Braktisja e fëmijëve në rritje! 1 vit më parë 41 prindër para drejtësisë, 691 të mitur u ndaluan në kufi! Shtohen kontrollet për të 'dyshimtët'

TIRANË - Fenomeni i braktisjes së fëmijëve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian, është kthyer në shqetësim për autoritetet nga përmasat në rritje që po merr, nga prindër që ikin familjarisht dhe kthehen vetëm! Drejtor i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj për Report Tv, thotë se për 2019-ën janë 41 prindër që janë përballur me drejtësinë për “Braktisje të femijëve të mitur", nga 27 që kanë qenë në vitin 2018. Por kjo shifër e referimeve në prokurori, në fakt, mund të mos tregojë realitetin e fëmijëve të braktisur. Numri i tyre mund të jetë shumë më i lartë, për vetë përfitimet që ata marrin nëse gjenden në vendet e BE-së si të mitur të braktisur nga prindërit, ku shtetet më të 'preferuara' mbeten Italia dhe Franca. Shërbimet sociale në vendet e BE-së, i marrin në mbrojtje fëmijët nën moshën 18 vjeç dhe u ofrojnë strehim e shkollim. Ndërkohë që në Shqipëri, prindërit e kthyer të vetëm rrezikojnë burgun! Braktisja e fëmijëve nën moshën 16 vjeç përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë deri në 3 vite burg.

 “Kemi pasur një numër relativisht pak në rritje në krahasim me 2018, 41 raste, kanë qenë raste të cilat prindër të ndryshëm janë referuar nga Policia e Shtetit në prokurori dhe në institucionet e prokurorisë përsa i përket veprës penale të “Braktisjes së të miturve”, e cila është një nen në kodin penal. Kanë kaluar kufirin duke plotësuar dokumentacionin e duhur, por në momentin që kanë shkuar në një vend të Europës ose në një vend të Shengenit atje pastaj kanë lënë fëmijët në qendrat e ndryshme të trajtimit që ka në vendet të ndryshme të Europës dhe kur janë kthyer, janë kthyer vetëm. Pas intervistimit të punonjësve të policisë së kufirit ka rezultuar që shumë nga këta shtetas, kanë deklaruar që i kanë lënë për arsye të ndryshme në këto qendra në vendet respektive”, - u shpreh drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj.

Por çfarë i shtyn prindërit shqiptarë të braktisin fëmijët e tyre, kur ekziston rreziku që ata të bien në kthetrat e grupeve kriminale dhe rrjeteve të trafikut?

Shpresa e tyre është që kur fëmijët moshën 18 vjeç, të marrin dokumentet në vendin ku jetojnë edhe të tërheqin më tej familjen e tyre.  Por nga ana tjetër, autoritetet e vendeve të huaja, janë përgatitur përballë këtyre situatave, duke e bërë thuajse të pamundur përfitimin e dokumenteve përmes kësaj taktike.

Drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj, thotë se për të parandaluar që ky fenomen të marrë përmasa edhe më të mëdha, me firmë të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj më 8 janar, ka dalë udhëzimi për forcimin e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar për shtetasit shqiptarë që dalin jashtë vendit. Vetëm në vitin 2019, 14 220 qytetarëve u është refuzuar ta kalojnë kufirin për mungesë dokumentacioni, mes të cilëve 691 fëmijë të mitur.

Pritshmëria e shumë shqiptarëve për të përfituar azil është kthyer gjithashtu në 'pikë referimi' për punën e policisë, e cila ka shtuar kontrollet përmes oficerëve në pikat kufitare, ndërsa udhëtarëve u kërkohen të gjitha garancitë për vendin e qëndrimit jashtë Shqipërisë. Në të gjitha rastet kur ka dyshime për dokumentacionin e paraqitur nga prindërit apo shoqëruesit e fëmijëve, autoritetet e kufirit kontaktojnë noterët për vërtetësinë e dokumenteve.

“Në funksion të këtij urdhri dhe udhëzimi absolutisht që ne e kemi parë të arsyeshme që të rrisim numrin e kontrolleve, rritjen e përgjegjshmërisë nga njerëzit në mënyrë më të mirë të mundshme në kohën që ata duan të kalojnë kufijtë shqiptarë, për të mos abuzuar me të drejtën për azil në një vend tjetër. Në udhëzimin e ministrit është shtuar thjeshtë mënyra më e rreptë, më ligjore e punonjësve të policisë në pikat kufitare, por jo vetëm edhe plotësimi i dokumentacioneve të shtetasve shqiptarë. Ne kemi të drejtën për të lëvizur lirshëm, por kemi dhe detyrimin për të respektuar këtë të drejtë, kjo e drejtë absolutisht që ka pas saj dhe ca detyrime shumë të forta nga vendet e BE-së të cilat duhen të respektohen që nga ditët e qëndrimit e shumë e shumë detyrime të tjera”- u shpreh drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj.

Ajo që shihet nga prindërit "braktisje për një jetë të mirë", në fakt u kthehet në bumerang, pasi sapo mbushin 18 vjeç fëmijët janë të detyruar të lënë qendrat e strehimit dhe të përballen të vetëm me jetesën në një vend të huaj, për të gjetur vendbanim dhe një punë. Një rrugë, që shpesh, është e vështirë edhe për vetë vendasit! Braktisja e fëmijëve të mitur, vuri në alarm autoritetet  në vitin 2017, kur nisi edhe fluksi i shqiptarëve për të kërkuar azil.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët