Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e shkollave në Fier për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në një shkollë të mesme në Cakran në Fier ku një nxënës ka goditur me mjet të mprehtë një nxënës tjetër.
Mësohet se, Manastirliu i ka kërkuar Drejtorisë Rajonale të Fierit pezullimin e drejtuesve të shkollës dhe oficerit të sigurisë, deri në përfundim të verifikimit për zbatimin e protokolleve të sigurisë të ndjekura dhe në përfundimin e hetimeve mbi këtë ngjarje.
Në takim është diskutuar edhe marrja e masave shtesë për kontrollet fizike në çdo shkollë, dhe angazhimin e plotë të komisioneve të sigurisë në institucionet arsimore për zbatimin efektiv të protokolleve të sigurisë.
Incidenti midis adoleshentëve, sipas burimeve nga Policia e Fierit, ka nisur pas një debati të krijuar në rrjetin social Snapchat ndërsa më pas plagosja e17-vjeçarit nga bashkëmoshatari ka ndodhur në korridorin e shkollës, ku situata ka agravuar deri në përdorimin e një mjeti prerës nga njëri prej tyre.
Autori i dyshuar është identifikuar dhe shoqëruar nga policia për marrjen e dëshmisë dhe procedurat e mëtejshme ligjore. Ndërkohë, policia vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.