Ekspozita “Shpirti lakuriq” i Mones në Verona. Artisti: Më mjafton një fërshëllimë, që të ekspozoj në Shqipëri!

Ekspozita “Shpirti lakuriq” i Mones në Verona. Artisti: Më mjafton një fërshëllimë, që të ekspozoj  në Shqipëri!

Foto nga ekspozita ne Verona

Piktori dhe skulptori Miço Mone çeli në Verona të Italisë ekspozitën “Shpirti lakuriq”. Në 30 vepra në qeramikë, 21 piktura në vaj si dhe disa vepra në mermer e bronz të ekspozuara në kishën “San Pietro Incarnario” artisti transmeton në pikturën e skulpturën e tij ide pozitive dhe humaniste, për të zbuluar botën e brendshme të njeriut dhe dashurinë e tij për të bukurën. Artisti i lindur edhe rritur në Divjakë në një intervistë për ReportTV rrëfen ecejaket e tij në pikturë, që nga fillesat, tek këmbëngulja e tij, që përpos frekuentimit të degës “Bio-kimi” dhe takimet me artistë në studio, tek ekspozitat dhe autocensura gjatë regjimit komunist, e më tej tek ëndrra e kahershme për të ekspozuar një ditë edhe në Shqipëri.

Zoti Mone, prezantoni para publikut italian ekspozitën "Shpirti lakuriq" në Verona. Si lindi kjo ekspozitë?

Mendimi ka lindur para vitit 2012, për të cilin fillova dhe realizova 30 skulptura në terakotë, për një periudhë relativisht të shkurtër. Nga këtu kisha gati vetëm projektin, por më duhej të realizoja po aq piktura e të hapja një ekspozitë që ti përgjigjej ekzigjencave të mia në lidhje me të bukurën, atë të shpirtit puro, pa truke, nudo, që konsumizmi i kohës tonë gati e ka braktisur. Skulpturat e përfunduara më shtynin shpesh para kavaletit që të realizoja në pikturë pjesën tjetër të ekspozitës, sepse mezi prisja ta publikoja këtë leitmotiv fishekzarësh, që ngjallë në ndjenjat e çdo kujt e bukura, trajtuar keq nga sindroma e kohës, ajo e fitimit.

Izolimi në karantinë ishte rasti që unë realizova rreth 11 tablo në formate të mëdha, duke u’a shtuar të tjerave të realizuara më parë që integrohen me temën, bënë të mundur këtë ekspozitë.

Në një periudhë pandemie, që është duke kaluar e gjithë bota, si ka ndryshuar jeta juaj si artist, por edhe jeta artistike në vendin që jetoni ju?

Është korrekte të pranohet, sa është edhe e dukshme rënia drastike e çdo aktiviteti jetik, prodhues, argëtues dhe akoma më shumë krijimtaria, që lidhet direkt me klimën shpirtërore për të prodhuar, më shumë akoma mundësia për ta ekspozuar atë. Megjithëkëtë unë kam punuar në atelienë e adoptuar për pikturën në shtëpi, por vetëm në pikturë. Ndërsa studion e skulpturës, që është rreth 30 km larg nga vendbanimi im, ishte e pamundur si ambient publik dhe dekret-ligji nuk ma lejonte. S'kam pasur kohë të trishtohem, sepse punoja intensivisht në pikturat që të plotësoja ekspozitën, dhe pse më mungonte skulptura dhe miqtë që janë të përhershëm në diskutimet për punët në proces. Piktura realizohej në efektin e "koncerteve" të improvizuara nga vajzat e mia, e madhja në klarinetë e pianoforte që studion në konservatorin e Veronës, ndërsa e vogla që shkëlqen në flaut, por që është regjistruar në liceun arteve figurative. Ime shoqe më plotësonte nevojën e kritikës. Vetëm vuaja mungesën e kontaktit me natyrën dhe ekspozimin.

Verona, qyteti me numër rekord të teatrove, kinemave, galerive e muzeve të arteve, festivali mondial i lirikës në Arena dhe numri rekord i ekspozitave  të artistëve të seleksionuar nga vendi dhe bota, i ngjante një pishtari të shuar që nuk do t’ia uroja të përsëritet.

Zoti Mone, nëse rikthehemi në retrospektiv, si ka lindur dëshira juaj për skulpturën dhe pikturën?

Se si ka lindur dëshira, është e vështirë të shpjegohet, por di të them që ajo që ndjejmë brenda nesh edhe po e quaj dëshirë, duhet ushqyer, duhet aplikuar që fëmijë dhe ajo do të stabilizojë atë që të duhet, dhe duhet ta ndjekësh atë. Një etyd që e kujtoj shpesh dhe që i përket fëmijërisë së largët, ka qenë kontakti im i parë dhe i dhimbshëm me "kritikën": Në kopsht, edukatorja jonë që ishte e fejuar, në pranverë na shpinte shpesh tek një fushë e lulëzuar me kamomil e na vinte të punonim në baltë për një temë të caktuar, ndërsa zhdukej në arën e florinjtë të grurit me të fejuarin. Këtë herë ne fëmijët e ndoqëm kurioz këmbadoras në vijat e grurit dhe kur pamë skenën dashurore të tyre, u tërhoqëm pa u ndjerë. Unë ndërrova temën që na dha mësuesja e bëra skenën që sapo pamë. Edukatorja u kthye me të fejuarin dhe filloi të kontrollonte punët për të bërë vlerësimin. Kur arriti tek puna ime, mes të qeshurave memece të grupit, pa i hedhur sytë gjëkundi, më qëlloi me një thupër kallami që e mbante shpesh kur dilnim në natyrë. Kjo kritikë e dhunshme, forcoi tek unë besimin që në atë që bëja kishte diçka, që ja vlente të vazhdoje. Pastaj ambienti i familjes, inkurajimi, natyra ku rritemi, ushqejnë këtë fakt dhe se lënë vetëm një dëshirë, por e rritin në një diçka më të madhe. Është skulpturë apo pikturë, ndikojnë ngjyrat e peizazhit, flora dhe kur gjënë veten në të dyja, është më mirë pa dyshim.

Para viteve ‘90, si është zhvilluar dhe si ka ndikuar në këtë qyteti i lindjes?

Gjithçka që i përket kësaj teme, nis nga fëmijëria, kur iluzionet fillojnë të zëvendësohen me atë që i quajmë "projekte" në të cilët jetojnë deri në maturi elementë të rrallë si e bukura, elegantja dhe loja serioze me to, elementë mbi të cilët lindë spontan abstragimi dhe krijimi i mirëfilltë.

"Kalvari" i mrekullueshëm për të arritur diçka në këtë rrugë, për mua, i ngjante një ëndrre por nuk ishte ëndërr. Ajo ishte e bukur dhe e dhimbshme njëkohësisht edhe pse të bënte t’i jetoje fazat e rritjes dyfish, ndërmjet përkushtimit në art dhe detyrimeve ndaj jetës së zakonshme. Herë i mbingarkuar dhe herë i lehtësuar nga shkarkimi i ndjenjave, fillova të respektojë arritjet e mia, duke i demonstruar në mjedisin e atëhershëm, kështu vinte edhe vlerësimi dhe sodisfaksioni. Hapi i parë dhe vendimtar ishte ai i '79, kur ndërmjet ankthit dhe emocionit (por jo i pa sigurt) vendosa çeljen e ekspozitës së parë, vlerësimet e të cilës vendosën koordinatat e të ardhmes time. Fakti që gjeta në rrugën time korifenj të artit e të kulturës, si Naum Prifti, Dhimitër Pilika e Koçi Petriti, i dha rezultatet e saja që në ekspozitën e parë.

Më pas arriti puna me skenografinë dhe studio e pikturës, mësimdhënia dhe rrethet e vizatimit, ekspozitat kolektive dhe njohja me ekspertë të fushës së artit viziv dhe letrarë. Të gjitha këto çuan në ekspozitën e '89 në Divjakë e Lushnjë. Pas konkurrimit për t’u pranuar në Akademinë e arteve të bukura, për dy vite rresht, pa mundur të fitoj, fillova të studioj Bio-Kimi, por gjithçka ishte e fokusuar në Pikturë e Skulpturë. Për këtë studioja u bë referim i takimeve e leksioneve të vërteta me artistë të mëdhenj të artit.

Divjaka, padyshim ishte preludi i suksesit tim në të gjithë kuptimin e kësaj fjale. Ajo i ka të gjitha bukuritë dhe në këtë bukuri gjinden embrionet e të gjitha krijimeve të mia, aq sa edhe sot më ndjekin nëpër botë dhe meritojnë interesin internacional që shfaqin shikuesit dhe kritika, në ekspozitat e mia në Itali dhe jashtë saj.

Shumë artistë ndikoheshin nga censura e kohës, por si ka ndikuar tek ju kjo? Tematikat apo vëmendja që i keni dhënë peizazhit, a ua ka bërë situatën më të lehtë?

Peizazhi për mua ka qenë poezia e pikturës time, por edhe tabloja kompozicionale nuk është inferiore, të dyja zhanret janë në raporte gati të barabarta në krijimtarinë time. Censura godiste njëlloj dhe ushtrohej mbi të gjithë si formë e pushtetit të pa aftëve. Artistët i ngjajnë atij burimit që duan ta mbulojmë duke hedhur mbi të dhera e gurë, e akoma dhe e gurë...por që brenda tij rritet presioni, rritet kundërshtimi dhe këto matarojnë vepra e autorë të mëdhenj edhe kur ju mungonte liria, ku krijimtaria shpalos të plotë vitalitetin e saj. Më e keqja është autoçensura, që e çon autorin në tharjen e tij, në zvetënimin e veprës. Si të tillë autorëve u duhej të gjenin ato kuota të krijimtarisë së tyre, ku nuk arrinte imagjinata e pushtetit injorant, ose të anashkalonin me zgjedhjen e tematikës, temat e nxehta.

Unë nuk jam gjetur ndonjëherë në syrin e ciklonit, duke bërë kujdes në seleksionimin e tematikës, por dhe i bindur në atë që mos të hidhja gjithçka timen në erë. Guximi për mua është konsumuar me kujdesin maksimal. Për të mbrojtur lirinë e mendimit tim, në realizimin e operave që kanë ndenjur të fshehura deri në ditët e ndryshimit të madh.

Po largimi nga vendi, si ka ndikuar në krijimtarinë tuaj?

Mendoj shpesh se arti është prushi i ngelur nga dhimbja. Dhe e konfirmojë katërçipërisht këtë, sepse pikërisht kur gjithçka shkonte në kahun e së mirës për mua në vendin tim, me luftën për përmbysjen e sistemit, ajo për të cilën të gjithë luftuan, ky ndërrim sistemi solli rrëmbimin e laboratorit të krijimeve të mia. Thirrjet varfanjake të atyre që uzurpuan rezultatet e këtij rrëzimi, si: "të shkatërrojmë e të rrëmbejmë gjithçka, që të na ndërtojë Europa..." për të fshehur vjedhjet e tyre, çuan edhe në rrëmbimin nga njerëzit e tyre të studios time.

Tentova për më shumë se dy vite të punoja në kushte shtëpie e në natyrën e pyllit të Divjakës, por jo gjithçka mund të realizohej në mrekullinë e tij... e kështu ikja u bë e pashmangshme. Kështu nisi aventura, por jo për aventurë.

Me të arritur në Itali, pa u çlodhur e pa eksploruar këtë tempull të artit, u gjeta i ngujuar në shtëpinë e parë me qira, nga mungesa e punës. Në një muaj realizova rreth 50 piktura në vaj, në të cilat dëgjoheshin akoma përplasjet e dallgëve të frikshme me skafin që na çonte drejt të panjohurës dhe britma e ikjes, ikja vetë si copëra letrash që era i zbulon nga rëra brigjeve të detit dhe nuk dihet ku përfundojnë. Ne i ngjanim gjetheve të vjeshtës që lundronim mbi një thellësi mbi 800 m, larguar nga trungu mëmë. Paraqitja në një ekspozitë kolektive në Corato të Barit, i kësaj "lloj" pikture, bëri të flitet shumë nga kritika. Ky vlerësim më hapi dritën jeshile për disa ekspozita personale dhe shumë të tjera kolektive, në Itali dhe jashtë saj, për të arritur tek "Nudo d'anima'' e para personale në Verona, pas disa dhjetëra ekspozitave kolektive.

E konceptuar si vazhdim logjik i stilit dhe qëndrimit tim konceptual për botën, sjell të bukurën, që për një periudhë nuk kam pasur kohë ta ekspozoj, por kurrë s'kam qenë i braktisur prej saj, ose ta kem braktisur atë. Si një leitmotiv dëshirash të harruara, të zhvlerësuara nga absurditeti i fitimit me çdo kusht edhe mbi shenjtërinë e bukurisë që kemi aq shumë nevojë, unë krijojë këtë mundësi për të ndaluar për një çast, qoftë edhe një çast të vetëm në shoqërinë e kësaj mrekullie të zhveshur deri në shpirt. Trajtuar me delikatesën e atij që shumë ka vuajtur e që të bukurën e ka pasur të përhershme në shqetësimet për artin, kjo ekspozitë hap siparin e të tjerave personale pas kësaj mbyllje të gjatë në Verona.

Ndërkohë, që ekspozoni jashtë vendit, cilat janë raportet tuaja me artistët shqiptarë art, por edhe me rikthimet për të ekspozuar në Shqipëri?

Të flasësh për lidhje të qëndrueshme bashkëpunimi, është e pamundur, por të gjendesh mes miqve që krijojnë në letërsi dhe arte është e zakonshme. Aty ekziston edhe një lidhje shkrimtarësh dhe artistësh Shqiptarë në Itali dhe në aktivitetet që organizojnë, kur gjejë ndonjë moment ju bashkohem, të njëjtën gjë bëjnë edhe ata. Kjo plejadë artistësh po të ishte pjesë e ndihmës së programeve të qeverisë Shqiptare, do të jepte emra të spikatur në letërsi dhe arte pa më të voglin dyshim, por nuk ndodh kështu. Shumë prej tyre botojnë në vendin tonë dhe i marrin librat me vete për t’i dhuruar, në një kohë kur aty i trajtojnë si burim fitimi. Ky mekanizëm bënë që shumë emra të ardhshëm artistësh të vërtetë i çon në zhgënjim dhe i detyron ata të largohen nga mrekullia e talentit të tyre përgjithmonë.

Pyetja më e bukur që më bëni, është kjo e kthimit për të ekspozuar në vendin tim, por edhe më e dhimbshme për mua. U ktheva pak vite të shkuar me këtë dëshirë të bukur, kërkova deri në kryeministri duke paraqitur edhe katalogë e korrikulum, deri edhe kryeministrit nëpërmjet sekretarit të tij për artet edhe drejtorit të galerisë ju dhurova nga një katalogë. Ata të mrekulluar nga operat e mia, më siguruan që: Je në listë i pari, por edhe pas 4-5 vitesh radha ime nuk ka ardhur. Të ekspozosh në vendin tënd nuk është thjesht dëshirë, ajo është një lloj imperative dhe kur nuk realizohet...! Por unë nuk demoralizohem , sepse di që: "lumë kush të rrojë...

Dhe se fundmi, cilat janë projektet e ardhshme artistike?

Po punoj prej pak kohe për një personale në Kopenhagen, që do të më shoqërojë kritikja e njohur prof. Maria Teresa Prestigiacomo si kuratore, është ajo që më ka paraqitur në Paris, Bruksel, Romë e Vatikan. Ndërsa nga numri i konsiderueshëm i punëve që kam, po grupoj punë në tri tema sipas përmbajtjes së tyre, për tu paraqitur në disa qytete në Itali. Dhe sigurisht do t’u përgjigjem ftesave për kolektivet që do të më paraqiten. Mbetet gjithmonë e projektuar ideja e një ekspozite në Tiranë, mjafton të marrë një sinjal apo një fërshëllimë nga vendi ku ëndrrat e mia morën vrapin për së pari.

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Bëjnë paqe? Heidi dhe Romeo puthen dhe përqafohen në oborr

Bëjnë paqe? Heidi dhe Romeo puthen dhe përqafohen në oborr