Ekskluzive/ Të besuarit e Llallës
në shënjestrën e Arta Markut

Ekskluzive/ Të besuarit e Llallës<br />në shënjestrën e Arta Markut<br>
Arta Marku, kryeprokurorja e përkohshme që prej më shumë se 48 orë ka marrë detyrën, shumë shpejt do të riorganizojë strukturën drejtuese të prokurorive në rrethe. Marku gjatë këtyre ditëve si kryeprokurore ka zhvilluar disa takime me vartësit e saj në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë që dje zhvilloi takimin e parë zyrtar me një përfaqësues të huaj, ambasadorin e SHBA në Tiranë Donald Lu. Takimi mes Markut dhe ambasadorit Lu ka pasur në qendër mbështetjen absolute nga Ambasada e SHBA zonjës Marku në ushtrimin e detyrës së saj të hetimit të zyrtarëve të niveleve të larta në administratë dhe qeveri.

Por ajo që pritet të ndodhë në ditët në vijim nuk është vetëm pritshmëria për të hetuar korrupsionin në administratë dhe qeveri. Është edhe evidentimi i “deleve të zeza” brenda sistemit të prokurorisë shqiptare. Bëhet fjalë për hetimin e rasteve të prokurorëve të korruptuar, njëherësh dhe me objektiv nxjerrjen jashtë funksioneve drejtuese dhe komanduese të njerëzve të Adriatik Llallës. Ky i fundit gati gjysmën e prokurorëve drejtues në rrethe i ka komanduar në kundërshtim me ligjin, pasi tjetërkund kishin marrë dekretin presidencial për të ushtruar funksionin e tyre të prokurorit dhe tjetërkund ishin caktuar me detyra komanduese nga Adriatik Llalla.

Një gjë e tillë ka ndodhur me prokurorinë e Vlorës, ku Ramadan Troci, megjithëse dekretin e kishte për në Prokurorinë e Përgjithshme, qëndroi i komanduar për disa vite në prokurorinë e Vlorës. Po kështu ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë me Ardian Yllin, i cili pavarësisht se dekretin presidencial e ka për në Durrës, u komandua nga Llalla drejtues prokurorie në Vlorë. I njëjti mekanizëm po ndodh dhe në Elbasan, ku Dritan Gina megjithëse ka emërimin me dekret në Tiranë, vijon të drejtojë prokurorinë aty, për shkak të komandimit që ka marrë nga kryeprokurori - tashmë i ikur - Adriatik Llalla.

Mekanizmi i komandimeve që u ngrit përgjatë pesëvjeçarit të Adriatik Llallës si kryeprokuror, ka vijuar në Laç, Dibër, Tiranë, ku drejtuesi i prokurorisë së kryeqytetit Petrit Fusha, megjithëse ka emërimin në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk ka shkuar asnjë ditë në punë në këtë prokurori, por ka qëndruar për gati 5 vite drejtues i Prokurorisë së kryeqytetit.

Mekanizmi i kundraligjshëm, që pranohet dhe nga vetë prokurorët dhe i ndërtuar nga Llalla, ka vijuar dhe me prokuroritë e Dibrës dhe prokurorinë e Shkodrës. Pra, përgjatë pesë viteve u krijua një mekanizëm ku shumë drejtues prokurorie ushtronin funksionin e tyre jo në vendin e emërimit, por të komandimit nga vetë Adriatik Llalla.   

Axhenda e Markut
Çmontimi i këtij mekanizmi do të jetë ndër pikat kryesore në axhendën e kryeprokurores së re Arta Marku, e cila pritet të lëvizë dhe të riorganizojë thuajse të gjithë zinxhirin komandues të ngritur nga Llalla në prokurori. Qëllimi i saj me këto lëvizje është që t’i japë një frymëmarrje sistemit të brendshëm të prokurorisë dhe të promovojë prokurorë të apasionuar për të hetuar dhe që janë jashtë ndikimit politik dhe kriminal. Në fakt paligjshmërinë e këtij mekanizmi komandues e denoncoi dhe ish-kandidati për kryeprokuror Ferdinand Elezi, gjatë paraqitjes së platformës së tij, përpara komisionit të ligjeve në Kuvend.

Një hallkë tjetër shumë e rëndësishme që Arta Marku pritet të ringrejë brenda strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme është drejtoria e Inspektimit të dosjeve të prokurorëve. Kjo drejtori prej gati 1 vit e gjysmë u shkri nën drejtimin e Adriatik Llallës, duke lënë pa kontroll dosjet e më shumë se 340 prokurorëve. Sot, prej afro 1 viti e gjysmë, asnjë prokuror nuk është inspektuar për veprimet në dosjet hetimore.

Hapi tjetër dhe më i rëndësishëm, sipas burimeve të prokurorisë, do të jetë ringritja e Task-Forcave, struktura këto që prej 1 viti e gjysmë u “asgjësuan” nga ish-kryeprokurori Llalla. Këto njësi hetimi të specializuara nga ekspertë amerikanë dhe financuara nga OPDAT, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, Llalla i ktheu në seksione ekonomike pranë 7 prokurorive të rretheve. 

Drejtuesit e prokurorive të komanduar nga Llalla 
Drejtuesi i Prokurorisë Vlorë i komanduar
Drejtuesja e Prokurorisë së Korçës e komanduar
Drejtuesi i Prokurorisë Elbasan i komanduar
Drejtuesi i Prokurorisë Tiranë i komanduar
Drejtuesi i Prokurorisë Lezhë i komanduar
Drejtuesi i Prokurorisë Laç i komanduar
Drejtuesi i Prokurorisë Shkodër i komanduar
Drejtuesi i Prokurorisë Dibrës i komanduar
Drejtuesi i Prokurorisë Kukës i komanduar
Drejtuesi i Prokurorisë Berat i komanduar
Drejtuesi i Prokurorisë Përmet i komanduar

Ligji i ri, kompetencat e kryeprokurorit
1.            Përfaqëson akuzën në Gjykatën e Lartë dhe çështjet në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të rastit kur përfaqësimi bëhet nga Prokuroria e Posaçme;

2.            Nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për prokurorët e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe mbikëqyr zbatimin e tyre;

3.            Siguron mbarëvajtjen e punës në administratën e prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm;

4.            Propozon dhe administron buxhetin e prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm;

5.            Raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit;

6.            Nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për oficerët e Policisë Gjyqësore, në përputhje me këtë ligj;

7.            Përcakton strukturën e përgjithshme dhe rregulloren standard të organizimit dhe funksionimit të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe miraton organikën dhe rregulloren e brendshme të funksionimit të Prokurorisë së Përgjithshme.

8.            Përfaqëson prokurorinë në marrëdhëniet me të tretët dhe ndihmën e ndërsjellë në çështje penale të juridiksionit të përgjithshëm;

9.            Kujdeset për ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të prokurorisë;

10.          Drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e Policisë Gjyqësore;

11.          Kërkon fillimin e hetimeve për shkelje disiplinore dhe ankesa ndaj oficerëve të Policisë Gjyqësore;

12.          I dërgon Ministrisë së Drejtësisë të dhënat statistikore të ndjekjes penale, për hartimin e statistikës së njësuar në fushën e drejtësisë;

13.          I kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë inspektime tematike ose hetime për shkeljet individuale;

14.          Administron sistemin e përgjimeve, sipas legjislacionit në fuqi.

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Meta mbledh Komitetin Drejtues të Partisë së Lirisë, 'përballet' me Kryemadhin pas përplasjeve! Përshëndet me përqafim Elona Gurin

Meta mbledh Komitetin Drejtues të Partisë së Lirisë, 'përballet' me Kryemadhin pas përplasjeve! Përshëndet me përqafim Elona Gurin