Eksperti i pronave: Problemet me trashëgiminë, ku duhet bërë kujdes

Eksperti i pronave: Problemet me trashëgiminë, ku duhet bërë kujdes

Gjergj Begaj ne emisionin Kendi i Ekspertit ne Report Tv

Si çdo javë eksperti Gjergj Begaj ka sqaruar qytetarët shqiptarë mbi problematikat e pronave, në studion e emisionit “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli. Në këtë emision eksperti Begaj është përqëndruar tek problematikat që kanë të bëjnë me çështjet e trashëgimisë, por edhe me ato që lidhën me zbatimin e ligjit 7501 si komopesimi I pronarëve të tokave etj.

Zoti Begaj, cilët duhet të jenë ata që duhet të kenë kujdes për sa i përket Ligjit mbi Trashëgiminë e Pronës?
Këtë ligj ne e kemi prekur, por jo deri në thelb. Kujdes duhet të kenë të gjithë qytetarët që mbushin moshën mbi 18 vjeç e që kanë të drejtë firme, për të bërë një akt noterial, d.m.th. që janë në moshë madhore. Por, më shumë kujdes duhet të kenë moshat e treta, në lënien e trashëgimive për brezat e tjerë, d.m.th. për fëmijët ose për bashkëshortët ose bashkëshortet, që të mos i lënë me konflikte. Sepse ndodh që pas ndërrimit të jetës së moshave të treta, e shohim që gjykatat mbushen me probleme e me gjyqe që lidhen me aktet e trashëgimisë. E mira është që këta të këshillohen pranë zyrave noteriale që kanë sot të drejtën ose tagrin për aktet e trashëgimisë, procedurat për të cilat janë lehtësuar sepse para 10 vjetëve duhej që këtë akt ta bëje në gjykatë dhe zgjaste deri në dy muaj me anën e dy seancave, ndërsa tani brenda një jave e kryen thjesht pranë zyrave noteriale. Kujdes duhet treguar për problemet e falsifikimit brenda fiseve sepse kemi pasur shumë raste që kanë ndodhur. E kemi ndjekur edhe në media që raste të tilla kanë ndodhur. Ligji shqiptar, gjithmonë e ka shpërndarë pronën në mënyrë të barabartë te fëmijët e te bashkëshortët. Nenin 360 dhe 361 mund ta shfletojnë të gjithë ata që janë të interesuar dhe aty gjenden udhëzimet se si duhet përpiluar një akt trashëgimie dhe ku duhet të drejtohesh.

Flas nga Tirana. Kam aplikuar që në vitin 2010. Kam bërë një hartë me z. Begaj, dhe akoma problemi nuk është zgjidhur. Më kanë hapur probleme nga më të ndryshmet. Toka është blerë që në vitin 1995. Në procesin e fundit kemi bërë azhurnimin e parcelës me minibashkinë, me bashkinë dhe pasi është plotësuar edhe një herë dosja, më nxjerrin prapë pengesa nga më të ndryshmet. Dosja ndodhet në komunën e Kasharit. Problemi ka ngecur te harta e ish-pronarit, se duhet verifikuar edhe një herë.
Në zonat e fshatit, edhe në fshatrat e Tiranës, është punuar me hartat e vjetra të viteve të mëparshme, të cilat kanë sjellë edhe këto problemet e mbivendosjes ose të spostimit të pronave. Në momentin që zotëria do të kryejë një veprim, të marrë një leje ndërtimi ose të vendosë një kufi prone, normalisht që i lindin këto probleme dhe të drejtën për të bërë azhurnimin e ka ish-komuna, ose qendra administrative e Kasharit. Por tani procedura kalon nga ish-qendra administrative në bashkinë e Tiranës dhe nga bashkia në hipotekë. Në fakt, qytetari ka një farë të drejte sepse është procedurë e tejzgjatur për këto lloj problemesh. Për mendimin tim ky hap duhet të shkurtohet, duhet të kalojë nga qendra administrative drejt e në hipotekë. Edhe studioja ligjore mban përgjegjësinë e vet sepse prandaj jemi licencuar, që ne ta saktësojmë pronën faktike siç është në terren. Zotëria duhet të vijë edhe një herë në studion time dhe të shqyrtojmë se ku ka ngecur procedura. Specialistët tanë, për raste të ndryshme, shkojnë edhe pranë qendrave administrative, për ta ndjekur çështjen nga afër sepse mund të ketë edhe burokraci ose çështje të vogla teknike që mund të kërkojnë edhe një zgjidhje pak më të shpejtë.

Flas nga Tirana. I kam kërkuar hipotekës në Tiranë që të më japë një vërtetim për pronat e mia që disponoj në Tiranë. Përgjigjja më ka ardhur që përveç dy shtëpive të mia që kam në Tiranë, më rezulton edhe një shtëpi tjetër. Më kanë vënë edhe gjobë institucionet përkatëse sepse nuk e kam deklaruar. Por unë nuk e kam këtë shtëpi. Kam bërë disa herë kërkesë te hipoteka dhe akoma nuk më kanë kthyer përgjigje që të më sqarojnë se ku ndodhet kjo pronë e imja, që është një apartament 89 m2, që faktikisht nuk është në emrin tim. Në këtë rast janë penalizuar edhe fëmijët e mi, meqë nuk kam bërë deklarimin e saktë. Do të ishte mirë ta kisha, por nuk e kam. Ku duhet të drejtohem për ta zgjidhur këtë problem?
Ky është një rast i çuditshëm, që të kesh një pronë në letër dhe jo fizikisht. Unë ju ftoj pranë studios sime, këtu në Tiranë. M’i sill të gjitha dokumentet që ke, t’i shikojmë me hollësi dhe ndoshta specialistët e mi do të ndërmjetësojnë pranë hipotekës për ta zgjidhur këtë problem.

Flas nga Tirana. Mua më është marrë 50 dynymë tokë me ligjin 7501 dhe është shpërndarë sipas ligjit. Tani, flitet për kompensim dhe shteti thotë që ka dy lloj kompensimesh: kompensim fizik tokë me tokë dhe kompensim financiar. Agjencia e Trajtimit të Pronave nuk ma ka caktuar se si do ta bëjë kompensimin fizik tokë me tokë dhe ku do të ma japë këtë tokë. Një herë më thonë që do të ma japin afër zonës ku morën tokën time, njëherë tjetër më thonë në Gjirokastër, në Elbasan, në Kukës e në Tropojë, në një kohë që toka që morën është afër Gjirit të Lalzit. A keni dijeni ju se si do të bëhet ky kompensim?
Unë nuk jam pjesëtar i grupit të përpilimit apo të miratimit të këtij ligji sepse normalisht, në pjesën më të madhe të miratimit të ligjeve, është për të ardhur keq që nuk është marrë mendimi i ekspertëve të fushës. Do të ishte gjë e mirë po të ishte bërë kjo. Për rastin e zotërisë, në qoftë se prona ndodhet në Gjirin e Lalzit, oferta e parë do të ishte gjithmonë pranë vendit ku ndodhet prona, e përafërt, ose në një zonë tjetër bregdetare, por e përafërt. Nuk mund t’i japësh tokë prapa malit pronarit që tokën e ka pasur në bregdet. Mund të jetë sipërfaqe me vlerë, por që ai nuk mund ta shfrytëzojë për asgjë. Kështu që ky ligj ka nevojë për rishikim, sepse gjithnjë ka kohë për t’u parë gjërat. Për mendimin tim, në qoftë se ka hapësira në bregdet, komisioni duhet të marrë vendim të drejtë dhe zotërisë duhet t’i ofrojë tokë në Bregdet, ndoshta jo në Durrës, por po themi në Vlorë ose në një nga bregdetet e Shqipërisë ku ka zona strategjike zhvillimi, që mendon qeveria për turizmin. Në pamundësi të kësaj duhet ta kompensojnë financiarisht me vlerën reale të tregut. E mira do të ishte që të merrej edhe mendimi i ekspertëve të pavarur, të cilët merren me këto probleme dhe që e njohin mirë terrenin sepse po shohim që një pjesë e mirë e ligjeve janë bërë nga zyrat, pa u marrë mendimi i ekspertëve të fushës.

Dua t’ju pyes nëse dini gjë a ka dalë ligji për kënetat? Kur toka është kthyer në kënetë? Toka ka qenë tokë bujqësore dhe është kthyer në kënetë. Ndodhet në zonën e Fierit, në Kurjan.
Në qoftë se ju keni dokument të vjetër për këtë pasuri dhe në qoftë se kjo tokë ka marrë formën e moçalishtes apo të kënetës, komisioni duhet t’jua kthejë sepse edhe rezervatet edhe liqenet, pavarësisht se shteti ka investuar, por aty ku shteti nuk e përdor, atëherë mund t’ia kthejë privatit që ta menaxhojë si pronë. Pra, shteti mund t’jua kthejë dhe ju mund ta përdorni për çfarë të doni, mund të investoni që ta ktheni në tokë pjellore. Por, si rregull, në qoftë se keni dokumente të vjetra, hartë dhe kufij të vjetër dhe dokument të nxjerrë nga Arkivi i Fierit ose nga Arkivi Qendror i Tiranës, duhet t’i drejtoheni Komisionit të Kthimit të Pronave. Duhet të vazhdoni procedurën e regjistrimit.

Flas nga Vlora. Jemi pronarë të një shtëpie të vjetër, të vitit 1953. Babai dhe nëna kanë vdekur dhe kjo shtëpi tani është bërë një konflikt i madh. Shtëpia, siç e ka blerë babai, është e rrethuar me mur. Asokohe kjo shtëpi është regjistruar, por nuk është marrë certifikata, sepse nuk kishte. Babai ka vdekur 63 vjeç. Tani ne jemi 6 pjesëtarë: 2 vëllezër dhe 4 motra. Konflikti është hapur sepse komshiu kërkon pjesën tonë. Ne kemi vajtur në gjykatë, kemi bërë gjyqe dhe kemi fituar të drejtën që të marrim certifikatën dhe i çuam të gjitha dokumentet në hipotekë. Në hipotekë komshinjtë na i kanë hequr dokumentet dhe kemi mbetur pa certifikatë. Po zihemi e po grihemi për çështjen e pronës. Puna është që nuk marrim dot certifikatën. Ku të drejtohemi ne?
Emisionin e hapëm me çështjen e trashëgimisë. Në Shqipëri kemi mungesë të theksuar të ruajtjes së dokumenteve dhe të pronave, duke e krahasuar me botën perëndimore. Arsyet dihen sepse edhe regjimi ashtu ishte. Prona u zhduk në kohën e monizmit. Tani dalin këto defekte. Tani për rastin e zonjës. Në qoftë se prona ka rrjedhur ose ka qenë në emrin e babait, këtë problem e zgjidh ligji i trashëgimisë, i cili e shpërndan pronë të barabartë te të gjithë fëmijët. Dhe në qoftë se ka mosmarrëveshje, siç thotë zonja për rastin e saj që kanë konflikte me njëri-tjetrin, është gjykata ajo që merr përsipër zgjidhjen e këtij problemi. Gjykata cakton ekspert dhe ai ndan pjesët. Tani zonja ka problemin se nuk merr dot certifikatën e pronës. Kanë konflikt me komshinjtë që ndikojnë në administratën e hipotekës që të mos u vijë certifikata e pronësisë. Në qoftë se i keni të gjitha dokumentet e pronësisë, keni fituar edhe me aktin e trashëgimisë, atëherë ka një gjykatë në Vlorë që merret me këtë çështje, ka një prokurori, ka një krim ekonomik. Duhet të drejtoheni në një nga këto institucione dhe në qoftë se keni pengesë nga hipoteka, duhet që ta vini përpara përgjegjësisë ligjore. Nuk keni përse të shqetësoheni. Keni pengesë në institucionin e hipotekës, atëherë duhet t’i drejtoheni njërit prej organeve të mësipërme që ju sugjerova. Nëse ju jeni të pamundur që ta bëni këtë, atëherë duhet t’i drejtoheni një studioje ligjore, që t’ju ndihmojë në këtë drejtim. 

* Për qytetarët që kanë probleme pronësie, drejtohuni pranë Studio Ligjore “Bylis”, përballë Hipotekës në Tiranë, Rruga “Panorama”. Kontaktoni edhe në numrin e celularit 0694093431

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Balla takon Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammed Bin Zayed Al Nahyan: Zgjerim i bashkëpunimit në fushat e policisë dhe sigurisë

Balla takon Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammed Bin Zayed Al Nahyan: Zgjerim i bashkëpunimit në fushat e policisë dhe sigurisë