85 foto të rralla nga arkivi i çiftit Quaroni/ Mbesa: Ju rrëfej kujtimet e gjyshërve për Shqipërinë e viteve 1928-‘31

Para 90 vitesh çifti Larissa dhe Pietro Quaroni udhëtuan nga Italia, për të qëndruar me mision diplomatik në Ambasadën e Italisë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe ata jo vetëm përjetuan ngjarjet e viteve 1928-1931, por edhe fokusuan në objektivin e aparatit të tyre fotografik, jetën e përditshme, traditat dhe natyrën shqiptare, kostumet tradicionale të grave edhe të burrave shqiptarë, pa harruar veçanërisht zhvillimet politike dhe personazhet më dominant të kohës, nën udhëheqjen e mbretit Zog. Për këtë, mbesa e tyre, Cristina Quaroni, e cila jeton prej një viti e gjysmë në Tiranë, si bashkëshortja e Ambasadorit të Spanjës, Vicente Canelles Montero, rrëfen për kamerën e “Report TV”  se si ra në kontakt me arkivin fotografik “Shqipëria”.

Zonja Quaroni, gjendemi këtu përballë veshjeve formale, që gjyshërit tuaj kanë përdorur në Shqipëri…

Kjo është diviza diplomatike që mbante gjyshi im edhe kur gjendej këtu në Shqipëri e ka përdorur shpesh, sepse ka pasur shumë festa zyrtare, parada ushtarake etj. Kështu që të gjithë diplomatët që merrnin pjesë në këto ceremoni mbanin veshur divizën diplomatike.

Ndërsa fustanin, gjyshja ime e ka porositur këtu në Tiranë për raste e festa të veçanta. Ky është një fustan që vjen si ripropozim i fustanit antik shqiptar, të aplikuar në një copë mëndafshi.

Kur i keni parë për herë të parë këto veshje?

Fustanin për herë të parë e kam zbuluar dy vjet më parë, ndërsa divizën e njihja mirë, pasi gjyshi im e ka mbajtur gjatë gjithë viteve të karrierës së tij diplomatike.

A të kanë folur gjyshërit për Shqipërinë?

Gjyshin e kam njohur pak, pasi është ndarë nga jeta kur unë isha 7 vjeç. Por gjyshen e kam njohur mirë, madje kam jetuar me të për disa vjet. Dhe ndonjëherë më fliste për Shqipërinë, kjo edhe, sepse fëmija i saj i parë kishte lindur në Tiranë. Është ky këtu, Giorgio, vëllai i tim eti.

Çfarë ju ka thënë konkretisht gjyshja juaj Larissa. Ajo ka qëndruar pak vite në Shqipëri, megjithatë me siguri që ruante përshtypjet e saj...

Ata kanë kaluar shumë mirë, kanë qenë shumë të lumtur këtu në Shqipëri. Dhe kanë ruajtur gjithmonë kujtime shumë të bukura nga ky vend. Madje mbaj mend se gjatë viteve ’90 kur ka komunizmi ra, ne kemi parë së bashku gazetat. Edhe pse shumë shqiptarë po vinin drejt Italisë. Edhe gjyshja më thoshte: “Këta njerëz të vuajtur, tanimë më në fund mund të lëvizin nga vendi i tyre”. Edhe e ka ndjekur situatën deri në fund. U nda nga jeta pak kohë më vonë, por zbarkimet e para të shqiptarëve në Itali i ka ndjekur me shumë interes.

Si ratë në gjurmët e 3 albumeve me mbishkrimin “Shqipëria” sipër ?

Arkivin e zbuluam një ditë fare rastësisht. Ishim në shtëpinë e gjyshërve, bashkë me time bijë duke kërkuar dokumente të gjyshit tim që i ruante në një dollap. Para tij gjendej një baule e madhe që pengonte kalimin. E hapëm, që të mund ta spostonim, sepse ishte shumë e rëndë dhe atje gjetëm tre albume me mbishkrimin: “Shqipëria”.

Çfarë rëndësie do të merrnin këto albume më pas, edhe me detyrën e re të bashkëshortit tuaj?

Në atë periudhë nisi të flitej nga ministria e punëve të jashtme spanjolle, se ndoshta ne do të mund të vinim këtu në Shqipëri. Dhe unë mendoja, me siguri që gjyshërit e mi tanimë e kanë vendosur dhe fakti se më “shtynë” të gjeja rastësisht albumet  është një shenjë e mirë. Do të thotë që tanimë edhe ne do të shkojmë në Shqipëri?

Këtu jemi përballë një fotoje të zonjës Larissa...

Po gjendet në  ambientet e shtëpisë ku kanë qëndruar në Tiranë.

E keni gjetur shtëpinë ku ata kanë jetuar, keni mundur ta vizitoni?

Jo, kam kërkuar, por nuk kam mundur të kuptoj se ku gjendet. Por me shumë mundësi ajo shtëpi nuk ekziston më. Duhet të ketë qenë një nga ato vila që me kohën është shkatërruar për të ndërtuar pallate më të mëdha.

Ndër këto imazhe, a ka ndonjë të cilën e keni më përzemër?

Ka disa! Kjo me siguri pasi është një foto shumë e bukur. Në aspektin artistik është një foto tipike e atyre viteve. Edhe pastaj janë disa foto-portret që i ka bërë njerëzve, foto me kostume tradicionale, të veriut të Shqipërisë si këto... Kjo e pazarit, si edhe jeta e përditshme, njerëzit e thjeshtë që mund të mos kishin poste, por ishin pjesë e jetës së Tiranës, apo edhe të Shqipërisë në përgjithësi. Si këta këtu. Të gjithë këta njerëz, që për momentin fatkeqësisht janë anonimë, sepse nuk kemi mundur të dimë se kush janë. Por kush e di? Ndoshta dikush që do të vijë të vizitojë ekspozitën mund t’i identifikojë dhe ndoshta mund t’u vendosim një emër.

Ka disa që kemi mundur t’i identifikojmë dhe jam shumë e lumtur për këtë. Për faktin se vizitorë apo njerëz të ndryshëm mund të identifikojnë gjyshërit, stërgjyshërit, të afërmit e tyre në këto fotografi.

Çfarë apo kush ju ka nxitur që këto foto t’i ekspozonin?

Ishin miq edhe të afërm, të cilët kur morën vesh se unë kisha këto fotografi erdhën t’i shikonin dhe më thanë se këto materiale do të ishin shumë interesante për Shqipërinë, pasi nuk kishte shumë fotografi që i përkasin asaj epoke. Si dhe për faktin se ishin shkruar emrat e njerëzve në album ishte një dokument historik i rëndësishëm. Kështu prej aty, unë fillova të mendoj se duhet të hapja një ekspozitë me këto fotografi në një farë mënyre për ti risjellë kujtesën kolelektive këtij materiali.

Janë gjithashtu dy dokumentarë, që publiku mund të shikojë në COD?

Po janë dhe dy dokumentarë. Njëri i arkivit “Luce” (LuÇe), i cili është restauruar dhe është momenti kur ministri i punëve të jashtme Dino Grandi ka vizituar Shqipërinë. Na i kanë dhënë përkohësisht për këtë ekspozitë nga Instituti “Luce”.

Keni gjetur diçka që ndoshta ka mbetur e pandryshuar?

Ndonjë peizazh, veçanërisht në malet e Veriut të Shqipërisë, ndonjë zonë pranë Shkodrës. Në këto vende gjendet ende ndonjë peizazh i ngjashëm me ato të fotos. Ndërsa, në qytete gjërat kanë ndryshuar dhe të gjesh elementë të përbashkët bëhet më e vështirë. Edhe pse ende mund të identifikohen disa detaje të vogla. Janë ende sot ministritë, sheshi Skënderbe, Xhamia, etj, ndërsa në pjesën tjetër është tepër e vështirë, edhe sepse qyteti është rritur shumë. Popullsia është shtuar , dhe mbetet pak nga ato imazhe, mbetet edhe pak natyrë në qytetin e Tiranës, edhe ka qenë kjo një nga gjërat që tërhiqte shumë gjyshen time.

Po për mbretin Zog, gjyshërit ju kanë rrëfyer diçka?

Po ata e kanë takuar shumë herë mbretin Zog ndërsa ishin në Shqipëri, kishin shumë kontakte me të, Dhe gjyshi im, nga ajo që kam lexuar në librin e tij, ishte i impresionuar nga mbreti si personazh, në momente të vështira, por njëherazi me shumë projekte modernizimi. Me siguri që ka qenë me shumë interes për një të huaj të ndiqte këto proceset e transformimit të qytetit, proceset e modernizimit, krijimin e kodeve të rinj civil, penal apo komercialë. Pra i gjithë procesi i modernizimit ka qenë shumë  interesant në ato vite.

Keni disa kohë në Shqipëri, si ka qenë kjo periudhë për ju? Dhe a ju ndodh ta bëni lidhjen se në një farë mënyre, rimerrni pas 90 viteve misionin diplomatik të gjyshërve tuaj...

Është pak a shumë si mbyllja e një qarku. Ata kanë qenë këtu para 90 vitesh dhe tani jemi ne këtu përsëri. Edhe në sajë të kësaj ekspozite kemi mundur të rikrijojmë kontaktet me familjet e njerëzve që janë fotografuar. Kështu historia përsëritet dhe qarqet mbyllen.

Çfarë ju tërheq më shumë nga Shqipëria?

Më tërheqin veçanërisht njerëzit. Kam gjetur një pritje të ngrohtë, një miqësi të madhe nga ana e shqiptarëve., dhe shumë ngrohtësi njerëzore. Dhe pastaj peizazhet e Shqipërisë janë të mrekullueshëm. Është një vend shumë i bukur . Ne jemi munduar të vizitojmë pak nga e gjithë Shqipëria, na duhet ende, por shpresojmë që do të mund të shohim shumë të tjera, sepse ja vlen Përpos kësaj këtu ka ushqim shumë të mirë.

Po përsa i përket gjuhës shqipe,keni mundur të mësoni diçka?

Gjuha shqipe është shumë e vështirë, por fakti se shumica e shqiptarëve flasin shumë mirë italisht dhe anglisht nuk na jep shumë stimuj për të mësuar.

Keni mësuar anglishten, spanjishten...

Po po, por duke qëndruar në Tiranë, nuk ndihet shumë nevoja për të mësuar shqipen. Por është e vërtetë se duke mos mësuar gjuhën, ka shumë gjëra që i humbet.

Është e vështirë të jesh gruaja e një ambasadori?

Jo, unë nuk e ndiej si diçka të vështirë.

Nëse ka diçka që dëshironi të shtoni?

Këto foto janë digjitalizuar dhe përpunuar nga profesionistë shqiptarë që kanë bërë një punë shumë të bukur, dhe e gjitha kjo punë e bërë jo vetëm me profesionalizëm por edhe me zemër shpresoj se do të vlerësohet nga vizitorët. Puna e tyre jo vetëm që më ka dhënë sodisfaksion por edhe më ka prekur.

Dhe së fundmi, fotot e digjitalizuara ju ja dhuruat edhe COD-it?

Kemi dashur në njëfarë mënyre t’i kthejmë popullit shqiptar këto foto dhe shpresojmë, që mund të enë një pikë referimi për studiues shqiptarë apo italianë që duan të studiojnë këtë periudhë, por edhe një ndihmesë për ata njerëz që duan të rigjejnë kujtesën, për të ditur diçka më shumë për të kaluarën e tyre. Sepse historia është e një rëndësie të madhe për çdo popull. Kush nuk njeh historinë e vetë vështirë se mund të dijë të interpretojë të tashmen. Kështu që kjo është një mënyrë për ta pasur një copëz të së kaluarës “live” në tre dimensione, sepse ka foto që janë realisht të thella për kontekstin historik që mbartin. Kështu do të jetë më e lehtë për të kuptuar atë që ka ndodhur ë ato vite, të shikosh transforminin, edhe të bësh krahasimin me atë që është tani. Dhe shpresoj që kjo mund të shërbejë për të risjellë disi memorien kolektive të atyre viteve brezave të tanishëm.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale