuar veten me to, mendova se mund të jepja një kontribut, duke llogaritur edhe eksperiencën time brenda dhe jashtë shtetit, por edhe duke pasur disa ide, se si mund të ishte QKK.

Kështu që pata idenë që të plotësoja platformën time edhe ta dorëzoja. Platforma u prit mirë nga niveli i parë i ministres së Kulturës, e cila e përcolli më lart së bashku me platformën e kryetarit ekzistues dhe pastaj nga kryeministri, që e përqafoi platformën edhe e miratoi atë. Kjo është historia e shkurtër, për të cilën përfitoi nga rasti që të them se ishte një proces i ndershëm, sepse nëse nuk do të ishte i ndershëm, unë nuk do të isha këtu. Nuk ishte i ndershëm, se jam unë këtu, por pikërisht se jam unë këtu ishte i ndershëm.

Për ta bërë edhe më konkrete, cilat janë disa nga pikat bazë të platformës suaj?

Ne të gjithë po e ndjekim zhvillimin e kinematografisë shqiptare. Mos të themi këto katër vitet e  fundit, që ishte mandati i kryetarit paraardhës, pesë vite e gjysëm, sepse qëndroi një vit i pamandatuar, por ne e kemi ndjekur edhe më parë. Njerëzit nuk e dinë, se unë kam qenë drejtor i Drejtorisë së Arteve në kohën që është bërë Ligji i Kinematografisë. Kam qenë prezent edhe kam bërë Ligjin mbi Kinematografinë nën zyrën time, në kohën kur ministër ishte Dhimtër Anagnosti. E njoh mirë ligjin. Ligji për fat të mirë ishte një ligj i mirë për kohën që u bë. Me kalimin e kohës u pa se nëse ligji funksionoi mirë përsa i përket prodhimit kinematografik, në aspektin e sasisë të tij, nuk pati po ato rezultate të dukshme përsa i përket cilësisë, me disa përjashtime. Nuk u zëvendësua brezi i regjisorëve të vjetër, të mirë, që u trashëguan nga e kaluara edhe të përkthehej te një brez tjetër i ri, që do ta zëvendësonte qoftë me talente, qoftë me artësi, qoftë në vlera në kinematografinë tonë. Përkundrazi, shikojmë një nostalgji ndaj filmave të së kaluarës. Edhe këtë duhet që ta kemi të qartë se nuk ka të bëjë, me faktin që një pjesë e mirë e filmave ishin ideologjikë, por ka të bëjë me vlerat artistike kryesisht. Një pjesë e mirë e nostalgjisë ka të bëjë me vlerat artistike, me faktin që kjo kinematografi u bë pjesë e memories kombëtare. Edhe një nga defektet, ose një nga synimet ishte, që të paktën ajo që unë shikoja si shumë të tjerë, është që kinemaja nuk e arriti ta bënte këtë hap. Kjo gjë ndodh edhe në artet e tjera. Ndoshta, kjo lidhet edhe më një cilësi të njeriut, që e kaluara i duket gjithmonë më e mirë sesa e ardhmja, por unë them se, duke parë të gjitha krijimet e kinematografisë, që nga viti 1996, ka probleme të caktuara në cilësinë e kinemasë, që ne bëjmë. Ka probleme të caktuara, që njerëzit nuk shkojnë në kinema të shikojnë filmat shqiptarë, që konstatohen. Edhe këtu ishte e përqendruar platforma ime.

Një pjesë e këtyre problemeve vijnë edhe nga mënyra e sistemit të gjykimit të projekteve apo e filtrimit të projekteve në mënyrë që fondet të shkojnë tek cilësia.

Në çfarë gjendje e gjetët QKK-n edhe prodhimet e fundit kinematografike?

Qendra ka pasur suksese, në sensin e numrit të madh të prodhimit të filmave, që jo gjithmonë është shoqëruar nga cilësia. Cilësia ka qenë më tepër një aspekt individual i kineastëve, se sa një produkt i mekanizmit të QKK-së. Në këtë sens mekanizmi i QKK-së duhet korrigjuar në sensin, që të përqendrojë të gjitha mekanizmat edhe fondet e saj, drejt cilësisë të projekteve.

Në këtë sens janë marrë disa iniciativa për ndryshme ligjore, disa iniciativa për krijimin e mekanizmave, që do ta pastrojnë pak sistemin në mënyrë që të funksionojë pak më mirë.

Një nga këto ndryshime është që deri tani anëtarët e bordit caktoheshin nga shoqatat e kinesatëve. Pra shoqatat e kinesatëve, vendosnin që ky do të jetë bordi, edhe kryetari i Qendrës ishte i detyruar me këtë prurje që kishte nga poshtë, të organizonte të gjithë punën, që të shpërndante fondet në bazë të gjykimeve, që bënte një bord i përcaktuar me detyrim përcaktim.

Ndërkohë, që ligji thotë që “QKK është institucioni kryesor, që përcakton politikën kulturore”, bëhej një kufizim tjetër me anë të ligjit më një formë tjetër.

Ligji atëherë e bëri këtë përcaktim, sepse ne vinim nga një shoqëri postkomuniste, pra për ta demokratizuar pak procesin u lejuan kineastët edhe shoqatat e kineastëve, që të përcaktonin organizmin kryesor analitik të projekteve që do të financoheshin nga QKK. Opinioni i përgjithshëm është që Ligji për QKK-n është ndër më të mirët. Nuk është kontestuar. Por është bërë e nevojshme, që ky ligj të ndryshohej.

Duke sjell eksperiencën time, shoqatat e kineastëve janë marrë me ndërtimin e sindikatave të industrisë kinematografike, pra ato përcaktojnë edhe ndërtojnë mbrojtjen që duhet të kenë kineastët, përsa i përket pagës, nivelit shëndetësor, ushqimit gjatë xhirimit etj. Ky është funksioni i shoqatës së kineastëve, nuk është funksioni ky që është këtu. Për këtë gjë kam bërë propozimet kryesore edhe në kryeministri, ku disa kineastë që e dëgjuan platformën time, në parim nuk kanë pasur kundërshtime.

Disa gjëra po ndryshohen. Gjithsesi do të ketë kundërshti. Unë jam koshient, që me ndryshimet që do të bëhen nuk do të kënaqen të gjithë. Një pjesë nuk do të kënaqen se cenohen disa rahati edhe interesa, që kanë qenë më parë.

Për mua interesi kryesor në këtë detyrë që jam, si kineast moralisht edhe si kryetar i QKK-së, është vendosja e sistemit, që ka QKK-ja në mënyrë të tillë, që të financojë cilësinë.

Me këtë mund të nënkuptojmë, se do të kemi filma me skenarë më të mirë, që do të kenë në qendër publikun shqiptar, shpërndarjen nëpër rrethe apo tregun ndërkombëtar. Çfarë zgjedhjesh presupozoni?

Në radhë të parë, kur flasim për treg të jashtëm edhe treg të brendshëm, fillimisht duhet që të kemi produktin e mirë. Nëse nuk ke një produkt të mirë, qoftë në tregun e jashtëm, qoftë në tregun e brendshëm, ai do të jetë një produkt skarco. Prandaj strategjia është që fillimisht të ketë një produkt të mirë.

Një nga gabimet thelbësore, që shikoj unë që është bërë deri më tani, në mënyrën se si janë bërë projektet është, që janë vlerësuar njerëzit dhe jo projektet. Shpeshherë njerëzit duke pasur një lloj emri, duke u quajtur regjisorë karriere, apo duke pasur njohje edhe duke bërë lloj-lloj marrëveshjesh me njëri-tjetrin arrijnë që ta kalojnë projektin e tyre, të financojnë veprën edhe në fund kur vepra del askush nuk mban përgjegjësi se përse rezultati është i tillë.

Prandaj unë mendoj se duhet forcuar mekanizmi i analizës së projekteve edhe jo i njerëzve. Projekti në tërësi ka skenarin shumë të mirë, regjisorin e mirë, platformën regjisoriale, se si ai e shikon filmin e ardhshëm, ka vizionin e filmit të ardhshëm, ka grupin që ka ai rreth vetes, në mënyrë që realizimi i një filmi të mirë të mos jetë rastësi, por një proces i mirëmenduar, në mënyrë që ne ta dimë, se kur i vëmë lekët aty, të kemi një garanci, që filmi do të jetë i mirë.

Për këtë gjë kam bërë edhe një ndryshim tjetër. Është bërë hapja zyrtare në faqen e QKK-së, që të futen edhe specialistë të huaj në selektimin e projekteve. Kjo ka shkaktuar një reagim. Por kur i pyes regjisorët ata thonë që: Unë kam qenë në këtë festival, kam marrë pjesë në festivale të huaja etj. Edhe në të gjitha këto festivale ata janë vlerësuar nga të huajt. Këtë lloj vlerësimi ata e pëlqejnë edhe e pranojnë, ndërsa kur thuhet që po specialistë të huaj dhe të mirë do t’i analizojnë projektet tuaja, që në fillim kjo ju duket jo shumë e pranueshme, gjë që nuk ka logjikë në një farë mënyre. Kështu që unë them se kjo gjë është eksperimentuar edhe në qendra të tjera edhe ka rezultat, sepse i huaj në një farë mënyre, kur e shikon projektin tënd e shikon me ftohtësi, pa subjektivizëm dhe me objektivitet, si diçka që ose i pëlqen, ose nuk i pëlqen. Ata që vijnë janë specialistë, nuk do të vijnë njerëz nga rruga, por njerëz që kanë eksperiencë në këtë fushë. Mendoj se kjo gjë, si një sistem pikësimi më i sofistikuar, do të japë të dhëna të plota për garancinë e projektit në tërësi, pra mendoj se do të sjellë lidhjen e lekëve me cilësinë. Kjo them se do ta bëjë sistemin më dinamikë.

Nga ana tjetër, është që ne po e zgjerojmë marrëdhëniet ndërkombëtare, që ka QKK-ja edhe po e korrigjojmë një pjesë të mirë. Tani kam qenë në disa takime ndërkombëtare, edhe së bashku me disa kryetarë të qendrave të tjera do të krijojmë një formulë ballkanike, për Ballkanin Perëndimor. Pasi, duke qenë një strukturë e bashkuar do të  jetë më e fuqishme edhe në një farë mënyre ne do të mund të bëjmë bashkëprodhime, që kanë më shumë interes kombëtar për të gjithë rajonin. Mos t’i lëmë bashkëpunimet, që të jenë në nivel individual, por të krijojmë struktura, që të kenë mundësi të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe të rrisin udhëtimin e filmit shqiptar në një nivel më të lartë.

Për shembull, në diskutimet me palën italiane, ne kemi rënë dakord, që Shqipëria të jetë një urë që të lidhë të gjitha prodhimet ballkanike në fushën e kinematografisë me kinematografinë italiane.

Kështu që ideja është që bashkëprodhimet të mos jenë vetëm suksese individuale, por të jenë një produkt i sistemit që duhet që të ngrënë.

Sa u përket buxheteve për prodhimet kinematografike, shpeshherë kineastët thonë është se janë të ulëta. A do të ketë ndryshime në këtë drejtim?

Duhet që të rritet buxheti. Unë do të bëjë përpjekje, që buxheti i kinematografisë të rritet. Ne kemi qenë koshient, kemi pasur filma që kanë pasur një buxhet të mjaftueshëm edhe cilësia e tyre ka qenë për të dëshiruar. Por ka pasur edhe filma me një buxhet shumë të vogël, që kanë qenë shumë të mirë edhe kanë marrë çmime. Kështu që buxheti nuk është justifikim. Nuk është numri një. Ne jemi mësuar pak me mentalitetin e vjetër, që shteti është një lopë e vjetër, që të gjithë sulen edhe e mjelin. Në një farë mënyre unë mendoj se kineastët, që të kenë një të drejtë, por edhe unë si kryetar i QKK-së, që të propozoj buxhete më të mëdha në fushën e filmit, duhet që të kem suksese më të mëdha edhe cilësore. Në rast se një numër i madh filmash janë të dyshimtë sa i përket cilësive artistike. Në një farë mënyre unë nuk jam i motivuar, as intelektualist dhe as artistikisht që të ngre zërin. Ne duhet që të bëjmë përpjekje me këto buxhete që kemi të ngremë cilësinë, me këto bashkëprodhime që të tregojmë se kemi një aftësi, që të lidhim buxhetet më cilësinë e filmit, të tregojmë mirë historitë tona. Pasi shpeshherë ne nuk arrijmë që të tregojmë mirë këto histori që kemi, por merremi me gjëra anësore. Kështu që unë mendoj se çdo gjë do të vijë në kohën e duhur. Fillimisht QKK duhet që të organizohet mirë, që financimi i projekteve të bëhet mbi bazën e projekteve, që kanë cilësinë absolute. Ndërsa, vija e financimit, sipas të gjitha zërave të filmave, të vihet në ato zëra që kanë prurje cilësore. Ka një riorganizim të disa gjërave. Për shembull, disa lloj projektesh të vogla fare mund të bëhen në shkolla. Për shembull filma nga pesë minuta që i financonte QKK-ja, duke rritur numrin e prodhimeve në mënyrë artificiale.

Një arsye tjetër, që ka rënë cilësia e filmave është sepse në një pjesë të madhe të filmave regjisori është skenarist, producent dhe regjisor në të njëjtën kohë. Shumë veta në të njëjtën kohë “vrasin veten”, duke i bërë të gjitha edhe duke u shpërndarë edhe në pjesën administrative. Kjo gjë bëhet në botë, por pas shumë vitesh krijimtarie edhe eksperience. Ndërsa, unë vë re që edhe studentët sot nëpër shkolla nisin edhe i bëjnë skenarët vet. Edhe kjo do të disiplinohet do të vihen disa kufij tani. Kështu këta njerëz do të detyrohen që të bashkëpunojnë me regjisorë edhe skenaristë të tjerë. Kjo do të sjellë edhe rritjen e shtresës së producentëve...

Kjo lloj gjëje ka sjellë ndërprerjen e komunikimit të kinematografisë me letërsinë. Nuk dua që të them se do të vendosim një farë diktature, por do të lejojmë të gjitha prurjet që të vijnë edhe të përzgjedhim më të mirat prej tyre.

Cila do të jetë vëmendja juaj ndaj kineastëve të rinj?

Kineastët e rinj e kanë rrugën të hapur. Është sektori ku kineastët mund të aplikojnë për herë të parë për të bërë filmat e tyre të shkurtër. Është sektori i filmit të parë me metrazh të gjatë për herë të parë. Edhe unë do të thosha mbi këtë sistem filtrimi, kineastët e rinj do të kenë mundësi, që të provojnë se sa të aftë janë.

Ne do të mundësojmë edhe mënyrën e krijimit të projekteve, që të gjithë të gjejnë bashkëprodhues që në fazën e hershme të filmit. Ndërkohë për ta po bëj shumë përçapje, që të sjellim edhe specialistë nga jashtë. Në vend që të çojmë vetëm një individ për t’u trajnuar, do të sjellim njerëz që të mund që të trajtohen të gjithë. Por duhet që të jemi të durueshëm, që të shikojmë edhe prurjet.

Cila do të jetë përpjekja juaj që këto prodhime që realizohen gjatë një viti të shkojnë tek publiku?

Ky është një problem, që ka të bëjë me një sërë hallkash. Një nga hallkat është që mungon një aleancë e vërtetë me mediet, që t’i ndjekin këta filma që në fillim. Për shembull disa filma e kanë bërë këtë, edhe përse nuk kanë qenë më të mirët, kanë pasur më shumë publik. Është një tërësi sistemi, që ne po bëjmë përpjekje për ta ndryshuar. Kjo gjë ka ardhur si pasojë e dëmtimit të kinemave ekzistuese, nga komercializimi i kinemave, por edhe nga fuqizimi i medieve, që i japin filmat në shtëpi. Nga ana tjetër po këto media vjedhin shumë filma shqiptarë edhe i transmetojnë ato në televizion. Është një fenomen i përgjithshëm, për të cilin po përpiqemi që të funksionojë për të bërë kinematë aktive që njerëzit të shkojnë.

Një tjetër propozim i juaj, është që shkelja e të Drejtës së Autorit për prodhimet kinematografike të dënohet me burg... çfarë synoni?

Një nga pikat e platformës sime, që për fat të mirë gjeti mbështetje edhe në qeveri, pasi një sërë dëmesh të mëdha, që u janë sjellë veprave vizive, kryesisht atyre të para viteve ’90 qarkullojnë tani në media të ndryshme, pa paguar autorët, duke shkelur ligjin. Është rënë dakord me qeverinë, që çdo lloj vjedhje e imazhit në mënyrë të paautorizuar të futet në Kodin Penal. Për këtë është rënë dakord edhe po ndërtohen mekanizmat. Kam vënë re gjithashtu kohët e fundit, se janë bërë disa propozime të vogla për ligjin e të Drejtës së Autorit, që janë në kundërshtim me disa konventa ndërkombëtare. Për shembull, aktorët janë futur në procesin krijues, por aktorët janë ekzekutues, nuk janë krijues. Drejtori i fotografisë po ashtu është ekzekutues. Kështu që do të bëjmë korrigjimin për këtë, duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse. Në mënyrë që ta disiplinojmë këtë gjë, që ligji të ketë funksionalitetin e plotë të vet.

Kur do të hapen konkurset, për filmat me metrazh të gjatë, të shkurtër apo edhe dokumentarë?

Po e përgatisim këtë. Këto ndryshime ligjore që ne kemi bërë, në një farë mënyre, sepse pati ndryshime nga mënyra e vjetër. Kemi çuar propozimet për ndryshimet tona, duke bërë edhe plane rezervë, që mos të digjen fondet për këtë vit. Unë kam vetëm një muaj që e kam marrë detyrën edhe po shpejtoj kohën, por pa dëmtuar cilësinë e ndryshimeve, në mënyrë që mbledhja të bëhet dhe bordi i ri të ngrihet. Shpresojmë që maksimumi deri në fund të shtatorit të hapet konkursi për projektet e tjera. 

Edhe së fundmi, përpos eksperiencës suaj ndërkombëtare, punës si pedagog në Akademinë “Marubi”, dimë gjithashtu edhe eksperiencën tuaj, si aktor edhe regjisor në dy filmat me metrazh të gjatë, “Shpella e Piratëve”  (1990) edhe “Shpresa” (1989). Por si do ta përcillni këtë eksperiencë tuajën tek kineastët e rinj?

Në një farë mënyre, përveç këtij aktiviteti unë fillimisht kam pasur një aktivitet, si aktor, jam aktivizuar si regjisor fillimisht me kineastët më të mirë, si Kristaq Dhamo, Pirro Milkani, Kujtim Çashku etj.,, prej të cilëve mora jo vetëm një eksperiencë totale në mënyrën se si bëhen filmat. Pra, në një farë mënyre këta kanë qenë shkolla ime, kinostudioja ka qenë shkolla ime.

Në të njëjtën kohë unë kam bërë 14 filma, si asistent regjisor. E kam parë prodhimin si puna e ushtarit në luftë, në fronin e vet, edhe di të gjithë mënyrën se si ndërtohet filmi. Këtu shikoj një nga defektet e kineastëve të rinj, që nuk e njohin frontin e luftës, nuk e njohin në detaje kalvarin që duhet që të përshkojë vepra e filmit. Nga ana tjetër, unë u kualifikova andej, por edhe këtu në mënyrë autodidakte, mbi skenarin.

I gjithë ky kualifikim praktik në fushën e betejës, i shoqëruar me një kualifikim teorik unë këtë synoj edhe shpresoj që kineastët e rinj të kenë, që të mundin që të realizojnë vizionet e tyre kinematografike, të jenë të aftë që të gjejnë skenarë të mirë. Nëse nuk i gjejnë, t’i shkruajnë vet. Prandaj në bordin e ri që po bëjmë u kemi dhënë shumë rëndësi skenarëve. U kemi dhënë pikët maksimale, në mënyrë që vetëm skenarët e mirë të kalojnë edhe të radhiten ndër fituesit.

Pra kineastëve të rinj do t’u thosha, që: “Duhet të kulturojnë veten, të kenë eksperiencë të madhe edhe të njohin të gjitha llojet e prodhimeve kinematografike”. Pasi ata janë të rrezikuar në të njëjtën kohë edhe nga sulmet, që po ndodhin në arte, nga komercializimi. Invazioni komercial është shumëfishuar, prandaj edhe arti i pavarur është një nga më të kërcënuarit. Arti komercial nuk bën gjë tjetër veçse i merr tregun artit të pavarur. Në këtë pikë edhe QKK-ja po mundohet, që të kualifikojë kinesatë të rinj me idenë e distribucionit të vërtetë, bashkëprodhimeve me televizionet etj. Ata nuk duhet që të mendojnë për distribucionin vetëm në përfundim të filmit, por që në fillim të realizimit të projektit, se ku do të shpërndahet edhe kush do të jenë partnerët. Pra duhet që të bëhen më të aftë, jo vetëm në momentin e prodhimit të filmit, por edhe më pas, pasi është prodhuar.

 

Biografia

Eduart Makri  lind në vitin 1957 në Gjirokastër. Pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) në degën e Aktrimit fillon punën në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, si regjisor dhe skenarist. Në vitin 1993 fillon punën si pedagog në UA-së. Në vitin 1997 do të zgjidhet drejtor Ekzekutiv i Fondacionit të Kulturës dhe Arteve “Fan Noli”. Në vitin 1997 do të emërohet Drejtor i Departamentit të Filmit dhe Spektaklit në Televizionin Publik Shqiptar. Në vitin 2000 largohet për në Kanada. Në teatër ai do të interpretojë disa role me trupën e Teatrit të Instituti të Lartë të Arteve (sot UA), si për shembull rolin e Kronshtadit në dramën “Shtëpia e kukullës” apo rolin e hetuesit në dramën “Vdekja e një vajze”. Në kinematografi roli i tij i parë si aktor do të jetë ai i Vasos në filmin “Vëllezër dhe shokë” (1980). Më tej do të vazhdonin interpretime të tjera si ai në rolin e Aristotelit në filmin televiziv “Agimet e Stinës së Madhe”, Gjergji në filmin “Besa e kuqe”, Andrea në filmin “Në emër të lirisë”, Pirro në filmin “Shpresa”etj. Në regjisurë pjesëmarrja e tij e parë do të jetë si as/regjisor i dytë në filmin “Plaku dhe hasmi” në vitin 1981, duke realizuar gjithsej 11 regji si asistent regjisor në po kaq filma, duke bashkëpunuar me regjisorë të njohur, si Gëzim Erebara (Artist i Merituar), Hysen Hakani, Kujtim Çashku (Artist i Merituar), Xhanfize Keko (Artiste e Popullit) etj. Si regjisor, filmi i parë i drejtuar plotësisht prej tij do të jetë filmi “Shpresa” në vitin 1989 e ndjekur në “Shpella e Piratëve” 1991. Me vendosjen e tij në qytetin e Torontos (Kanada) ai do të vazhdojë profesionin e tij. Roli i tij i parë do të jetë ai i Andre Tristan, piktorit në filmin “This is Ëonderland” në vitin 2004. Interpretimin e tij më të fundit do të jetë në rolin kryesor në filmin "Missing" Season 3, Episode "Cut " në rolin e Viktor Brosky-t në vitin 2006. Eduart Makri është anëtar me të drejta të plota i ACTRA-s (Alliance of Canadian Cinema, Television and Radio Artists).

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Të dielën takohen në ring, Florian Marku 'kërcënon' rivalin: Duhet të më hedhë 'KO', nuk jam këtu rastësisht

Të dielën takohen në ring, Florian Marku 'kërcënon' rivalin: Duhet të më hedhë 'KO', nuk jam këtu rastësisht