Fija e fundit e kashtës së Berishës

Fija e fundit e kashtës së Berishës

Sali Berisha

Megjithëse ka më shumë se një vit pa kryetar, dhe kjo u pa qartë që e çoi PD-në në degradim, një grup deputetësh të saj po kërkojnë ta shtyjnë edhe një vit tjetër deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Mund të duket për të qeshur, por kjo është e vërtetetë. Në funksion të këtij qëllimi, ata shpikin lloj-lloj budallëqesh të markuara me emra mistikë si “triumvirat”, “regjencë” apo “federalizëm”. Budallëku është një mënyrë për të maskuar shejtallëkun dhe vobektësinë politike, ndërsa termat nga fjalori politik i dështimeve historike, janë një mënyrë për të maskuar budallëkun e nevojshëm. Njëra maskë mbulon tjetrën, të dyja mbulojnë fytyrën.

Nëpërmjet akrobacive të tilla të trasha ata po kërkojnë “të fitojnë kohë” deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, ndonëse në fakt, me këtë oposion ata vetëm po tentojnë ti dhurojnë kohë Berishës të marrë veten nga katastrofa, për të vazhduar pengmarrjen e opozitës dhe për rrjedhojë edhe agoninë e saj pa mbarim.

Pse e bëjnë këtë?

Duke qenë pa peshë politike, shumica prej tyre, të frustruar nga sulmet e foltores, janë përpjekur të luajnë me dy porta duke u kacavjerrë me një dorë në njërin kamp e një dorë në tjetrin. Në këtë mënyrë ata kanë shpresuar se, në rastin që njëra degë thyhet, ata do mund të hidhen plotësisht në degën tjetër. Mirëpo, siç është e kuptueshme të ndodhë, në këtë mënyrë ata vetëm i kanë humbur të dyja mundësitë. Ata nuk kanë mbështetje tashmë as në PD-në zyrtare as në foltore.

Ka vetëm një skenar që mund t’iu japë atyre një rol për të mbetur në politikë. Ata shpresojnë se tashë që u pa qartë se Berisha nuk mund të ketë një të ardhme, ai do tërhiqet nga kreu i grupit të vet, duke zgjedhur një kryetar kukull, nëpërmjet të cilit do të mund të bashkojë dy pjesët dhe të kontrollojë gjithçka nga paskuintave. Roli i tyre është pikërisht që të shtyjnë përpara një proces të tillë bashkimi me hile, ku me bashkim kuptohet kapja e njërës palë nga tjetra.

Në fakt, Berisha tashmë e ka humbur mundësinë për të pasur aksion politik. Në një vit e gjysëm ai u përpoq me shpirt ndër dhëmbë të prodhojë iluzionin se do ringrejë opozitën për të rrëzuar qeverinë. Ia doli, në fakt, vetëm të mbajë ndezur përçarjen e brendshme, si e vetmja mundësi që ai të mbesë gjallë. Megjithë median e vet që funskionon si togë pushkatimi ndaj rivalëve të brendshëm, megjithë përkrahjen e fuqishme të medias së oligarkisë, megjithë armatën e analistëve, portaleve apo memexhinjve që u rekrutuan fuqishën në krah të tij në këtë stinë “të begatë” mercenarizmi, premtimi i tij për përmbysje revolucionare doli një fiasko qesharake. Por ndërkohë ai ia doli të kapë një pjesë të mirë të partisë duke përfituar nga mungesa e lidershipit dhe nga përçarja e brendshme që ai vetë gatoi në kampin kundërshtar.

Në këto kushte ai arriti të imponohet duke e eskpozuar veten si e vetmja opozitë kundër Ramës, për ti detyruar votuesit të jenë në krah të tij, të kushtëzuar nga mungesa e alternativave opozitare. E megjithatë dështoi në mënyën më spektakolare që një opozitë ka dështuar ndonjëherë, çfarë ia ka rrëzuar tashmë të gjitha alibitë.

Sigurisht, gjithçka ka qenë e ditur dhe me plan. Berisha ka qenë i qartë që nuk do të mund ta ngrejë dot popullin në mosbindje civile, dhe se rezultati i zgjedhjeve do të ishte i keq. Por ai do kish shtënë ndërkohë në dorë partinë për të mos e lëshuar më kurrë.

Ky plan u pengua nga rezistenca e grupit të PD-së zyrtare që nuk u dorëzua përballë presioneve të vazhdueshme prej më shumë se një viti. E vetmja shpresë e Berishës është tashmë përçarja brenda kampit kundërshtar. Shpresa e tij e fundit është që PD-ja zyrtare të mbesë edhe nja një vit pa kryetar, në mënyrë që ai ta brejë pak e nga pak për ta shtënë në dorë plotësisht. Kjo në fakt është vetëm fija e fundit e kashtës.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Anglia drejt ndalimit të duhanit: Kush ka lindur pas 1 janarit të vitit 2009 nuk mund të blejë cigare

Anglia drejt ndalimit të duhanit: Kush ka lindur pas 1 janarit të vitit 2009 nuk mund të blejë cigare