Një person vdiq dhe dy të tjerë u plagosën në Bulqizë për shkak të një konflikti të agravuar familjar, që sipas kryeplakut të fshatit Topojan ka lindur 3-4 muaj më parë. (Lexo këtu)
Ditën e djeshme, Adriatik Jella i preu veshët kunatit të tij, Baftjar Çidhnokut në Maqellarë e më pas, në orët e vona të mbrëmjes, ai ka shkuar në shtëpinë e bashkëshortes në Topojan për ta marrë këtë të fundit për në banesën e tij.
Kryeplaku i fshatit Topojan, Vehbi Shehu tregoi për Report Tv kronologjinë e ngjarjes së ndodhur në shtëpinë e vjehrrit të Adriatik Jellës në Topojan, Veli Çidhnokut.
"Nuk kam qenë në vendngjarje por di të them që ka ndodhur në orën 18:00 të mbrëmjes. Ka ardhur Jella, viktima, u ka bërë terror atyre, në fund është ndeshur me mikun e Veli Çidhnakut, Flamur Delishin, dhe e ka qëlluar me thikë, në qafë dhe dy herë në brinjë. Flamur Delishi është miku i familjes së atij që iu prenë veshët. Adriatik Jella ka bërë terror tek banesa, e ka qëlluar Flamur Delishin me thikë, ky është dërguar sëbashku me vëllain e tij në Spitalin e Tiranës. Adriatik Jella u sulmua nga Veli Çidhnoku me dru në kokë", u shpreh kryeplaku i fshatit.
Shehu bëri të ditur se konflikti familjar ka nisur përpara 3-4 muajsh, për shkak se bashkëshortja e kishte braktisur.
"Bashkëshortja e ka lënë, ka nja tre muaj, ka dy fëmijë me të. Ai kërkonte që ta merrte përsëri, aty ka pasur konflikte, nuk ia kanë dhënë, për këtë arsye ka ndodhur ngjarja", u shpreh ai, duke shtuar se gjatë konfliktit kanë qenë prezentë edhe fëmijët.
Vehbi Shehu bëri të ditur se Adriatik Jella është dërguar i gjallë në Spitalin e Peshkopisë, cka lë të kuptohet se ka ndërruar jetë në ambientet spitalore.