Emigrantët kthejnë sytë nga 13-vjeçari që sot nuk shkoi në shkollë: I dua shumë, zoti i ruajt! 'Dua të iki në Amerikë'

Nëse njerëzit me zemër të madhe bëhen bashkë, shumë fëmijë nuk do të kishin lot në sy. I tillë është edhe rasti i Seldi Avdo, 13-vjeçarit nga fshati Çiflik i Bashkisë së Urës Vajgurore, i cili këtë 16 shtator nuk kishte mundësinë të ishte në ditën e parë të shkollës. Por falë humanizmit të disa emigrantëve shqiptarë, Seldi tashmë ka mundësi të shkojë në shkollë, në klasën e shtatë.

Me paratë e mbledhura nga dy emigrantë, Margiglen Canka nga Holanda dhe Mustafe Beliu nga Kosova por që jeton në Gjermani, prindërit e Seldit kanë mundësi të blejnë veshmbathje dhe mjetet shkollore. Kjo ndihmë erdhi pas transmetimit të historisë së Seldit në Report Tv dhe emisionin 'Pa Gjurmë'. Ndërkohë, përfaqësues të Bashkisë së Urës Vajgurore kanë mundësuar që djali të marrë librat falas.

"Do i falenderoj shumë, i dua shumë zoti i ruajt të dy", thotë Seldi teksa tregon se lënda e tij e preferuar është anglishtja. "Dua të iki në Amerikë", tha Seldi në një lidhje direkte nga shtëpia e tij me emisionin "Pa Gjurmë" me moderatore Odeta Dumen.

"Dua të kem një shtëpi si gjithë shokët e mi, të kem rroba, një tokë", thotë i prekur djali 13-vjeçar.

Situata e rëndë ekonomike është edhe për shkak se kryefamiljari Sotir Avdo është i paaftë fizikisht pas një aksidenti në minierë në vitet '90.

"Sot rreth orës 12:00 tërhoqëm paratë. Të dy personat i falenderoj shumë. Qofshin me jetë, gëzofshin siç gëzuan buzën e djalit tim që dikur ka qenë i sëmurë. Kam nga 2001 e në këto vite që jam aksidentuar në punë dhe nuk kam punuar. Kam qenë në vitet '90 në Memaliaj në Tepelenë në minierë, kam punuar 1 mijë metra nën dhe. Jam aksidentuar në pastrimin e qymyrit. Më ka marrë brigadieri në krah por është bllokuar dhe rruga në shina, dhe më ka mbajtur brigadieri në krah 4 këmbë në rrugë", tha babai i Seldit.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento