Festivali XI në Bunk’art 1, protagonistët: Më i bukuri dhe më shqiptari që është bërë ndonjëherë (VIDEO)

Festivali i 11-të, në mbrëmjen e dytë risolli në skenën e improvizuar të Bunk’Art1 7 këngë të tjera nga ngjarja më e zhurmshme artistike e diktaturës.  7 këngë ku arti flet me të vetmen gjuhë që nuk i rri ngushtë, atë të lirisë, të ndjesive personale, të shpresës e mendimit futurist. Kjo shprehi faqebardhë, që fillimisht u lëvdua mendimi gati “uniform” i popullit, sapo ndjeu zemërimin e udhëheqësit Enver Hoxha edhe të sërës së tij, iu kthye artistëve kundër, duke shënjuar fatet e tyre.

Justina Aliaj, si 47 vite më parë befason publikun, e ndalon në Bunk’Art për të treguar përjetimin e saj. Më shumë se 18 vite e privuar nga aktrimi e kënga, bukuria e talentit të saj, hijeshia e artistes, kishte verbuar logjikën e diktatorit.

"Kënga është e popullit edhe do të këndohet me ne edhe pa ne. E rëndësishme është të jetë në kujtesën tonë. Kanë kaluar shumë vite, ka dhimbje edhe nostalgji, por mund të them pa frik se kemi bërë art, kemi bërë melodi", shprehet këngëtarja Justina Aliaj.

Të trembur qenë asokohe edhe nga dedikimet e pastra të dashurisë, ndaj këngëtarit të ri Hilmi Hoxha që këndoi “Vajza e qelqeve” , nuk i lejuan më të këndojë në asnjë festival. Të ashpër qenë edhe me artistin Dorian Nini që me talentin e tij kishte tërhequr vëmendjen e Çesk  Zadesë, por për ato ritme modern që i dha këngës “Shoqja ime më e mirë” ai do të dërgohej në Rrëshen, ku do të ngrohte zemrat  e vendasve me muzikën e tij, duke u bërë një nga njerëzit më të dashur për ta. Por historia nuk duhet të harrohet, ndaj në vend të tij, ngjarjen e tregon i biri.

Në këtë udhëtim pas në kohë, përgjegjësi teknik i audios së festivalit, Spiro Konduri tregoi gjatë mbrëmjes disa nga të pathënat e kësaj tentative të çmendur për t’i vënë pranga artit.

“Një veçanti ishte që ka qenë festivali i parë që në skenë ishin katër formacione orkestrale. Ishte festivali i parë që ishin bërë regjistrimet para se të shkonin në sallë. Të tjerat janë regjistrime nga salla”, shprehet Konduri.

Ndërsa, zëri i Irma Libohovës arrinë tek publiku nëpërmjet një serenate. Violina e Olen Cesarit qetësojnë shpirtrat e atyre që s’janë, luan “Ave Maria” edhe për ata që s’mundën, gati si një filiz shprese i çelur në Shqipërinë e diktaturës, ku çdo formë lirie vihej në gijotinë.

“Në atë epokë violinës s’mund ti bije për qejf, ishte i paralizuar. Edhe këngëtari ishte i paralizuar”, tregon virtuozi i violinës.

Dallgëdinë e atij sistemi që e privoi për 7 vite nga festivali, Bashkim Alibali  edhe Enver  Shëngjergji e rrëfejnë në Bunk’Art “Mbrëmjen e fundit”.

“Për mua është festivali më i bukur edhe më shqiptar, që është bërë ndonjëherë”, rrëfen Bashkim Alibali.

Një mbrëmje, që  i bën homazh këngës së ndaluar të Fatbardha Rakipit, apo “Vaçes” së dytë, Ema Qazimit e mbi të gjitha artistëve, si Françesk Radi, që pavarësisht se sistemi lëshoi mbi të ndëshkime të egra, duke e strehuar në një barakë të ftohtë  për tetë vite në Fushë Arrëz, ai zgjodhi t’i këndojë jetës e dashurisë

“Ajo ishte e vetmja këngë politike e drejtpërdrejtë e të gjithë festivalit. Por , siç doli këtu edhe nga kënga e Bashkim Alibalit etj., festivali jo se nuk kishte një farë përmbajtje politike. Por ajo që ishte e bukur ishte muzika, interpretimi edhe arranxhimi muzikor. Kërkohej një farë përgatitjeje. Unë isha redaktor i të gjithë teksteve edhe na thanë që duhej një këngë me temë ndërkombëtare. Në bisedë me Frankon menduam që të sjellim këtë. Për atë kohë t’i këndohej Vietnamit me kitarë quhej shumë çudi e madhe. Por këngës nëse i hiqje fjalën  Vietnam ishte shumë e ëmbël. Nuk ka protestë, por ishte një këngë e ëmbël për Vietnamin”, rrëfen mes të tjerash autori i tekstit të këngës “Kur dëgjojmë zëra nga bota”, që 47 vite më parë në skenë e këndoi kantautori i ndjerë, Francesk Radi.

Nata finale e këtij Festivali retrospektivë, e  ideuar dhe organizuar nga gazetari Carlo Bollino vijon nesër  (datë 11 dhjetor, ora 17.30) në Bunk’art 1 me të tjera këngë, surpriza e histori njerëzore.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit