Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka uruar Kosovën për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar pjekurinë demokratike të treguar gjatë procesit. Në një reagim në X, Hoxha tha se pret formimin e institucioneve të reja që do të dalin nga vullneti i qytetarëve, për të vijuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe rrugëtimin drejt integrimit evropian dhe euroatlantik.
“Urime Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj, institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, si dhe të gjitha subjekteve politike pjesëmarrëse, për pjekurinë demokratike dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Ne presim me shumë interes formimin e institucioneve të reja që burojnë nga vullneti i zgjedhësve, për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë, forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të gjithanshme në të mirë të interesave tona reciproke dhe të përbashkëta, si dhe për avancimin në rrugëtimin drejt së ardhmes sonë të përbashkët #evropiane dhe euroatlantike”, shkroi Hoxha në rrjetin social X.
Komente





