Fan Noli Kryeminister, Një libër
për kryeshtetarin erudit

Fan Noli Kryeminister, Një libër<br />për kryeshtetarin erudit
Fondacioni Fan Noli, një nga institucionet kulturore në shërbim të kulturës  kombëtare, po e çon më tej misionin në vlerësimin historik të personaliteteve të shquar të kombit. Këtë e tregoi më së miri dhe botimi prej tij,  i librit Fan Noli kryeministër.

Publikut të gjerë i jepet shansi që përmes këtyre shkrimeve të marr informacion dhe fakte të reja historike, për ngjarje të nxehta të zhvillimeve politike në vend, në kohën kur veproi Fan Noli, duke  iu dhënë mundësinë për të riparë mjaft ngjarje të veprimtarisë së tij si kryeministër, në një kënd vështrim të ri, që hedhin mendime me vlerë studimi dhe rishikimi. Botimi  me prurjet studimore që sjell, i shërben historisë dhe kulturës kombëtare,  ngjall interes dhe hap dritare për mjaft ngjarje historike në të cilat veproi ky kryeministër gjatë shërbimit në Shqipëri, ai përciell mesazh  dhe për brezin e ri.

Libri përmban aktet e konferencës shkencore të organizuar së bashku  me Akademinë e Shkencave, të cilat botohen me rastin  e 90-vjetorit të qeverisë të kryesuar prej Fan S. Nolit, në gjysmën e dytë të vitit 1924 dhe 50-vjetorit të vdekjes, duke sjellë një kontribut të vyer në ndiçimin dhe studimin e mëtejshëm të figurës poliedrike të Fan Nolit me këndvështrime të reja, gjykime mbi dobësitë dhe prurjet e çmuara historike të sjella nga ky kryeministër i kësaj epoke në historinë shqiptare.

Përgatitësi i botimit Naim Zoto njëkohësisht dhe kryetar i Fondacionit Fan Noli dhe redaktori prof. dr. Shaban Sinani, kanë qenë shumë të vëmendshëm që botimit historiko-politik me kontribute të reja shkencore, t’i bashkangjiten dhe disa studime referenciale të dijetarëve shqiptarë për Nolin nga Faik Konica, Mitrush Kuteli e Eqrem Çabej.

Në shërbim dhe plotësim të figurës së Fan S. Nolit si kryeministër janë gjetur mjaft të goditura dhe të përzgjedhura  botimi i  pamfleteve të tij Jatagani dhe kalemi, Kabineti i sotëm është kabineti i pykave, Ky popull meriton çdo sakrificë që të fitonjë lirinë, Pesë anarkitë, Ç’kemi bërë për paqen? etj., që flasin dhe rrokin pothuajse momentet më kryesore politike të veprimtarisë së tij politiko diplomatike në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të përvojës së tij si kryeministër, politikan e diplomat karriere.

Libri fillon me një shënim hyrës nga prof. dr. Jorgo Bulo dhe z. Dhimitër Anagnosti dhe pasohet në vijimësi me prurjet shkencore të  profesorëve të nderuar dhe të studiuesve të rinj pjesëmarrës në këtë konferencë. Vlen të theksohet se të gjitha kumtimet përshkohen nga vlerësimi unik për Fan Nolin si një nga kryeministrat më të kulturuar të Ballkanit, një nga krerët e kulturës europiane të kohës, ndër të paktit që kishte kryer universitetin e famshëm të Harvardit, shqiptari më i shquar në Amerikë, politikan, diplomat e orator, poet, muzikolog përkthyes. Autorët sipas fushave të tyre të studimit  mbi figurën e Fan  S. Nolit kanë bërë objekt të studimeve të tyre aspekte të veçanta të veprës së tij.

Prof. dr. Jorgo Bulo në fjalën shkencore cilësoi se për herë të parë në historinë e Shqipërisë vinte një kryeministër si Fan S. Noli - një peshkop ortodoks - rast unikal në gjithë Europën, themeluesi dhe kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare që shënoi pavarësimin e  ortodoksisë  shqiptare  nga pushteti i Patrikanës së Stambollit dhe kishte bërë gjithçka për kombëtarizimin gjuhësor të kishës shqiptare, në krye të qeverisë së një vendi me një shumicë dërrmuese myslimane që dëshmon se shqiptarët s’kanë paragjykime prej të cilave vuan aq shumë Ballkani.

Këtë vlerësim e gjejmë në të gjitha aktet e konferencës që botohen, të cilat  nënvizojnë kontributin e Nolit në aksionin politik dhe diplomatik, në pranimin e shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, që ishte një  nga arrtjet më të mëdha në karrierën diplomatike.

Në to gjen mëshirim momenti kulmor i veprimtarisë politike të Fan Nolit në postin e kryeministrit, të dalë nga një revolucion që drejtoi dhe goditi për vdekje feudalizmin për tju dhuruar shqiptarëve një shtet demokratik me mesazhin e europianizimit dhe të kthimit në vlerat e demokracis. Noli mbetet vazhdues i denjë i realizimit të ëndrës së Sami Frashërit dhe Ismail Qemalit për njohjen dhe mbrojtjen e Shqipërisë evropiane.

Në vazhdim të studimit të kontributit të këtij eruditi, në fjalën e tij përshëndetëse Dhimitër Anagnosti, regjisor (Nder i Kombit, Artist i Popullit), dhe themelues i Fondacionit Kulturor Fan Noli, Tiranë, e përcaktoi Nolin si një model të përhershëm, i cili për nga kontributi i madh, iu jep rast historianëve të thellohen e të ndriçojnë me objektivitet veprën e tij.

Një kontribut me vlerë shkencore sjell prof. dr. Nasho Jorgaqi, Biografi i Fan Nolit, autor i shumë librave dhe monografive, përmes kumtesës Fan Noli kryeministër në muajt e parë të qeverisjes sillen fakte dhe detaje të reja për vështirësitë e panumërta që hasi kjo qeveri, duke iu referuar si dokumenteve, arkivave dhe shtypit të atyre viteve.

Sipas Nasho Jorgaqit, mungesa e iniciativës dhe e vendosmërisë së Nolit për të nisur nga ndryshimet, nuk vinte aq nga shkaku se nuk gjente përkrahjen e kabinetit, sesa nga fakti tjetër që akoma ai nuk ishte bindur se shoqëria e prapambetur shqiptare qe e përgatitur për të t’iu nënshtruar qilizmave serioze politike e sociale. Qenë iluzionet iluministe që shtynin Nolin të besonte se Europa e civilizuar do ta mbështeste qeverinë e tij, të paktën si një kabinet  antifeudal, që  do  të  shpëtonte  popullin nga errësira mesjetare.

Autori ndalet në trajtimin e detyrës më të madhe e më të vështirë që ishte para qeverisë, te çështja agrare, në politikën e brendshme që kish të bënte me fatin e pjesës dërmuese të popullit. Ndërsa në ndjekjen e politikës së jashtëme të qeverisë së Nolit biografi nënvizon se qëndrimi i Anglisë ishte përcaktues në politikën europiane, dhe këtë Noli e kishte kuptuar nga raportet e nxira të diplomatëve për qeverisjen e tij, që do të kishin pasoja  përcaktuese dhe në të ardhmen.

Fan Noli diplomat ishte tematika qendrore e studimit të Prof. dr. Paskal Milos. Ai vlerëson se Noli qe një diplomat i përkryer me një kulturë enciklopedike ku pothuajse të gjitha qeveritë shqiptare të viteve të para të 1920-ve e dëshironin ta kishin si ministër të jashtëm, por ai pranoi vetëm në njërën prej tyre të bëhej shef i diplomacisë shqiptare e për një kohë të shkurtër.Nga pozita e  studiuesit vlerëson rolin që luan procesi i kërkimit shkencor në trajtim të veprës së këtyre personaliteteve, të cilat  bëjnë që të dalin dokumente dhe elemente të rinj, që kërkojnë reflektim e justifikojnë edhe këndvështrime të reja.

Ndalet  në motivet kryesore që e nxitën Nolin të sillej e të bëhej një diplomat i përkryer të cilat qenë: atdhetarizmi dhe dëshira e nevoja për t’i shërbyer atdheut të vet. Profesori arrin në konkluzione të qarta se të gjitha veprimet në jetën politike të Nolit u dominuan nga përplasja midis rrymës konservatore e feudale në pushtet me rrymën demokratike e liberale në opozitë.

Si njohës mjaft i mirë i politikës së jashtme të Shqipërisë në vite, ai përcakton se Noli u kushtoi një vëmendje të veçantë marrëdhënieve me Anglinë dhe Amerikën, si dhe me vendet fqinje ku që në fillim shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të jetuar në harmoni e miqësi me to.

Duke qenë mjaft analitik nuk anashkalon dhe dobësit e Nolit dhe  të veprës së tij në fushën e diplomacisë dhe  të politikës së jashtme në rrethanat ndërkombëtare të kohës. Noli e mbivlerësoi njohjen e qeverisë si proces diplomatik dhe rolin e faktorit të jashtëm.
Beteja për rendin demokratik: tentativa e dështuar e vitit 1924 ishte tema që trajtoi
 
Prof. dr. Pëllumb Xhufi

 prof. dr. Pëllumb Xhufi, i cili arriti në konkluzionin se Noli vetë asnjëherë nuk u pendua për përfshirjen e tij në lëvizjen revolucionare të qershorit, e cila u përkrah nga liberalë e demokratë të padyshimtë, si Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Ali Këlcyra dhe vetë Faik Konica, apo nga figura me emër e prestigj të madh në popull, si Bajram Curri e At Gjergj Fishta.

U armiqësova me çifligarët, - sillen fjalët e Nolit - kur thashë se do bëj reformën agrare, u armiqësova me fshatarësinë kur nuk e bëra atë.  Në studim evidentohen mjaft mirë se si ndikuan dhe çfarë sollën idetë revolucionare mbi barazinë natyrore, shtetin e së drejtës dhe mbi sovranitetin e popullit. Përmbysjet e mëdha në Evropën e mbretërve u bënë motive që e shtynë Nolin në këtë lëvizje të madhe me qasje evolucioniste.

Noli mes shqiptarëve të SHBA, është një aspekt tjetër i rëndësishëm që e analizon studiuesi Xhufi duke evidentuar ndryshimet që kishin ndodhur në kontekstin ndërkombëtar nga triumfi i bolshevikëve në Rusi, e aq më shumë pas denoncimit të Traktatit të fshehtë të Londrës. Fan Noli kishte mbrojtur me pasion organizimin republikan të shtetit, të bazuar në vullnetin e shprehur të popullit, në sundimin e ligjit e në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarit e rendit etj.

Nuk lë pa argumentuar dhe një nga arësyet pse dështoi Noli dhe qeveria e tij në politikë dhe arsyeja ishte se nuk arriti të realizojë një revolucion të thellë shoqëror, që do ta ndante Shqipërinë përfundimisht nga a kaluara, gabime këto që u panë dhe në  Lëvizjen Kombëtare dhe tek Ismail Qemali.

Prof. dr. Shaban Sinani  objekt të kumtimit të tij Viti 1924 në poezinë e Fan S. Nolit bën një analizë të thellë dhe sjell konstatime të tij mbi përpjekjet që bëhen për  të kufizuar  dhe  shtrembëruar krijimtarinë e Nolit, përmes manipulimeve ekstra-letrare. Sipas Sinanit, në çerek shekullin e fundmë vendi i poezisë së Fan Nolit në përdorim shkollor është kufizuar.

Nëse do të kërkohej një shpjegim pse ky dyshim herë i drejtpërdrejtë e herë i mbuluar për vlerat e poezisë së Nolit, ai jep përgjigjen se: fajin e ka viti 1924, fajin e ka revolucioni. Pikërisht këtë ka dhe si objekt analize studiuesi dhe meritë në sjelljen e argumenteve për vlerat e larta që gëzon poezia e Nolit madhështinë e saj shprehëse analitike me karakterin e saj artistik të ndërthurur me veprën e tij politike.
Ai analizon arsyet se si ka ndryshuar  studimi i poezisë së Nolit në perriudhat sipas sistemve politike në Shqipëri dhe konkludon se periudha më e favorshme për njohjen dhe studimin e poezisë së Nolit ishte ajo gjysmës së dytë të shekullit XX, duke dhënë dhe arësyet që  ndikuan pozitivisht për këtë, si emri i Nolit dhe antimonarkizmi zyrtar i shtetit komunist.

Po kështu autori i kushton rëndësi debatit shkencor për trashëgimin letrare të Nolit, ku leximi i  poezisë  së  tij  vazhdon të kushtëzohet prej historicizmit.Prof. dr. Hamit Kaba sjell një aspekt tjetër pak të studiuar të veprimtarisë së Nolit në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai ndalet  në mbrojtjen që  i  ka  bërë  çështjes shqiptare Noli dhe Vatra duke u ndalur dhe në aspekte dhe qëndrime në dukje kontradiktore të Nolit, për shkak të mbështetjes dhe mbrojtjes së idesë për të krijuar një qeveri në emigracion të drejtuar nga kundërshtari i tij më i madh, Zogu.

Sipas prof. Kabës këtë të drejta ja jep Nolit dhe vet vendi i diasporës shqiptare në SHBA, dhe kjo jo thjesht për numrin e të mërguarve shqiptarë të grupuar rreth saj, por për angazhimin e spikatur për çështjen kombëtare dhe problemet e mëdha, me të cilat është përballur kombi shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas mbarim të saj. Autori e përcakton Nolin si shqiptarin më të shquar në Amerikë, i cili, së bashku me Konicën ishin dy udhëheqësit natyralë të lëvizjes kombëtare dhe  mbështetës të  idesë të një Fronti të Bashkuar Shqiptar.

Interes për lexuesin paraqet dhe trajtimi i ndryshimit të qëndrimit të Nolit ndaj Zogut, ku me argumente dhe dokumente të reja analizon se si u reflektua ky qendrim ke Vatra dhe mbështetësit e Nolit dhe se çfar sillte në favor të çështjs shqiptare ky ndryshim. Ideja ishte që të sheshoheshin mosmarrëveshjet për të arritur në një zgjidhje të pranueshme për bashkim, përmes disa formulave si qeveri në emigracion, Komitet Kombëtar apo Front Kombëtar.

Përdorimi i legjitimitetit të Zogut dhe i figurës së tij nga ana e Vatrës dhe Nolit sipas autorit , për të prezantuar tek qeveritë e vendeve të mëdha aleate  çështjen shqiptare gjatë kohës së luftës mbetet të jetë e diskutueshme dhe e parë kjo dhe në dritën e dokumenteve dhe konceptimit të qëndrimeve të reja.

Vlera merr botimi i këtij libri dhe me vlerësimet që sillen për   librin e Nasho Jorgaqit Jeta e Fan S. Nolit, që me të drejtë prof. dr. Ksenofon Krisafi  ja kushton biografit të tij. Sigurisht kushdo nga studiuesit e personalitetit të Nolit do ta kishte të vështirë ta trajtonte atë pa patur në tryezë biografinë studimore dhe shkencore të shkuar mbi të nga Nasho Norgaqi e parë kjo siç shkruan dhe autori, në radhë të parë për këtë figurë shumë dimensionale të botës shqiptare, ku për jetën dhe veprimtarinë e të cilit, ka folur e ka shkruar më shumë e më mirë për Nolin, që e ka sjellë për herë të parë në formën më të plotë këtë krijim origjinal të një stili të ri, me aftësinë e vëzhguesit dhe të analistit, të shkrimtarit e studiuesit, për profesorin e nderuar Nasho Jorgaqi.

Autori nënvizon se biografi ka qenë plotësisht i bindur për rolin e letërsisë në formimin dhe kultivimin e vetëdijes kombëtare dhe të identitetit kulturor, kjo e çoi atë të bëjë  një punë kolosale shumëvjeçare në përgatitjen e kësaj vepre madhore, Media e shkruar, bota akademike e kanë vlerësuar lart  Nasho Jorgaqin, i cili  ka arritur të japë një nga portretet më të plota e më të spikatura të Fan Nolit.

Dhe këtë analizë dhe vlerësim shumë të spikatuar e ka dhënë në këtë libër me mjeshtëri akademike prof. Krisafi, e ndjej për detyrë, ta mbështes dhe t’i bashkohem një zë më shumë në vlerësimin e veprës së prof. Nasho Jorgaqi, si studiuese që vij nga bota akademike dhe që e kam mbështetur biografin në punën hulumtuese të lodhshme në Arkivin Qendror të Shtetit. Kemi ç’të mësojmë se si e me çfarë pasioni duhen studiuar dhe shkruar për figurat e mëdha të kombit tonë.

Libri sjell prurje dhe kontribute nga studiues të rinj, si Danja Sinanaj, e cila ka ndërmarrë në studim një nga çështjet më të përfolura dhe të vështira që kanë të bëjnë pikërisht me legjitimitetin e qeverisë së Nolit, problem ky i rrahur në historigrafinë juridike.

Që në titull Rreth të quajturit ‘legjitimitet i munguar’ të qeverisë së Fan S. Nolit kuptohet se ka qenë një prej problemeve më të ndërlikuar që rezultoi për Shqipërinë në gjysmën e dytë të vitit 1924, që ka të bëjë me humbjen e subjektivitetit ndërkombëtar të saj, delegjitimimit të së drejtës së përfaqësimit në organizatat kujdestare të rendit botëror që kishte dalë prej Konferencës së Versajës.

Prandaj dhe autorja në 90-vjetorin e kësaj ngjarjeje,  sipas cilësimeve të bëra  nga shkenca e historisë që herë e quan si revolucion, herë si kryengritje popullore, herë si lëvizje politike, herë si grusht shteti, herë si puç politik, ndalet në këto çështje që kërkojnë rishqyrtim. Studiuesja sjell argumente se kryeministri e dinte se qeveria e tij do të ishte e përkohshme për sa kohë do të  nevojiteshin zgjedhjet e lira, me votë të fshehtë dhe direkte, që ajo të merrte formën normale dhe legjitime - se zbatimi i reformave  do  të  ishte një kusht vendimtar për të fituar zgjedhjet dhe për të arritur njohjen ndërkombëtare.

Fuqitë e Mëdha shpresonin se Noli do të legjitimonte qeverinë përpara se të merrte iniciativën për të kryer reformë agrare. Noli ndoqi një politikë propaganduese dhe diplomatike në rrafsh shumë të gjerë si metodë drejt ligjërimit të qeverisë si dhe sjellja e dy faktorëve të rëndësishëm që nuk i sollën mbështeje ndërkombëtare qeverisë së Nolit: konfiskimi i pasurisë, që konsiderohej si masë revolucionare ekstremiste dhe vendosja e eksponentëve të regjimit të vjetër përpara gjyqit politik dhe  vendosën përfundimisht mos njohjen nga fuqitë e mëdha qeverinë e Nolit. Asnjëra nga masat që duhet të merrte qeverija nuk çuan në njohjen e legjitimitetit të saj.

Duke përfunduar botimi i këtij libri i justifikon më së miri përpjekjet e studiuesve për prurjet e tyre shkencore mbi figurën e Nolit i cili në këtë botë shqiptare, që ai e deshi me të gjitha fijet e zemrës  - siç shprehet Eqerem Çabej - mbetet i gjallë ndër ne, si sot, si në ditët që do të vijnë.
noli





















































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Morën ryshfet për të favorizuar një ndërtim pa leje, shpallen në kërkim kryeinspektori e inspektori i IMT Elbasan

Morën ryshfet për të favorizuar një ndërtim pa leje, shpallen në kërkim kryeinspektori e inspektori i IMT Elbasan