Fatkeqësia jashtë dere

Fatkeqësia jashtë dere
Një qeveri që ka zhvilluar mbi 450 mbledhje qeverie, dhe nuk u votua nga 1 milionë shqiptarë, pra më shumë se gjysma e votuesve, do të thotë se ka qenë një qeveri e dështuar. Keni dëgjuar ndonjëherë kur shkojmë nëpër kafene, flasim si kodra pas bregut, njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit, siç e përmendim shpesh në tavolina????? Ja pra, kjo ishte mbledhja e djeshme e Këshillit të Ministrave, e fundit (shyqyr Zotit) e zhvilluar nga kryeministri në ikje, dhe me asnjë lloj pendese për atë që nuk ka bërë dhe për të cilën e votuan kundër të gjithë shqiptarët, të paktën, shumica e tyre. Në një fitore të së majtës, duhet thënë plebishitare, si rrallë ndonjëherë që nga viti 1992, kohë në të cilën shqiptarët përmbysën komunizmin në Shqipëri.

Do ta kishin besuar më shumë doktor Berishën ditën e djeshme nëse ai do të mund të thoshte ndonjë fjalë për dështimet e qeverisjes së tij, dhe se pse shqiptarët e urryen kaq shumë, aq sa e lanë PD me gati 30 deputetëtë në kuvend (se të tjerët o janë aleatë, o janë ata që u importuan nga PS). Do të ishte më e ndershme për një ish kryetar në ikje të forcës së parë demokratike në Shqipëri, dhe të një kryeministri që udhëhoqi këtë vend për 8 vjet, të na tregonte dhe të kërkonte falje, se pse 1 milionë shqiptarë, nuk e pranuan alternativën e tij të gënjeshtërt të rrugëve, të ujësjellësave, të shkollave e parqeve të reja, të rritjes ekonomike apo rritjes së pagave dhe pensioneve, të një vendi, që ishte i dyti pas Gjermanisë pas zhvillimit të tij evropian e ekonomik.

Përpara se të përmendte aplikimin e Shqipërisë në presidencën çeke të BE, duhet që kryeministri të na tregonte se cilat ishin marifetet qoftë edhe ekonomike që e bëri këtë veprim, duke harruar, se përpara këtyre interesave, Evropa e madhe se cilës duam dhe duhet ti bashkohemi, ka pikësë pari në fokusin e saj parimet e demokracisë, shtetit ligjor e të së drejtës, tej interesave dhe klientelizmave ekonomikë, që të paktën 5 vitet e fundit, doktori në ikje, i pati shumë përzemër.

Përpara se të na tregojë historitë e koncesioneve të tipit alla-fazllician, duhet të na fliste për projektin e dështuar të Shqipërisë 1 euro, apo Shqipërisë në moshën e Internetit, apo Shqipërisë one-stop-shop, projektet gjigande që nuk do të hiqen nga memorja e çdo shqiptari, të thëna në çdo edicion informativ lajmesh, e që sot e kësaj dite, janë fllucka sapuni që i ka marrë era prej kohësh, por që ne, nuk kemi as kohë, as kapacitete, as nerva t’i ndjekim e t’i shikojmë më si dështime. Sepse që janë dështime, kjo as nuk diskutohet, por që qeveria e re që vjen, duhet të shohë një më një, çdo lloj procedure korruptive koncensioni, kjo duhet të jetë mëse normale.

Më kanë thënë dikur, se për përjashtimin e një firme nga një tender rrugësh, disa bodigardë, jo vetëm penguan personin që do të dorëzonte dokumentacionin, por për të mos e futur në procedurën e tenderit, i vodhën edhe dokumentacionin e plotë. Përfundimi: subjekti që pretendonte se do të ishte me pikë maksimale, sigurisht nuk arriti në kohë në tender, dhe firma që pretendonte tenderin, e mori atë.

Ndoshta Berisha do ketë pasur këtë gjë parasysh kur fliste sesa shpejt zgjidheshin punët gjatë qeverisjes së vet, por harron se e ktheu shtetin në një bandë të organizuar me kapuç në kokë që nuk po njihte më Ligjin e Maliqin. Që do të thotë, nëse ditën e djeshme ka qenë mbledhja e fundit e qeverisë në ikje, ka qenë mbledhja e fundit e një qeverie që vetëm për qytetarët nuk mendoi siç duhet të mendonte; por siç funksionon një qeveri në ikje, në mënyrë banditeske, duke marrë çdo gjë të mbetur në këtë vend, dhe duke kërcënuar për atë që do të vijë. Një qeveri, që ende nuk e ka filluar punën, dhe që duhet të provohet në punët e veta. Dje Berisha tha se fatkeqësia është këtu, por na duhet të themi se sot, fatkeqësia është jashtë dere. Le ta provojmë të jetë aty. Dhe të përpiqemi për më mirë, për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, brenda e jashtë vendit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.09.2013
 
Redakasia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Edhe 5 ditë afat për mbi 73 mijë persona që të dorëzojnë DIVA-n! Tatimet për Report TV: Vjet ishin mbi 49 mijë individë në më shumë se 1 punë

Edhe 5 ditë afat për mbi 73 mijë persona që të dorëzojnë DIVA-n! Tatimet për Report TV: Vjet ishin mbi 49 mijë individë në më shumë se 1 punë