Fatos Çoçoli: 6 vjet financa të shëndetshme?

Fatos Çoçoli: 6 vjet financa të shëndetshme?

Foto ilustruese

Ministria e Financave prezantoi dy ditë më parë Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2025-2030. Ky dokument bazë është përgatitur, së bashku me ekspertët e Bashkimit Europian.

Ai do të orientojë politikat qeveritare dhe reformat në drejtimin e financave publike deri në vitin 2030. Forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i financave publike është një nga kërkesat themelore të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, për vendet kandidate që po provojnë t’i bashkohen.

Financat publike në optikën e FMN, BB,  “Standard&Poor’s” dhe “Moody’s”

Reforma e Menaxhimit të Financave Publike na siguron një sistem financiar që nxit transparencën, llogaridhënien dhe disiplinën fiskale në harxhimin e lekëve të taksapaguesve. Plani i Rritjes për të pesë vendet e Ballkanit Perendimor, i miratuar së fundmi nga Parlamenti Evropian, ka vënë në dispozicion qindra milionë euro, për të ndihmuar edhe avancimin e financave publike të vendeve tona. Ai do të shërbejë si shtysë për vijimin e reformave, në mënyrën dhe përgjegjësinë se si i shpenzojmë paratë e taksapaguesve.

Shqipëria po kalon një moment pozitiv ekonomik. Ajo është vlerësuar në performanën e saj edhe nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, si edhe nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit të pagimit të borxhit publik, “Standard&Poor’s” dhe “Moody’s”.

Financat tona publike janë në një hov të mirëfilltë. Treguesit kryesorë makroekonomikë, si rritja ekonomike, ulja e inflacionit vjetor, ulja e borxhit publik, kanë shënuar përmirësime të ndjeshme. Borxhi publik në fund të vitit të kaluar zbriti për herë të parë që nga viti 2011, nën nivelin 60 përqind të prodhimit kombëtar. Ai pritet të ulet akoma dhe më shumë, në 58 përqind për këtë vit. Borxhi publik do të vijojë trajektoren e tij rënëse edhe gjatë viteve të tjera në vazhdim.

Shqipëria me bilanc primar pozitiv për dy vite rradhazi 2022-2023

Për herë të dytë në vitin 2023, të ardhurat e buxhetit në bilancin primar(pa llogatitur rishpërndarjen) ia kaluan shpenzimeve, ndërsa detyrimet e prapambetura arritën në nivelin më të ulët, që nga viti 2016 i nisjes së vëzhgimit të tyre. Ato kapën vetëm 1 përqind të shpenzimeve buxhetore vjetore.

Viti i kaluar shënoi po ashtu një  përmirësim të ndjeshëm edhe në bilancin e llogarisë korrente, pra në bilancin e sa para na hyjnë dhe na dalin nga vendi. Në vitin 2023, tek ne hynë 4.2 miliardë euro turizëm, 1.5 miliardë euro investime të huaja të drejtpërdrejta dhe 1 miliardë euro dërgesa të emigrantëve.

Të ardhurat publike kanë ecur mirë edhe gjatë katër muajve janar-prill të këtij viti. Qeveria synon të mbledhë për këtë vit 28 përqind të prodhimit kombëtar si të ardhura, ose mbi 6.2 miliardë euro.

Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike 2025-2030

Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike 2025-2030 ka për objektiv përmirësimin e mëtejshëm të politikave fiskale dhe makroekonomike të vendit, avancimin në planifikimin e integruar strategjik dhe buxhetor, si edhe rritjen e cilësisë së vëzhgimit dhe raportimit për të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore.

Ministria jonë e Financave do të avancojë sistemet e Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, në përputhje me praktikat e ministrive të financave të Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian. Vendi do të nxisë dhe integrojë elementët e ekonomisë së gjelbër, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër(Green Deal) të Bashkimit Evropian, duke synuar procedura dhe praktika që nxisin shpenzimet drejt aktiviteteve të gjelbra.

Ministria e Financave po punon të rrisë kapacitetet për programimin makroekonomik, si edhe për parashikimet makro-fiskale, në bashkëpunim me ekspertët e FMN-së dhe të Bashkimin Evropian. Ajo synon të arrijë progres të qëndrueshëm, lidhur me Planifikimin Strategjik të Integruar dhe procesin e Planifikimit Buxhetor Afatmesëm.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka rishikuar kuadrin ligjor për Menaxhimin e Investimeve Publike, duke përparësuar një listë unike me projekte me rëndësi kombëtare, si hekurudhat Tiranë-Rinas-Durrës, Durrës-Rrogozhinë dhe Vorë-Hani i Hotit, akse thelbësore rrugore, portin e ri kombëtar në Porto-Romano, etj..

Menaxhimi i financave vendore ka bërë përpara, duke forcuar kontrollin dhe disiplinën financiare në qeverisjen vendore, kryesisht përmes ndryshimeve në kuadrin ligjor e rregullator.

Nga ana tjetër, kuadri ligjor i menaxhimit të borxhit publik është ndryshuar, duke reflektuar përmirësime në Strategjinë e Menaxhimit të Borxhit Publik 2025-2030. Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike 2025-2030, e publikuar për konsultim publik në fillim të prillit 2024, pritet të miratohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, për të nisur më tej me fazën e zbatimit të suksesshëm të saj.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • anna: 07/05/2024 11:47

    duhet te rriten akoma me shume pagat

    Përgjigju
  • Teo: 06/05/2024 10:56

    Cmimet e rritura o Tosi te ardhura me te larta cimrt e rritura 100% te ardhurat 20% si I behet? Normal qe borxhi I vjeter shlyhet kollaj dhe me kurs ne favor

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nxiti protesta masive, presidentja e Gjeorgjisë i vë veton ligjit për 'agjentë të huaj'

Nxiti protesta masive, presidentja e Gjeorgjisë i vë veton ligjit për 'agjentë të huaj'